` . "Kosova e meriton integrimin në BE, por ka shumë sfida dhe pengesa" - TV SHENJA

“Kosova e meriton integrimin në BE, por ka shumë sfida dhe pengesa”

Pas përfundimit të sesionit të dytë dhe të fundit të mbledhjes së 3-të të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim (KPSA) BE-Kosovë, që filloi të enjten, bashkëkryesuesit e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Tonino Picula, kryetar i delegacionit të PE-së mbajtën një konferencë të përbashkët për media, raporton AA.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti tha se gjatë mbledhjes së parlamentarëve ka pasur debate dhe kundërshtime të ndryshme nga deputetët e pozitës dhe opozitës, por edhe nga eurodeputetet.

Haliti duke përmendur deklaratën e amenduar nga takim i përbashkët tha se ajo është miratuar në tërësi dhe shprehu shpresën që kjo “deklaratë nuk do të hasë në vesh të shurdhër në BE”. “Së bashku me Qeverinë e Kosovës do të përkushtohemi t’i përshpejtojmë aspiratat tona në fillimin tonë të përbashkët që Kosova të jetë sa më shpejt dhe sa më sigurt pjesë e BE-së”, tha Haliti.

Ndërsa, kryetari i delegacionit të PE-së, Tonino Picula, gjatë fjalimit të tij tha se delegacioni i përbërë nga parlamentarët ka ardhur për ta vëzhguar situatën në Kosovë një vit pas fillimit të punës së komisionit dhe për ta udhëzuar dhe mbrojtur Kosovën në udhëtimin e saj drejt integrimit evropian.

Sipas Piculës kanali më i mirë i komunikimit është ai përmes parlamentarëve, sipas tij, për një aspiratë madhështore siç është anëtarësimi në BE. Ai po ashtu theksoi se BE-ja do të vazhdojë dëgjimin e zërave të ndryshëm “jo vetëm atë të qeverisë duke e anashkaluar opozitën, por ka rëndësi të madhe edhe zëri i qytetarëve të Kosovës.”

“Gjatë këtyre dy ditëve të debatit kemi pasur shumë kritika dhe arritje të mëdha jo vetëm në kuadër të parlamentit, por debatuam edhe me kryeministrin, me shumë ministra, me kryetarin e kuvendit dhe në fund të kësaj fotografie unë mund të them se Kosova e meriton BE-në, por ka shumë sfida dhe pengesa në këtë proces”, tha Picula.

Duke theksuar situatën e vështirë dhe të ndryshueshme në BE pas Brexitit dhe zgjedhjeve parlamentare në shumë shtete anëtare të BE-së, ai tha se Kosova si shteti më i ri në Evropë është duke u ballafaquar me një detyrë shumë të vështirë. Picula tha se nuk do të jetë e lehtë lëvizja përpara në këto rrethana të vështira, duke u shprehur se ka besim se qytetarët e Kosovës sikur ata të Kroacisë e meritojnë të ardhmen evropiane.

“BE-ja duhet t’ia zgjasë dorën Kosovës, por edhe Kosova dhe përfaqësuesit e qytetarëve të saj duhet ta kapin atë dore dhe të vazhdojnë tutje” , u shpreh Picula.

Postime të Ngjajshme