` . Kontributi i një shqiptari nga Ohri në revolucionin xhonturk - TV-SHENJA

Kontributi i një shqiptari nga Ohri në revolucionin xhonturk

Kur sulmet e bandave bullgare kundër muslimanëve u rritën, po ashtu u rrit dhe interesimi për Komitetin “Bashkim dhe Përparim”. Në këtë kohë Ejup Sabri Beu erdhi në Ohër dhe atë e mirëpriten Nufel Aga, si dhe Halil dhe Lutfi Efendiu, të cilët e ftuan si mysafir në shëtitoren Daljan dhe shkëmbyen ide për disa çështje të rëndësishme të asaj kohe.

Shkruan: Gentrit SMAKAJ, Skenderaj

 

Ejup Sabri Beu është një revolucionar i njohur i Turqve të Rinj në organizimin dhe forcimin e degës së Komitetit “Bashkim dhe Përparim” në Ohër. Në organizimin e lëvizjeve ushtarake që kishin për synim rivendosjen e Kushtetutës së vitit 1876, emri i tij përbën një kontribut të rëndësishëm. Gjithashtu në Ohër dhe në rrethinën e tij, roli i tij ishte dukshëm i madh, Ohri ishte një zonë strehe për anëtarët e Komitetit “Bashkim dhe Përparim”, për arsye se aty nuk mungonte mbështetja e popullit vendas. Në përputhje me urdhrat e Komitetit, Ejup Sabri Beu luajti një rol të madh në krijimin e forcave të quajtura “Regjimenti Kombëtar i Ohrit”. Megjithëse gjatë veprimtarive revolucionare, që sollën Kushtetutën e dytë, Nijazi Beu shfaqet në plan të parë, nëse i analizojmë me kujdes burimet e kohës, e shohim se edhe Sabri beu zënë në vend të rëndësishëm në mesin e anëtareve të Komitetit “Bashkim dhe Përparim”. Të huajt, si shkrimtari dhe akademiku gjerman Ernst Jäckh, të cilët ranë në kontakt me udhëheqësit e Rinj Turq, e përshkruanin Ejup Sabri Beun si një shqiptar i cili zotëronte një autoritet të fortë midis muslimanëve të tjerë në zonën ku ai banonte dhe mund të komunikonte me ta, pasi fliste edhe shqip (gjuhën e tij amtare) dhe turqishten. Sulejman Kani Irtem, anëtari sekret i Komitetit “Bashkim dhe Përparim” , i cili në të njëjtën kohë ishte edhe guvernatori i rrethit të Ohrit, në kujtimet e tij politike e përshkroi Ejup Sabri Beun si “Heroi i Lirisë” (Hurriyet Kahramanı).

Grupi i parë i opozitës se organizuar kundër Sulltan Abdulhamitit II u formua në maj të vitit 1889, siç ka theksuar një historian turk në momentin e 100-vjetorit të revolucionit frëng. Katër student të Kolegjit Mjekësor Ushtarak e themeluan İttihad-i Osmanı Cemiyeti (Shoqëria Osmane për Bashkim), e cila synonte ta rivendoste Kushtetutën e Mithat Pashës së vitit 1876. Themeluesit ishin: Ibrahim Temo, një shqiptar nga Struga, Mehmet Reshit, një çerkez nga Kaukazi, Abdullah Xhevdet dhe Ishak Sukuti, dy kurdë përkatësisht nga Arabkiri dhe Dijarbakıri. Në disa burime shtohet edhe një emër i pestë – ai i Husejnzade Aliut nga Baku. Por, duke e përshkruar këtë ngjarje, në kujtimet e tij Ibrahim Temo shkruante: “Katër duar u kryqëzuan me njëra-tjetrën. Ky betim i dhënë i takon datës 13 maj të vitit 1889”. Kjo dëshmon së në mbledhjen e parë themeluese kanë marr pjesë të katër studentët e lartpërmendur.

Në periudhën kur sulmet e bandave bullgare kundër muslimanëve u rritën, po ashtu u rrit dhe interesimi për Komitetin “Bashkim dhe Përparim”. Në këtë kohë Ejup Sabri Beu erdhi në Ohër dhe atë e mirëpriten Nufel Aga, si dhe Halil dhe Lutfi Efendiu, të cilët e ftuan si mysafir në shëtitoren Daljan dhe shkëmbyen ide për disa çështje të rëndësishme të asaj kohe..

Megjithëse ata folën me shumë për rrethanat e përgjithshme, sinqeriteti i Ejup Sabri Beut me anëtarët e Komitetit “Bashkim dhe Përparim” në Ohër u pjek vetëm kur Majori Enver Beu arriti në Ohër në tetor të vitit 1907. Me kërkesën e vet Ejup Sabriut, më 14 tetor 1907, ai u emërua t’i ndiqte bandat duke filluar me banditët nga kufiri bullgar.

Për angazhimin e Sabri Beut në Komitet Nijazi Beu, në kujtimet e tij, u shpreh me fjalët e mëposhtme: “Unë e dija se Komandanti i batalionit të Ohrit, kapiteni Ejup Sabri beu, po vepronte si unë, pra po punonte që Ohri të bëhet një qendër me e besueshme e Komitetit “Bashkim dhe Përparim”. “Këtu ishte e mjaftueshme për ne si Komitet të kishim një shtyllë mbështetjeje si Ejup Beu, i cili e fitoj besimin e organizatës sonë në mjedis”.

Ejup Beu, së bashku me Enver beun, vendosën ta rrisin numrin e anëtarëve të Komitetit. Në këtë drejtim, aktivistët e lartpërmendur gjate ditës po përpiqeshin të merrnin informacione rreth komitetit bullgar ndërsa gjatë natës ishin të interesuar të rekrutonin anëtarë te rinj.

Para ndarjes nga Ohri, Enver Beu e themeloi gjithashtu një komitet të qendrës së kazasë me këta anëtarë: Ejup Sabriu, Nufel dhe Nimetullah Aga. Ejup Sabriu u emërua zyrtar për siguri dhe nëpunës i këtij komiteti. Në luftën për shpalljen e kushtetutës dega e Komiteti “Bashkim dhe Përparim” në Ohër u krijua me punën intensive që e bënë Ejup Sabriu dhe Enver Beu.

Ndërkaq krijimi i degës së Komitetit të “Bashkim dhe Përparimit” në Ohër ndodhi në këtë mënyrë: me ardhjen e Nijazi Beut në rajon, Ejup Beu filloi të dalë në pah me aspektet e tij revolucionare dhe ushtarake përtej përpjekjeve të tij të organizimit politik.

Për t’i tërhequr popujt e shtypur në revolucionin që po e përgatisnin, Turqit e Rinj ndërmorën dy veprime: në kongresin që u mblodh në Paris me 27-29 dhjetor të vitit 1907 vendosën ta përdornin kryengritjen e armatosur kundër Sultan Abdylhamitit II për të siguruar shpalljen e Kushtetutës, ndërsa në pranverën e vitit 1908 u premtuan me demagogji popujve të shtypur “lirinë”, “barazinë” dhe “drejtësinë” kurse çetave të armatosura shqiptare edhe autonominë e Shqipërisë.

Zgjerimi i veprimtarisë së organizatave xhonturke në Shqipëri e në Maqedoni u dha mundësi Turqve të Rinj ta fillonin kryengritjen. Më 3 korrik të vitit 1908 ngriti krye reparti ushtarak i Resnjës, i komanduar nga oficeri shqiptar, Nijazi beu. Ai, përpara se të dilte në mal, i kishte shkruar të kunatit: “Preferoj me mirë të vdes se sa të rroj i poshtëruar… ose vdekje ose shpëtimin e atdheut”. Kryengritja e Nijazi beut u pasua nga ajo e majorit turk Enver Beut, që shpërtheu në Demir Hisar dhe ajo e shqiptarit tjetër nga Ohri, Ejup Sabri beut, pikërisht në qytetin e tij në Ohër. Këto ngjarje shënuan fillimin e Revolucionit Xhonturk, që u përhap pastaj në qytetet kryesore të Shqipërisë e të Maqedonisë, të cilat u bënë vatra kryesore e revolucionit xhonturk.

Më qellim që shqiptarët t’u besojnë premtimeve të xhonturqve, emisarët e Nijazi Beut propagandën e plotësonin edhe me një manipulim të veçantë, se gjoja ai qe ofenduar nga ana e xhonturqve, se ata nuk e paskan mbështetur në qëllimet e tij, që ai (Nijazi Beu) paska dashur të veprojë “si shqiptari për Shqipërinë”. Këto dhe propagandat e ngjashme si këto të Nijazi beut ndikuan që Revolucioni Xhonturk të mbështetet në mënyrë masive nga ana e shqiptarëve, që ishte e një rëndësie vendimtare për forcimin dhe triumfin e tij përfundimtar.

Në prag të Revolucionit Xhonturk Ejup Beu e ftoi Nijazi beun për negociata në Ohër. Këto negociata kishin për qëllim arritjen e një uniteti. Ato u mbajtën me pjesëmarrjen e  guvernatorit të Ohrit, Sulejman Kani Irtem, Miralaj Hamid Beut, Omer Lutfi Efendiut dhe Asim Efendiut. Kjo mbledhje u mbajt në shtëpinë e Sabri Beut. Në këtë mbledhje u vendos që me ushtarët vullnetarë, që do të mblidheshin nga Ohri, Struga dhe Starova, të themelohet forca e quajtur “Batalioni Kombëtar”. Derisa përgatitjet për forcën ushtarake ishin në fazën e përfundimit, edhe Nijazi beu arriti ne Ohër dhe i filloi negociatat me Ejup Sabri Beun.

Në përputhje me urdhrat që morën nga qendra e Komitetit “Bashkim dhe Përparim” Ejup dhe Nijazi Beu i përfunduan përgatitjet e tyre për të lëvizur drejt Manastirit me një forcë ushtarake që numëronte rreth dy mijë njerëz. Ejup Sabri Beu mori përsipër forcat e quajtura “Regjimenti Kombëtar i Ohrit”, të përbëra nga ushtarë dhe nga populli vendas. Pas kësaj Ejup Sabri Beu, së bashku me Nijazi Beun dhe trupat ushtarake, u nisën drejt Manastirit. Po ashtu, pas themelimit të kësaj force ushtarake, Sabri Beu përgatiti telegrame dhe letra përmes të cilave i kërkonte Sulltan Abdylhamitit të Dytë shpalljen e Kushtetutës së vitit 1876 dhe hapjen e Parlamentit.

Porta e dërgoi gjeneralin e njohur, Shemsi Pasha, për ta shuar lëvizjen xhonturke, por Shemsi Pasha, sapo mbërriti në Manastir me vendimin e Komitetit të Manastirit të “Bashkim dhe Përparimit” më 7 korrik 1908, vritet. Atentatin e kreu Atif Beu, që i përkiste Armatës III të Maqedonisë. Ibrahim Temo e quajti atë “Hero të Revolucionit”. Të shtënat e revolverit që e goditën Shemsi Pashën, kur po dilte nga postë-telegrafa e Manastirit, shkruante I. Temo në kujtimet e tij, e tronditën absolutizmin dhe dhanë sinjalin e fillimit te luftës. Vrasja e Shemsi Pashës u pasua nga rrëmbimi, po me vendim të Komitetit të Manastirit “Bashkim e Përparim”, i mareshalit, Osman Pasha, që u dërgua në Manastir për ta zëvendësuar Shemsi Pashën. Këtë rrëmbim e kryen çetat e Nijazi dhe Sabri Beut, që e çuan atë në pyje.

Ngjarja më mbresëlënëse dhe me e rëndësishme, pas se cilës edhe Sulltan Abdylhamiti u bind se patjetër duhet t’i plotësojë kërkesat e komitetit xhonturk, ishte mbledhja e 30 mijë shqiptarëve në Kuvendin e Ferizajt. Me votimin dhe betimin për realizimin e Programit të aprovuar, Kuvendi i Ferizajt me 20 korrik të vitit 1908 ia dërgoi Sulltanit një telegram ultimativ, duke kërkuar kthimin e Kushtetutës të vitit 1876 dhe ribërjen e Parlamentit. Duke e vlerësuar këtë ngjarje si një nga faktorët që ndikuan në fitoren e revolucionit të Turqve të Rinj, historiani turk Jusuf Hikmet Bajur shkruan: “Fakti që shqiptaret kërkuan Kushtetutën dhe që një turmë e madhe shqiptarësh mund të zbriste nga rajonet malore në Shkup, Selanik dhe ndoshta edhe më tej, i shkaktoi veçanërisht preokupim Sulltanit”. Nën këtë presion Sulltan Abdylhamiti i Dytë do të binte dakord që më 23-24 korrik 1908 ta shpallte Kushtetutën. Kjo ngjarje shënoi edhe fitoren e Revolucionit Xhonturk të korrikut të vitit 1908, në të cilin shqiptarët dhanë një kontribut te çmuar.

Megjithëse nuk ka studime të hollësishme për Ejup Sabriun, informacione rreth figurës të tij na kanë lënë protagonistët e kësaj periudhë në kujtimet e tyre, siç janë kujtimet e themeluesit te Komitetit “Bashkim dhe Përparim”, Ibrahim Temo, dhe sidomos me rëndësi në këtë fushë janë kujtimet e Enver Beut (Pasha) dhe Nijazi Beut, pasi qe këta dy revolucionarë (Enver & Nijazi) kanë qenë të shquar për veprimtaritë e tyre në rajonin Ohër-Manastir në dekadën e parë të shek. XX. Po ashtu, kontributi i Ejup Sabriut në lëvizjen xhonturke përfshihet në disa vepra të përgjithshme historiografike turke kushtuar komitetit “Bashkim dhe Përparim”. Ndërkaq në historiografinë shqiptare nuk kemi të dhëna për Ejup Beun, pasi që – sikurse edhe Nijazi Beu – pas revolucionit të vitit 1908 mbetën ithtarë të Komitetit “Bashkim dhe Përparim”.