` . Korona ndryshon realitetin në çdo sferë: a jemi dëshmitar të lindjes së botës së re? - TV-SHENJA

Korona ndryshon realitetin në çdo sferë: a jemi dëshmitar të lindjes së botës së re?

Shkruan: Dr. Vedah Hanfer

Forumi “Al Sharq” ka organizuar të mërkurën (më 17 mars
2020) një ligjëratë javore, të cilën e mbajti Dr. Vedah Hanfer, njëherazi
drejtori i Forumit. Pas ligjëratës u zhvillua edhe një debat, ku morën pjesë
dhjetëra të rinj, që debatuan rreth kumtesës “Korona e ndryshon realitetin në
çdo sferë: a jemi dëshmitarë të lindjes së botës së re?”

Në këtë raport po e paraqesim tekstin e plotë të fjalimit
të mbajtur nga Dr. Vedah Hanfer.

Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi ju.

Çasti që e përjeton bota sot ka impakt të fuqishëm dhe lë gjurmë të thella.
Është ky moment i kthesës rrënjësorë historike, kur iniciohen koncepte të reja
dhe ritheksohen disa koncepte të vjetra ekzistuese në fushat e shkencave
shoqërore, si dhe në ato të ekonomisë dhe të politikës.

Impakti i virusit Korona mbi shëndetin do të kalojë me kalimin e kohës. Në këtë
përballje me rrezikun e virusit njerëzimi do të mbijetojë, ashtu siç ka tejkaluar/mbijetuar
epidemi, murtaja dhe luftëra të së kaluarës. Megjithatë, efektet e masave
globale, të ndërmarra kundër virusit në fjalë nuk do të largohen aq shpejt,
madje disa prej tyre do të mbeten pjesë e jetës së njerëzimit për një kohë të
gjatë.

Realiteti të cilin e jetojmë, nga aspekti i komunikimit mes shteteve dhe
individëve, nga aspekti i interaksionit të ndërsjellë mes popujve, nga aspekti
i ekonomisë së ndërlidhur botërore, si dhe nga aspekti i teknologjisë, e cila i
afroi mes vete pjesët e globit, nuk ka shembull në të kaluarën. Krijuam
realitet që nuk ishte i njohur më parë.

Globalizimi është unik, si në volumin e tij, ashtu edhe në fuqinë e lidhjes
së ndërsjellë. Historia njerëzore asnjëherë nuk ka dëshmuar ndërlidhje kaq të fuqishme
qysh prej periudhës kur njeriu i kohëve të lashta i formoi bashkësitë e para,
pak para revolucionit bujqësor, dhjetë mijë vite më parë. Korona sot e godet
majën e këtij globalizimi dhe i luhat themelet e tij, për të cilat njerëzimi
mendonte se janë shumë të forta dhe të qëndrueshme edhe ndaj tundimit më të
fortë.

Korona jep mësim për modestinë!

Para dy viteve u botua libri “Iluminizmi tani”, të cilin Bill Gejtsi rekomandoi
të lexohet. Autori i librit Stiven Pinker ishte mjaft optimist kur shkroi: “Ne
sot e jetojmë periudhën më të mirë të njerëzimit dhe shkak për këtë është fakti
që ne arritëm të ngadhënjejmë mbi sëmundjet dhe e mposhtëm urinë. Ne e e
ngritëm njeriun në shkallë të lartë të vetëdijes, të komunikimit, të
prosperitetit dhe arritëm zhvillim si asnjëherë më parë në histori”. Ky pohim
ndoshta është i saktë në disa prej dimensioneve të tij, por assesi nuk është e vërtetë
absolute!

(Iluminizmi tani, çështja e arsyes shkencës
humanizmit dhe progresit
, Stiven Pinker, 2018)

Virusi Korona e alarmoi dobësinë e botës, një dobësi kjo e papritur, për të
luftuar epidemitë, një çështje për të cilën menduan se i përket së kaluarës.
Dekada me radhë festonim, sepse mendonim se njeriu fitoi, arriti t’i mposhtë
sëmundjet, epidemitë dhe mortajat, menduam se këto sëmundje janë çrrënjosur,
madje janë fshirë edhe nga fjalorët. Por, ja që ideja për një pandemi, e cila
do ta mposhtë njerëzimin, përsëri u kthye në skenë ashtu siç profetizuan disa opinionistë,
si p.sh. Bill Gejtsi e të tjerë.

Ekziston një grup optimistësh që deri në bindje krenohen me arritjet e
shkencës dhe teknologjisë, por pas zhvillimeve të fundit u bë qartë që
biologjia edhe një herë na ktheu mbrapa për të na ballafaquar me paaftësinë dhe
dobësinë tonë. Njeriu është i paaftë, pikërisht ashtu siç e ka përshkruar
Allahu. Ai është i pafuqishëm përballë virusit që nuk shihet me sy.

Fokusimi mbi këtë realitet të paaftësisë na imponohet jo për t’i tmerruar qeniet
tona, por për shkak të nevojës që të marrim mësim. Çdo ndodhi e madhe në vete
bart mësime madhështore për njeriun. Përfitimi rritet me rritjen e përmasave të
asaj ndodhie, me thellësinë e saj, si dhe me rëndësinë shtesë të asaj ndodhie
ose, më qartë, sprove.

Mësimi që duhet ta marrim nga realiteti i sotëm është qenësor dhe emergjent.
Nëse nuk e analizojmë thellë këtë situatë, do të rrezikojmë të zhytemi në turbullirat
e verbësisë qytetërimore. Një sjellje e këtillë është hije e keqe për njeriun e
arsyeshëm. Këtu do ta citoj një ajet të Kur’anit, që shpesh e lexojmë, e të
cilin nuk/pak e kuptojmë e as që e analizojmë ashtu si duhet, përveç në
situata, si kjo sot, kur dimensionet e tij na shfaqet qartë: “E, kur Toka
vishet dhe zbukurohet dhe kur banorët e saj mendojnë se janë zotërues të saj
(për ta vjelë a korrur), iu vjen urdhri ynë, natën ose ditën dhe Ne e bëjmë atë
si të ishte e korrur, thuajse nuk kishte lulëzuar të djeshmen. Kështu, Ne ua
shpjegojmë shpalljet Tona njerëzve që mendojnë.
” (Junus, 24)

Në vitet e kaluara njeriu mendonte se është zotëruesi i tokës, se është ai
që dominon në të. Juval Harari predikoi se njeriu modern është Homo Deus (njeri
hyjni), sepse ai arriti t’i mposhtë të gjitha parimet e dobësisë që e kufizonin
njerëzimin. Ai, si kurrë më parë, i është afruar përjetësisë së plotë. Por, pas
një kohë shumë të shkurtër, kjo ide, që e përqafuan shumë shkencëtarë
perëndimorë, u shndërrua në një legjendë. Paaftësia njerëzore është e vërtetë
ekzistenciale e pandarë prej natyrës së tij esenciale dhe nuk është
aksidentale.

Për këtë shkak ne duhet të marrim mësim nga kjo që ndodhi/po ndodh, duhet
të përfitojmë, ngase Allahu nuk ka krijuar diçka që është e keqe absolute, sepse
me çdo vështirësi vijnë dy lehtësime. Duhet të bindemi se jemi të dobët, se duhet
të mbështetemi te Zoti i Madhëruar dhe të vazhdojmë të jetojmë, duke e pranuar
faktin që jemi qenie njerëzore, se nuk jemi hyjni e as gjysmë-hyjni. Madje, ndonjëherë
ne nuk mund as t’i kuptojmë fatet që mbizotërojnë ekzistencën tonë dhe që i
ndryshojnë ekuacionet e ekzistencës dhe mbijetesës sonë. Sot duhet ta mësojmë mësimin
më të madh, nevojën për modestinë njerëzore, për njerëzimin i cili mendoi se ka
arritur në forcën absolute dhe që ka tejkaluar dobësinë njerëzore, nga e cila
vuanin paraardhësit tanë.

Pandemitë që vërshuan njerëzimin janë të shumta. Ato janë sëmundje që përhapen
në shumicën e pjesëve të globit dhe arrijnë të prekin shumicën e vendbanimeve
dhe bashkësive, madje i godasin dimensionet e ndryshme të jetës së tyre. Ato
nuk e prekin vetëm aspektin shëndetësor, por ndikojnë edhe në sferat e jetës
shoqërore, ekonomike, fetare dhe ideologjike. Kjo pandemi, që e përjetomë për momentin,
duhet të vendoset në kontekstin e pandemive tjera globale. Një e vërtetë e
pamohueshme është fakti që njerëzimi, në rrugëtimin e tij historik, prej shumë kohësh
ka vuajtur nga epidemitë.

Murtaja Antonin dhe gjurmimi pas së vërtetës së re!

Ajo është epidemia e parë e dokumentuar nga historianët e vjetër. Ka ndodhur
në vitin 165 të erës sonë në Romë dhe në shumicën e tokave të sunduara nga
Perandoria Romake përreth Mesdheut, në veri të Afrikës, në jug të Evropës, në
Spanjë dhe, po ashtu, në tokat e Levantit. Në vitin 165 një murtajë vrasëse e pushtoi
Perandorinë. E quajtën murtaja Antonin dhe zgjati një periudhë kohore. Dihet se
kjo epidemi ishte një prej shkaqeve fillimisht të dobësimit dhe pastaj edhe të
rënies së Perandorisë perëndimore Romake. Fiset gjermane filluan ta sulmojnë Perandorinë,
ushtria e së cilës ishte e dobësuar nga murtaja dhe nuk kishte mundësi t’i
siguronte kufijtë kundrejt sulmeve. Këto fise, pa rezistencë, nga veriu e
sulmuan Perandorinë dhe ky ishte fillimi i rënies dhe kolapsit të kësaj perandorie
në shekullin e gjashtë të erës së re.

Murtaja nuk e shkatërroi vetëm indin ushtarak të Perandorisë, por ajo ishte
edhe fillimi i zhdukjes së besimeve dhe religjioneve të asaj perandorie. U hap rrugë
për përhapjen e Krishterimit në të gjitha anët e Perandorisë, gjë që përfundoi
me zyrtarizmin e Krishterimit nga ana e perandorit Konstantin në fillim të
shekullit të katërt (315-333). Kështu Krishterimi u bë religjioni zyrtar i Perandorisë
Romake.

Besimet e vjetra romake politeiste, në esencë, nuk kishin mundësi të
përgjigjen në pyetjet që u parashtruan nga njerëzit në kohën e epidemisë, e
cila i vërshoi dhe i vendosi në pragun e vdekjes. Që prej asaj kohe njerëzit filluan
të gjurmojnë pas së vërtetës së re, e cila do të përgjigjet në pyetjet e tyre.
Këto përgjigje i gjetën në një religjion tjetër, në atë të krishterë.

Murtaja Justinian nuk i zhduk (asgjëson) vetëm njerëzit!

Murtaja e dytë që ka rëndësi historike për neve myslimanët është murtaja
Justinian. Justiniani është një prej perandorëve të Perandorisë lindore Romake,
që njihet edhe me emrin Perandoria e Bizantit. Ai ishte lider i rëndësishëm, i
cili i fuqizoi bazat e forcës së Bizantit, luftoi me Persinë dhe ndikoi në definimin
e botës asokohe me ndikim në Etiopi dhe Jemen. Arritjet e tij janë të shumta,
si Kodi (i njohur) i Justinianit, i cili u bë element i rëndësishëm i kulturës
globale dhe që akoma është pjesë e legjislacioneve evropiane. Pas rënies së Romës
nën pushtimin e fiseve gjermane, Justiniani u mundua të bashkonte Perandorinë perëndimore
dhe lindore Romake nën sundimin e tij, por fati (caktimi i Zotit) ishte diçka
tjetër.

Perandoria e Bizantit u përfshi nga një murtajë, që zgjati prej vitit 541
deri në vitin 543. Filloi në Egjipt dhe pastaj u përhap në Konstantinopojë,
Anadoll dhe në tokat e Levantit, por edhe në shumë zona që ishin nën
administrimin e Perandorisë. Me të u godit edhe shteti Sasanid. Ajo u emërtua me
emrin e perandorit, murtaja Justinian (Plague of Justinian).

Kjo murtajë u përhap tridhjetë vjet para lindjes së profetit Muhamed, paqja
dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, dhe i dobësoi shumë dy perandoritë, Bizantin
dhe Persinë. Ajo ishte shkaku i vdekjes së afro gjysmës së popullatës së
Konstantinopojës. Atëbotë u ndërprenë rrugët e tregtisë me Egjiptin, që
konsiderohej burim i epidemisë. Hulumtuesit bashkëkohorë vërtetuan se epidemia
nuk filloi në Egjipt, porse ajo u bart në Egjipt prej Azisë së Mesme nga minjtë
në anijet tregtare – marinarët u infektuan nga tartabiqet që ishin futur nëpër
shtretër.

Murtaja u transferua në portet e ndryshme evropianë dhe kishte pasoja
vdekjeprurëse për njerëzimin. Banorët e globit asokohe ishin afër dyqind
milionë. Atëbotë vdiq një numër i madh i njerëzve dhe ushtria pësoi dëme të
mëdha. Pësuan edhe të ardhurat e shtetit, i cili ishte në luftë me fiset e
Evropës së mesme. Në pamundësi për ta mbrojtur veten, Justiniani u detyrua t’i
shtonte tatimet. Perandoria mbijetoi dhe hyri në luftë me Persinë. Megjithatë,
murtaja ishte një prej shkaqeve kryesore që i dobësoi të dy shtetet e mëdha,
Bizantin dhe Persinë, kjo si uverturë për rrënimin e të dyja perandorive nga
myslimanët pas gjashtë dekadave.

Vazhdimësi e murtajës Justinian ishte murtaja e Amvasit (Plague of Emmaus)
në vitin 630 në qytezën Amvas në Palestinë. Këtë murtajë e shkaktoi i njëjti
mikrob dhe u përhap përsëri duke shkaktuar vdekje të shumta. Thuhet se ajo ka
qenë njëra prej sëmundjeve më të rrezikshme në përgjithësi, e cila është
rikthyer kohë pas kohe për t’i paraprirë murtajës më të madhe që e njohu
njerëzimi – m urtajën e Vdekjes së Zezë pas tetëqind viteve.

Vdekja e zezë dhe lindja e racionalizmit evropian

Vdekja e zezë (Black Death) ose murtaja e madhe ishte sprova që në vitin
1348 e goditi njerëzimin. Ajo e përshkoi tërë botën dhe shkaktoi vdekje të
shumta në Azinë e Mesme dhe në Kinë. Në Kinë, madje, vdiqën 40 për qind e
popullatës, ndërsa vdekshmëria nga kjo sëmundje ishte mbi 90 për qind nga të
infektuarit. Në të vërtetë, i infektuari nuk mbijetonte më shumë se një ose dy
ditë. Murtaja u transferua prej Azisë në Evropë dhe rrugëtimi i saj zgjati
pesëmbëdhjetë vite. Rrugët tregtare në atë kohë ishin të ngathëta.

Në literaturën e historianëve myslimanë të asaj kohe kjo murtajë përmendet
me emrin Murtaja e Përgjithshme, që u përhap në mes të shekullit të tetë
hixhrij. Librat e historianëve myslimanë, që jetuan në Egjipt dhe Siri në atë
kohë, janë përplot me dëshmi rrëqethëse. Ibën El Verdi shkroi një libër, në të
cilin ka përshkruar sëmundjen, ashtu siç e kishte përjetuar. Ai vdiq nga
pasojat e kësaj sëmundjeje. Në burimet historike është shënuar se numri i
varrimeve vetëm në Kajro ishin mbi dhjetë mijë për një ditë. Vetë procesi i
varrimit ishte shumë i shtrenjtë, sepse njerëzit nga frika e infektimit nuk e
pranonin atë angazhim. Njëqind milionë është numri i përafërt i të vdekurve,
një numër shumë i madh nëse merret parasysh numri i përgjithshëm i banorëve të
rruzullit tokësor, që në atë kohë ishte 475 milionë. Piku i murtajës ishte në
Evropë, kur fisnikët posedonin hapësira të gjëra të tokës, ndërsa të varfrit
jetonin si skllevër, duke e punuar tokën për interesin e feudalëve. Pas
murtajës, feudalët nuk kishin fuqi punëtore që ta punon tokën, sepse shumica e
punëtorëve kishin vdekur. Ai numër i vogël i fuqisë punëtore filli të kërkojë
më shumë liri dhe të drejta. Kështu përfundoi skllavëria dhe sistemi feudal në
Evropë.

Feudalët u orvatën ta rikthejnë hegjemoninë e tyre, kurse shtresa e varfër
e shoqërisë e refuzoi atë. Për këtë shkak historianët e konsiderojnë këtë
epidemi, Murtajën e Zezë, si faktor i cili e rrëzoi sistemin feudal.

Ndikimi ishte i dukshëm edhe në jetën fetare. Kisha, e cila ishte dominuese
në jetën politike dhe shpirtërore, filloi ta humbë hegjemoninë e saj, sepse
ishte e paaftë përballë murtajës.

Shekulli i katërmbëdhjetë ishte i njohur botërisht si shekull i
jashtëzakonshëm. Bota islame e jetonte periudhën e saj të artë. Ajo udhëhiqte
në progres dhe zhvillim në fushat e shkencës, mjekësisë, astronomisë, inxhinierisë
dhe në gjitha aspektet e jetës civilizuese njerëzore. Evropianët e dëshmuan
këtë në Andaluzi. Aty u ballafaquan me gjëra që nuk i kishin parë në
universitetet e tyre, në kishat e tyre dhe tek elitat e tyre intelektuale. Andaluzia
ishte e vetmja pikë civilizuese ndriçuese në errësirën që e jetonte Evropa.
Disa mjekë myslimanë ndihmuan në mjekimin e elitarëve evropianë dhe në mjekimin
e disa nga papët. Mjekësia evropiane në atë kohë ishte sharlatanizëm dhe
dokrra.

Kisha e shpjegonte murtajën si hidhërim hyjnor, që kishte rënë mbi njerëzit
për shkak të mëkateve të tyre, por ishte e paaftë në ofrimin e zgjidhjeve për
largimin e epidemisë. Në atë periudhë njerëzit filluan të gjurmojnë opsione
tjera, duke synuar zbulimin e së vërtetës dhe kjo rezultoi me lindjen e asaj që
njihet si racionalizmi evropian, i cili nismat fillestare i kishte pikërisht në
Andaluzi. Aty ishte pikënisja e asaj që do rezultojë me Renesancën
gjithëpërfshirëse evropiane në shekujt gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë.

Historianët e shënojnë fillimin e erës së renesancës evropiane me murtajën.
Ata besojnë se ajo ka qenë një prej faktorëve që e largoi nga skena shoqërore
sistemin feudal, që e inicioi fillimin e racionalizmit evropian, i cili vazhdoi
me etapën e Renesancës dhe ashtu u kufizua ndikimi i klerit mbi jetën e
përgjithshme, në veçanti mbi jetën politike dhe shkencore.

Nuk mbahet mend para Murtajës së Zezë dhe pas saj numër aq i madh i të
vdekurve për shkak të sëmundjes. Njerëzimit i duheshin dy shekuj për ta
kompensuar numrin e njerëzve që vdiqën në atë epidemi.

Në ekstazën e fitores një ankth gripoz!

Epidemia e katërt është Gripi Spanjoll, të cilin e shkaktoi virusi H1N1 dhe
ai zgjati në periudhën 1918-1920, pra menjëherë pas Luftës së Parë Botërore.
Nuk u quajt Gripi Spanjoll për shkak se ka nisur në Spanjë, por për faktin se
ata që e publikuan dhe biseduan rreth tij ishin spanjollët dhe gazetat
spanjolle, që gëzonin liri të konsiderueshme. Pjesa tjetër e botës ende merrej
në pasojat e Luftës së parë dhe nuk u pëlqente që t’i ndjekin lajmet mortore. Megjithatë,
meqë sapo kishin dalë nga tmerri i Luftës së Parë Botërore, mundësia e përhapjes
së kësaj sëmundjeje, nëpërmjet ushtarëve që ktheheshin në shtëpitë e tyre, pas
luftimit në frontet e ndryshme të Evropës, ishte shumë e madhe. Me festimet,
për shkak të fitores, ata e sollën edhe virusin vrasës, i cili u përhap në
mënyrë të frikshme.

Viktimat e Luftës në atë periudhë ishin shkaku i varfërisë së rëndë dhe i
shumëfishimit të të prekurve me Gripin Spanjoll. Numri i përafërt i të
infektuarve ishte pesëqind milionë, ndërsa si pasojë e gripit vdiqën jo më pak
se shtatëdhjetë deri në njëqind milionë njerëz në të gjithë anët e botës ose 20
deri 30 për qind. Sipas përqindjeve, vdekshmëria nga ky virus është pjesërisht
më e vogël sesa nga Murtaja e Zezë. Banorët e botës asokohe numëronin një
miliardë e nëntëqind milionë njerëz.

I njëjti virus vazhdoi ta shkaktojë edhe gripin sezonal, derisa u modifikua
dhe në formën e tij të re e shkaktoi Gripin e Derrit në vitin 2009. Këto
epidemi nuk zhduken dhe kohë pas kohe rikthehen, duke e zgjatur kohën e krizës
ngandonjëherë edhe me qindra vite. Me kalimin e kohës, njerëzit zhvilluan
imunitet kundrejt virusit dhe arritën të ngadhënjejnë ndaj tyre me vaksina dhe
me imunitetin natyror. Por, virusi vazhdoi të zhvillohet dhe tash, me një bum
të ri, u kthye i fuqizuar.

Viruset më të zhvilluar sfidojnë botën e përparuar!

Kështu arritëm në kohën në të cilën jetojmë, kur rishtas u paraqit virusi
Korona, tashmë modeli i ri. Bëhet fjalë për gjeneratën e gjashtë të virusit të
tipit Korona (me kurorë). Vdekshmëria nga ky virus është më e vogël krahasuar
me pandemitë e mëdha që e kishin kapluar më parë njerëzimin. Tash kapacitetet e
njerëzve dhe mundësitë e tyre për t’u ballafaquar me viruset janë më të mira se
sa në të kaluarën. Higjiena është në nivel më të lartë, ilaçet janë më efikase,
është forcuar imuniteti dhe ushqimi është më cilësor. Këtu vlen të përmendet se
shumica e epidemive erdhën pas viteve të urisë, që e dobësuan imunitetin
njerëzor.

Gjendja shëndetësore në botë sot është shumë më e mirë sesa në të kaluarën,
por edhe viruset janë avancuar dhe kanë mundësi, si asnjëherë më parë, ta
riprodhojnë veten e tyre. Çfarë kuptimi ka realiteti momental dhe cilët janë
skenarët e mundshëm në të ardhmen?

Studime të ndryshme paralajmërojnë pamundësinë e zgjidhjes së shpejtë, që
në mënyrë efikase do të ndalonte zhvillimin e viruseve. Ky është edhe shkaku i
shtetrrethimit global që e përjeton bota. Vendet, që ende nuk kanë shpallur
gjendje të jashtëzakonshme, së shpejti do ta bëjnë atë, ndërsa vendet që nuk
kanë kufizuar lëvizjen e njerëzve, së shpejti do ta kufizojnë, sepse shpejtësia
e përhapjes të kësaj sëmundje është e pazakontë. Prandaj, bota është e detyruar
t’i mbyllë dyert dhe së shpejti stagnimi dhe vetizolimi do të bëhen realitet si
asnjëherë më parë.

Në periudha të ndryshme të historisë nuk kemi dëgjuar se xhamitë janë
mbyllur plotësisht siç ndodh tani në shumicën e vendeve të botës. Thirrja “Faluni
në shtëpitë tuaja!”, që tani dëgjohet, nuk ka qenë e njohur më parë. Për këtë
kemi dëgjuar në librat e biografisë profetike, i cili e dha lejen e lehtësimit
për njerëzit kur i urdhëroi myslimanët të falen në shtëpitë e tyre për shkak të
shiut të rrëmbyeshëm. Kështu brenda javës ky model i ezanit u dëgjua nga
minaret e xhamive anembanë botës!

Pezullimi i lirive individuale deri në njoftimin e paafatizuar!

Sot shohim gjëra që asnjëherë nuk i kishim paramenduar se ka mundësi të
ndodhin: mbyllen kishat, xhamitë dhe faltoret, njerëzit qëndrojnë në shtëpitë e
tyre, ndërsa mbyllen lokalet tregtare, kufijtë dhe aeroportet. Kjo është një situatë
e çuditshme për njerëzimin. Sepse, liria e udhëtimit dhe lëvizjes është prej
lirive më madhore që e gëzonte njeriu modern që prej kohës së liberalizmit e deri
më sot. Këtë liri ai e praktikonte ashtu si donte dhe ajo ishte bërë pjesë e të
drejtave themelore njerëzore.

Dhe, kur njeriu filloi të mendojë se e ka nën kontroll situatën dhe se e ka
lehtë të presë biletën e aeroplanit dhe të udhëtojë në cilëndo pjesë të botës,
erdhi caktimi i Zotit dhe ngujoi atë në shtëpi. Njerëzit u distancuan dhe nuk
komunikojnë më me tjerët, madje edhe me ata që i kanë në shtëpi.

Kjo gjë është e panjohur për neve dhe një e papritur, që nuk dihet se kur
do të përfundojë. Ekziston edhe një rrezik i fshehur – ai që thotë se ky virus do
të përfundojë pas dy ose tre javësh, gabon, sepse studimet më optimiste thonë
se epidemia do të vazhdojë deri në qershor, madje edhe më tej. Shumica e
studiuesve pohojnë se kemi nevojë për gjashtëmbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë
muaj për ta vendosur kontrollin mbi virusin në fjalë.

Bëhet fjalë, pra, për një periudhë të gjatë të krizës. Ndoshta situata do
të ndryshoje dhe do të lejohet lëvizja e kushtëzuar, por s’ka dyshim se eliminimi
i këtij virusi ose, së paku, ndryshimi i gjendjes nga ajo e rrezikut në atë
normale kërkon një kohë relativisht të gjatë, një ose dy vite.

Lindja e botës së re!

Globalizimi në rend të parë kishte natyrë ekonomike dhe pastaj, me kalimin
e kohës, u shndërrua në globalizim teknologjik dhe kulturor. Pas njeriut, sot
viktima më e madhe e këtij virusi është ekonomia. Njeriu vuan dhe vdes, madje në
këto rrethana frika prej vdekjes është një problem madhor te të gjithë njerëzit,
edhe pse përqindja e vdekshmërisë nuk është aq e lartë.

Rreziku që shfaqet para neve është (edhe) ekonomik, sepse njerëzimi po përjeton
kolaps të ekonomisë si asnjëherë më parë. Jo shumë vite më parë ekonomia
botërore përjetoi gjendje të të tendosjes dhe vazhdimisht ishim në pritje të
një krize, e cila do të godasë si stuhi ekonominë botërore. Por, askush nuk e
priste që ajo të ndodhë aq shpejt siç ndodhi për shkak të krizës me këtë virus.

Sot shohim që indekset e tregjeve botërore kanë rënë aq poshtë, njësoj si
në krizat e mëdha ekonomike, si p.sh. Depresioni i Madh (The Great Depression)
në vitin 1929 dhe kriza e vitit 2008. Shumë nga ekonomistët paralajmërojnë se
ajo që do të ndodhë do të jetë një skenar akoma më i keq se në kohën e Depresionit
të Madh. Shkaku i kësaj është varësia e ekonomisë, që si asnjëherë më parë në
komunikimin kompleks dhe gjatë globalizimit, ka nevojë për mbështetje të
ndërsjellë. Ekonomitë janë aq të ndërlidhura, saqë çdokush ndikohet nga çdokush:
kriza filloi në Kinë, por gradualisht filloi rënia e tregjeve në pjesët e tjera
të botës.

Për shembull, tregu i naftës mori tatëpjetën kur në Kinë filloi mbyllja e
fabrikave dhe u zvogëlua kërkesa për naftë. Pastaj ishim dëshmitarë se si çmimi
i naftës ra në nivel aq të ulët, gjë që nuk e kishim parë në pak vitet e
kaluara, saqë çmimi i fuçisë u bë 28 dollarë, madje me prirje të uljes deri në
20 dollarë, kjo në kohën kur fabrikat ende nuk kanë filluar të hapen.

I dëmtuari i parë dhe përfituesi i fundit – rikthimi i
mirëqenies ekonomike dhe strategjike!

Kina ishte ajo që më së shumti u dëmtua dhe si duket ajo e para, para të
gjithave, do të rikuperohet. Kjo do të rezultojë me shkallë më të lartë të
rritjes krahasuar me vendet e tjera. Mundësia e Kinës për t’u rikuperuar është
me e madhe sesa e Evropës dhe SHBA-ve, kjo për dy arsye:

Arsyeja e parë – pushteti në Kinë është njëpartiak dhe si pushtet i
centralizuar, e kontrollon plotësisht jetën e njerëzve dhe përditshmëritë e
tyre. Shtetet e Perëndimit nuk e kanë këtë mundësi për shkak të natyrës së
shoqërive dhe jetës së tyre.

Tregtia dhe industria e Kinës, e cila ka vërshuar në tërë botën dhe e cila
në fillim më së shumti u dëmtua, filloi të rikthehet në punë. Sot nëntëdhjetë
për qind e fabrikave e kanë rifilluar prodhimin. Pasi e kuptuam këtë, ekonomia
e Kinës në këto ditë do të bëjë dy gjëra: fillimisht do ta furnizojë botën me atë
që sot i duhet më shumë, me mjetet dhe pajisjet mjekësore si maska, respiratorë
etj. Bota do t’i vërsulet Kinës për të marrë prej saj çfarë ka mundësi.

Qëllimi i dytë i Kinës është orvatja për të përfituar vendet e botës
nëpërmjet pajisjes së tyre me përvoja dhe kuadro për përballje me virusin.

Kina, parimisht, ka filluar të rikuperohet dhe ky është lajm shumë i
rëndësishëm. Ajo që nuk e dimë është se si do të rikthehet prodhimi me kapacitet
të plotë dhe se si do të rifillojnë vijat e prodhimit në vendet tjera të botës
nëse rikuperimi është përfundimtar?!

Evropa, kriza ekonomike dhe shpërthimi i nacionalizmit

Është më se e qartë se Evropa është para një situate të vështirë. Ekonomia
e Evropës ka pësuar nga shumë kriza të mëdha ekonomike në vitet e kaluara dhe
ende nuk është rikuperuar plotësisht nga kriza e vitit 2008.

Kujtoni krizat e Greqisë, Islandës, Italisë, Portugalisë, Spanjës, këto
vende që edhe sot po vuajnë, në veçanti Italia. Franca dhe Spanja, po ashtu,
janë mbyllur (Lockdown), ndërsa po shohim se jugu i Evropës do të goditet më
shumë se sa veriu i saj. Gjermania, në mënyrë më të mirë, po i menaxhon
çështjet se vendet e Evropës Jugore. Gjendja është më e mirë në shtetet e
Evropës Veriore, kjo falë fuqisë ekonomike dhe sistemit të veçantë shoqëror që e
aplikon modelin e kapitalizmin social
(Social Capitalism).

Siç duket, varfëria, fillimet e së cilës ishin evidente gjatë viteve të
kaluara, do të përkeqësohet dhe ndoshta do të shkaktojë shembje edhe më të
mëdha në zonën e euros, me çka do ta dëshmojmë rilindjen e nacionalizmit. Rritja
e nacionalizmit në vendet e Evropës është evidente pas krizës ekonomike të
vitit 2008 dhe ngritja është akoma më evidente në dy vitet e fundit me krizën e
imigrantëve. Disa parti nacionaliste të së djathtës ekstreme e kanë marrë
pushtetin në disa shtete. Sot, gjatë krizës me virusin, shohim një valë të re
të rritjes së nacionalizmit. Mbyllja e kufijve, së bashku me rëniet ekonomike,
do të bëhen shkaqe që njerëzit në mënyrë prioritare të mendojnë për veten dhe
të mos brengosen për të tjerët.

Rritja e nacionalizmit është pasoja e dytë, pas krizës ekonomike, me të
cilën ballafaqohet bota në përgjithësi dhe Evropa në veçanti. Kjo do të
reflektohet edhe mbi botën islame, kjo për shkak të lidhjes qenësore të saj me
Evropën dhe për shkak të pakicave myslimane që jetojnë atje.

Kuptime të reja ekzistenciale!

Bota sërish do të filloje të flasë për kuptime të reja ekzistenciale:
religjionet, besimet dhe filozofitë do ta fillojnë përsëri bisedën e tyre për
esencën e njerëzimit dhe esencën e jetës. Kjo do të ndodhë, sepse tashmë kanë filluar
pyetjet për mënyrën e bashkëveprimit në mënyrë fetare dhe në mënyrë njerëzore lidhur
me këtë çështje.

Në të gjitha krizat e mëdha dy drejtime e 
kanë dominuar jetën njerëzore: drejtimi humanist dhe ai materialist. Drejtimi
humanist e vendos njeriun në pozitë të barazisë së vazhdueshme ndërnjerëzore.
Orientimi materialist e mbron qëndrimin se njeri i fortë është ai i cili
meriton të jetojëdhe se vdekja e të dobëtit është arsye (logjikë) e natyrës,
logjika e mbijetesës për më të aftin. Ky drejtim mbështetet mbi logjikën darviniane,
një logjikë, absolutisht dhe thjesht, materialiste.

Këtë ndoshta e kemi parë në pikëpamjet e Hitlerit dhe Stalinit lidhur me njerëzimin
– i dobëti vritej, njësoj si sot në Korenë Veriore, në të cilën të dobëtit
vriten me qëllim që shteti të mos merret me mjekimin e tyre. Italia, vendi i
Evropës në të cilin filloi Renesanca, publikoi një dokument të qendrës SIAARTI,
në të cilin mjekëve u rekomandohet ta ndalojnë hyrjen në spitale për të
moshuarit mbi gjashtëdhjetë e pesë vite. Edhe nëse kanë simptome të tjera të
sëmundjeve, që nuk kanë lidhje me virusi Korona, ata do të lihen të vdesin për
shkak të numrit të kufizuar të respiratorëve. Këto rekomandime erdhën për t’ua lehtësuar
ekipeve mjekësore që të ballafaqohen me dilemën morale: kush meriton më shumë
të mbijetojë!

Kjo dilemë njerëzore u parashtrua në të gjitha epidemitë. Kam lexuar në
librat e historisë për murtajën e cila u përhap në Evropë. Pushteti urdhëronte
të mbyllen shtëpitë e të prekurve, pasi kuptonin se brenda tyre ka njerëz të
sëmurë. Shtëpitë mbylleshin me gurë dhe baltë (lloç), që i sëmuri të vdesë
brenda dhe të mos e infektojë dikë tjetër. Kjo na bën me dije se kultura e
mbijetesës për të fortin dhe pikëpamja që i dobëti duhet të sëmuret, madje edhe
të vdesë, janë pikëpamje puro-materialiste, që janë përhapur në shekujt e mesëm
dhe tash e shohim ringjalljen e tyre ne shtetet evropiane.

Kjo pikëpamje është e kundërta e pikëpamjes morale të Islamit, sipas së
cilës është detyrë njerëzore kujdesi për ata që janë të dobët dhe të moshuar.
Bamirësia ndaj prindërve është pothuajse vepër e barabartë me besimin në Zot.
Ky orientim është shumë larg prej drejtimit materialist, që e shohim në shumë
vende të botës. Qasja humaniste dhe qasja materialiste do të përballen në dyluftim
dhe konflikti mes tyre do të ndizet.

Nevoja për ripërtëritje të ligjërimit fetar

Roli i fesë, sipas kuptimit të trashëguar tradicional, do të dobësohet,
sepse religjionet në përgjithësi dhe Judaizmi, Krishterimi, madje edhe Islami
në formën e tij tradicionale, në veçanti, nuk kanë përgjigje për pyetjet në etapën
e ardhshme. Situata në fjalë do të nxjerrë në pah nevojën për riformulimin e
ligjërimit fetar, që ai të jetë më afër mendësisë dhe aftësisë së njerëzve të
kësaj kohe dhe më afër mënyrës se si reagojnë ndaj këtij realiteti. Kjo qasje e
re e ligjërimit do të ndihmojë “tretjen” e ndryshimeve të mëdha që do ta
lëkundin trungun e njerëzimit në vitet e ardhshme. Prandaj, nevoja e ligjërimit
të ri fetar, i cili do ta lartësojë njeriun në një pozitë më të lartë se pozita
e tashme, është nevojë madhore dhe urgjente. Myslimanët ndoshta do ta vërejnë
mundësinë për ripërtëritjen e ligjërimit fetar nga ai tradicional klasik, që
është i pranishëm në librat e trashëgimisë dhe historisë, në një ligjërim
humanist global, të ngritur mbi vlerat dhe shpirtin e kohës moderne. Ata kanë
mundësi ta paraqesin një model të ri civilizues.

Buzë (humnerës) qytetërimit të lakmisë!

Pika e katërt, e cila do ta ndryshojë realitetin global njerëzor, është
gjurmimi pas modelit global ekonomik, më të qëndrueshëm dhe më të drejtë.

Modeli i ekonomisë që e jetojmë momentalisht është model i lakmisë së
pangopshme dhe ai është shkak i krizave që nuk janë paraparë. Prej vitit 1929 e
deri më sot përjetuam situata sinkronizuara të krizave, që nuk e shkaktuan
shuarjen e lakmisë dhe koprracisë. Një për qind e popullatës e posedojnë
pasurinë e 3.8 miliardë të njerëzve. Realisht, kjo situatë nuk ka mundësi të
vazhdojë kështu. Prandaj parashtrohet pyetja: si të nxjerrim ide inovative për një
ekonomi të re botërore? Ky debat njerëzor dhe global do të nxehet, duke u
orvatur të përgjigjet në këtë pyetje.

Në ditët e kaluara disa shkrime kërkuan zbatimin e idesë TË ARDHURAT
MINIMALE BAZIKE (Minimum Basic Income) për çdo njeri. Kjo nënkupton që të
sigurohet shuma bazike që i mundësojnë njeriut jetë dinjitoze. Ideja në fjalë
nuk është e re, por nuk ka pasur fat të përhapet botërisht. Ajo u aktualizua në
këtë periudhë, bashkë me bisedat për ide të reja, që do ta zvogëlojnë hendekun
mes të pasurve dhe të varfërve të rinj. Situata e krijuar ndoshta në të ardhmen
do të sjellë ide të reja, që dallojnë prej idesë së tregut të lirë – që e ushqen
lakminë – asaj të Wall Street-it dhe ekonomisë së globalizuar. Parimet e
ekonomisë bashkëkohore janë të egr, andaj erdhi edhe fundi logjik i tyre – për
shkak të këtyre pasojave katastrofike.

Paramendoni se njëzet milionë nxënës të shkollave në Amerikë nuk kanë
mundësi të shkojnë në shkollë, edhe pse ekzistenca e tyre është e lidhur me
ushqimet që u shpërndahen në shkollë. Vajtja e tyre në shkollë është urgjencë edhe
për shkak të ushqimit. Kjo është gjendja në vendin më të zhvilluar të botës, i
cili shpenzon triliona për armatim.

Shkelja e ligjeve universale hyjnore te krijesat dhe në ekzistencë

Allahu i Lartësuar ka vendosur ligje që e ruajnë baraspeshën natyrore. Nëse
njeriu nuk i respekton dhe nuk ka konsideratë për këto ligje universale, ai do
të ballafaqohet me pasojat e tyre shkatërruese.

Allahu në Kuran thotë: “Allahu e ka
bërë shembull qytetin, i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime
të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e
Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urine dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë.”

(En Nahl, 112)

Njeriu do ta shijojë urinë dhe frikën atëherë kur do të çrregullohet relacioni
i tij me njeriun tjetër dhe relacioni i tij ndaj natyrës. Arroganca e njeriut
është evidente, në veçanti në raportin e tij ndaj natyrës. Para pak muaj lexuam
për zjarret në Australi dhe para tyre për zjarret në xhunglën e Amazonës. Shumë
autorë pohuan se mushkëritë e Tokës janë dëmtuar. Këto pyje e prodhojnë oksigjenin,
i cili është i nevojshëm për krijesat e gjalla ku bën pjesë edhe njeriu. Këto
zjarre u shkaktuan nga ndryshimet klimatike, që janë një formë e re e lakmisë
njerëzore dhe vrapimit mbërthyes pas iluzionit të quajtur zhvillim. Ky
“zhvillim” nuk do të rezultojë me lumturi, rehati dhe komoditet. Përkundrazi,
jeta do të vështirësohet dhe pasojat do janë të rënda.

Kur lexova se virusi e sulmon sistemin e frymëmarrjes, thashë: “Subhanallah
(i madhëruar është Allahu), me lakminë dhe arrogancën tonë i shkatërruam
mushkëritë e bardha të Tokës dhe mushkëritë tona tash po shkatërrohen si dënim
i saj që e vepruam”. Besoj se ekziston një lidhshmëri e fuqishme ndërmjet njeriut
dhe ekzistencën, ashtu që çdo çrregullim që ndodhë në botën e natyrës kthehet
dhe e ka efektin edhe mbi qenien njerëzore. Njeriu është krijesë që i përket
natyrës dhe jeton në mjedis natyror, andaj ndotja e ajrit që e shkaktojmë ne,
ndryshimet klimatike dhe globi i cili vuan, na kthehen në formë të epidemive,
urisë, vërshimeve, furtunave dhe zjarreve.  

Bota sot është e lënduar dhe e sëmurë dhe ai që e ka shkaktuar sëmundjen
është njeriu. Kjo sëmundje mbartet te njeriu, të kafshët dhe krijesat e tjera. Prandaj
duhet ta pranojmë që ne si qenie njerëzore, që jetojmë në këtë shekull, i kemi
shkelur në mënyrën më të keqe ligjet universale hyjnore, e kemi deformuar
krijimin e Zotit dhe i kemi dëmtuar interesat e të gjitha krijesave. Ne i kemi
asgjësuar dhjetëra mijëra krijesa të botës shtazore dhe bimore, të cilat tash
nuk ekzistojnë shkaku i lakmisë së pangopur njerëzore. Por, pasojat do t’i
vuajmë edhe ne, ngase çdo çrregullim në natyrë reflektohet edhe në jetën e
njerëzve.

Ndryshimet gjeopolitike

Pasojat afatgjata të pandemisë së Koronës janë shumë të ndërlikuara dhe nuk
kemi mundësi të gjykojmë në mënyrë të prerë për përfundimet e saj. Nuk e kemi
as mundësi ta prognozojmë prerazi realitetin e botës pas virusi Korona. Ajo që
kemi mundësi ta bëjmë është të shfaqim disa nga treguesit.

Nëse themi se ë Kina po rikuperohet – edhe pse nuk mund ta pohojmë këtë prerazi.
Por, nëse supozojmë, kushtimisht, se Kina po rikuperohet në kohën kur në
Evropë, SHBA dhe shtetet e tjera gjërat lëvizin drejt pikës kulmore të
epidemisë, një situatë e tillë do të lexohet si avancim ekonomik dhe strategjik
i Kinës ndaj vendeve të tjera të botës.

Nëse gjendja momentale e rënies ekonomike vazhdon të përfundojë me stagnim të
madh global, shumica e vendeve të botës do të dëmtohen në mënyrë të
pariparueshme: sistemi ekonomik do të goditet për vdekje, ndërsa do të vuajnë
edhe vendet industriale, ekonomia e të cilëve mbështet në eksport. Në mesin e
tyre janë edhe vendet që eksportojë naftë.

Në anën tjetër, as gjendja e SHBA-së nën administrimin e kryetarit “maniak”
nuk është për “t’u përgëzuar”. Imazhi i Amerikës do të lëkundet dhe në aspekt të
brendshëm sistemi shëndetësor do të destabilizohet, sepse nuk është i gatshëm t’i
absorbojë pasojat e pandemisë së Koronës. Sistemi shëndetësor amerikan, madje,
ndoshta do të rrënohet, kjo për shkak të sistemit të ligë të sigurimit
shëndetësor. Atje një përqindje e madhe e qytetarëve nuk kanë mundësi t’i
paguajnë shpenzimet e mjekimit, gjë që ka mundësi ta përshpejtojë përhapjen e
sëmundjes deri në pikën kulmore dhe në atë situatë spitalet nuk do të mund ta
përballojnë numrin e madh të pacientëve. Edhe stagnimi ekonomik do të
thellohet.

Miliardat që Amerika i injekton në tregje për ta parandaluar kolapsin e ekonomisë
janë mahnitëse. Megjithatë, tregjet pa mëshirë vazhdojnë rënien e furishme të
tyre, andaj dhe norma e interesit të Bankës Federale tashmë është zero.

Pozita globale e Amerikës prej vitesh është në rënie, ndërsa Korona do ta
përshpejtoje atë proces dhe pozita e liderit botëror do të cenohet në favor të
qendrave të tjera të ndikimit, në krye të të cilëve është Kina.

Në fjalimin e tij ditën e hënë Trump-i tha se tregjet do të rikuperohen dhe
çështjet do të kthehen në gjendjen normale, por dëmtimi i njerëzve, në veçanti
i atyre që janë të varfër, është evident. Njerëzit detyrohen t’i braktisin
vendet e punës, nuk marrin rrogë ose marrin një pjesë të pagave dhe ky është
vetëm fillimi.

Njerëzit do të kthjellen pas virusit Korona, duke u ballafaquar me humbje
të mëdha financiare. Këtë do ta ndjejnë restorantet, kafenetë, sektori i turizmit,
sektori i fluturimeve, sektorët e shërbimeve, vendet e përkohshme të punës,
punëtorët e pavarur dhe gjithë ata që nuk kanë fuqi financiare për ta vazhduar
aktivitetin e tyre. Stagnimi ekonomik dhe dobësimi i fuqisë blerëse të
popullatës do të shkaktojë reagime shoqërore dhe politike në shumë vende. Nuk
ka dyshim se Amerika do të goditet, por nuk e dimë saktë a do të rikuperohet
apo nuk do të rikuperohet?! Ajo që e presim është një situatë e vështirë
ekonomike në Evropë.

Për gjendjen ekonomike në Lindjen e mesme dhe në Afrikë nuk folëm, sepse
ajo në esencë është e keqe, edhe pse, sipas mendimit tonë, kriza më së shumti do
t’i godasë vendet e zhvilluara, ngase epse ekonomitë e tyre janë më të mëdha
dhe varësia e tyre prej tregjeve dhe bursave është më e madhe krahasuar me
vendet e tjera.

Fundi i botës që e njohim!

Për momentin po ndodhë vdekja e së kaluarës dhe lindja e asaj që është e
re. Nëse punojmë fort dhe me përkushtim, e reja do të jetë më e mirë. Nëse u
dorëzohemi ëndjeve dhe iluzioneve të lakmisë, atëherë përsëri do të hyjmë në
kohërat e errësirave të reja.

Krizat e përshpejtojnë rrjedhën e historisë dhe i nxisin ndryshimet. Ne po
jetojmë në një krizë që është e rrallë në histori. Njerëzimi është para dy
opsioneve: të solidarizohet mes vete dhe të kontribuojë në ngritjen globale të
njerëzimit. Kjo krizë nuk mund të zgjidhet pa solidaritet botëror. Opsioni i
dytë është që secili ta shikojë interesin e tij të ngushtë, duke e rritur
egoizmin dhe duke e shtuar lakminë.

Për fat të keq, nuk jam i mendimit se në një kohë të afërt bota do t’i trokasë
arsyes dhe do të ngrejë institucione dhe organizata botërore të drejta, që do ta
rikthejnë mirëqenien e njerëzimit. Nuk mendoj se do të formohen sisteme
ekonomike dhe shoqërore të pjekura. Madje, pres që momenti materialist dhe
etnik të ngadhënjejë dhe vendet të orvaten t’i marrin nën kontroll resurset e
veta dhe resurset e vendeve të tjera, kjo në një kontekst të nxehtë të ri, që ka
mundësi të përfundojë me luftëra të përgjakshme. Kjo nuk do të jetë në të mirën
e të ardhmes së njerëzimit. Megjithatë, shumë shpejt do të dalë në shesh nevoja
urgjente për ngritje drejt solidaritetit global njerëzor. Rikthimi i arsyes garanton
jetë të mirë për të gjithë dhe shpresoj se ai proces nuk do të vonohet.

Përktheu: Dr. Amel Kurtishi