` . Këshilli i Etikës: Mediat të raportojnë drejt - TV-SHENJA

Këshilli i Etikës: Mediat të raportojnë drejt

Këshilli i Etikës në kuadër të SHGM-së apelon  për raportim të drejtë gjatë periudhës parazgjedhore duke iu përmbajtur deklaratës që e kanë nënshkruar  në shkurt të këtij viti, raporton SHENJA.

Në këtë dokument theksohet nevoja e patjetërsueshme e vërtetësisë dhe objektivitetit në lajme, balancimi, ndarja e komenteve nga informata, ndershmëria dhe neutraliteti, solidariteti me kolegët, pavarësia redaktuese dhe integriteti profesional. Apeli kryesor ishte vetë rregullimi. Marina Tuneva apeloi që gazetarët të mos bëhen megafon të partive politike.

“Apelojmë për mbështetje të vetërregullimit duke u përgjigjur në ankesat legjitime dhe duke i korrigjuar mangësitë dhe gabimet gjatë raportimit. Mediat nuk guxojnë të lejojnë të bëhen arenë betejash ku më të fortit do të tentojnë të dominojnë me porositë e tyre. Gazetarët i rikujtojmë se duhet të jenë të sinqertë ndaj publikut dhe fakteve. Në interes të raportimit etik dhe profesional iu bëjmë thirrje mediave që të mos shndërrohen në megafonë të partive politike”, ka deklaruar Marina Tuneva, Këshilli Etik-SHGM.

Dragan Andonovski nga Këshilli Etik në SHGM u tërhoqi vërejtjen gazetarëve që të mos bien pre e propagandës politike,e  cila ka marrë hov dhe tek do të marrë hov tre muajt e ardhshëm parazgjedhor pasi partitë më nuk presin datë zyrtare për nisjen e fushatës pasi janë në luftë për votues.

“Partitë tashmë nuk po e presin fushatën për të gënjyer, manipuluar dhe defokusuar për të përfituar votues. Në fushatën zgjedhore vetëm bëhen kalkulimet kuanitative se kush sa persona ka kthyer nga partia e tij, ndërsa tani punohet në mënyrë kualitative. Dita e zgjedhjeve është vetëm protokoll. Tani bëhet gjithçka ndërsa në fushatë dilet vetëm për paradë. Këtë e bëjnë mediat që u shërbejnë elitave politike. Ju bëjmë thirrje mediave që të ngelin në detyrën e tyre kryesore, informimin. E jo t’i gënjejë qytetarët”, tha Dragan Antonovski, Këshilli Etik-SHGM .

Vazhdimisht ka shkelje. Shpresojmë se këto parime do të respektohen edhe në RTVM. Do të mblidhen kryeredaktorët dhe pronarët e mediave për t’u bashkuar në sferën e vetërregullimit.

Nga shkurti i këtij viti kur është nënshkruar  deklarata e profesionalizmit dhe etikës në gazetari në adresë të SHGM-së kanë ardhur  89 ankesa  kryesisht për tekste të shkruara në portale pasi që ata nuk bëjnë pjesë në rregullativat ligjore.  Besohet se ky avaz do të marrë intensitet sidomos deri në zgjedhje.  Ankesat kryesisht vijnë për shkak të mungesës së palës së dytë. Gazetarët shkruajnë tekste duke u bazuar vetëm me njërin person në tregim.  Ka edhe ndërhyrje në mendimet që prezantohen si fakte. E gjithë kjo përcillet me gjuhë të urrejtjes dhe diskriminim.

Ferikan Iljazi /SHENJA/


Këshilli i Etikës: Mediat të raportojnë drejt by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme