` . Kapet rrjeti që “martonte” të rinjtë shqiptarë me shtetase të BE-së: Paguanin dhjetëra mijë euro – TV-SHENJA

Kapet rrjeti që “martonte” të rinjtë shqiptarë me shtetase të BE-së: Paguanin dhjetëra mijë euro

Policia gjermane përmes disa bastisjeve të mëdha ka shpartalluar një bandë e cila dyshohet të ketë bërë ndërmjetësime me pagesë të martesave fiktive të të huajve dhe kontrabandim të lejeve të qëndrimit të të huajve në Gjermani, shkruan focus.de.
Në kuadër të fushës së veprimit të Prokurorisë Shtetërore të Frankfurtit, në bastisjet e bëra sot, kanë marrë pjesë plot 850 policë federalë, republikanë dhe doganorë, transmeton albinfo.ch. Ata kanë kontrolluar 98 objekte në 7 lande (republika) të Gjermanisë dhe në Çeki.

Hetimet janë zhvilluar ndaj grupimeve të ndryshme që kanë vepruar në mënyrë paralele, të përbëra nga shtetas të Kosovës, të Bullgarisë dhe të Serbisë. Ata ngarkohen se së paku duke filluar nga viti 2015 kanë ngritur një sistem përmes të cilit u kanë siguruar qytetarëve të shteteve jashtë BE-së, përmes dokumenteve të falsifikuara ose të paligjshme, qëndrim në Gjermani në kundërshtim me ligjin.

Përmes pagesave që shkonin deri në shuma pesëshifrore, ata, për klentët e tyre, kryesisht burra të rinj nga Kosova, të gatshëm për të paguar, kanë aranzhuar martesa fiktive me gra me të ardhura të ulëta nga shtetet e BE-së. Shumica e këtyre të rinjve «martoheshin» me gra nga Çekia, Rumania ose Bullgaria, transmeton albinfo.ch. Ndërkohë që ata kanë paguar secili nga dhjetëra mijë euro, gratë e «martuara» në këtë mënyrë, janë paguar deri në 7000 euro.

Hetuesit në Frankfurt tash për tash supozojnë se bëhet fjalë për qindra raste të tilla.
Një numër i të akuzuarve fajësohen se si përgjegjës të firmave të ndryshme të ndërtimit në Gjermani, nga gushti i vitit 2015 kanë punësuar punëtorë të paregjistruar dhe kanë bërë pagesa në të zezë përmes faturave fiktive. Në këtë mënyrë të ardhura prej rreth 6 milionë eurosh nuk u janë nënshtruar tatimit.