` . Kemi nevojë për neo-shqiptarizëm - TV-SHENJA

Kemi nevojë për neo-shqiptarizëm

Intervistë me historianin, Jusuf Buxhovi

“Shikuar nga realitetet historike që prodhuan luftërat ballkanike, si dhe vendimet e Londrës, sado të padrejta qofshin ato, dhe realitetet që krijoi krijimi i shtetit të Kosovës, në vitin 2008 kur u pranua ndërkombëtarisht, bashkimi kombëtar, si ideologji e shekullit të kaluar, duhet t’ia lëshojë vendin një neo-shqiptarizmi”, thotë Buxhovi.

Intervistoi: Latif MUSTAFA

 

SHENJA: Historiografia shqiptare, në thelbin e narracionit të saj, herë e ka pas heroin, herë shtetin, herë kombin e herë ideologjinë? Në përgjithësi, si e konceptojnë sot shqiptarët historinë dhe në bazë të cilës shkollë të metodologjisë së historisë është shkruar historia e deritanishme?

  1. Buxhovi: Historiografia shqiptare, edhe sot e gjithë ditën, nuk ka koncepte të qarta shkencore, ngaqë ende nuk është liruar nga kornizat ideologjike të së kaluarës dhe recetave që i kanë ardhur nga “lart” në formë të urdhrave të prera, kështu që nuk mund të flitet për kurrfarë shkolle metodologjike, pos diktatit partiak. Brenda për brenda këtij diskursi kanë vegjetuar modelet narrative, ku edhe “heroi”, edhe “shteti” e edhe “kombi”, është dashtë të fabrikohen, paçka se e gjitha ka sjellë një pamje të deformuar të ngjarjeve dhe proceseve historike…

SHENJA: A kemi burime të mjaftueshme që e dëshmojnë prejardhjen tonë ilire-pellazge?

  1. Buxhovi: Prejardhja jonë ilire-pellazge ka më shumë argumente shkencore sesa mohimi i saj ose shkëputja e dhunshme e lidhjeve ilire me të. Ka dy shekuj që historianë të njohur botërorë (të shumtën gjermanë, por edhe të tjerë) bëjnë me dije për këtë çështje, Madje, rreth kësaj lidhjeje vazhdimisht na përkujtojnë edhe autorët antikë, të cilët helenizmin dhe qytetërimin që doli prej tij ia atribuojnë lashtësisë pellazge. Por, do të jenë klishetë gjuhësore të indoevropianishtes dhe ato të helenizmit politik të shekullit të kaluar, që këtë do ta anatemojnë, ngaqë lashtësia pellazge dhe lidhjet e saj të drejtpërdrejta me botën dardane-ilire (qëllimisht po e theksoi atë dardane, ngaqë ajo paraqet amëzën e saj në aspektin shoqëror, politik por edhe qytetërues), thyejnë diktatin e indoevropianishtes dhe të helenizmit – si pronë e grekëve. Zbulimet e vonshme te pllakave hitite, të atyre frigje dhe Trojës, si dhe gjurmët e kulturave materiale në hapësirën e Mesdheut dhe të Ilirikut, bëjnë të ditur për rolin vendimtar të pellazgëve dhe pasardhësve të tyre në këto zhvillime, ku gjuha shqipe nuk shfaqet si degë e vetme (sipas klasifikimit të deritanishëm indoeuropianist), por fondament i saj, gjë që kjo shpjegohet edhe me të ashtuquajturit “operator aktiv” në kudër “të operatorëve pasivë” të sanskritishtes, që gjallërojnë vetëm te gjuha shqipe. Mjafton këtu të shihen studimet revolucionare të Petro Zhejit rreth raporteve të sanskritishtes dhe shqipes për t’u parë kjo, gjë që nënkupton një qasje tjetër të gjuhësisë sonë ndaj kësaj çështje, që për fat të keq nuk ndodhë ngaqë pjesa më e madhe e filologëve dhe historianëve të nomenklaturës institucionale në Tiranë dhe Prishtinë, mbrojnë diktatet e klisheve, ngaqë me to ndjehen “komodë” për të mbrojtur “meritat” e tyre joshkencore, titujt, po edhe privilegjet nga “klasa e re partiake”!

SHENJA: Paradigmë e të shkruarit tuaj të historisë është Dardania. Përmes përpjekjes suaj intelektuale dhe akademike ju e keni trajtuar çështjen e Kosovës nga antikiteti e deri më sot, me ç’rast përfshihet edhe gjeografia ku sot jetojnë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. A e forcon ky narracion i juaji idenë dhe identitetin politik të kosovarëve apo, në përgjithësi, i përplotëson zbrazëtirat e narracionit historik shqiptar?

  1. Buxhovi: Kapja për Dardaninë, që del nga koncepti i veprës sime “Kosova” në tetë vëllime, që sapo u kompletua, nxjerr dy çështje të rëndësishme nga aspekti historiografik, por edhe ai shoqëror dhe politik. Pra, në njërën anë, atë të rolit të Dardanisë në antikitet, si amëz e lashtësisë pellazge, me të cilën lidhet edhe gjithë zhvillimi i qytetërimit antik në Mesdhe dhe tutje në hapësirën euro-aziatike, gjë që kjo shtyn pamjen historike të tyre nga shekulli IV, ku rëndom është vendosur si mbretëri dardane, te ajo në shekujt XVI para erës sonë, e ndërlidhur me krijimin e Trojës, mbretërisë hitite dhe atë frigje (bryge) e deri te themelimi i Romës, ku disa fise dardane (Tunatët dhe Calabrët) shihen si themelues. Dhe, në tjetrën anë, nxjerr edhe çështjen e rolit të dardanëve dhe të Dardanisë brendapërbrenda faktorit ilir-trakas, si vazhdimësi e botës pellazge, në të cilën përfshihen edhe formacionet tjera shoqërore dhe politike (nga fiset-mbretëri dhe mbretëritë-shtete), siç shfaqen edhe maqedonët, epirotët dhe fiset ilire, si faktor të pakapërcyeshëm, që në forma të ndryshme derivojnë nga faktori dardan dhe Dardania.

Këtu duhet parë edhe rolin e maqedonëve dhe të Maqedonisë, jo si faktor politik (ngaqë Maqedonia politike si shtet i krijuar nga Titoja në vitin 1944 dhe ky i sotmi ka të bëjë me konceptin gjeografik-koniunktural), por si faktor historik nga antikiteti e deri te mesjeta e vonshme, kur do të pushojë se ekzistuari (nga shekulli II para erës sonë kur do të bjerë nën pushtimin romak), ndërkohë që si provincë do të përthihet në tërësi nga ajo e Dardanisë. Në këtë aspekt, mund të thuhet, pa hezitim, se gjeografia politike maqedonase dhe harta shtetërore, qoftë nga rrënja maqedonase, qoftë nga ajo dardane, nxjerrin trashëgimtarë të ligjshëm dhe të vetëm shqiptarët. Në të dyja këto konfigurime antike (maqedonase dhe dardane) shqiptarët janë trashëgimtarë të shtetit të sotëm maqedonas.

Në kundrimin tim historik paradigma e Dardanisë si dhe roli saj që shteti i Kosovës të lidhet me të, nuk ka të bëjë me identitetin politik “të kosovarëve”, ngaqë ai nuk ekziston dhe as që mund të ekzistojë jashtë kundrimit të një përkatësie krahinore, çfarë ka sot mjaft në kuadër të “identiteteve” krahinore dhe ato mund t’i atribuohen raporteve të etnisë gjeografike të natyrshme si veçori të brendshme dhe asgjë tjetër, të cilat nuk mund të kthehen në kategori kombëtare në përputhje me zhvillimet ditore dhe politike në rrethanat e caktuara. Këtu duhet dalluar raportet e qytetarëve te një shteti me ato te shtetësisë, që janë çështje edhe administrative e ku interpretimi i tyre mund të kthehet në keqkuptim nëse ato ngatërrohen.

SHENJA: Car Dushani ka qenë një mollë sherri që është reflektuar në debatin publik pas ekspozimit të statujës së saj në sheshin e Shkupit. Çfarë mund të thoni për Car Dushanin, për përkatësinë e tij dhe raportet me etninë e tjera të Ballkanit?

  1. Buxhovi: Vetë cilësimi që i bëni ju Dushanit “si car” (perandor) me të cilin ai ka ardhur edhe në Shkup, edhe pse nuk ka qenë tjetër, pos një zhupan (prijës fisi) si shumë e shumë të tjerë në rrethanat e perandorisë bizantine, tregon stereotipat e caktuara për të cilat u bë fjalë më herët dhe pasojat e tyre, ku krahas atyre ideologjike me konotacione komuniste, bëjnë pjesë edhe ato nga arsenali i historiografisë serbomadhe, i krijuar nga “Naçërtanja” e Garashaninit e tutje, me të cilin, është ushqyer gënjeshtra e “shtetit mesjetar serb” dhe, madje, e “perandorisë së Dushanit” dhe mashtrime të tjera të ngjashme, mbi të cilën Beogradi ka justifikuar pushtimet hegjemoniste në Ballkan, veçmas ato ndaj trojeve etnike shqiptare nga viti 1877, 1912 dhe 1944, me çka është krijuar Serbia e Madhe. Edhe pse maqedonët, njësoj si shqiptarët, ishin viktima të kësaj politike në vitet 1912 dhe më vonë, “ardhja” e një zhupani të tillë në Shkup “si car”, tregon për fuqinë e idesë serbomadhe në këto pjesë, si dhe koketimin e politikës maqedone me këtë faktor për t’u mohuar vazhdimësia historike, etnike dhe shpirtërore e shqiptarëve në këto hapësira ose që ata të trajtohen si “ardhacakë” e me këtë si pakicë kombëtare, siç janë trajtuar në kushtetutën e vitit 1991 dhe në këto të mëvonshmet.

Sa i përket “carit” Dushan dhe atyre që lidhen me të, kam dhënë mendimin tim në librin “Kosova” II (Mesjeta), ku ai shihet në krye të dinastisë rasiane (Rashës), por si tribal (fis dardan në veri), origjinë kjo që dëshmohet në shumë dokumente meritore nga Porfirogeni e deri te Jeriçek, Shufllaj, Fallenmyer e të tjerë, po ku nuk mohohet as nga disa autorë objektivë serb. Po ashtu, edhe “perandoria” e tij, në veprën time, shikohet në përputhje me burimet meritore të kohës, si një despot, i cili, që nga shfaqja e tij e pasqaruar ose e keqinterpretuara në Rashë, përkrahet me të madhe njësoj nga Vatikani, për qëllime që në Ilirik të dobësohet Bizanti (Kostandinopoja) dhe, nga Bizanti, kundër depërtimit të Vatikanit. Dushani dhe Nemanjajt, ishin si aktorë në këtë lojë, por jo si të vetmit e as të fundit, siç pretendohet të tregohet nga historianët e Beogradit dhe pasuesit e tyre jo të paktë në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë.

SHENJA: Kohëve të fundit kemi studime më të shtensionuar nga tonet fyese të ideologjisë dhe më të avancuara sa i përket Perandorisë Osmane dhe zhvillimit, rolit dhe ndikimit të shqiptarëve në Perandori. Megjithatë, çfarë mendoni për këtë periudhë të gjerë historike, që u përshkrua me batica dhe zbatica në raport me shqiptarët?

  1. Buxhovi: Edhe kundrimi i Perandorisë Osmane dhe ndriçimi i saj ka vuajtur nga konceptet ideologjike dhe ato të limiteve të historiografisë së Beogradit, që pak a shumë edhe më tutje vuan. Kësaj çështje i kam kushtuar rëndësi të veçantë në “Kosovën” III (Perandoria Osmane) dhe në studimin “Nga Shqipëria osmane te Shqipëria evropiane”. Jam nisur që faktet historike t’i trajtoj si fakte historike, ndërsa realitetet jetësore, si pjesë e realiteteve historike, me çka eliminohen kundrime bardh-zi dhe ato ideologjike. Por, këto qasje do të vazhdojnë të krijojnë telashe nëse faktet historike do të “ngatërrohen” si fakte jetësore dhe në përputhje me to do të interpretohen, ndërsa faktet jetësore do të shihen si fakte historike, prej nga mund të dalin vlerësime të gabueshme të natyrës interpretuese, ku jo rrallë edhe fakti bie viktimë. Ajo që, megjithatë, është thelbësore në interpretimin tim të raporteve midis pamjes së fakteve historike si fakte historike të pandryshueshme (pushtimet osmane) dhe realiteteve jetësore si realitete jetësore, pra ku shqiptarët në Perandorinë Osmane shihen në kuadër të zhvillimeve të përgjithshme shoqërore dhe politike deri te piramida më e lartë shtetërore dhe ushtarake, ka të bëjë edhe me atë “lajthitjen”, ku faktori kishtar në Ilirik (përkatësia ortodoksisë) barasvlerësohet me sllavët, përkatësisht serbët dhe “shtetin e tyre mesjetar” (shpikje absurde kjo kur dihet se në mesjetë nuk ka pasur përkatësi kombëtare, pos etnike e as shtet serb), gjë që pushtimet osmane interpretohen “si çlirime” nga serbët dhe “perandoria serbe”, ku, pastaj, edhe Islamit i jepen konotacione të tjera nga ato që i kishte në ato rrethana.

SHENJA: Historiografia shqiptare është shumë e ngarkuar me cilësorin ose stereotipizimin e tradhtarit dhe patriotit, saqë disa figura kombëtare përmbajnë një lloj dualizmi në këtë stereotipizim, herë patriot e herë tradhtar. Si të çlirohemi nga këto stereotipa?

  1. Buxhovi: Edhe te kjo çështje duhet parë rolin e faktorit ideologjik dhe kurthin e tij. Për fat të keq, viktima të kësaj formule kanë rënë edhe ideologët e Rilindjes Kombëtare, si dhe krijuesit e shtetit shqiptar, po edhe intelektualët e njohur dhe shkrimtarët e merituar të përfshirë në atë kauzë madhore. Mjafton të përmendim këtu fatin e Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit, Mbretit Zog e të tjerëve, pa përjashtuar këtu edhe atë të Esad Pashë Toptanit, si më emblematiku, jo pse lojërat e tij politike, në rrethanat vendimtare, ishin të dëmshme për çështjen shqiptare, por nga shkaku i kategorizimit të tyre apriori “në tradhti” kombëtare, pa u analizuar mirë të gjithë faktorët përbërës dhe përcjellës që kanë përcaktuar drejtimet politike, veçmas ato në raport me Fuqitë e Mëdha dhe interesat tepër fluide dhe kundërthënëse në vitet 1914-1920 nëpër të cilat ka kaluar bota shqiptare si dhe tragjika e saj, ku pastaj patriotët dhe tradhtarët të shumtën janë caktuar nga jashtë, veçmas nga Beogradi dhe interesat e tyre. Sidoqoftë, historiografia jonë duhet ta rishikojë ikonografinë që ka krijuar ideologjia, në mënyrë që të eliminohen klishetë: hero-tradhtar ose anasjelltas, me çka shumë nga aktorët historikë do të dalin me pamjen reale dhe jo ashtu si duam ose duhet të shihen.

SHENJA: Ju thoni se një ndër kontribuuesit më të madh të themelimit të Shtetit Shqiptar është edhe Shkupi. Çfarë, në të vërtetë, nënkuptoni me të?

  1. Buxhovi: Shikuar nga pikëpamja historike, nga antikiteti e deri te koha jonë, gjatë mbretërisë maqedone dhe asaj dardane, po edhe gjatë mesjetës e deri te viti 1912, Shkupi shfaqet si kryeqytet historik i shqiptarëve. Roli i Shkupit ishte i madh edhe nga aspekti politik, ngaqë lëvizja kombëtare nga mesi i shekullit XIX qendër kishte Shkupin, ku jorastësisht Hasan Prishtina në gusht të vitit 1912 bëri marrëveshjen me Perandorinë Osmane për krijimin e Shqipërisë Osmane (bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një), që ndonëse do të rrënohet nga luftërat ballkanike, që kishin për qëllim moslejimin e këtij realiteti, përkundër gjithë asaj tragjedie dhe pushtimeve serbe, solli edhe shtetin e pavarur shqiptar.

SHENJA: Si e kuptoni projektin e rilindësve shqiptarë? A mendoni që projekti i shqiptarizmit, i projektuar nga rilindësit, tashmë është i tejkaluar?

  1. Buxhovi: Ditën që do të shpallet shteti i pavarur shqiptar (më 28 nëntor 1912) dhe do të njihet nga Konferenca e Londrës në vitin 1913 (paçka se i përgjysmuar), përfundon misioni historik i Rilindjes Kombëtare. Pavarësia e shtetit shqiptar dhe Londra (mbetja e Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore nën pushtimin serb) nxori në pah realitet tjera, siç janë ato të dëshmimit të shtetit shqiptar dhe përpjekjet për çlirim në pjesët e shkëputura nga trungu kombëtar.

SHENJA: Ju pretendoni se kemi nevojë për një neo-shqiptarizëm. Çfarë nënkuptoni me të?

  1. Buxhovi: Shikuar nga realitetet historike që prodhuan luftërat ballkanike, si dhe vendimet e Londrës, sado të padrejta qofshin ato, dhe realitetet që krijoi krijimi i shtetit të Kosovës, në vitin 2008 kur u pranua ndërkombëtarisht, bashkimi kombëtar, si ideologji e shekullit të kaluar, duhet t’ia lëshojë vendin një neo-shqiptarizmi, që do të thotë se dy shtetet shqiptare (Shqipëria dhe Kosova), si dhe shqiptarët në Maqedoni si popull shtetformues, duhet të krijojnë një platformë te re, që sipas mendimit tim duhet të mbështetet mbi respektimin e realiteteve shtetërore, që do të thotë të unionit të shteteve shqiptare në çatinë e përbashkët euroipiane, ose, po qe se ajo dështon, të realizohet edhe jashtë saj, por në rrethana demokratike dhe në përputhje me interesat e Perëndimit, sidomos SHBA-ve, NATO-s dhe assesi krye në vete, siç dëgjohet të thuhet aty këtu, nga emocionet ose mungesa e sensit politik, që e kërkojnë këto veprime. Si parakusht për këtë duhet që Shqipëria dhe Kosova të stabilizohen si shtete demokratike, ndërsa shqiptarët në Maqedoni ta fitojnë statusin shteformues, pra të etnisë së barabartë shtetërore.

SHENJA: Përpos që e njihni historinë e viteve të ‘90-ta, ju keni qenë edhe njëri ndër aktorët kryesorë në periudhën kur po shkatërrohej Jugosllavia. A kishte mundësi që shqiptarët e ish Jugosllavisë atëbotë të krijonin një republikë më vete, ku do të përfshiheshin edhe shqiptarët e Republikës federale të Maqedonisë? Nëse po, kush ishin faktorët ose pengesat e realizimit të një ideje të tillë?

  1. Buxhovi: Shkatërrimi i ish Jugosllavisë dhe realitetet që u krijuan menjëherë pas konferencës së Hagës (ato të gushtit 1991 dhe vendimeve të Komisionit të Badinterit për trajtimin e Jugosllavisë në shpërbërje), imponuan sjelljen e shqiptarëve në përputhje me këto rrethana dhe vendime, edhe pse – sipas tyre – shpërbërja (shkëputja) nga federata jugosllave vlente vetëm për njësitë federative dhe jo për krahinat, ndonëse ato, me kushtetutën e vitit 1974, ishin pjesë e federatës. Asokohe, shqiptarët dolën me projektin e tyre, rreth tri opsioneve, ku parashihej edhe republika shqiptare në Jugosllavi, po qe se do të ndryshonin kufijtë e brendshëm, që u iniciua nga Lidhja Demokratike e Kosovës si bartëse e qëndrimit të shqiptarëve, që u aprovua edhe nga partitë e tjera politike shqiptare (në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi), por ishin vendimet e Hagës që parandaluan një gjë të tillë. Do të ishte aventurë e rrezikshme po qe se kundruall këtyre vendimeve, që ishin pranuar nga tetë njësitë, të cilat një nga një (pos Serbisë dhe Malit të Zi), shpallën shtetësinë e tyre ( këtë e bëri edhe Maqedonia), të dilej me një opsion të tillë! Në vend të saj u pranua opsioni i të drejtës së faktorëve përbërës të federatës jugosllave sipas kushtetutës së vitit 1974, me ç’rast Kosova më 2 korrik 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese, ndërsa më 7 shtator, në Kaçanik shpalli Republikën e Kosovës. Me këtë, në vitin 1992, u bë edhe konkurrimi te Komisioni i Bandinterit, që ndonëse nuk u shqyrtua, as nuk u refuzua, gjë që la të hapura çështjet me të cilat, pas tetë vitesh, do të aprovohet edhe rezoluta e KS të OKB-së, 1244. Në këto rrethana, faktori politik shqiptar u përcaktua për njohjen e Maqedonisë si shtet, por me sugjerimin që shqiptarët në të të fitojnë statusin shtetformues. Ky vendim ishte pragmatik dhe i drejtë, sepse Maqedonia e pavarur, jashtë ndikimit serb, atij bullgar dhe grek, ishte interes shqiptar, që si i tillë mbetet edhe sot e gjithë ditën.

SHENJA: Si e komentoni çështjen e “korrigjimit të kufijve” dhe a ka mundësi të arrihet një pajtim, le ta quajmë, historik mes shqiptarëve dhe serbëve?

  1. Buxhovi: Korrigjimi i kufijve, ashtu si doli dhe si po rrjedhin punët, pra si nismë e Presidentit (nga ndonjë shtysë e jashtme ose për t’i ikur Hagës krejt një), sfidon shtetin e Kosovës, si dhe konsolidimin e tij nga brenda, pra nga presidenti që është i obliguar me kushtetutë të mbrojë! Pavarësisht atyre që sot thuhen, edhe nga Uashingtoni (të shumtën nga lobi serb brenda qeverisë së Trampit) rreth domosdosë që Kosova të arrijë “një pajtim historik me Serbinë” e të ngjashme që edhe mund të duken të kapshme për nomenklaturat e caktuara ndërkombëtare, hapja e bisedimeve të tilla me Beogradin, si dhe mënyra si ato po zhvillohen (nën plaf dhe pa platformë parlamentare e sidomos pa praninë e faktorit ndërkombëtar), e gjitha duket se është pjesë e platformës serbo-ruse për ta kthyer çështjen e shtetit të Kosovës te një “pikë zëro”, pra që t’i kontestohet legjitimiteti dhe, mundësisht, edhe statusi, me çka hapen çështjet që e kthejnë në pazar një përpjekje shekullore që u kurorëzua edhe me ndihmën e Perëndimorëve, të cilët hodhën edhe bomba që atë ta nxjerrin nga pushtimi serb.

Ajo që mund të ketë pasoja edhe më të rënda për vetë çështjen shqiptare në përgjithësi dhe rajonin, madje, është se Serbia, po qe se do t’ia dalë që ta rishikojë statusin e Kosovës me anën “e korrigjimeve”, të cilave assesi nuk mund t’u besohet kur dihen dredhitë e tyre, atëherë ia hap dyert Serbisë së Madhe, që domodoshmërisht e prek Bosnjën dhe Malin e Zi, po edhe Maqedoninë, paçka se Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe pritet që së shpejti këtë ta arrijë edhe Maqedonia.

Sado që efekti domino mund të elaborohet shumë e shumë, pasojat do të jenë më të dëmshme për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, ngaqë apetitet e Beogradit, historikisht, shkojnë me rritjen e apetiteve të Moskës për zgjerim të ndikimit në rajon dhe më gjerë, siç shkojnë edhe ato të grekëve, që mund ta destabilizojnë edhe Shqipërinë me anën e autonomisë së Vori Epirit dhe të ngjashme!