` . Kompania saudite Aramco fiton më shumë se 12 gjigantët e naftës në 2019 - TV-SHENJA

Kompania saudite Aramco fiton më shumë se 12 gjigantët e naftës në 2019

Të ardhurat neto të kompanisë saudite Aramco në vitin 2019 ishin më të larta se të ardhurat totale neto të kombinuara të 12 kompanive më të mëdha të naftës në botë, sipas të dhënave të përpiluara nga AA.

Kompania kombëtare e naftës e Arabisë Saudite arriti të ardhura neto prej 88,2 miliardë dollarë vitin e kaluar, sipas rezultateve financiare. 

12 ndërmarrjet më të mëdha të naftës në botë, nga ana tjetër, arritën të ardhur neto totale prej 63,9 miliardë dollarë në vitin 2019, sipas rezultateve të tyre financiare.

Në vitin 2019, kompania e SHBA-së ExxonMobil kishte të ardhura neto prej 14,34 miliardë dollarë, Chevron kishte 2,92 miliardë dollarë, ndërsa ConocoPhillips regjistroi të ardhura vjetore prej 7,2 miliardë dollarë.

Sa i përket kompanive të shërbimit të fushave të naftës, kompania amerikane Baker Hughes shënoi të ardhura prej 128 milionë dollarë në vitin 2019, kurse Halliburton regjistroi humbje neto prej 1,13 miliardë dollarësh, po ashtu edhe Schlumberger shënoi një humbje neto prej 10,14 miliardë dollarë.

Vitin e kaluar, gjigandi britanik i energjisë BP arriti të ardhura neto prej 10 miliardë dollarë, Royal Dutch Shell kishte 15,84 miliardë dollarë, dhe Totali i Francës shënoi të ardhura neto prej 11,83 miliardë dollarë.

Kompania Italiane Eni shënoi të ardhura prej 163 milion dollarë, Equinor i Norvegjisë fitoi 1,85 miliardë dollarë, ndërsa Rosneft i Rusisë arrit të fitojë 10,9 miliardë dollarë.

Të ardhurat neto të Aramco-s Saudite në gjysmën e parë të vitit 2019 ishin 46,9 miliardë dollarë, të cilat gjithashtu tejkaluan fitimet e kombinuara të gjysmës së parë, 44,9 miliardë dollarë krahasuar me 12 gjigandët e naftës.

Çmimet e ulëta të naftës godasin vlerën e Aramco-s

Megjithatë, çmimet e ulëta të naftës së papërpunuar kanë ndikuar negativisht në kapitalizimin e tregut të Aramco-s.

Konsumi global i naftës dhe kërkesa e naftës së papërpunuar mbeten të ulëta për shkak të pandemisë së koronavirusit që shpërtheu në Kinë dhjetorin e kaluar dhe tani e ka sjellë botën në një bllokadë totale.

Për më tepër, dështimi i OPEC-ut të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe jashtë OPEC-ut të udhëhequr nga Rusia për t’u dakorduar rreth frenimit të mëtejshëm të prodhimit të naftës së papërpunuar në takimin e 6 marsit në Vjenë të Austrisë, gjithashtu ka krijuar rrezikun e furnizimit të tepërt në tregun global të naftës, duke shkaktuar rënien e çmimit të naftës së papërpunuar.

Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent u ul nga 45 dollarë për fuçi më 6 mars në 27 dollarë për fuçi më 23 mars, një rënie prej 40 për qind në pak më shumë se dy javë, sipas të dhënave zyrtare.

Gjatë kësaj periudhe, në bursën saudite Tadawul, aksionet e Aramco-s ranë në 13,3 për qind nga 33 rijalë sauditë (8,79 dollarë) në 28,6 rijalë sauditë (7,62 dollarë).

Vlera e tregut të Aramco-s saudite u ul në 870 miliardë rijalë sauditë (230 miliardë dollarë) gjatë kësaj periudhe, duke rënë nga 6,53 trilionë rijalë sauditë (1,74 trilionë dollarë) në 5,66 trilionë rijalë saudite (1,51 trilion dollarë).

Oferta fillestare publike e Aramco-s saudite (IPO) u zhvillua në Tadawul më 5 dhjetor 2019, dhe një javë më vonë në 12 dhjetor, çmimi i aksionit të kompanisë u rrit në 38,7 rijalë sauditë (10,3 dollarë), duke e shtyrë vlerën e tregut të Aramco-s në 2,05 trilionë dollarë, hera e parë në histori që një kompani kaloi kulmin e tregut prej 2 trilionë dollarë.