` . Kërkimi i modelit për zhvillim ekonomik dhe politik! - TV-SHENJA

Kërkimi i modelit për zhvillim ekonomik dhe politik!

Në dekadën e parë të tranzicionit, në mungesë edhe të vullnetit politik, por edhe të konceptit dhe paradigmës reale për zhvillim ekonomik, konform parakushteve që kishte vendi, u lëshua rasti për konsolidimin sektorial të industrive me përparësi krahasimtare. Bile aspak nuk u shfrytëzuan të gjitha resurset që vinin nga diaspora ekonomike e kahmotshme, që kishte akumuluar jo vetëm kapital, por mbi të gjitha shkathtësi menaxhimi dhe shpirt ndërmarrësie.

Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë

Problemi që e trajtojë në këtë shtjellim sa është i natyrës teorike, po aq edhe praktike dhe jo tipik vetëm për Maqedoninë. Pothuaj gjithë regjioni i Ballkanit Perëndimor akoma është në kërkim të modelit për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Megjithatë, duke pasur parasysh tranzicionin shoqëror, politik dhe ekonomik, që kishte Maqedonia, ajo duhej ta ketë kryer këtë detyrë deri më sot. Fakti pse duhet veçuar Maqedonia në kontekstin territorial nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (B dhe H, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova), qëndron në shkëputjen me “paqe” dhe me më pak pasoja nga të gjitha shtetet e tjera të apostrofuara, që në vitet e para të tranzicionit. Konfliktet etnike asaj i erdhën mbi kokë më vonë se të tjerave në regjion edhe për arsye të dështimit të tranzicionit politik e shoqëror. Por, këtu më shumë ndalemi te aspektet e zhvillimit ekonomik, që mbeten brengë edhe sot e kësaj dite në kërkim të modelit të këtij zhvillimi.

Në këtë kontekst para së gjithash duhet të bëjë një shpjegim bazik teorik për dallimin midis rritjes ekonomike dhe zhvillimit ekonomik, sepse edhe midis “ekonomistëve me diploma” (bile edhe shkencore) ka keqkuptime! Rritja ekonomike paraqet ndryshimin sasior (material) të një ekonomie nacionale (pra, vetëm në aspektin e PBB-së), ndërkohë që zhvillimi ekonomik është koncept shumë më i gjerë se kaq. Përveç aspektit sasior material, ai përfshin edhe aspektet cilësore, që nga arsimi, shëndetësia, kultura, standardi i jetesës, e deri te infrastruktura e një ekonomie. Kombet e Bashkuara (UN) shkojnë aq larg, saqë zhvillimin e matin me nivelin e kënaqësisë së njerëzve në një shtet, kriter ky shumë larg realitetit tonë regjional dhe tipik për shtetet skandinave dhe kontinentale!

Në ç’kuptim kërkohet definimi i modelit për zhvillim ekonomik? Thjesht, në cilët faktorë të suksesshëm të zhvillimit ekonomik mbështetet një vend? Ku qëndron vlera e re që krijohet në ekonominë e në vendi? Cilat janë avantazhet me përparësi konkurruese të një vendi? Cilët sektorë janë bartës të rritjes dhe zhvillimit ekonomik? Të gjitha këto pyetje dhe jo vetëm e definojnë modelin e zhvillimit ekonomik të një vendi.

Në fakt, si eci ekonomikisht Maqedonia në shtigjet e tranzicionit për këtë çerekshekulli? Në fillim, duke qenë ndër të parat shtete që dolën nga demontimi komunist, Maqedonia “kapi vazhdimësinë” e të njëjtit koncept të privatizimit të pronës shoqërore, që ish republikat jugosllave e filluan që në pranverën e v. 1989 nga Programi i privatizimit të ish kryeministrit Markoviq! Kjo grabitje dhe katrahurë pronësore në Maqedoni vazhdoi edhe nga viti 1992, bile me forma edhe më pak efikase si nga aspekti material-kapital, ashtu edhe nga aspekti social i shtresave të mesme (klasës punëtore). Kjo mbetet më shumë për studime teorike dhe leksione të dështimit se si duhet mësuar nga pësimet.

Në dekadën e parë të tranzicionit, në mungesë edhe të vullnetit politik, por edhe të konceptit dhe paradigmës reale për zhvillim ekonomik, konform parakushteve që kishte vendi, u lëshua rasti për konsolidimin sektorial të industrive me përparësi krahasimtare. Bile aspak nuk u shfrytëzuan të gjitha resurset që vinin nga diaspora ekonomike e kahmotshme, e cila kishte akumuluar jo vetëm kapital, por mbi të gjitha edhe shkathtësi menaxhimi dhe shpirt ndërmarrësie. Asokohe u demotivuan jo vetëm repartet e lehta industriale, por edhe bujqit, blegtorët, pylltarët, peshkatarët dhe u ngritën tregtarët e rinj – nga pikat e karburantit, butikëve dhe pemëshitësit, kryesisht me produkte nga importi. Politikat tregtare të kohës i shpartalluan të gjithë këta sektorë dhe në fillim të dekadës së dytë u përgjysmuan sipërfaqet e tokave punuese, numri i gjedheve, numri i turistëve verorë dhe dimërorë, si dhe prodhimet individuale bujqësore.

Në dekadën e dytë plasi konflikti ndëretnik, gjithnjë në kërkim të zgjidhjes për të drejta politike dhe sociale të barabarta. Ndërsa, në gjysmën e parë të dekadës së dytë u desh të “konsolidohet” shoqëria paskonfliktuale, kjo përmes risocializimit dhe parandalimit të diskriminimit etnik. Tanimë pothuaj ishin privatizuar edhe “pulat e arta” të një ekonomie të vogël – telekomunikacioni dhe shpërndarja energjetike, pa një shfrytëzim racional të mjeteve të arkëtuara. Këtu pothuaj perëndoi qeverisja majtiste e LSDM-së me perceptim politik antishqiptar dhe pa “identitet ekonomik” përgjatë gjithë qeverisjes. Ajo krijoi disa oligarkë që shumë shpejt ia kthyen shpinën dhe u bënë kundërshtarët më të mëdhenj të saj. Me gjasë, kishin paguar kosto të lartë për përfitimet e këtij statusi ose politikanët e kësaj strukture i kanë pasur ortakë në këto procese. VMRO-ja e vërtetë në vetëm 2,5 vite të qeverisjes krijoi oligarkë të saj në krye me liderin e saj, që edhe sot insiston në kërkim të amnistisë ekonomiko-politike për klasën vijuese vetëm që ta spastrojë kapitalin e grabitur për këtë periudhë të shkurtër kohore.

Në gjysmën e dytë të kësaj dekade, me qeverisjen e VMRO-së, erdhi “Rilindja ekonomike në 100 hapa”, që mund të përshkruhet si më grabitqarja e dëshmuar. Pas dy viteve të para të qeverisjes së shkëlqyer, filloi trishtimi ekonomik, social, politik dhe, mbi të gjitha, edhe demokratik! Në vigjilje të krizës financiare globale ata e promovuan çmendurinë më të madhe me projektin virtual “Shkupi 2014” në vlerë zyrtare prej rreth 600 milionë eurosh faktike (ndoshta një miliard reale) si platformë e ridefinimit identitar me të cilin u plaçkitën dhe u shpërlanë qindra miliona para publike, pjesën më të madhe të të cilave e dëgjuam me veshët tanë nga afera e përgjimeve.

Modeli ekonomik i kësaj qeverisje u bazua kryesisht në tre faktorë “suksesi” – në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, posaçërisht në zonat e lira industriale, në subvencionet rritëse në bujqësi dhe në investimet publike “kapitale”! Dështim i dëshmuar edhe shkencërisht. Studimet sasiore dhe cilësore të IHD-së dëshmuan një korrelacion negativ midis madhësisë së tyre dhe rritjes ekonomike. Paradoks teorik, por realitet praktik. Një pjesë e tyre, pas 10 viteve të përfitimeve, paralajmërojnë shpërnguljen prej këndej, si – fjala bie – këta Xhonson-sat.

Në anën tjetër, subvencionet bujqësore, aktualisht rreth 5 herë më të larta se një dekadë më parë, kanë rezultuar një korrelacion të shumëfishtë negativ midis kostove (fiskale) prej rreth 140 milion euro në vit dhe rënies së pjesëmarrjes së bujqësisë në PBB-në e vendit, në numrin e të punësuarve dhe njëkohësisht në rënien e eksportit nga kjo degë dhe rritjes së importit. “Shtylla e tretë” – ajo e investimeve kapitale publike dëshmoi rënie të dukshme të nivelit të infrastrukturës (auto-rrugë, hekurudha, kanale kulluese, pyje të zhveshura, shkolla të rrënuara, spitale të demoluara, shtëpi kulturash të gropuara,…), që e distorzuan edhe natyrën dhe na mbytën me përmbytjet përplot pasoja.

Për të kuptuar deri ku ka vajtur puna me “modelin ekonomik” të kësaj qeverisje, po u rrëfej një tregim nga një debat të Odës Ekonomike (tradicionale), ku mora pjesë si palë konsultative, në kërkim të formave të zhvillimit ekonomik. Një përfaqësues i sektorit real na informoi për një paradoks aktual të një kontrate midis ndërmarrjes shtetërore të prodhimit energjetik (ELEM) dhe një kompanie private (që e ka kapur shtetin) në vlerë prej 100 milionë euro, ndërkohë që studimet tregojnë se vlera e thëngjillit të vlerësuar për eksploatim është më e ulët se vlera kontraktuale e punëve të gërmimit!

Me një fjalë, modeli aktual do emërtohej më saktë si model hajdutësh. Klasa bashkëqeverisëse (jo vetëm e qeverisjes direkte) me hajdutët nuk mund të quhet ndryshe, përveç ortakëri hajdutësh. Të gjithë ndërkombëtarët në misione mandatare në Maqedoni, pa përjashtim, kanë përgjegjësi: disa më shumë e disa më pak me heshtjen (oportunizmin) ndaj  modelit të hajdutëve! Deri sot ne nuk patëm fatin të kemi në Maqedoni një stil të ambasadorit Donald Lu si në Tiranë, për të thënë gjërat troç dhe drejt!

Duke mos dashur ta luajë rolin e “moralistit”, thjesht dua (bile e kemi për detyrim) të paralajmëroj! Problemi struktural nuk qëndron te historia e çerekshekullit që e lëmë pas, por mbi të gjitha te krijimi i sistemit të “vlerave të hajdutëve”, që zakonisht do ta mbështesin me vetëdije vazhdimësinë e hajdutësisë së suksesshme! Te jeni të sigurt, fatkeqësisht, se sa herë që krijohet një masë kritike prej më shumë hajdutë se të ndershëm, të parët edhe për nga natyra e njeriut, do të krijojnë sinergji më të madhe të mbijetesës, krahasimisht me të dytët. Edhe ligjësitë e evolucionit (të Darvinit) na kanë mësuar se fara e sojit të keq shumëzohet më shumë dhe më shpejt, që të mund të mbijetojë ekzistencën dhe anulojë rrezikun e oponencës. Pse kemi kësisoj (keq)qeverisje, jo vetëm këtu në Maqedoni? Thjesht, sepse shumica këtë e dëshiron dhe e voton! Ajo shumicë, sado të duket pakicë, do të reflektojë dhe do të veprojë disa herë më aktivisht (ndoshta 1 sa 4!), që ta ruajë sojin dhe farën e vet. Gjasat janë të mëdha t’ia dalë, posaçërisht kur kështu e dërrmuar dhe pakonsoliduar është oponenca politike. Kjo e fundit njëqind ditë para zgjedhjeve është futur në pritshmëri irracionale se edhe të vetmuar i fiton zgjedhjet! Pozita e vetëdijshme, që s’mund ta arsyetojë mbijetesën me asgjë, ka gjetur rrugën e “investimit” në mbajtje të përçarjes së opozitës dhe, si duket, po ia del me sukses. Në rrethana të fenomeneve socio-patologjike të shpjeguara me lart vështirë do të fitohen zgjedhjet edhe si bllok opozitar i konsoliduar, e lëre më të ndarë dhe të fragmentuar.

Në përmbyllje të idesë së analizës, për kërkim të modelit për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, domosdo duhet një model alternativ politik. Baza e ndryshimit të modelit ekonomik qëndron te modeli politiko-demokratik, mbi të gjitha te riorganizimi politik dhe financimi i partive politike, kjo e vijuar me institucione të pavarura të gjyqësorit, ku asnjë individ s’do të jetë mbi ligjin, duke filluar nga procesimi i gjitha lëndëve korruptive, e deri te përcjellja e aktorëve pas grilave duke e konfiskuar dhe tatimuar pasurinë e paligjshme. Shteti i së drejtës është fondamenti i zgjidhjes. Mbi këtë sistem, shumë lehtë mund të ndërtohet modeli i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duke filluar nga sistemi i vlerës! Nëse të gjitha resurset e parave publike për investime kapitale (mesatarisht rreth 400-500 milionë euro në vit) brenda një mandati politik qeverisen mirë, siç është prona private, shumë lehtë arrihet përmbushja e këtij zhvillimi. Në të janë në pyetje rreth 1,5-2 miliardë euro për një mandat! Një vend të vogël si Maqedonia, me vetëm 1,5 milionë popullatë të pranishme dhe me ato resurse natyrore që i ka vendi, shumë lehtë mbijetohet ekonomikisht. Vetëm një rishikim i politikave të prodhimit, të bazuara në importe ushqimesh, veshmbathjesh dhe gjësendesh të industrisë së lehtë “do të na udhëzojë” si të prodhojmë edhe 30 milionë litra qumësht më shumë ose edhe 10 milionë kilogramë mish më shumë se tani, që i importojmë çdo vit! Ta konvertojmë modelin IHD në IDD – Investimet Direkte të Diasporës, sepse përpjestimi matematik mesatar është 1 me 8!

Kjo kërkon vetëm dy parakushte – e para vullnet politik dhe e dyta betim për mosvjedhje të pasurisë publike! Nobelisti i letërsisë botërore Paulo Coelho në “katalogun e normalitetit” të njerëzimit në veprën “Fitimtari është i vetëm” do të thoshte se këto janë dy gjërat më të vështira, edhe pse më normale të njerëzimit!

Postime të Ngjajshme