` . Karriera e Fatit ka nisur më mirë se ajo e Messit te Barca, 16-vjeçari vë edhe një rekord - TV-SHENJA

Karriera e Fatit ka nisur më mirë se ajo e Messit te Barca, 16-vjeçari vë edhe një rekord

Ngritja e jashtëzakonshme e Ansu Fatit ka vazhduar edhe të shtunën mbrëma, pasi shënoi dhe asistoi në shtatë minutat e para të ndeshjes, në të cilën luajti për herë të parë në La Liga.

Talenti 16 vjeçar u bë golashënuesi më i ri i Blaugranëve kur u inkuadrua nga banka rezervë dhe shënoi në ndeshjen ndaj Osasunas (para pushimit për ndeshjet e përfaqësueseve).

Dhe duke qenë se mungonte Lionel Messi dhe Luis Suarez nuk ishte i gatshëm për ndeshje të plotë, ai e nisi sfidën ndaj Valencias nga fillimi.

Fati arriti të shënojë gol që në minutën e dytë dhe në të shtatën ia ktheu favorin Frenkie de Jongut duke asistuar në golin e tij.

Anësorit të ri i kanë mjaftuar tri ndeshje për të shënuar dy gola për katalunasit, gjë që nuk e kishte arritur as Lionel Messi deri në ndeshjen e tij të 13-të.

Për më shumë, lojtari që mbush 17 vjet më 31 tetor, është bërë futbollisti më i ri (16 vjet e 318 ditë) në shekullin 21 që shënon dhe asiston në një ndeshje. /Telegrafi/