` . Këshilli ushtarak në Sudan zotohet t’ia transferojë pushtetin popullit - TV-SHENJA

Këshilli ushtarak në Sudan zotohet t’ia transferojë pushtetin popullit

Këshilli i Përkohshëm Ushtarak (MTC) i Sudanit është zotuar se do të transferoj pushtetin politik “tek populli sudanez”, raporton AA.

Sipas një njoftimi nga MTC, anëtari i këshillit Jalaleddin al-Sheikh al-Tayeb ka bërë këto pohime në takimin e sotëm në Addis Ababa me ministrin e jashtëm të Etiopisë, Hirut Zemene.

Raportohet se al-Tayeb në takim ka thënë se marrja e pushtetit e ushtrisë sudaneze javën e kaluar “erdhi si përgjigje e kërkesave të popullit për ndryshim dhe jetë më të mirë”.

Ai më tej siguroi se veprimi “nuk është grusht shtet ushtarak”.

Al-Tayeb ka sqaruar se MTC tani është e përfshirë në proces të zgjedhjes së kryeministrit të ri që do të udhëheq qeveri civile.

Ai gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, si dhe Unionit Afrikan me seli në Addis Ababa, “të mbështesin MTC-në me qëllim që të na ndihmoni në tejkalimin e vështirësive politike dhe ekonomike në Sudan”.

Nga ana tjetër, Zememe ka shprehur përkrahjen e Etiopisë për MTC-në, duke shpresuar se këshilli ushtarak që aktualisht udhëheq vendin do të ketë sukses “në rikthimin e sigurisë dhe stabilitetit në Sudan”.

“Etiopia është e sigurt se Sudani do të dalë më i fuqishëm se kurrë nga kjo fazë kritike”, citohet të ketë thënë Zemene në kumtesën e lëshuar nga MTC.

Al-Tayeb arriti në Addis Ababa të hënën në mëngjes, që paraqet vizitën e parë të jashtme nga një anëtar i MTC-së, për të njoftuar zyrtarët e Etiopisë rreth zhvillimeve në Sudan.

Pas disa muajsh të protestave popullore, të enjten e kaluar ushtria sudaneze njoftoi se presidenti Omar al-Bashir, i cili ka qeverisur Sudanin që nga viti 1989, dha dorëheqjen e tij.

Ushtria gjithashtu njoftoi krijimin e një këshilli ushtarak i cili do të drejtojë vendin për një “periudhë kalimtare” dyvjeçare.

Të shtunën, kreu i këshillit ushtarak në pushtet, gjenerali Abdel Fattah Burhan, premtoi reforma të mëdha politike dhe ekonomike.

Në një fjalim të transmetuar në televizion, Burhan tha se periudha dyvjeçare do të përfundojë me zgjedhje të lira dhe të drejta, ndërsa u zotua se do të nxjerrë para drejtësisë personat e përfshirë në vrasjen e protestuesve, si dhe të korruptuarit nga regjimi i vjetër.