` . Këshill i përbashkët Shqipëri-Kosovë për arsimin në diasporë – TV-SHENJA

Këshill i përbashkët Shqipëri-Kosovë për arsimin në diasporë

Ministritë e Arsimit dhe ministritë e Diasporës të Shqipërisë dhe Kosovës zhvilluan sot një takim të përbashkët pune në Tiranë, ku temë e diskutimeve ishte krijimi i qendrës së përbashkët për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit, ministrja e Arsimit, Sporti dhe Rinisë e Shqipërisë, Lindita Nikolla, ministri për Diasporën i Shqipërisë, Pandeli Majko dhe ministri për Diasporën i Kosovës, Daradan Gashi mbajtën një konferencë për mediat, ndërsa ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës.

Në fjalën e saj, ministrja Nikolla tha se nuk do të ketë më punë të ndara mes Shqipërisë dhe Kosovës për arsimimin e fëmijëve shqiptarë në diasporë.

“Sot finalizuam Këshillin e përbashkët për të mirëmenaxhuar të gjithë punën për arsimin në diasporë. Nuk do të ketë më punë të ndara për të mundësuar arsimimin e fëmijëve në diasporë, por një punë të mirëmenaxhuar nga ekipet tona duke e institucionalizuar në një qendër të përbashkët veprimi që do të ngrihet në Prishtinë. Grupet e përbashkëta finalizojnë tekstet e përbashkëta dhe gjithçka që lidhet me punësimin e mësuesve, trajnimin dhe kualifikimin e tyre dhe të gjitha proceset që janë evidentuar dhe që kërkojnë zgjidhje nga ekipet e përbashkëta, në mënyrë që të realizojmë atë që është angazhimi ynë, një arsim cilësor të gjuhës shqipe dhe historisë dhe kulturës shqiptare në diasporë”, tha Nikolla.

Ndërsa ministri për Diasporën i Shqipërisë, Pandeli Majko theksoi se krijimi i qendrës për arsimin në diasporë, do të reflektojë një varg vendimmarrjesh administrative, që do të bëjnë të mundur ruajtjen e identitetit kulturor dhe arsimit në diasporë.

“Brenda një periudhë të shkurtër pas mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, mendoj se mbledhja e sotme e katër ministrive realizoi disa vendimmarrje të rëndësishme. Krijimi i qendrës për arsimin në diasporë, që do të ngrihet në Prishtinë do të reflektojë një varg vendimmarrjesh”, u shpreh Majko.

Ministri për Diasporën i Kosovës, Dardan Gashi, tha: “Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy kryeministrave (Edi Rama dhe Ramush Haradinaj), sot po fillojmë me implementimin konkret. Falënderoj kolegët për bashkëpunimin dhe besoj se do të arrijmë që të gjitha punët tani e tutje të jenë të përbashkëta në diasporë, por edhe në Ballkan”.

Shqipëria dhe Kosova në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që u zhvillua në Korçë në nëntor të vitit të kaluar firmosën marrëveshje bashkëpunimi për financimin dhe organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.