` . Kosova dhe Turqia memorandum mirëkuptimi në sektorin bankar – TV-SHENJA

Kosova dhe Turqia memorandum mirëkuptimi në sektorin bankar

Në kuadër të takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahen në Bali të Indonezisë, guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, Murat Çetinkaya, kanë nënshkruar një memorandum të mirëkuptimit.

Në një komunikatë me shkrim nga BQK thuhet se “Qëllimi i këtij memorandumi të mirëkuptimit është thellimi i marrëdhënieve dhe forcimi i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit në fushën e biznesit bankar qendror, duke ndërmarrë iniciativa për rritjen e dialogut të biznesit në nivel ekspertësh dhe shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës”.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, me këtë rast ka shprehur kënaqësinë për rritjen e bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë me anë të këtij memorandumi, i cili sipas tij gjithashtu do të mundësonte shkëmbimin e informacioneve dhe pikëpamjeve mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në ekonomitë e të dyja vendeve, si dhe çështjet e bankingut qendror.

“Me nënshkrimin e këtij memorandum mirëkuptimi, palët bien dakord për të forcuar shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës përmes vizitave nga zyrtarët në nivel pune. Shkëmbimet mund të bëhen në formën e këshillave teknike, lëvizjeve të përkohshme të punonjësve, trajnimeve, seminareve, punëtorive, vizitave të ekspertëve, vizitave kërkimore ose aktiviteteve kërkimore në fusha të rëna dakord reciprokisht”, njofton BQK. /AA/