` . Kameramanët e filmit "Toka e Mjaltit", fitues të çmimit për kinematografinë më të mirë - TV-SHENJA

Kameramanët e filmit “Toka e Mjaltit”, fitues të çmimit për kinematografinë më të mirë

Kameramanët e filmit dokumentar “Toka e Mjaltit”, Samir Luma dhe Fejmi Daut janë fitues të çmimit për kinematografinë më të mirë që mbrëmë për herë të parë e ndau Asociacioni amerikan i Kinematografisë (ASC) në Los Angeles, transmeton Anadolu Agency (AA).

ASC i ndan çmimet për arritje të jashtëzakonshme për herë të 34-t këtë vit. Këto janë çmimet më të rëndësishme kushtuar kamerës filmike.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, Luma tha se mori çmimin më të rëndësishëm që një kinematograf mund të dëshironte.

“Ne jemi nga Maqedonia, vendi ku zhvillohet festivali më i vjetër kushtuar kinematografisë ‘Vëllezërit Manaki'”, tha Samir Luma në fjalimin e tij në skenë.

Britaniku Roger Dickens u shpall kinematograf më i mirë për filmin “1917” në regji të Sam Mendes.

Në kategorinë regjisorë më të mirë të Asociacionit të regjisorëve të Amerikës, çmimet e të cilëve u ndanë mbrëmë ishin nominuar edhe regjisorët e filmit “Toka e Mjaltit”, Tamara Kotevska dhe Lubomir Stefanov.

Çmimi në këtë kategori iu nda regjisorit Stiven Bognar për filmin “Fabrika amerikane”.

Dokumentari “Toka e Mjaltit”

Filmi dokumentar “Toka e Mjaltit” (Honeyland) i regjisorëve Lubomir Stefanov dhe Tamara Kotevska, arriti të fitojnë dy nominime për ndarjen e ardhshme të çmimit Oscar – për filmin më të mirë dokumentar dhe filmi më i mirë i huaj. Ky është filmi i parë maqedonas me dy nominime për Oscar.

Ceremonia e 92-të e ndarjes së çmimit më të lartë të filmit do të zhvillohet më 9 shkurt në Teatrin Dolby në Los Angeles.

Dokuemntari “Toka e Mjaltit” në shkurt të vitit të kaluar ishte në konkurencë zyrtare të festivalit prestigjioz amerikan për filmat e pavarur “Sandens”, me çka e fitoi çmimin e jurisë si filmi më i mirë dokumentar në konkurencën me dokumentare të nivelit botëror.

Kameramanëve Fejmi Daut dhe Samir Luma iu nda çmimi për kinematografinë më të mirë (Special Jury Award for Cinematography).

Gjithashtu, dokumentari e fitoi edhe mirënjohjen e veçantë nga juria për ndikimin për ndryshim (Special Jury Award for Impact for Change).

Dokumentari është realizuar si pjesë e Programit për mbrojtjen e mjedisit në Maqedoninë e Veriut – projekt i Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim ndërsa i mbështetur edhe nga Agjencia e Filmit.