` . Karpentierët e gjunjëzimit shqiptar - TV-SHENJA

Karpentierët e gjunjëzimit shqiptar

Shkruan: Nijazi MUHAMEDI, Tetovë

“Platforma e Tiranës” bëri udhë të shkurtër si stratagjemë me fund dredhie. Hyrja e dy nënshkruesve të saj në qeveri (BDI, LR-PDSH si Aleancë shqiptare) e dekodoi keqas përdorimin e saj si stratagjemë të pambaruar dredhie. Aktorët që shtillisnin këtë stratagjemë, me hyrjen në qeveri duke mbështjellë me mjegullën e saj “kundërplatformën maqedonase” ndaj saj, do të quhen rrënuesit e saj për hir “tepsie pushtetare mercenare”; ndërsa aktorët që nuk u ndërliqën më tej në këtë stratagjemë politike (në këtë rast Lëvizja “Besa”), në rolin institucional opozitar, u ka rënë vetvetiu përgjegjësia politike që të bëjnë tutje si mbrojtës të platformës së vërtetë shqiptare, e cila duhej të ngritej e operacionalizohej mbi bazë të piketimeve të “Platformës” së nënshkruar në Tiranë.

Kjo stratagjemë politike, sajues i së cilës hamendësohej se është ustai i dredhive kësodore, Ali Ahmeti, në vend të vazhdimit të vet me marifete dredhie, në fakt hoqi mjegullinë e saj si stratagjemë dhe kthjelloi horizontin politik, duke i ndarë palët nënshkruese të saj në dy kampe politike: në shpërdoruesit dhe renduesit sherranjoz të saj, në njërën anë, dhe në nuhatësit e vëmendshëm politik të kësaj dredhie, në anën tjetër. Udhët e kësaj platforme tashmë u ndanë sikur shtinohen edhe shinat në një stacion hekurudhor për të ndërruar drejtimet e trenave.

Pala menduese e stratagjemës (BDI me lokomotivën e ngjitur LR PDSH-Aleanca) vazhdojnë tymosjen politike si “bartës të Platformës”, duke u orvatur për ta mbajtur të asfiksuar edhe më tej opinionin publik shqiptar, por kjo tymosje e ka humbur kontekstin e vet për të qenë lesuese dhe nuk do ta ketë në dispozicion kohën për ta endur si një rrëfim nëpër meandra të gjata me marifetet e njohura politike. Vërtet, mashtrimi politik është marifet i tyre, por kallëpi i kohës nëpër të cilin hamendësojnë ta shtjellin e mbështjellin mashtrimin, është një kallëp institucional, pra jo i tyre, është kallëp kohë institucionale e njohur si “njëqindditëshi” në provë i një qeverie. Por, ngado që ta marrësh, pala menduese dhe udhëheqëse e kësaj stratagjeme me aktorët e sipërpërmendur degradohet përfundimisht në anën e gabuar të rrugëtimit politik shqiptar si karpentierët (çatimbuluesit) e gjunjëzimit politik shqiptar, duke institucionalizuar tejet hapur dhe paturpësisht mercenarizmin politik të shqiptarëve në jetën politike, një strategji e ASHAM-it, që në jetën politike shqiptare këtu është pykëzuar shumë mbulueshëm që me paraqitjen e parë të organizimit politik të shqiptarëve në vitet 1990-të, pykëzim i cili është futur për të hallakatur dhe vënë nën kontroll strukturimin politik shqiptar, duke bllokuar dhe zhbërë përmes saj edhe përpjekjet shqiptare për ta ngritur një platformë unike në veprimin e tyre politik. Ndërkaq, ”udhëheqësit” e rrugës së gabuar të “Platformës” do të konsiderohen në historinë politike të lëvizjes shqiptare këtu edhe si bashkautorët (ndihmës të ASHAM-it) të zhdredhjes politike të shqiptarëve për tash dhe kohët që vijnë. E tashmja vërtet u humb dhe rrënimi i saj ishte afërmendsh se nuk mund të pengohej; por, përpjekja e tyre si shërbim mercenarizmi për ta zënë peng të përjetshëm të ardhmen e veprimit politik shqiptar s’është gjë tjetër, pos një epilepsi traumatike mercenarësh, që e ardhmja do ta zhbëjë me një frymë. Afërmendsh, nëse atë të ardhme e merr në dorë një lëvizje politike e njëpërnjësuar programatikisht, përmes një platforme të vetme dhe me një strumbullar të strukturuar politikisht si unitar që do të bartë atë platformë unike, e jo si strumbullar sajesash të pykëzuara dhe të klonuara nga establishmenti politiko-shtetëror maqedonas, që kanë bartur apo do bartin “platforma” të klonuara e të pykëzuara të ASHAM-it.

Hyrja në qeveri koalicioni nën programin e një partie që bart ideologjinë e unitarizmit qytetaro-nacionalist maqedonas dhe jashtë principeve elementare koalicionuese që konturojnë një marrëveshje koalicionimi, që ishte praktikë devalvuese për shqiptarët e “koalicioneve qeveritare maqedono-shqiptare” të deritashme mbi dy dekada multipartizëm dhe pluralizëm politik është fundosja më e thellë për “udhëheqësit” e rrugës së gabuar dhe të tjetërsuar të së popullarizuarës “Platformë e nënshkruar në Tiranë”, një fundosje nga e cila nuk mund të ndodhë ringritja e tyre, me kusht që kolapsit politik të strukturimit të hallakatur politik shqiptar, që e shkaktoi “kontrolli politik i establishmentit politiko-maqedonas, t’i vihet përballë një ringritje politike shqiptare e njëpërnjësuar, si përfundim i një dinamike evolutive të brendshme të lëvizjeve politike shqiptare, e jo si “desant ndërhyrës” nga jashtë kontekstit të këtij evolucioni, rrjedhën e të cilit gjithnjë e kanë këputur në mes ose e kanë zhbërë gjer në bërthamë me anë të “mallëngjimeve të ndërhyrjeve tutoriale-bashkimtare” me prapavija motivesh të eklipsuara”.

Është fare e kuptueshme se përdorimi i “udhëheqësve” të rrugës së gabuar dhe të tjetërsuar të “Platformës shqiptare” në rolin e ruajtësit dhe të prodhuesit të kolapseve të tashme dhe të reja të strukturimit politik, të vënë në shërbim të “padronit” maqedonas, do të jetë një agjendë e mercenarizmit të tyre politik, duke mbajtur gjallë edhe faktorët politikë dhe jashtëpolitikë që e bëjnë vepruese agjendën e tyre. Ky aspekt, prandaj, jetën politike të shqiptarëve në Maqedoni e ka vënë në një udhëkryq të pashmangshëm të një opsioni: të pranojë gjunjëzimin e përhershëm politik të etabluar me këta aktorë ose ta shpartallojë atë përmes një fillimi të ri politik të mëvetësuar politikisht me një strategji anti-pykëzim të saj, duke e faktorizuar politikisht dhe mbi baza të reja të modernitetit politik faktin shqiptar në Maqedoni dhe me këtë i jepet një rikuptimësim përmbajtjesor dhe me horizonte plotkuptimisht politike dinjitetit kolektiv shqiptar në tërësinë shtetërore të Maqedonisë.

Një vegëz që mund t’i vihet përballë kësaj situate në udhëkryq tashmë është fakt me anën e aktorit që nuk shkoi gjer në fund0020hyrjes dhe të mbetjes në lakun e dredhisë së kurdisur përmes përdorimit të “Platformës” si stratagjemë. Kontestimi i kësaj dredhie nga ana kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në mbledhjen e parë konstitutive të Kuvendit të Maqedonisë, përbën kontestimin programatik më të hapur që është ngritur mbi bazë të një radiografie me ekspertizë të thellë politike rreth trajektores mbi dydekadëshe të tutorizmit maqedonas kolonial, ngjashëm me strukturimin e veprimit politik të shqiptarëve që i katandisi gjer në zhdredhjen organizative dhe programatike nëpër shkurdisje “opsionesh” politike gjer në gjunjëzim përballë dominimit politik maqedonas. Sa do jetë ky kontestim programatik si pikë kthesë politike dhe si pozicion politik kundërvënës ndaj “rrugës së gabuar dhe të tjetërsuar” të udhëheqësve të “Platformës shqiptare”, kjo do të varet po ashtu edhe nga vendosmëria politike e ndershme e Lëvizjes Besa dhe kjo do të mund të përbënte kapitalin e saj politik moralisht kthesëprurës për shqiptarët dhe do të ishte shpartallim final i përpjekjeve antidemokratike tutoriale të establishmentit politiko-shtetëror maqedonas mbi jetën politike shqiptare.

Afërmendsh, ky etalon vlerësimi politik kësaj lëvizjeje i vendoset vetëm për këtë pozicionim që bëri përmes kontestimit programatik që i dha legjitimitet deklarimi në Kuvend, e jo edhe për disa imperativa të ridimensionimit dhe të rikuptimësimit dhe të veprimit që duhet t’i nisë ajo brenda vetes dhe për disa “rezerva dykuptimësie” në diskursin e saj, që japin indici për një kuptim të rezervuar ndaj gjenezës dhe ecjes së saj politike, duke e thënë këtë nga ana ime vështruar politikisht, e jo në bazë të thashethemnjava motivesh të përziera që i janë bërë deri më tash.

Postime të Ngjajshme