` . "Kishës Katolike nuk mund t'i besohet në rastet e abuzimit seksual" - TV-SHENJA

“Kishës Katolike nuk mund t’i besohet në rastet e abuzimit seksual”

Avokati kanadez Rob Talach tha se Kishës Katolike nuk mund t’i besohet në lidhje me hetimin e priftërinjve të cilët akuzohen për abuzim seksual, raporton AA.

Avokati Talach, i cili ka menaxhuar më shumë se 400 raste të këtilla, i bëri këto akuza pasi u bë e ditur se Arqipeshkvia Katolike e Vancouverit ishte në dijeni për 36 raste të abuzimit seksual në vitet e 50-ta të cilat nuk u raportuan. Në 26 nga rastet kishte të përfshirë fëmijë dhe tre priftërinj që dyshohet se kishin fëmijë të lindur.

Disa nga priftërinjtë u zhvendosën në zona tjera dhe disa të tjerë u dërguan për trajtim, në vend që t’i raportohen policisë.

Talach thotë se është koha që Kanadaja të rishikojë “politikat e ndryshme në prokurori me të cilat nuk do të shohim vetëm priftin kriminel, por të shkojmë më tej dhe të shikojmë komplotin kriminal që i lejoi ata të vazhdojnë me krimet me dekada”.

Nga Arqipeshkvia Katolike përmes një deklarate thonë se informacioni mbi këto raste do të publikohet të premten. Kjo do të jetë hera e parë në Kanada që kisha do t’i bëhë publike këto informacione.

Zyrtarët e Arqipeshkvisë thanë se peshkopët individual marrin vendim nëse do të bëjnë publike emrat e klerit që janë “akuzuar për nga besueshmëria”.

Talach theksoi se kisha arrin të jetë e organizuar mirë kur bëhet fjalë për të përmbushur axhendën e saj, por jo edhe me qasjen e saj ndaj rasteve të abuzimit seksual brenda radhëve të saj.

“Kisha Katolike në Kanada është e organizuar kur bëhet fjalë për çështjet e abortit, kontrollit të lindjes, eutanazisë. Pra, ata të gjithë mund të mblidhen dhe mund të funksionojnë njëzëri kur është në pyetje diçka që plotëson teologjinë dhe axhendën e tyre”, tha ai.

Megjithatë, kisha mbështetet në peshkopë individualë kur bëhet fjalë për abuzimin seksual, thotë Talach, duke shtuar se “ata janë duke vrapuar rreth e rrotull duke thënë se ne nuk jemi të organizuar dhe duhet t’ua lëmë këtë çështje individëve”.