` . Komisioni amë votoi ligjet për siguri (Video) – TV-SHENJA

Komisioni amë votoi ligjet për siguri (Video)

Me debat të njëanshëm dhe pa asnjë kritikë thelbësore kaluan në Komisionin për mbrojtje dhe siguri ligjet për ndjekjen e komunikimeve dhe për themelimin e Agjencisë tekniko – operative OTA. Vetëm deputetët e Qeverisë që ishin të pranishëm në sallë merrnin fjalën për ligjet dhe vërehej mungesa e VMRO DPMNE-së e cila vazhdimisht kundërshtonte dhe bllokonte si punët e komisionit ashtu edhe të seancave plenare. Gjithë fjalimet ishin pozitive dhe inkurajuese për mënyrën e re të ndjekjes së komunikimit që deputetët e pushtetit siguruan se më nuk do të keqpërdoret.

Megjithatë deputetët e LSDM së shprehën keqardhje për mungesën e deputetëve të opozitës në këtë debat dhe i bënë thirrje që ti kthehet punës së Kuvendit.

OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I BRENDSHËM

“I bëj thirrje opozitës parlamentare që të marrë pjesë në debat për këto ndryshime pasi këto janë kohëra historike. Gjithë subjektet politike dhe politikanët që mendojnë të mirën e Maqedonisë, dhe që duan të tregojnë se duan të hapin një faqe re dhe nuk duan që e kaluara të përsëritet, duhet të flasim dhe të gjejmë zgjidhje së bashku. Kjo nuk është kohë e vendimarrjes me emocione, por me arsye të shëndoshë”

Sa i përket Agjencisë Tekniko-Operative që do të bëjë përgjimin nga fundi i vitit 2018, ministri i Brendshëm Oliver Spasovski shpjegoi se transferimi i agjencisë dhe pajisjeve të përgjimit jashtë MPB së, do pamundësojë keqpërdoromin siç ka ndodhur në të kaluarën. Do jetë vetëm organ me detyrë teknike, e cila vetë do të lëshojë aparatet e përgjimit dhe do i kthejë raportin prokurorit ose institucionit i cili e ka urdhëruar përgjimin. E kjo sipas deputeti Pavle Bogoevski do të shtojë edhe nivelin e kontrollit të punës së kësaj Agjencie dhe do të ulë pragun e rrezikut nga keqpërdorimet.

Pavle Bogoevski, LSDM

“Shumë pak personave dhe njësive organizative u është dhënë shumë fuqi në sferën e sistemit të sigurisë e në veçanti në sferën e ndjekjes së komunikimeve. Me formimin e ATO-së dhe precizimin e modeleve për kontroll, rritet numri i njerëzve që kanë rol kyç në sistem…Teorikisht gjithmonë ka mundësi për keqpërdorim, por në praktikë për disa herë zvogëlohet mundësia paktike e qeverisë që ta bëjnë atë keqpërdorim e aq më tepër që kjo të kalojë pa u vërejtur dhe dënuar”

Ky institucion do nisë me punë diku kah fundi i vitit 2018 dhe ende nuk ka plan financiar se sa para do nevojiten për objekt të ri, punësime të reja dhe pajisje të reja që do të përdorë gjatë procesit të përgjimit. Ka vetëm plan kadrovik për emërimin e drejtorit dhe zëvendësit për të cilin do hapet konkurs publik dhe më pas Kuvendi do duhet ta votojë me shumicë të thjeshtë. Gjë që poashtu ishte element kritike nga opinioni pasi nuk do të merr miratimin e gjithë partive politike. Drejtori dhe zëvendësi i tij do kenë mandat prej pesë vjetësh pa mundësi për rizgjedhje. Dhjetë ditë pasi ky ligj të publikohet në gazetën zyrtare do hapet konkurs për drejtorin e ri dhe një javë pas emërimit të tij fillon edhe punësimi i personelit.

Procedurën në komisionin parlamentar e kaloi edhe Ligji për ndjekjen e komunikimeve, me shpresa të deputetëve se përgjimi i paligjshëm më nuk do të ndodhë asnjëherë.  Në tekstin e ligjit shkruan se edhe kompanitë telefonikë të cilat mundësojnë përgjimin nëpërmjet sinjalit të tyre, obligohen që të ruajnë sigurinë e rrjetit. Por me harxhimin e tyre policia u kërkon që të përmirësojnë edhe më tej kualitetin e sinjalit në mënyrë që të mos vërehet kur dikush përgjohet.  Në qoftë kompanitë se u shesin personave të pa autorizuar pajisje për përgjim, pa dijen e MPB së, ato do të gjobiten me 10% të fitimit të tyre vjetor ndërsa nëse person fizik prodhon dhe shet pajisje të tilla të përgjimit, do të gjobiten deri në 5 mijë euro.  Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/