` . KF Shkëndija: Bexheti tërhiqet shkaku i angazhimeve tjera - TV SHENJA

KF Shkëndija: Bexheti tërhiqet shkaku i angazhimeve tjera

Një ditë pas zërave për largimin e Abdylmenaf Bexhetit nga posti i presidentit të Shkëndijës së Tetovës, me komunikatë dalin nga klubi tetovar përmes së cilës sqarojnë situatën faktike. Të enjten shumë bujë në opinion bëri lajmi për largimin e Bexhetit, duke cekur si arsye dështimin në finalen e Kupës. Mirëpo nga Shkëndija mohojnë diçka të tillë, duke sqaruar se më shumë se gjashtë muaj vetë Abdylmenaf Bexheti ka kërkuar të lirohet nga obligimet, shkaku i angazhimeve të shumta që ka në kompaninë “Ecolog” dhe në jetën shoqërore.

“Rikonstruimi i udhëheqësisë ka filluar në vjeshtë të vitit të kaluar, më saktë në tetor dhe që atëherë kryetari i deritashëm Bexheti është tërhequr nga aktivitetet e përditshme në klub, ndërsa nga fillimi i vitit ai i ka ndërprerë aktivitetet plotësisht. Pjesa formale, pra procedura e ndërrimit të drejtorit ekzekutiv/presidentit, në Regjistrin Qendror të RM-së është realizuar më 11 prill 2017. Publiku i gjerë do të informohej lidhur me ndryshimet që po ndodhin në menaxhment dhe në stafin teknik, sapo të përmbylleshin procedurat e formalizimit të tyre tek institucionet përkatëse zyrtare. Me këtë dëshirojmë t’i hedhim posht të gjitha spekulimet ose keqinterpretimet në media ku aludohet se ndërrimi i kryetarit vjen tash si rrjedhojë e rezultateve jo të kënaqshme të skuadrës, sidomos pas dështimit për marrjen e trofeut në finalen e Kupës”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Shkëndijës.

Arsye e ngjalljes së spekulimeve rezultoi ndryshimi në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë, ku në vend të Abdylmenaf Bexhetit është vendosur Agim Kurtishi. Nga Shkëndija paralajmërojnë se në periudhën në vazhdim do të kompletojnë gjitha ndryshimet në udhëheqësi, të cilat me pas do të prezantohen në opinion.

Aziz Sahiti /SHENJA/

Postime të Ngjajshme