` . Kanga e Jericho-së - TV-SHENJA

Kanga e Jericho-së

“Sa shpejt vitet kaluan 
Kjo këngë kujtimin ma sjellë
Sa lehtë të gjithë ne harruam
Dhembjen që kishim njëherë” 

Shkruan: Fjolla Spanca, Mitrovicë

 Kosova është atdheu i atyre që e kanë dashtë Lirinë ma fortë se sa Jetën. Dikur ka qenë edhe valixhe e pangatërrueshme shpresash e ëndërrash. Prej aty kanë bulëzuar nëpër mote mendje të mëdha, të cilat  shndërrohen në zëra kundrues dhe ndriçues ca më pas, për ndërgjegjet e trazuara të një populli që shpejt e harroi dhembjen nëpër të cilën kish kaluar.

“Malet kanë fillu me nem 
Vllau-vllaut shpinën ja kthen
Dyje e re na paska ardhë
Ngjyrën e zezë me ba të bardhë “

Kosova e rock grupit “Jericho” nuk është vetëm një humbëtirë e trishtuar prej tranzicionit kurrë të përfunduar. Jericho e çliron dhe kthjellon konceptin e vendit (atdheut) dhe shoqërisë prej pluhurit të harresës, nëpërmjet këngës që reflektohet si nyje e dashurisë, e cila është e aftë për të mbuluar edhe pafundësinë e padrejtësive.

“Sa gjatë do të shkojë derisa ne ta duam vetveten 
Sa gjatë do të shkojë derisa fatin vet ta ndryshojmë
Sa gjatë do të shkojë derisa tjetrit t’ia çmojmë jetën
A më tregoni, ku ta gjejmë forcën sot të këndojmë” 

Kënga e Jericho-së përplaset ndër sytë e shqiptarit që lëkundet përditë mes Lindjes dhe Perëndimit, anise zor shkundet prej gjumit shekullor të mos njohjes se vet-vetës.

“Dy konop n’qafë t’vnumë 
Dytë po t’ngrehin e ti po qet shkumë
Je shumë i lodhun, gjatë ke nejt n’zhurmë
E ki nevojë me marrë frymë, se jonë tu t’ngulfat
Zani spo t’del e don me piskat
Krejt lomsh n’kry t’kanë hallakat
Edhe sa ko me zgatë deri sa t’coptojnë
Deri sa t’dajnë e sa t’përvlojnë
Deri sa ta kupton se sun vazhdon me konfuzion”

“E ti ndaq jepi cucëll t’Arabisë 
Ndaq jepi cucëll të Francës
Ajo ko me lyp tomlin e nanës, bal!”

Muzika në plotëninë e saj e tejkalon ngjarjen dhe ndjenjën. Është Jeta që shkruhet pavarësisht dendësisë së mjegullnajës. Filli i dashurisë që i lidh njerëzit me kohën dhe hapësirën prej këngës së Jericho-së del natyrshëm, pa u sforcuar e venitur, madje kaherë e ka mprehur interesin e dëgjuesitë/ soditësitë mbi raportin ndjenjë-veprim.

“Sa shumë m’ka marr malli
Për ni kangë të vjetër
Ni kavallit zonin t’ja nigjojë
E t’i knoj dashnisë si ashik i vjetër
Fjalt e Hakit t’i kujtojë”

….

“Ftyrat sikur hana naten kur rrezon
Nuri zbardhi zemrën, neve drite na bon
Fal i kofsha kti rahmeti, oj farë e dashnisë
Bone Zot zemren teme venin e lumnisë”

Petrit, si nisi me çel muzika n’ty?

Muzikën e kemi pasë në familje prej sa mbaj mend. Baba është marrë një kohë më aktivisht me muzikë, kështu që loja e jonë në familje kanë qenë instrumentet e këndimi. Në prapavijë ka qenë gjithmonë e pranishme muzika klasike edhe popullorja, sidomos ajo e Gjakovës, Shkodrës, Shqipërisë së Mesme, po edhe e toskëve.

Pra, ti i njeh mirë karakteristikat e trevave, krahinave shqiptare?

Jo, në fakt nuk i njoh mirë. I njoh sipërfaqësisht. Mirëpo më kanë impresionu edhe i kam dashtë. Mundem me thonë që i njoh ma shumë më intuitë.

Cila krahinë të fle më shumë në zë dhe në zemër?

T’gjitha krahinat i kanë veçoritë e veta edhe kjo është e bukura, prandaj nuk kam ndonjë lidhje specifike në veçanti me ndonjëren.

Si nisi “Jericho”?

Jericho në fakt dallon prej “Jericho Walls”, bendin të cilin e themeluam në ’97-tën. Ajo që e dallon është pikërisht melosi shqiptar si bazë për komponimet e kangëve tona. Në 2000-tën fillova aktivisht të merrem me shkrirjen në mes të rock-ut e melosit. Besoj që këtu fillon “Jericho”.

“Jericho” ç’shenjë është për ty?

“Jericho” është shenjë indentifikuese e katër anëtarëve të bendit. Çdonjëri prej nesh e ka lënë nga një pjesë të vetes aty. Po besoj që edhe një pjesë të vetes me të cilën identifikohen e kanë gjetë edhe dëgjuesit e kangëve tona. Është një shenjë e etjes tonë për të zbulu më shumë ose, më mirë më thënë, për të rizbulu veten në një kohë kur teknologjia e trended globaliste e ngulfasin zanin e arkaikes.

Për çka flasin tekstet e Jericho-së?

Tekstet e Jericho-së janë të ndryshme dhe ndryshojnë prej kohës kur shkruhen. Ato të periudhës së pasluftës janë tekste që flasin për dëshpërimin e për shpresat, për identitetin e për konfuzionin, për lakminë e për solidaritetin, për paqen e për luftën, për politiken e për shpirtëroren.

Si është udha e një artdashësi në Kosovë?                                  

Është një marrëdhënie e çuditshme që lëviz ndërmjet dashurisë dhe urrejtjes, ndonjëherë arti është shpëtimi i vetëm e ndonjëherë të duket se është mallkim.

Kush është dëgjuesi ideal për ty?

Dëgjuesi ideal për mua është ai që merr prej muzikës e tekstit aq sa i bën dobi atij.

Pse e keni zgjedh gegnishten?

Në shumë kangë këndojmë edhe në gjuhë të standardizuar, mirëpo gegenishtja është aty kur këndohet në melosin e gegëve. “Shkaba” p.sh. nuk kishte se si te këndohej ndryshe.

Ti ke raport goxha të veçantë me arkitekturën? E qysh ndikon kjo ndjesi/lidhje në artin tënd?

Ka dy thënie që e përshkruajnë raportin e arkitekturës me muzikën. E para thotë: Arkitektura është muzikë e ngrirë. E dyta thotë: Muzika është një arkitekturë likuide.

Ç’raport ke me kujtimet?

Kujtimi është motivi më i fortë i çdo kange.

“Kanga e Ashikëve” është ndër kryeveprat që keni nxjerrë. Plot gëzim edhe mall. Qysh u nis si projekt? Nga doli gjithë frymëzimi ?

Gjithmonë është folklori jonë i pasur që na frymëzon. Është tradita e pasur, e bukur, e larmishme dhe e pa eksplorume sa duhet e qytetit dhe e fshatit që na shtyen andej, e që për shkak të censurës komuniste ka mbetë e mbyllur si një kuti e vjetër e pluhurosur, por që brenda mban shumë urtësi. “Kanga e Ashikëve” ka dalë pikërisht prej takimit tonë me, ndoshta, gjeneratën e fundit të ashikëve të vërtetë të rrugës së Hakut, e që në na kanë lënë mbresa të papërshkrume. Jam ndjerë tepër me fat që kam pasë mundësinë t’i takoj këta njerëz të urtë e zemërbardhë, por në të njëjtën kohë burra të fjalës e të besës.

Cilat janë ambjentet ku ndihesh mjaftueshëm komod për me dhanë prej vetes?

Shtëpia, familja e shoqëria.

Një qytet që ta shton mallin për me u thellu n’Vete?

Prishtina, Gjakova dhe Prizreni.

Libri që t’ka përthekue ma tepër?

Mesnevia e Rumit

“Bota që kemi përpara 
Më nuk është një lojë si ajo më parë
Mos kthe kokën mbrapa për të shikuar
Kjo është rruga që ne duhet kaluar” 

 

Postime të Ngjajshme