` . Kasami: Programi ynë ekonomik pasqyron gjendjen e vendit – TV SHENJA

Kasami: Programi ynë ekonomik pasqyron gjendjen e vendit

Lëvizja Besa ka realizuar sot një takim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, në kuadër të të cilit ka shpalosur platformën e saj ekonomike para komunitetit afarist dhe po ashtu janë dëgjuar propozimet e Odës dhe bizneseve që ajo përfaqëson. Numri një i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, tha se programi i tyre ekonomik ekonomik pasqyron gjendjen specifike të vendit, ndërsa zgjidhjet e propozuara nuk do të bazohen vetëm në profilin e caktuar politiko-ideologjik, por në një kornizë më të gjerë.

“Ne vlerësojmë se sektori i biznesit janë forca motorike e një shoqërie sepse duam të kemi një shtet të zhvilluar që do të krijoj mirëqenie për gjithë qytetarët. Ne jemi sot këtu për të nisu një bashkëpunim afatgjatë me Odën Ekonomike të Maqedonisë, që ky bashkëpunim të rezultojë në përkrahje të afarsitëve shqiptarë, me qëllim që këto afarist edhe më shumë të kontribojnë në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë”, ka deklaruar kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Kryetari i Odës Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha, tha se Oda, si përfaqësuese legjitime e zërit të biznesit, orvatet që të ofrojë konsulencë të bazuar në përvojën e anëtarësisë për të kontribuar për përpilimin sa më të përpiktë dhe sa më të përgjegjshëm të platformave ekonomike.

“Jemi këtu me Lëvizjen Besa si me të gjitha partitë tjera politike para tyre dhe të atyre që do të pasojnë, për të artikuluar kërkesat e biznesit për një platformë ekonomike të mirëfilltë dhe afatgjatë për një stabilitet ekonomik të gjithë rajonit. Për ndërtimin e një platforme të tillë janë të nevojshme disa parakushte si transparenca, llogaridhënia e harxhimeve buxhetore, pastaj është zvogëlimi numrit të papunësisë, zhvillimi rajonal proporcional si dhe çështje tjera”, ka deklaruar Nebi Hoxha, Kryetar I OEMVP

Takimi i sotshëm ishte në kuadër të takimeve konsultative që Oda Ekonomike po realizon me të gjitha subjektet politike në vend gjatë periudhës parazgjedhore.

Teuta Buçi /SHENJA/


Kasami: Programi ynë ekonomik pasqyron gjendjen… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme