` . Kina kundërshton shitjen e armëve amerikane Tajvanit - TV-SHENJA

Kina kundërshton shitjen e armëve amerikane Tajvanit

Ministria e Mbrojtjes e Kinës tha se Forcat e saj të Armatosura janë shumë të pakënaqura dhe se kundërshtojnë me vendosmëri miratimin e SHBA-ve për shitjen e armëve për Tajvanin, transmeton AA.

Në një deklaratë nga ministria, zëdhënësi Wu Qian ka bërë një vlerësim në lidhje me miratimin e SHBA-ve për shitjen e armëve për Tajvanin në vlerë prej 2.2 miliardë dollarë, përfshirë 108 tanke Abrams dhe 250 raketa Stinger.

“Forcat e Armatosura të Kinës janë shumë të pakënaqura dhe e kundërshtojnë me vendosmëri këtë”, tha Qian duke shtuar se Tajvani është pjesë e pandashme e Kinës.

“Qëndrimi ynë është i qartë dhe i qëndrueshëm për të kundërshtuar me vendosmëri shitjen e armëve nga SHBA-të për Tajvanin”, tha ai duke vënë theksin se “veprimet e gabuara” të SHBA-ve shkelin në mënyrë serioze parimin “Një Kinë”.

SHBA-të po ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Kinës dhe po dëmtojnë interesat e sovranitetit dhe sigurisë, tha Qian duke mbrojtur idenë e tij se administrata e Washingtonit rrezikon seriozisht zhvillimin e lidhjeve ushtarake mes dy vendeve dhe dëmton paqen dhe stabilitetin e rajonit të Tajvanit.

“Tajvani është çështje e brendshme e Kinës dhe ka të bëjë me të drejtat dhe interesat e popullit kinez”, theksoi Qian i cili më tej u ka bërë thirrje SHBA-ve që t’u përmbahen politikës së vetme kineze, të ndalin sa më shpejtë që të jetë e mundur shitjen e armëve për Tajvanin dhe të ndalojë marrëdhëniet ushtarake me Tajvanin për të mos dëmtuar më tej marrëdhëniet ushtarake dypalëshe.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se ushtria kineze ka aftësi të mjaftueshme, vullnet vendimtar dhe vetëbesim për të eliminuar forcat e pavarësisë së Tajvanit dhe çdo ndërhyrje të huaj, Qian tha se do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar sovranitetin kombëtar, sigurinë dhe integritetin territorial.

Agjencia Amerikane e Bashkëpunimit të Mbrojtjes dhe Sigurisë (DSCA) e cila vepron në kuadër të Pentagonit, njoftoi të martën Kongresin se Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjet e mundshme të armëve për Tajvanin.

SHBA-të me këtë miratim parashikohet që t’i shesin Tajvanit 108 tanke M1A2T Abrams dhe 250 raketa Stinger, në vlerë të përgjithshme prej 2.2 miliardë dollarë.

Po ashtu paketa e shitjes do të përfshijë edhe sasi të mëdha të armëve automatike dhe municionit, autoblindave Hercules dhe pajisje të tjera ushtarake.

Për fillimin e bisedimeve të shitjes Kongresi nuk duhet të bëjë ndonjë kundërshtim brenda 30 ditëve. Në fund të 30 ditëve, SHBA-të do t’i paraqesin një ofertë Tajvanit dhe bisedimet për shitjen e armëve do të fillojnë.

Pala amerikane mbron idenë e saj se shitjet e pritshme për Tajvanin do të kontribuojnë në aftësitë mbrojtëse të vendit dhe nuk do të ndryshojnë balancën themelore ushtarake në rajon.

Në vitin 1949, kur Mao Zedong erdhi në pushtet në Kinë, disa anëtarë të qeverisë shkuan në Tajvan dhe shpallën pavarësinë në ishull duke krijuar Tajvanin, të cilin e quajtën “Kina nacionaliste”, por që Kina nuk e pranoi pavarësinë e Tajvanit.

Qeveria e Pekinit e cila nuk ka ndonjë kontroll mbi ishull, duke miratuar parimin “Një Kinë e vetme” mbron idenë e saj se në komunitetin ndërkombëtar vetëm ata e përfaqësojnë Kinën dhe se ata mund të ndërhyjnë ushtarakisht në rast se Tajvani shpall pavarësinë.