` . Katundi i kafehaneve – TV-SHENJA

Katundi i kafehaneve

Fshatarët shqiptarë, të cilët ia morën lezetin papunësisë dhe të ushqyerit me bulmet duke mos u erëzuar fare me erë lope, dukshëm kanë filluar të shohin ëndrra se me integrimin e vendit në NATO dhe në BE do të bëhet shumë më mirë.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Kumanovë

Një vend i vogël, krahas qyteteve, me një hapësirë të gjerë të mbushur me të mbjella dhe livadhe të gjelbra për kullosa, i cili përshkohet për bukuri me një lumë të rrjedhshëm që vjen prej maleve të pushtuara prej pyjeve, të cilat me bollëk japin oksigjen dhe ushqime të tjera për njerëzit dhe kafshët. Përgjithësisht, një qendër e vogël banimi, ku njerëzit merren kryesisht me bujqësi dhe me blegtori, ku fëmijët vrapojnë e luajnë nën meloditë e bukura të gjetheve të shumta që krijohen prej fryrjeve të erës dhe prej zogjve me zë melodik. Ky është njëri prej shumë përshkrimeve që ekzistojnë për fshatin ose katundin. Mirëpo, kohëve të fundit katundi është, shihet dhe përjetohet krejt ndryshe nga përshkrimet që bazohej dikur në katundin e vërtetë. Tanimë, fshati është i kafehaneve, mbase as i çajtoreve!

Po ta shohësh më hollë, fjala kafene dallon prej fjalës kafehane. Kafeneja është lokal ku përgatitet e pihet kafe, ndërsa me fjalën kafehane kuptojmë një lokal të vjetër, brenda të cilit mbizotëron papastërtia, rrëmuja dhe tymnaja. Po ashtu, nëse vështrojmë më gjerë për kafenetë, rrjedh të del se ato janë të pranishme nëpër qyteza e qytete dhe ku, varësisht prej pozitës gjeografike, pulsojnë kafenetë dhe kafehanet. Ato janë sinonime të qyteteve, pse jo edhe të qytetërimeve. Ato janë vizituar prej intelektualëve, politikanëve, shkrimtarëve, artistëve e zejtarëve. Aty, përpos prehjes mendore e trupore, kanë gjetur mundësinë e mirë për të bashkëbiseduar e rrahur tema nga më të ndryshmet. Mirëpo, habitshëm dhe krejt panatyrshëm, kafenetë dhe kafehanet së fundmi kanë pushtuar fshatrat, të cilat ishin sinonim i bukurisë dhe i magjepsjes natyrore, kultivimit të kulturave të ndryshme bujqësore e (pa)sherrësisë së njerëzve. Ndonëse politika dhe temat rreth saj nuk ishin të pranishme gjithaq nëpër fshatra, gjë që e bënte njeriun më njerëzor, më të lirë për t’u brengosur për kulturat e tij të bujqësisë, vreshtarisë e shpendarisë. Me këtë, nënkuptueshëm, mungonte edhe vendi i përshtatshëm për ta bjerrë kohën në tema të mbushura me dëngla.

Furnizuesi i qytetit barti muhabetet e qytetit dhe e harroi rolin e saj

Katundi, pasi e harroi vetën, filloi të vuajë për shumëçka. Ky vuajtës doli të mos vuajë vetëm për kafene dhe kafehane. Në këtë fshat, mesa mund të shihje, gjithsej shiheshin 16 kafene (po i quajmë kafene, edhe pse shumica dukeshin kafehane). Aty bisedohej për ngjarjet që rridhnin nëqytet. Aty të krijohej përshtypja se njerëzit kishin para pa punuar fare, përshtypje kjo që ta kujton një fjali të mençur të Gandit, që thoshte se kushdo që ushqehet pa punuar është një hajdut. Bisedohej e debatohej shumë për politikën dhe për politikanët, aty-këtu për fenë dhe vringthi për familjet e tyre. Po t’i vështroje prej këndit, ngjanin me njerëz që politikën e kishin ushqim të parë dhe herë pas here vetja u dukej aq faktor i rëndësishëm, saqë bota varej prej fjalëve të tyre. Pas pak, ç’të shihje, ngjetheshin kur vinte çasti i pagesës së pijeve. Flisnin edhe për fenë, madje në vend që t’i lartësonin argumentet, ata i nginin zërat. Jo që e kishin dertin e fesë, por thjesht dëshironin të dukeshin se edhe këtu nuk janë keq, pra me fjalë. Vetëm pak zinin nëpër gojë çështjen e familjes së tyre. Çfarë të thoshin për familjet e tyre kur shumica e tyre ishin mishëruar dendur me hallet e serive turke dhe spanjolle, thuajse nuk u mjaftonin gajlet e veta. Ditët i bjerrnin nëpër kafene, derisa fushat dhe arat trajtësoheshin në djerrina. S’kishin llogari t’i punonin fushat derisa kishin kohë dhe llogari t’i llogarisnin pallogaritë!

Shërbyesit e atyre kafeneve i mbanin të gjalla buzëqeshjet. Kishin kujt t’i shërbenin. Fytyra e shefave të tyre shndriste prej gëzimit. Sakaq, në vend që të habitet njeriu, fillon të mendojë më thellë. Hiqeshin si të varfër, edhe pse njëkohësisht e përgënjeshtronin veten. Shtireshin si të (gjithë)ditur, edhe pse pas pak e kundërshtonin vetveten. Ankoheshin për padrejtësi, duke qenë se diskriminuesit ishin vetë ata. Nuk e vrisnin mendjen për furnizimin e qytetit, ngaqë industria kishte bërë të veten; prej një cepi të fshatrave të shteteve tjera prodhonin sa për dhjetë qytete. Manipulimi hormonal, modifikimi gjenetik dhe pesticidet u shndërruan në bomba bërthamore të ushqimit. Shumë pak punohej, por goxha shumë kishte ushqim dhe pak më tepër përtacë truporë.

Në tërë këtë xhungël paradoksesh nuk kishte nevojë të thoshte dikush se nuk kishin kohë për të lexuar. Kjo lehtas mund të shihej, gjegjësisht shiheshin, duke kryer gjenocid ndaj librit dhe ndaj diturisë, duke e ndarë të shumtën e kohës për në kafene. Aty dukej edhe një ardhmëri pa të ardhme të shëndoshë. Ndihej një erë vdekjeje, por jo prej shumëkujt kjo mund të shihej. Kishte të bënte me një vdekje të ngadaltë dhe të turpshme.

Lopën e tradhtuan, qumështi nxori hak

Fshatarët i braktisën lopët, kurse lopët ua ndalën qumështin fshatarëve në rritje për nga mendësia. Fshatari shkoi në qytet për të blerë qumësht të paketuar e “të pluhurosur me ujë”. Djathë, kos, gjizë, gjalpë e shumë prodhime të bulmetit i bleu në qytet. Barërat e llojllojta nëpër livadhe mbinë, u rritën dhe u kalben në shtratin e vet. Nuk i duhet kujt bar. Kujdes! Fshatari shqiptar tashmë nuk ha bar, fshatarit i mjafton për konsum qyteti, ndërsa qytetit për furnizim i mjafton një fshat imagjinar, prej nga prodhoheshin të gjitha të mirat materiale. Fshatarët shqiptarë, të cilët ia morën lezetin papunësisë dhe të ushqyerit me bulmet, duke mos u erëzuar fare me erë lope, dukshëm kanë filluar të shohin ëndrra se me integrimin e vendit në NATO dhe në BE, do të bëhet shumë më mirë. Mirëpo, kanë harruar se, me këtë integrim, vetvetishëm tokat djerrinë nuk shndërrohen në toka ku kultivohet të mirat e shumta bujqësore. Kënga që dikur këndohej: “o lopt e mia ma t’mirat n’katund” tani duhej trajtësuar në këtë formë: “o lopt e mia ma t’mira n’kasaphane me loparë t’lumtun n’kafehane”! Katundari i sotëm nuk po ther për dimër lopë, por duket se po i mjafton, ashtu i veshur me rroba të hekurosura, me kënaqësi të shkojë në mishtore dhe t’i blejë nja katër kilogram mish për dy muaj, për të cilin në muajin e tretë thotë se ishte prej kafshëve të sëmura dhe të ngordhura!