` . Koreja e Veriut urdhëron prishjen e objekteve turistike të ndërtuara nga Koreja e Jugut - TV-SHENJA

Koreja e Veriut urdhëron prishjen e objekteve turistike të ndërtuara nga Koreja e Jugut

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka urdhëruar prishjen e objekteve turistike të ndërtuara nga Koreja e Jugut në Malin Kumgang, transmeton AA.

Siç raporton agjencia shtetërore koreane e lajmeve (KCNA), gjatë një vizite në zonën e vendpushimeve në Malin Kumgang, Kim tha se ndërtesat janë “vetëm rrëmujë dhe pa karakter kombëtar fare”.

“Ata u ndërtuan si tenda të improvizuara në një zonë të goditur nga katastrofa apo në lagje izolimi. Ato jo vetëm që janë të prapambetura, por duken edhe të lënë pas dore pasi nuk u jepet kujdesi i duhur”, tha Kim.

Koreano-jugorët ndërtuan vendpushimin si simbol i bashkëpunimit, por në vitin 2008 pezulluan turne në këtë vend pasi një nga turistët e tyre u qëllua për vdekje nga një ushtarë koreano-verior për kalimin në zonën jashtë kufijve.

Kim tha se Mali Kumgang i përkiste Koresë së Veriut, e cila siç tha ai, “u fitua me kosto të gjakut, madje një shkëmb dhe një pemë atje janë të lidhura me sovranitetin dhe dinjitetin tonë”.

“Kjo sigurisht është ide e gabuar dhe një mirëkuptim i gabuar”, tha Kim, duke iu referuar asaj nëse Mali Kumgang është një pronë e përbashkët e dy Koreve.

Duke theksuar se Koreja e Veriut mund të bëjë ndërtime të reja në këtë anë, Kim u tha zyrtarëve të tij se, “Strukturat në tokën tonë duhet të jenë ato të stilit tonë, të pasura me karakter kombëtar dhe ato duhet të krijohen për të përmbushur ndjenjën tonë dhe shijen estetike”.

Kim u kërkoi zyrtarëve që të largojnë të gjitha “objektet me pamje të pakëndshme” të anës jugore me një marrëveshje me njësinë përkatëse të palës jugore.

Raportimet e mediave theksuan se Kim tha se objektet e reja moderne të shërbimit do të ndërtohen “në mënyrën tonë që ngjajnë me peizazhin natyror të Malit Kumgang”.