` . Kombi politik - TV-SHENJA

Kombi politik

Shkruan: Latif Mustafa

Historikisht, imperializmi dhe superioriteti, thënë ndryshe, “fryma” perandorake e Car Dushanit dhe Nemanjitëve, ka qenë fort e mishëruar në konceptin e tyre politik. Lufta, gjenocidi, spastrimi etnik i “tjetrit” ka dëshmuar për natyrën homogjene të kombit dhe ambiciet hegjemone të saj, ambicie këto që janë tipare thelbësore të një kombi modern. Sado që vazhdimësia historike dhe pastërtia kulturore është një mit, në formimin e volksgeist – shpirtit popullor serb, siç njihet te shumë kombe, vend qendror zë imagologjia, imazhet që krijojnë entitetin metafizik dhe të përkryer të mbamendjes historike dhe kolektive. Toponimi i kësaj imagologjie quhet Kosovë.

Që nga pas-lufta e ’99-tës në Kosovë qarkullon ideja e krijimit të kombit kosovar. Bazuar në teoritë e formimit të kombeve, ajo përkon me teorinë e “kombit politik” ose “kombit etatist”. Teoria e tillë e nacionalizmit për krijimin e kombit politik ndërtohet mbi premisën logjike, se shtetësia ka rëndësi më shumë sesa identiteti etnik. Bartës të sovranitetit janë qytetarët, pa dallim race, feje dhe etnie, por që – duke u bazuar në të drejtat dhe liritë universale të njeriut – përpiqen “ta konstruktojnë” demos-in, volks-in dhe “vullnetin e përgjithshëm”, si e mirë e përbashkët e shoqërisë, në kuptimin rusoian të fjalës. Ky lloj nacionalizmi etatist përpiqet ta rrënojë kujtesën historike të etnive të pranishme, duke iu mbjellë “mite” të reja në nënvetëdijen kolektive, që e imponojnë vullnetin e përgjithshëm popullor dhe krijimin e demos-it të ri. Kombe të tilla kanë SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca. Shembull tipik ishte Jugosllavia dhe kombi jugosllav me mitin e bashkim-vëllazërimit socialist.

“Kombin politik” sot e mbështesin fort SHBA-të dhe BE-ja, sidomos në Kosovë, dhe Maqedoni, ngaqë ky koncept përkon me konceptin multikultural-etatist. Në anën tjetër, kombi etnik ndërtohet mbi premisën logjike të sovranitetit të etnisë, grup shoqëror ky që është i lidhur organikisht mes vete, me histori, kulturë dhe gjuhë të përbashkët. Pjesëtarët e kombit kulturor forca historike i shtynë gjithmonë drejt bashkimit kombëtar dhe i bën koheziv në mes vete. Kombe etnike ose kulturore janë kombi gjerman, rus, irlandez, pa përjashtuar këtu edhe kombin shqiptar.

Kosovarizmi është një sub-version i kombit jugosllav, që në emër të vullnetit të përgjithshëm dhe zhvillimit të shtetit të ri përpiqet të mbivendoset si identitet shtetëror. Mbivendosja e kombit politik kosovar mbi atë etnik shqiptar është shans historik për Serbinë që ta kthejë sovranitetin e saj në Kosovë përmes serbëve të Kosovës. Etatizmi radikal i Kosovës mund të jetë efikas vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe, së bashku, me “nacionalizmin latent” të Shqipërisë po e shpërbën nacionalizmin etnik të shqiptarëve. Në anën tjetër, shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës pikërisht nga politikat shpërfillëse të shtetit amë dhe etatizmit radikal Kosovar, po i kthejnë në subjekt të fuqishëm dhe triumfues serbët në Ballkan. Kjo shihet së fundmi me referendumin për “Ditën e Republikës” në Republika Srpska.

Si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni, të cilat janë nën mbështetje të fuqishme ndërkombëtare për ndërtimin e këtyre shteteve, kombi politik stimulohet fort si ideologji shtypëse e pushtetit dhe fuqive ndërkombëtare për “të siguruar” paqe dhe stabilitet, për të vetmin qëllim, të dominojnë dhe neutralizojnë nacionalizmin shqiptar si parim politik. Ndaj këtij tipi të “nacionalizmit etatist” qarqe të caktuara në Kosovë promovojnë aktivisht nacionalizmin antikolonialist, që është një interpretim mbërthyes i socializmit, por që tani për tani është i nevojshëm dhe efikas. Por, shqiptarët, në përgjithësi, nuk do të jenë indiferentë ndaj figurës së Adem Jasharit dhe Hasan Prishtinës.

Për t’iu kundërvënë letargjisë së Shqipërisë dhe etatizmit kosovar, është moment historik që shqiptarët e Maqedonisë ta kthejnë në agjendën e politikës ditore kombin si parimin e vetëm të pranuar politik, duke ushtruar nacionalizmin kulturor/konservator, që bazohet në fenomenin e rigjenerimit dhe ruajtjes së etnisë, kurse kohezionin social e siguron përmes patriotizmit – dashurisë për atdheun. Nacionalizmi kulturor nuk është i projektuar nga lart, siç ka ndodhur deri më tani, por ndërtohet nga poshtë. Një sukses të tillë të rigjenerimit kombëtar e garanton mjedisi shumetnik dhe sfidues në Maqedoni, duke u futur në konkurrencë me etnitë e tjera, e sidomos me Maqedonasit, me të cilët shtetin e konsiderojnë veç një kontrate të përbashkët politike me sovranitet të distribuuar gjeometrik. Pikënisja e këtij nacionalizmi konservator është 22 Nëntori, Dita e Alfabetit Shqip, një ngjarje kjo që ka ndodhur në Manastirin shqiptar – sot i braktisur në tërësi nga shqiptarët. Identiteti shqiptar konfirmohet nga gjuha shqipe, nga gjuha që e krijon realitetin dhe që e ka shënuar historinë, ajo që e ka ruajtur volksgeist-in shqiptar. Ka ardhur koha që periferia e shqiptarizmit të kthehet në qendër, ndërsa ajo është shtëpia e alfabetit shqip në Manastir dhe Dita e Madhe të konsiderohet 22 Nëntori.

Postime të Ngjajshme