` . KE rekomandon fillimin e bisedimeve me Maqedoninë (VIDEO) – TV-SHENJA

KE rekomandon fillimin e bisedimeve me Maqedoninë (VIDEO)

Maqedonia morri rekomandim të pastër për fillim të bisedimeve me BE-në. Kjo gjë u shpalos në prezantimin raportit të Komisionit Evropian për përparimin e Ballkanit perëndimor dhe Turqisë. Në konferencën e përbashkët për media Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini dhe Eurokomisari Han, sqaruan se Komisioni Evropian rekomandon që Këshilli Evropian të sjell vendim për fillim të bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë dhe Shqipërinë, për shkak të përparimit të arritur dhe duke e thelluar ritmin e reformave.

Johanes Han, Eurokomesar për zgjerim
Rekomandimet për Ish Republikën Jugosllave Maqedoninë dhe Shqipërinë që i japim sot janë njohja e progresit të bërë. Ky është një hap para i rëndësishëm, por është e qartë sa u takon të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk ka shkurtime të rrugës kah BE-ja. Mbeten disa vrima të mëdha. Duhet të dëshmojmë se po zbatohen në mënyrë më dinamike reformat, veçanërisht në aspekt të sundimit të së drejtës, dhe të dëshmojmë se po japin rezultat të vërtetë. Këto reforma nuk janë për Brukselin, gjegjësisht gjyqësori efikas, lufta efikase kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar, administratë publike efikase, ekonimia më e fuqishme, në mënyrë direkte kontribojnë për rajonin dhe banorët e saj, si dhe për Evropën në përgjithësi”.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, theksoi se Ballkani Perëndimor është Evropë. Ajo nënvizoi më tej se për Maqedoninë gjëja  kyçe për progres të mëtejshëm do të jetë plotësimi i reformave urgjente prioritare.

Federika Mogerini, Përfaqësuese e Lartë e BE-së

“Hapi para i bërë sot për Ish Republikën Jugosllave Maqedoninë dhe për Shqipërinë është hap përpara për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Fokusi ynë strategjik dhe angazhimi ynë sjell progresin praktik dhe përfitim për të gjithë njerëzit e rajonit. Punë e reformave dhe modernizimi megjithatë duhet të vazhdojë, në interes të partnerëve dhe të Bashkimit Evropian.“

Ndërkaq Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar tha se në muajt e fundit do të ndiqet me kujdes së si do të zhvillohen bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së në Shkup
“Të dyja vendet bisedojnë për emrin, të presim te shohim se si do të zhvillohen ato bisedime, me shpresë se do të sjellin rezultat. Mendoj se kemi edhe pak muaj derisa vendet anëtare të ulen dhe të vendosin për bisedimet e anëtarësimit. E kemi samitin e Ballkait në maj në Sofje dhe më pas mbledhjen e Këshillit Evropian në qershor, ku do të diskutohet kjo. Akoma kemi kohë të mjaftueshme të mos  shpejtojmë me spekulime tani për tani.”

Ndërkaq pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian, Han dhe Mogerini nesër vijnë në Shkup ku edhe do t’ua dërzojnë raportin përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës. Kujtojmë se në raportin për përparimin e Maqedonisë për herë të parë në vitin 2009 është rekomanduar fillim i bisedimeve për anëtarësim në BE-në. Që atëherë rekomandimi nuk është hequr por vetëm ka qenë i kushtëzuar. Mes kushteve ishin zgjedhjet e rregullta dhe të drejta, zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinos. Ndërkaq negativisht të vlerësuara ka qenë në fushat e lirisë së shprehjes, sundimit të së drejtës dhe administratës publike.

Ajnur Bafqari /SHENJA/