` . Kërcënohet ministri i Arsimit, Arsim Bajrami – TV-SHENJA

Kërcënohet ministri i Arsimit, Arsim Bajrami

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka dënuar kërcënimin me dhunë të kryer dje ndaj ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, nga përfaqësuesi studentor në Senatin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me inicialet R. K, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ministria.

“Më 19 nëntor 2015, ministri Bajrami ka pranuar mesazhe kërcënuese nga ky përfaqësues studentor në Senatin e Universitetit të Prishtinës, me qëllim të kanosjes me dhunë, pengimit në ushtrimin e detyrave zyrtare të Ministrit dhe thirrjen për rezistencë dhe mosbindje ndaj vendimeve të ligjshme, që paraqesin vepra penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Arsimit.

Kërcënimet e tilla me dhunë, thuhet më tej në njoftim, kanë për synim të pengojnë përkushtimin e MAShT-it për vendosjen e rendit akademik dhe ngritje të cilësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, si dhe të realizimit të interesave të kundërligjshme dhe në dëm të interesit të studentëve të Universitetit, përmes metodave të presionit dhe kërcënimit me dhunë. /REL/