` . Kosova, han pa tapi që u nxor në shitje… - TV-SHENJA

Kosova, han pa tapi që u nxor në shitje…

Han me shumë porta! Ky është përkufizimi më i saktë që vlen për Kosovën, por për fat keq ende pa i dal tapia, hanxhinjtë që e administrojnë, duan ta shesin. A ka vend për t’u shqetësuar?!

 Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Fati i Kosovës, për 30 vjet, ishte në tre palë duar të ndryshme, që nuk kishin lidhje me njëra tjetrën, as kontinuitet dhe detyrimisht dështimi ishte i sigurt.

Sot nuk është e qartë se pse këto tri Ekipe Negociatore nuk u ndërthurën njëra me tjetrën, në ide, dështime dhe suksese, që korrën gjatë procesit negociator, ndërkohë lidershipi është i gatshëm ta minojë projektin ndërkombëtarë, i cili e mundësoi shpalljen e pavarësisë, Planin e Ahtisarit. Nëse kësaj ia shtojmë edhe pragmatizmin e Tiranës zyrtare, e cila për herë të tretë vjen në veprim, siç ishte me të tria këto Ekipe Negociatore, situata është shumë shqetësuese. Jo pse Kosova u bë han me shumë porta, sepse ishte i tillë, por hanxhinjtë që e administrojnë këtë han, i cili ende nuk i ka dal tapia, zgjidhjen e kolapsimit të tij e shohin tek shitja e disa aksioneve, pikërisht atyre që e shkaktuan këtë kolaps në “tregjet” ndërkombëtare

Negociatat për Kosovën

Konferenca e Rambujesë, e para e llojit të vetë, sot mund të thuhet lirshëm se kishte një nivel përfaqësues dhe intelektual me të cilin mund të mburremi, derisa përballë kishin një delegacion serb të cilin Sllobodan Millosheviqi e kishte dërguar që të tallet me ndërkombëtarët. Por, gjithashtu sot mund të thuhet se faktori kryesor për suksesin e kësaj konference ishin Shtetet e Bashkuara, që ndër të tjera, një miksim të tillë të ekipit negociator nga Kosova e bënë me një zë. Pa dyshim që edhe roli i kryetarit të LDK, Ibrahim Rugova, ka merita të veçanta, ndonëse në mënyra të ndryshme janë bërë përpjekje që të relativizohet. Në Rambuje Kosova përfaqësohej me kryetarin e LDK-së, Ibrahim Rugova, dhe derivatet e tij: UÇK-në, që kishte nisur një çlirim ndryshe të Kosovës dhe ata që nuk ishin dakord me Rugovën dhe krijuan parti për t’u bërë kryetarë si Ibrahim Rugova. Për ta unifikuar mendimin shqiptar kujdeseshin SHBA-të, ndërsa që ky mendim të ishte shqiptar, por pa Ibrahim Rugovën, kujdesej Tirana zyrtare me agjentët e saj të Shërbimit Sekret, që nuk i lenin dy gurë shqiptarë bashkë. Se a kishte gisht Beogradi në këtë ndërmarrje, kjo mbetet për t’u dokumentuar, ndërsa veprimet flasin për veprimtari të pastër antikombëtare, e cila, sikur të përfundonte me sukses, do të kishte vetëm një përfitues, Serbinë. Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara arritën ta zgjidhin këtë goditje poshtë brezit nga Tirana zyrtare, duke mundësuar firmosjen e njëanshme nga pala kosovare dhe refuzimin nga Millosheviqi, i cili zgjodhi vetë bombardimin nga SHBA-të dhe NATO!

Çuditërisht, edhe pas çlirimit të Kosovës, kur për statusin e Kosovës filluan negociatat, dhe u mendua për krijimin e ekipeve negociatore, ai nuk filloi aty ku kishte mbetur Rambujeja, por sërish nga dy skajet ekstreme, me kërkesat maksimale. Dhe, sërish, ky proces negociator goditjen e merr si nga Beogradi, ashtu edhe Tirana zyrtare, me propozimin për ndarjen e Kosovës. I nisur nga kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq, tashmë i dashur nga Perëndimi, propozimi për ndarjen u konsiderua për diskutim nga kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta. Sikur të mungonte vendosmëria e SHBA-vë, sot patjetër që harta e Ballkanit do të ishte ndryshe, por hapja që Kutisë së Pandorës i bëri Millosheviqi, dëshmoi se vetëm kufijtë nuk preken në këtë vend. Negociatat u futën në një hulli, ndonëse shumë bashkëkohor, ku Kosova i la anash si viktimat në njerëz, si edhe shkatërrimin e gjithçkahit që ishte shqiptare. Dhe, erdhi momenti kur edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e përcaktoi një të dërguar për të kryesuar këto negociata, në mënyrë që të dilte me një propozim final për përcaktimin e statusit të Kosovës.

Ndonëse doli me një propozim të çuditshëm, shumë evropian dhe aspak ballkanik, Maarti Ahtisari kishte parasysh një shtet të Kosovës, që shikon nga e ardhmja, pa ndikimin kriminal të Kishës Ortodokse të Serbisë dhe një punë efektive të Gjykatës së Hagës. Dhe, për fat të mirë, nuk e kishte Tiranën zyrtare nëpër këmbë, sepse komunistët tashmë ishin pa pushtet, në opozitë. Në momentin kur lindi Plani i Ahtisarit dhe për kur të kishte shumë vërejtje, si për aspektin e funksionalizimit të atij shteti që do të kishte një Kushtetutë kaq moderne, ashtu edhe Planit që u afrohej dy kombeve skajshmërisht të armiqësuara, Presidenti Ahtisari e bëri të qartë se të gjitha këto i kishte parasysh. Dhe, për shqiptarët, ky Plan me shumë vërejtje ishte kuptimplotë, meqë edhe para lindjes së tij, Presidenti i SHBA-ve, George W. Bush e kishte bërë të qartë se kishte ardhur koha për pavarësinë e Kosovës.

Për fat të keq, përveç se dështoi në lidhje me Beogradin zyrtar dhe Kishën Ortodokse, Gjykatën e Hagës dhe mosdënimin e kriminelëve të luftës, Maarti Ahtisari dështoi edhe në parashikimin e tij për angazhimin e lidershipit shqiptar në zbatimin e këtij Plani dhe angazhimin kombëtar të Tiranës zyrtare. Mirë që Beogradi zyrtar nuk e pranoi ashtu si edhe Kisha Ortodokse e Serbisë, e cila apriori “e grisi” Kushtetutën e një shteti që e favorizonte këtë Kishë shumë më shumë se shteti amë, por kundër këtij Plani dolën si BE-ja, ashtu edhe hajdutët shqiptarë që e drejtonin shtetin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë. Por, sot nuk mund të themi se Plani i Ahtisarit dështoi, sepse ai nuk u zbatua kurrë ashtu, si dhe – duhet ta themi – se ai nuk e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Thjeshtë e bëri SHBA!

Hani me shumë porta!

Me idenë se Plani i Ahtisarit do të jetë edhe korniza e shtetformimit dhe ai nuk do të diskutohet deri në pranimin e plotë ndërkombëtar, shteti i Kosovës ngeli në baltë që në ditët e para të zbatimit të këtij Plani. Vendkalimeve kufitare me Serbinë iu vu flaka, pesë shtete të BE-së e refuzuan, Turqia dështoi me Konferencën Islamike për ta njohur Kosovën shtet dhe Këshilli i Sigurimit me Rusinë, në krye, vazhduan lojën e tyre destruktive.

Në këtë realitet Kosova u përfshi nga paniku dhe, për ta dështuar projektin e shtetit të Kosovës, u vunë në lojë të gjithë armiqtë e SHBA-ve dhe shqiptarëve, andaj nuk ishte më ai kaçkavalli me disa pore, por një han me shumë porta! Ndonëse hanxhinjtë zgjidheshin me votën e popullit, ndërkohë që punohej për marrjen e tapisë, menaxhimi i këtij hani me shumë porta u bë i vështirë për ta menaxhuar. Vërtet furnizimi bëhej me mallin më të lirë në rajon, por ai bëhej në Serbi; Vërtet SHBA-të filluan ta dorëzojnë këtë menaxhim tek hanxhinjtë e zgjedhur me votën e lirë, por e keqja e gjithë këtij projekti ishte se përfitimet nga hani po përfundonin në xhepat e individëve dhe jo në prosperitetin e vetë hanit.

Nga ana tjetër, Serbia e cila nga shteti Kosovës siguronte, përveç se të ardhura për ta luftuar shtetin e Kosovës, në masë të madhe edhe mjetet për ta konsoliduar buxhetin. Kur dështimi i këtij projekti filloi të vihej në dyshim, kur Serbia e teproi edhe me luftën destruktive kundër shqiptarëve dhe Kosovës, diplomacia ndërkombëtare bëri një hap të madh para, drejt zgjidhjes së shpejtë pavarësisht nëse është ideale ose jo. Dhe, sërish me idenë e ndarjes dhe sërish me ndërhyrjen e Beogradit dhe Tiranës zyrtare, me një risi, duke e futur në lojë edhe Prishtinën zyrtare ose më saktë individ të saj.

Ndonëse hanit nuk i ishte dalë tapia, u mendua se me shitjen e një cope të këtij hani, do t’i jepet leja nga Beogradi dhe do të legalizohej ky ndërtim, që tashmë për Beogradin dhe Tiranën, sërish konsiderohet “pa leje”.

Gjithçka filloi me atë që quhej Procesi i Berlinit dhe garancitë e forta, si nga Beogradi, ashtu edhe Tirana. Kryeministri Edi Rama shkeli në tokën serbe, gjë që u konsiderua lëvizje e madhe, dhe ua tha serbëve atë që çdo ditë e përsërisin SHBA-të dhe aleatët e saj, se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kjo ndër shqiptarë u shit si gjë e madhe, ndërsa ai që e tha, si patriot i madh. Kusurin ia ktheu Aleksandar Vuçiqi, duke ardhur në Tiranë dhe duke i thënë Edi Ramës se Kosova është Serbi dhe duke u shitur ndër serbë si hero që në kryeqytetin shqiptar e thotë atë që çdo lider serb vetëm në ëndërr mund ta shohë.

Se cili ishte qëllimi i kësaj maskarade, nuk kuptohej, aq më shumë që dikush mund ta mendonte se si mund të zgjidhet çështja e Kosovës nëse ajo është shteti i pavarur e sovran dhe njëkohësisht edhe Serbi. Enigmën e zgjidhë homologu kosovar i Ramës dhe Vuçiqit, Hashim Thaçi! Vlerësimi që kishte ardhur për një zgjidhje të këtij lloji e kishin bërë gabim treshja Vuçiq-Rama-Thaçi, edhe pse doli nga goja e një njeriu me ndikim në Kosovë.

Derisa në Kosovë vazhdojnë të jetojnë refugjatë nga veriu i Mitrovicës, e tashmë edhe nga Debëlldeja dhe Rugova, të shkaktuar po nga kjo treshe kriminale, zgjidhja e ideuar dhe e menaxhuar prej Bashkimit Evropian nuk mund zbatohet po nga kjo treshe, sido që të quhet ajo: ndarje, korrigjim apo korrektim i kufirit.

Kosova mund të quhet han me shumë porta, sepse i tillë praktikisht u bë. Kosova mund të vazhdojë të administrohet nga hanxhinjtë, që zgjidhen me votën e popullit, ndonëse këto zgjedhje lënë shumë për të dëshiruar. Por, Kosova, ky han me shumë porta, nuk mund të ndahet, shkëmbehet ose shitet, përderisa nuk ka tapi. Aq më shumë kur pengesat kryesore për ta marrë këtë tapi ishin dhe janë pikërisht Brukseli, Beogradi dhe Tirana.

Që nga krijimi, Kosova nuk kishte problem se kush është pronari legjitim i saj, por çfarë ishte legalizimi i saj. Nëse Serbia thotë se Kosova është Serbi, le të vazhdojë ta thotë dhe shqiptarët nuk kanë se pse ta bindin duke e copëtuar tokën kosovare.

Kosova nuk ka pse acarohet! Mosanëtarësimii Kosovës në Interpol nuk është dëmi më i madh që ka mundur t’i shkaktohet shtetit të pavarur të Kosovës, por favori më i madh që i është bërë krimit, si në shtetin që menaxhohet nga Aleksandar Vuçiqi, ashtu edhe në atë që menaxhohet nga Edi Rama! Mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO nuk është dëm për Kosovën, por për vetë shtetin e Serbisë dhe Kishën Ortodokse të Serbisë, e cila si Kishë kriminale që është, e dëshiron trashëgiminë kulturore dhe fetare edhe të shkatërruar nëse ajo bëhet nga shqiptarët. Dhe, këtu Kosova duhet të ketë kujdes, sepse Serbia siç e lufton anëtarësimin në UNESCO, ka kërkuar dhe kërkon të ndërsejë shqiptarë kundër trashëgimisë kulturore dhe fetare, e cila ndonëse mund të jetë e periudhës së sundimit serb, është në tokën e Kosovës, andaj duhet të ruhet si e tillë edhe pa anëtarësimin në këtë organizatë ndërkombëtare. Dhe në fund, mosanëatërsimi, si në Interpol ashtu dhe UNESCO, duhet t’i shërbejnë për model shtetit të pavarur të Kosovës, jo se si fitohet diçka që nuk është e jotja, siç po e bën Serbia, por si një model se si duhet të menaxhohet një shtet që është pjesë e kësaj bote, por jo edhe anëtar i OKB-së.

Sot qytetarët e Kosovës, siç e pranojnë luftimin e krimit të organizuar në Kosovë dhe jo vetëm, edhe pa qenë anëtarë të Interpolit, ashtu siç e ruajnë trashëgiminë kulturore dhe fetare, edhe pa qenë anëtarë të UNESCO-s, duhet ta respektojnë Kartën e OKB-së pa qenë fare anëtarë. Jo për ta bindë Rusinë ose Kinën, duke e respektuar këtë Kartë, jo për ta joshur Rusinë ose Kinën duke i falur Serbisë tokë të Kosovës vetëm për t’u anëtarësuar në OKB, dhe, në fund, jo duke negociuar me tokën që është vetëm e jotja.

Përvojat e të tjerëve me Serbinë dhe përcaktimi i kufijve të këtij shteti kriminal me të tjerët duhet të na shërbejnë për shtetndërtimin e Kosovës. Kur u copëtua Bosnjë e Hercegovina dhe të humbur mbetën vetëm boshnjakët, njëri ndër liderët më të mençur të historisë së këtyre trojeve, Alija Izetbegoviq, e pranoi se ishte fajtor pse u përçudnua në atë farë feje harta e këtij shteti dhe cili ishte gabimi: “Kur u ula të negocioj me Millosheviqin për tokën boshnjake!”.