` . Keqkuptimi Kosovë-Turqi – TV-SHENJA

Keqkuptimi Kosovë-Turqi

Luftërat Ballkanike të fundit shekullit të 19-të dhe fillimshekullit të 20-të kanë rezultuar me tragjedi të mëdha, ku qindra e mijëra banorë myslimanë të Perandorisë nga etni të ndryshme  janë vrarë e masakruar. Po ashtu, qindra e mijëra të tjerë kanë qenë të detyruar të shpërngulen drejt Turqisë së sotme.

Shkruan: Birol URCAN, Prishtinë

Keqkuptimi i parë: marrëdhënia Kosovë Turqi sot është e ndikuar nga keqkuptimi, i cili besoj se e ka burimin në ligjërimin orientalist, që ndër dekada është prezantuar si e vërtetë nga ana e regjimeve të kaluara, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Sipas këtij ligjërimi, Turqia është një shtet i përbërë 90 % nga turq etnikë dhe është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e Perandorisë Osmane, e cila po ashtu ka qenë e përbërë 90 % nga turq anadollakë etnikë dhe të cilët i kanë shtypur në vazhdimësi popujt e tjerë etnikë, që kanë qenë të pushtuar nga ana e Perandorisë. Ky ligjërim supozon që edhe sot shumica etnike (90%) turke në Turqi është duke vazhduar t’i shtypë kurdët etnikë, shqiptarët e pakicat e tjera etnike në Turqi. Ky supozim nuk është i vërtetë dhe është i bazuar në keqkuptim. Ndërsa e vërteta është si vijon! Luftërat Ballkanike të fundit shekullit të 19-të dhe fillimshekullit të 20-të kanë rezultuar me tragjedi të mëdha, ku qindra e mijëra banorë myslimanë të Perandorisë nga etni të ndryshme  janë vrarë e masakruar. Po ashtu, qindra e mijëra të tjerë kanë qenë të detyruar të shpërngulen drejt Turqisë së sotme. Këta janë vendosur në zona të ndryshme të Turqisë dhe, përmes miqësive e  martesave, kanë krijuar marrëdhënie me qindra e mijëra banorë nga etni të tjera, që kanë banuar me herët aty ose që kanë ardhur në atë kohë në Turqi. Këto etni përfshijnë çerkezët, kurdët, turqit, arabët, syrjanitë, armenët dhe grekët e konvertuar në Islam dhe të tjerë. Faktet historike tregojnë se ka pasur migrime edhe më herët nga Ballkani në drejtim të Turqisë së sotme, por edhe migrime në drejtim të kundërt. Një përqindje e madhe e banorëve të sotëm të Turqisë, të cilët identifikohen si turq, vijnë nga etni të ndryshme, të shumtën e rasteve të përziera me njëra-tjetrën dhe është vështirë ose gati se e pamundur, të gjesh pjesëtarë të një etnie, qoftë ajo turke, shqiptare boshnjake, çerkeze, laze, kurde ose tjetër, që përgjatë historisë familjare nuk ka krijuar lidhje familjare e farefisnore me etni të tjera. Prandaj, në Turqi etnia nuk merret si kategori komb apo shtet formuese dhe kur përdoret emri turk, ai nuk nënkupton turkun etnik, por nënkupton një kategori identitare kulturore, sipas së cilës „turku“ ka prejardhje nga etni të ndryshme të Perandorisë, që ndërkohe janë konvertuar në Islam dhe që vazhdojnë ose nuk vazhdojnë t’i praktikojnë ritet fetare islame në tërësi.

Që nga themelimi i Republikës Turke asnjëherë nuk është tentuar të bëhet ndonjë matje e përqindjeve të etnive të cilat jetojnë në Turqi, pasi që – për nga rëndësia – kjo asnjëherë nuk është treguar të jetë faktor i rëndësishëm. Nisur nga kjo, një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Turqisë, që vijnë nga etni të ndryshme dhe që identifikohen kolektivisht si turq (që më shumë nënkupton pasardhësin e osmanliut), i shohin banorët e Ballkanit si kushërinj, me të cilët kanë lidhje gjaku ose, siç thuhet në turqisht, i shohin si akraba. Në këtë kontekst, një afërsi e posaçme reflektohet ndaj shqiptarëve (posaçërisht me ata nga Kosova) dhe boshnjakëve.

Duke u nisur nga ky perceptim, Presidenti i Turqisë, në një tubim në Prizren, kishte pohuar se Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë. Sipas meje, aty ai nuk e ka nënkuptuar vetëm afërsinë kulturore dhe fetare, por e ka nënkuptuar saktësisht afërsinë farefisnore, pasi që në Turqi ka me miliona familje që kanë lidhje familjare ose, siç thuhet në Ballkan, lidhje gjaku me Kosovën dhe Ballkanin.

Keqkuptimi i dytë: nga ana tjetër, po ashtu edhe turqit kanë paragjykim të bazuar në keqkuptim mbi atë se si kosovarët i përjetojnë ata. Në Turqi paragjykohet se kosovarët janë mirë të informuar për faktin se Turqia nuk është shtet i turqve etnikë dhe po ashtu ata paragjykojnë se të gjithë kosovarët, pa dallim, kanë konsideratë dhe respekt jo vetëm për Turqinë e sotme, por edhe për Perandorinë Osmane si shtet i ndërtuar bashkërisht nga etni të ndryshme, që kanë qenë pjesë e kësaj perandorie. Siç e dimë, edhe ky është një keqkuptim.

Duke u nisur nga këto dy keqkuptime, e ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve do të duhej të vazhdonte të ishte problematike. Por, unë nuk besoj se do të jetë ashtu, pasi që Turqia ka 80 milionë banorë, ndërsa Kosova vetëm dy dhe, fatmirësisht, pak ka rëndësi se çka mendojnë kosovarët për këtë marrëdhënie. Turqia, nga ana e vet, do të vazhdojë ta konsiderojë Kosovën si vend të afërt dhe si akraba dhe besoj e shpresoj se do të jetë një ndër vendet që do të vazhdojë ta përkrah Kosovën pa ndonjë interes të caktuar.

Marrëdhëniet ekonomike

Si ish gazetar i ekonomisë nuk e shoh ndonjë vlerë strategjike të Kosovës në kuptimin ekonomik, jo vetëm për investitorët nga Turqia, por as për investitorët nga vendet e tjera. Kosova është një treg i parëndësishëm me dy milionë banorë dhe, sipas studimeve, ne njihemi si fuqia punëtorë me e pakualifikuar, por në të njëjtën kohë edhe si më e shtrenjta në rajon. Kjo situatë shpesh shpjegohet me ndikimin përkrahjes së diasporës që ka krijuar një situatë ku njerëzit nuk kanë nevojë të punojnë për paga të vogla. Derisa në Turqi mbizotëron një kapitalizëm vulgar ku, në të shumtën, punëtorët punojnë mesatarisht 10 orë në ditë dhe nuk dinë të ankohen, kjo nuk vlen edhe për neve. Prandaj edhe investimet e deritanishme turke i shoh më shumë si të shtyra nga politika dhe partia në pushtet në Turqi sesa si investime fitimprurëse për ta. Prandaj, edhe në investime në sektorin publik dhe atë privat në Kosovë nuk kemi korporata turke të mirënjohura globalisht, që kanë edhe investime të konsiderueshme në Perëndim, si “Koç” ose “Sabanci Holding”, por kemi kompani të rangut të dytë ose të tretë, të cilat kanë investuar në Kosovë ose nga padija ose nga kërkesa e politikës.

Por cili do të duhej të ishte interesi i politikes turke për t’i shtyrë biznesmenët nga Turqia që të investojnë në Kosovë? Unë them që mund të jetë edhe humanizmi, por këtu medoemos ka rol edhe vota. Kosovarëve mund t’u duket absurde kjo që do të them tani, por në Turqinë e sotme mund ta ngresh numrin e votave nëse dukesh se je duke i ndihmuar Kosovës, pasi që Kosova nga votuesi turk (lexo: turk kulturor e jo etnik) shihet edhe si një vëlla në mërgim, por edhe si atdhe i largët dhe kjo vlen për një përqindje të madhe të votuesve, të cilët – siç e thashë në fillim – kanë një lidhje ose një tjetër lidhje farefisnie ose miqësie me Ballkanin. Prandaj, unë besoj se Turqia do të vazhdojë të investojë dhe ta ndihmojë Kosovën, në mos për asgjë, atëherë për konsum politik të brendshëm në Turqi.

Nga ana tjetër, eksporti i Turqisë kap shifrën prej 150 miliardë eurove në vit, ndërsa importi duhet të jetë edhe më i madh. Pra, kemi të bëjmë me një treg miqësor gati se 70 herë më të madh se Kosova. Prandaj, produktet “Made in Kosova” në Turqi mund të gjejnë një treg të natyrshëm, ku – duke u nisur edhe nga paragjykimi pozitiv kulturor për Kosovën – do të mund të plasoheshin edhe mbi vlerën reale të produktit. Për shembull, Bosnja për momentin është duke eksportuar me shumë sukses gjedhe për mish në Turqi, ndërsa nga ana e Turqisë kërkesa për këtë produkt është në rritje të vazhdueshme. Kosova, në mos për asgjë, njihet për blegtori, prandaj pse të mos provojmë edhe ne të eksportojmë, së paku gjedhe, në drejtim të Turqisë?!

Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë duhet shikuar nga ky prizëm. Kosova është një ekonomi e vogël, e cila nuk ka shumëçka t’i ofrojë ekonomisë turke. Por, nga ana tjetër, Turqia është një treg i madh dhe i zhvilluar, nga i cili Kosova do të mund të përfitonte shumë. Duke e marrë parasysh edhe perceptimin ekstremisht pozitiv të popullatës ndaj Kosovës, tregu turk është një mundësi e artë për Kosovën.

Marrëdhëniet kulturore

Në vitet e fundit është përfolur rregullisht nëpër mediat kosovare se Turqia me qëllim të hegjenomisë kulturore është duke investuar në ndërtimin e xhamive në Kosovë dhe fare pak ose hiç në arsim e ekonomi. Ideja që Turqia ka nevojë të ushtrojë hegjemoni kulturore në Kosovë dhe në trojet tjera të banuara me Shqiptarë etnikë duket absurde nga perspektiva e qytetarit turk (lexo: jo turk etnik, por turk kulturor), kjo pasi që, nga perspektiva racionale, hegjemonia kulturore ushtrohet në ndonjë vend që kulturalisht është ndryshe e jo në vende ku ke kulturë të ngjashme, në mos identike, si në rastin e Kosovës dhe Turqisë.

Sipas statistikave dhe fakteve, Turqia deri më tani nuk e ka ndërtuar asnjë xhami në Kosovë. Shteti turk ka renovuar një mori monumentesh historiko-kulturore më kërkesë të Ministrisë së Kulturës së Kosovës, ndërsa ndër to në shumicë kanë qenë xhamitë. Kjo nuk do të thotë që Turqia nuk do të kishte dëshirë të ndërtonte xhami, por kërkesa e shtetit të Kosovës ka qenë për renovimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe Turqia në këtë rast ka reaguar ndaj kësaj kërkesë. Ndërkaq së shpejti pritet që ajo ta përkrahë ndërtimin e xhamisë së re në Prishtinë, e cila ka ardhur si kërkesë e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe që do të jetë edhe xhamia e parë që do të ndërtohet nga Turqia në Kosovë.

Nga ana tjetër, Turqia qëndron mjaft mirë edhe në artet me origjinë perëndimore. Në fushën e muzikës jazz, rock dhe asaj klasike, Turqia ka qindra artistë të klasës botërore, të cilët performojnë në Turqi, pasi që tregu prej 80 milionëve është më se i mjaftueshëm për ta. Prandaj, edhe në këtë fushë Kosova ka mjaft çka të mësojë dhe mund të kërkojë përkrahje nga Turqia e pse jo edhe artistët kosovarë të depërtojnë në tregun turk, i cili është mjaft atraktiv.

Një sektor tjetër ku ka perspektivë bashkëpunimi dhe tanimë ka edhe projekte të përbashkëta është kinematografia. Qarkullimi i sektorit të kinematografisë në Turqi është mbi 2 miliardë euro në vit, ndërsa kinematë turke shesin mbi 40 milionë bileta në vit. Përkrahja e shtetit turk për kinematografinë, arrin në 50 milionë euro në vit dhe filmat turk tanimë kanë me dhjetëra çmime në festivale të ndryshme ndërkombëtare. Zyrtarë nga kinematografia turke, të cilët vitin e kaluar ishin në Prishtinë, premtuan se janë të gatshëm që të përkrahin financiarisht projekte të përbashkëta kosovaro-turke. Disa projekte tanimë janë duke u zhvilluar dhe u mbetet kineastëve kosovarë që të marrin iniciativa për të përfituar më shumë nga kjo mundësi.

Janë edhe shumë sektorë të tjerë, si siguria e ambienti, por edhe nënsektorë të ekonomisë, si bujqësia, turizmi dhe të tjera, përmes të cilëve Kosova mund të përfitojë nga Turqia. Prandaj, është që koha që t’i ndalim ankesat dhe iluzionet se Turqia (ose cilido shtet tjetër) ka interes që ta shfrytëzoj Kosovën dhe të përqendrohemi në atë se çka ne, si vend i vogël me 2 milionë banorë, do të mund të përfitonim nga një ekonomi dhe kulturë e zhvilluar e një tregu miqësor prej mbi 80 milionë banorëve dhe qindra miliarda euro qarkullim. Por, për të përfituar, duhet të kemi plane, strategji dhe, para së gjithash, të kërkojmë përkrahje!