` . “Katastrofa demografike!” - TV SHENJA

“Katastrofa demografike!”

Shkruan: Enis Baftijari

Edhe shqiptarët si gjithë kombet tjera të Evropës Lindore po përjetojnë një tranzicion demografik, i cili vjen si pasojë e ndryshimeve sistematike shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore, kështu që kemi një proces të ndryshimit edhe të mënyrës të së jetuarit dhe mentalitetit të popullit, sidomos tek gjeneratat e reja, pra sot jemi dëshmitarë të një globalizimi të shpejtë. Të gjitha këto ndryshime sjellin ndryshime edhe në rafshin demografik, sepse familja më nuk është ajo tradicionalja, familja e madhe me shumë fëmijë, sepse sot kushtet e kapitalizmit e kanë veshtirësuar rritjen e shumë fëmijëve.

Çdo komb i industrializuar e ka përjetuar edhe tranzicionin demografik, por për dallim nga vendet e Evropës Lindore shqiptarët në këtë proces janë të vonuar ndoshta disa dekada, si rrjedhojë ne po i ndjejmë pasojat më vonë. Kështu që kur vendet e Evropës Lindore filluan ta përjetojnë fenomenin e “mortajës së bardhë” në vitet e ’90-ta, ne shqiptarët në atë kohë ishim ende larg këtij procesi, por siç shihet viteve të fundit pas tranzicionit edhe ne po shkojmë kah kjo rrugë. Ky është një proces i pashmangshëm, mirëpo me intervenimin e institucioneve shtetërore mund të zbuten pasojat përmes stimulimit me paketa sociale dhe zhvillimit ekonomik, në mënyrë që të mos kemi një rënie drastike të popullsisë. Por, pikërisht këtu qëndron problemi, sepse unë jam i vetëdijshëm se ne nuk mund t’i ikim këtij procesi, mirëpo për të ardhur keq është sepse politikanët shqiptarë vazhdimisht po e injorojnë këtë problem shoqërorë, kështu që si pasojë kemi një rënie ekstreme të numrit të popullsisë në trojet shqiptare, edhe më të madhe se sa në vendet tjera të Evropës Lindore. Dhe deri sa në Rusi p.sh. qeveria e atjeshme ka filluar të mer masa për zgjidhjen e këtij problemi dhe ku kemi një përmirësim të jashtëzakonshëm të treguesve demografikë, ne shqiptarët nuk po ndërmarim asgjë në këtë drejtim dhe po qëndrojmë duarkryq. Por kjo do të na sjellë pasoja negative shumë të mëdha si komb në të ardhmen.

Për mua shqetësues është fakti që askush nga politikanët nuk e aktualizon problemin e demografisë shqiptare, gjegjësisht rënien rapide të lindshmërisë dhe emigrimin masiv të shqiptarëve, që si pasojë na kërcënohet një tkurrje e madhe popullsisë në të ardhmen. Çështja e planifikimit demografik duhet të ngritet në një nivel të lartë të prioriteteve të elitave politike shqiptare, kudo që janë. Kjo çësthje është e një rëndësie strategjike për kombin shqiptar, pasi që jemi një komb i vogël dhe tkurja e madhe e popullsisë në këto rrethana gjeopolitike nënkupton edhe “telashe” në këtë drejtim. Ky është një rrezik real që po na kanoset gjithnjë e më shumë, dhe këtë e dëshmojnë më së miri statistikat zyrtare për lëvizjet demografike.

Për ta pasur më të qartë rrezikun demografik që po na kanoset, mjafton vetëm të shohim rrënien e lindshmërisë në Shqipëri dhe në Kosovë nga vitet e ’90-ta e deri sot. P.sh. në Shqipëri në vitin 1990 ka pasur 82.125 lindje, kurse në vitin 2016 vetëm 31.733 lindje, që është një rënie drastike prej 61%.

Gjendja nuk është aspak më e mirë as në Kosovë, në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës. Në Kosovë në vitin 1990 ka pasur 55.175 lindje, kurse në vitin 2016 vetëm 23.416 lindje, që paraqet një rënie prej 57%. Në Kosovë në vitin shkollor 2003/2004 në shkollat fillore ka pasur 336.088 nxënës, kurse në vitin shkollor 2016/2017 ka vetëm 247.824 nxënës, që paraqet një rënie prej 88.264 nxënësve.

Në maqedoni edhe pse shqiptarët në krahasim më maqedonasit kanë lindshmëri më të lartë dhe një bilanc pozitiv në mes lindjeve dhe vdekjeve, ndërsa te pala maqedonase ky bilanc është negativ, prapë se prapë edhe këtu rreziku më i madh paraqitet nga emigrimi i madh i shqiptarëve në vendet perëndimore, i cili krahasuar me emigrimin e popullsisë maqedonase është shumë më i lartë. Kjo mund të argumentohet nga të dhënat zyrtare të Entit Shtetërorë për Statistika, ku mund të shohim se gjatë vitit të kaluar në Komunën e Gostivarit kanë lindur rreth 500 fëmijë në Maqedoni dhe mbi 500 fëmijë nga kjo komunë kanë lindur jashtë vendit. Kurse në Komunën e Aerodromit kanë lindur rreth 900 fëmijë në Maqedoni dhe vetëm 20 fëmijë kanë lindur jashtë vendit nga kjo komunë. Kjo është gjendja e zakonshme në të gjitha komunat shqiptare, ku një numër i madh i fëmijëve lindin jashtë vendit, që është tregues i migrimit masiv të shqiptarëve. Sa për ilustrim ja vetëm një shembull nga një komunë tjetër shqitpare, ajo e Likovës, ku në vitin shkollor 2006/2007 në klasë të gjashtë në shkollat fillore ka pasur gjithësej 629 nxënës, ndërsa në vitin shkollor 2014/2015 në klasë të gjashtë kanë qenë vetëm 391 nxënës, kurse edhe më shqetuese janë shifrat për nxënësit e klasës së parë ku kemi vetëm 302 nxënës.

Në Luginë të Preshevës situata është edhe më alarmante, atje kemi një proces të deshqiptarizimit masiv, dhe argument për këtë është rënia drastike e numrit të lindjeve dhe numrit të nxënësve në shkolla fillore. Në vitin 2000 në Preshevë dhe Bujanovc numri i nxënësve në shkollat fillore ishte rreth 13.000, kurse në vitin 2016 numri është reduktuar në vetëm 6.700 nxënës.

Nëse vazhdon ky trend negativ i rënies së natalitetit dhe emigirmit masiv, atëherë do të na paraqitet problemi i “mortajës së bardhë” kur do të kemi më shumë vdekje se sa lindje, popullsia do të mplaket dhe si pasojë do të kemi më shumë pleq mbi 60 vjet se sa të rinj deri në 15 vjet ashtu siç po ndodh në shumë vende të Evropës Lindore, dhe e gjithë kjo do të shkaktojë edhe komplikime në fushën ekonomike dhe sociale duke shkaktuar rëndesa të mëdha në tregun e punës si dhe në sigurimet pensionale.

Postime të Ngjajshme