` . Kosova ia turbullon ujin Brukselit, si qengji ujkut, por nuk është krejt e pafajshme – TV-SHENJA

Kosova ia turbullon ujin Brukselit, si qengji ujkut, por nuk është krejt e pafajshme

Irredentizmi aktual është antieuropian, për shkak se i mban në spikamë padrejtësitë e kaluara të Europës kundër shqiptarëve, indipedentizmi është panemerikan (dhe proeuropian i plogësht), ndërsa integrizmi jugosllav, sado që është i fshehur, prapë është minues ndaj Kosovës dhe integrimit të saj euro-atlantik

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Marrëdhënia e Kosovës me Bashkimin Europian është shumë i komplikuar, për ç’gjë faje ka më shumë Bashkimi Europian, por as Kosova nuk është pa kusuret e veta. Nuk ka nevojë të bëhet ndonjë shëtitje nacional-romantike nëpër faqet e zhubravitura të librave tanë të historisë, për ta kuptuar atë rol problematik të Europës ndaj shqiptarëve, në përgjithësi, e ndaj Kosovës, në veçanti. Pra, edhe pa atë shëtitje, është e ditur që Fuqitë e Mëdha kanë kalkuluar interesat e veta në këto hapësira dhe, varësisht prej interesave të veta, kanë marrë qëndrim ndaj çështjes shqiptare e çështjes së Kosovës, si fragmenti më fragjil i saj.

Territor dhe kulturë europiane- e papranuar

Shqiptarët dhe çështja e tyre janë trajtuar në kuadër të problemeve gjeopolitike e gjeostrategjike, një kohë duke i përfshirë brenda skemave të hartuara për minimin e Perandorisë Osmane e, më vonë, duke i trajtuar në kuadër të rivaliteteve të shteteve ballkanike, por edhe të disa prej shteteve imperialiste të Europës. Shkurt, shqiptarët nuk janë trajtuar asnjëherë si një komb europian dhe çështja e tyre kombëtare e shtetërore nuk është trajtuar asnjëherë si një çështje mirëfilli europiane. Shansi i fundit që Kosova të trajtohej si një problem i një territori europian dhe i një kombi europian ishte në raport me Planin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit. Bashkimi Europian e kishte rastin ta mbyllte kapitullin shekullor të injorimit të shqiptarëve, duke e pranuar në atë plan edhe pavarësinë e Kosovës. Por, Bashkimi Europian këtë lëvizje nuk e bëri dhe nuk e ka kompletuar as dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por ende vazhdon të mbajë një qëndrim neutral ndaj statusit të saj, duke e injoruar si të mos ishte fjala për një territor dhe për një komb në zemër të saj. Pse mund të thuhet kështu? Po qe se merren si të mirëqena tezat e Zhak lë Gofit lidhur me Europën dhe shtyllat që e konstituojnë si të tillë, përgjigja na rezulton e shpejtë dhe e plotë. Sipas Zhak lë Gofit, përkatësia gjeografike është kriteri i parë që e bën një territor europian ose jo. Ai konstaton se kufiri ekstrem i kontinentit tonë në Lindje është në kilometrin 1777 në malet Urale. Rrjedhimisht shqiptarët, gjeografikisht, jetojnë në zemër të Europës e nuk mund të trajtohen si joeuropianë. Kriteri i dytë, sipas Zhak le Gofit, është kulturor, ku shtylla greko-romake dhe ajo judeo-kristiane përbëjnë fondamentin e identitetit kulturor të Europës. E sigurt është që shqiptarët kanë jetuar brenda kësaj hapësire kulturore në fqinjësi direkte me helenët e romakët. Si një tjetër element të identitetit europian Gofi përmend edhe ndikimin e gjuhëve neolatine, gjë që pa dyshim kanë pasur ndikimet e veta të forta edhe mbi shqipen, duke përmbushur edhe këtë kriter për identitetin europian. Edhe ndikimi i kryqëzatave, si një element ndikues në identitetin europian, ka qenë prezent e me pasoja në trojet iliro-shqiptare. Pra, të gjithë elementët kryesorë që e përbëjnë identitetin europian janë prezentë në identitetin e shqiptarëve, rrjedhimisht edhe të Kosovës. Mirëpo, në rastin tonë këto vlera janë injoruar dhe janë zhvlerësuar, duke ia ekspozuar kombin shqiptar projektit të dëbimit dhe shfarosjes fizike. Arsyeja e vetme për këtë qëndrim ka qenë paragjykimi ndaj përkatësisë islame të shumicës së kombit shqiptar dhe, veçmas, ndaj Kosovës. Tjetër shpjegim nuk ka deri sot.

Nëse lihen krejtësisht mënjanë përvojat e shekujve XIX e XX, kur Europa ka lejuar politikat gjenocidale ndaj shqiptarëve, dhe shihet vetëm qëndrimi aktual i Bashkimit Europian ndaj Kosovës, prapë ngjyra që dominon pikturën është paragjykimi ndaj Kosovës. Bashkimi Europian nuk ka arritur të adoptojë një politikë unike dhe miqësore ndaj Kosovës së pavarur, por vazhdon ta trajtojnë Kosovën si një territor pa status. Pesë shtete anëtare të BE-së (Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia e Qiproja) vazhdojnë ta imponojnë qëndrimin e tyre bllokues ndaj Kosovës. Pikërisht ky qëndrim dualist dhe konfuz në Bashkimin Europian ka inkurajuar dhe po e inkurajon Serbinë dhe Rusinë që të vazhdojnë ta minojnë ekzistimin e Kosovës si shtet. Kjo shihet edhe në mënyrën se si e ushtron pushtetin BE-ja në Kosovë nga viti 1999: në vitin 1999 BE-ja mori përsipër zhvillimin ekonomik të Kosovës (në kuadër të UNMIK-ut, në të ashtuquajturën Shtylla e Katërt.) Ndërkaq, tashmë është e ditur se dështimet më të mëdha në ekonomi Kosova i ka pasur në vitet 1999-2008, kur BE-ja ka drejtuar sektorin e ekonomisë. A ka qenë mungesë ekspertize ose plan që të imponohet ngecja ekonomike e Kosovës, për ta favorizuar Serbinë në rrugën e saj të rehabilitimit, të konsolidimit dhe të integrimit, kjo mbetet që të kuptohet më vonë. Por, ajo që dihet saktë është rezultati katastrofal i ekonomisë së Kosovës në atë periudhë, duke përfshirë edhe privatizimin skandaloz. Shkatërrimi i industrisë në Kosovë ka qenë i planifikuar, sistematik, ashtu sikundër pati deklaruar Bernard Kushneri, i cili pat thënë se nuk kishin ardhur që ta gjallëronin “ekonominë socialiste”. Rezultate jo të mira BE-ja ka pasur edhe në fushën e sundimit të ligjit, pas vitit 2008, me EULEX-in. Besoj se as në këtë rast nuk mund të thuhet se dështimi ka ardhur si pasojë e ekspertizës së personelit. Bindja ime është se dështimi ka qenë i planifikuar për ta favorizuar Serbinë në procesin e integrimit europian, me synimin për ta shkëputur sa më shumë nga afërsia me Rusinë.

Kosova nuk ia di hallin vetes

Sa u përket kusureve të Kosovës, as ato nuk janë të pakta në këtë raport problematik me BE-në. E para, shqiptarët e Kosovës që nga viti 1989 e deri sot kanë ndërtuar narracionin sipas të cilit SHBA-ja është shpëtimtari dhe sponsori kryesor i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kjo qasje, shumë herë e pabalancuar dhe e panuancuar, ka krijuar frustrime në BE ose në shtete të veçanta të BE-së, fjala vjen në Francë. (Bile edhe në shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës Bernard Kushneri u ankua se hapësira promovuese u ishte dhënë shumë më shumë amerikanëve sesa europianëve.) E dyta, elitat politike të Kosovës nuk janë treguar imune ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, me çka kanë zgjuar jo pak irritim në Bashkimin Europian, veçmas në shtetet kryesore të BE-së. Në këtë kontekst edhe bllokimi për tre vjet i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, me çka është bllokuar lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Shengen, nuk ka qenë pa ndikim. Naiviteti i shumë politikanëve shqiptarë të Kosovës shpërfaqet kur edhe në kontekst të dialogut të Brukselit: flasin për SHBA-në si për babën dhe në një pozicion kundërvënieje me Bashkimin Europian. Kërkesat më të fundit të zyrtarëve të Kosovës, që nga presidenti e kryeministri e teposhtë, që në procesin e Brukselit të rikthehen amerikanët, kanë zgjuar irritim shtesë në BE, por e kanë shtuar edhe ambicien e Rusisë që edhe ajo të kërkojë të jetë pjesëmarrëse në atë proces, gjë që BE-në e shqetëson edhe më shumë. Puna është që panemerikanizmi i shqiptarëve mund të funksionojë kur është i kundërvënë me pansllavizmin e me Rusinë, por bëhet problematik kur i kundërvihet, pa asnjë lloj imagjinate, vetë Bashkimit Europian.

Në këtë kontekst, probleme shtesë paraqesin edhe deklarimet aventureske të Edi Ramës si ajo për një president të përbashkët për Kosovë e Shqipëri, e shprehur në foltoren e Kuvendit të Kosovës, në shënimin e dhjetë vjetorit të pavarësisë. Nuk merret vesh se për ç’arsye bëhen këso provokimesh ndaj Bashkimit Europian as nga Shqipëria, e cila po ashtu aspiron të bëhet anëtare e BE-së.

Më duket se fërkimet e tashme i kanë dy burime. Së pari janë paragjykimet e një pjese të europianëve, veçmas të së djathtës ekstreme, e cila është fuqizuar shumë. Ata e kanë kthyer diskursin e mëhershëm paragjykues për shqiptarët, për shkak të paragjykimeve që kanë ndaj Islamit. E dyta, ndër shqiptarë ekziston një konfuzion ideologjik lidhur me të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve, përkatësisht lidhur me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Realisht, në Kosovë përplasen tre rryma ideologjike agresive: irredentizmi, indipedentizmi dhe integrizmi (ky është në defanzivë dhe në rënie.) Irredentizmi aktual është antieuropian, për shkak se mban në spikamë të kaluarën, padrejtësitë e kaluara të Europës kundër shqiptarëve, indipedentizmi është panemerikan (dhe proeuropian i plogësht), ndërsa integrizmi jugosllav, sado që është i fshehur, tinëzar, prapë është minues ndaj Kosovës dhe integrimit të saj euro-atlantik. Konflikti bizar në 10-vjetorin e pavarësisë lidhur me flamurin shtetëror dhe flamurin kombëtar në hyrje të Prishtinës, e zbulon këtë luftë ideologjike që është prezente në gjirin e elitave të tashme, po edhe të një pjese të shoqërisë. Ndërkaq, elitat dhe shoqëria që ka këso dilema, pra se a duhet të valëvitet flamuri shtetëror në hyrje të kryeqytetit, në dhjetëvjetorin e pavarësisë së shtetit, nuk janë të aftë që t’i tejkalojë paragjykimet dhe problemet e hapura me Bashkimin Europian.

Hajc Kristijan Shtrahe tha atë që e mendojnë shumë europianë

Nga ana tjetër, elitat në shtete të ndryshme të Bashkimit Europian gjithnjë e më shumë po bëhen intolerante ndaj Kosovës. Simboli më vizibil i kësaj tendence të re tashmë është vicekancelari i Austrisë, Hajnc Kristijan Shtrahe, i cili gjatë një vizite zyrtare në Beograd, në një intervistë në gazetën “Politika” tha se “Kosova është pjesë e Serbisë.” Edhe pse e demantoi pastaj deklaratën e vet nën presionin e shefit të tij, shija e hidhur ka mbetur. Ndërkaq, në Çeki po mblidhen firma për të tërhequr njohjen e Kosovës. Dhe, këtu jemi para një episodi të ri të paragjykimeve ndaj shqiptarëve dhe të ndaj shtetit të Kosovës. Thënë figurativisht, Kosova e Brukseli po shikohen si ujku e qengji, me akuzën e Brukselit se Kosova po ia turbullon ujin, ndonëse është më poshtë dhe, bile, e rënë përtokë. Por, në këso rastesh as qengji nuk është krejt i pafajshëm. Faji minimal i tij është pse nuk ia di hallin vetes. Dhe, faji i dytë është pse nuk rritet e, të paktën, të bëhet dash, që t’i nxjerrë tjetrit më shumë punë.