` . Jusuf Buxhovi: Problemi Shqiptar në RP (S) të Maqedonisë 1944-1974 – TV-SHENJA

Jusuf Buxhovi: Problemi Shqiptar në RP (S) të Maqedonisë 1944-1974

Jusuf Buxhovi

(Përmbledhje dokumentesh në gjashtë vëllime nën përzgjedhjen dhe redaktimin e historianit Qerim Lita, botuar nga “Logos-a”, Shkup, 2018)

Me botimin e kompletit prej gjashtë vëllimesh “Problemi shqiptar në RP(S) të Maqedonisë 1944-1974”, nga shtëpia botuese “Logos-a” të Shkupit, historiografisë shqiptare, iu krijua edhe një mundësi tjetër që, nëpërmes dokumenteve të kohës, të hulumtojë çështjen shqiptare që ka të bëjë me Maqedoninë në periudhën nga krijimi i kësaj republike në kuadër të Jugosllavisë Federative në vitin 1944 e deri në vitin 1974, kur federata jugosllave, pas ndryshimeve të vitit 1974, ridefionohet në bashkësi prej tetë anëtarësh, në të cilën, krahas gjashtë republikave, bënte pjesë Kosova dhe Vojvodina.

Historiani Qerim Lita, i njohur edhe për veprat “Azem Marana dhe NDSH-ja”, “Territoret Lindore shqiptare 1912-1960”,”Çështja shqiptare në RSFJ 1981-1990” , “ Kontin Bertold dhe çështja shqiptare” (në bashkautorësi me Skënder Asanin), dhe i disa veprave të tjera të kësaj natyre, në këtë vepër, në rolin e përzgjedhësit dhe redaktorit, sjell dokumente autentike nga koleksioni i materialeve arkivore të Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë si dhe arkivave rajonale (Shkupit, Kumanovës, Tetovës e Ohrit, Agjencisë Shtetërore të Kosovës, Arkivit të Sllovenisë dhe Arkivit Diplomatik të Bullgarisë. Gjithsej janë botuar 643 dokumente, të ndara në gjashtë vëllime. Dokumentet janë botuar të plota. Renditja e dokumenteve, në gjashtë vëllime: Qëndresa antikomuniste(I), Procesi i shpërnguljes (II), Kërkesat e inteligjencies shqiptare (III), Demonstratat e vitit 1968 (IV), Avancimi i statusit (V) dhe Arsimi, Kultura, religjioni (VI), është bërë në mënyrë kronologjike dhe sipas fushave. Kështu, në vëllimin e parë “Qëndresa antikomuniste”, sillen 95 dokumente, duke filluar nga ato të ASNOM-it (KAÇKM-së), 2 gusht 1944, e deri më 1 dhjetor 1959. Dokumentet e këtij vëllimi kanë një rëndësi të veçantë, ngaqë paraqesin gjenzën si dhe konceptin e krijimit të Republikës së Maqedonisë në përbërje të federatës jugosllave në përputhje me konceptin e Titos që shteti artificial të përcillet edhe me krijimin kombit politik (maqedonas) si dhe gjuhës zyrtare (maqedonase) me dekrete partiak, siç ndodhi në Kuvendin e Parë, me çka problemi maqedonas i krijuar po ashtu artificialisht në fillim të shekullit XX nga Serbia, Bullgari, Greqia të ndihmuara nga Rusia, me të ashtuquajturën “krizë e Maqedonisë”, të shkëputet prej interesave hegjemoniste bullgare, greke dhe serbe, për t’u kthyer në një interes jugosllav, prej nga ajo do të dalë edhe shtet i pavarur, në vitin 1991, pas shpërbërjes së federatës jugosllave.

Edhe vëllimi i dytë (Procesi i shpërnguljes), me 70 dokumente, është me interes të madh, meqë me anën e tyre, hedhet dritë në fazën e dytë të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, që fillon nga vitet 1951-1959 në saje të marrëveshjes gjentelemene Tito-Çuprili, që për pasojë pati shpërnguljen e 150 mijë shqiptarëve për në Turqi, me çka historiografisë i jepen argumente bindëse se fjala është për një etnocid shtetëror që iu nënshtruan shqiptarët edhe në rrethanat e Jugosllavisë komuniste.

Të kësaj natyre shfaqen edhe dokumentet e përfshira në vëllimin III, IV, V dhe VI, prej nga del rezistenca e inteligjencies shqiptare që të mos pajtohej me këtë gjendje, si dhe përpjekjet që rrethanat e caktuara, siç ishin ato nga vitet e gjashtëdhjeta (pas rënies së Rankoviqit) të shfrytëzohen për emancipim arsimor, kulturor. Të kësaj kohe me interes janë edhe dokumentet që flasin për ndryshimin e pozitës kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni, që solli kushtetua e vitit 1963 si ato nga kushtetua e vitit 1974, kur shqiptarët në Maqedoni fitojnë statusin e kombësisë së barabartë dhe formalisht kthehen në subjekt shtetëror. Këtyre zhvillimeve do t’ua hapin rrugën demonstrata e vitit 1968 në Tetovë, që ishin të lidhura me ato të Kosovës, me ç’rast ndryshojnë edhe raportet midis shqiptarëve nga Maqedonia dhe atyre nga Kosova drejt krijimit të një hapësire të përbashkët kulturore dhe arsimore.

Libri i fundit (Arsimi, kultura, religjioni) pasqyron gjithë procesin e afrisë kulturore dhe arsimore midis shqiptarëve të Maqedonisë dhe atyre nga Kosova si dhe kontributin e madh të intelektualëve nga Prishtina dhe Shkupi, që u mundësua me themelimin e Universitetit të Kosovës si dhe botimeve të përbashkëta në letërsi, historiografi dhe ato të traditës, me çka praktikisht, institucionalisht, iu krijua amëza një identietit kulturor dhe kombëtar shqiptar edhe në rrethanat e ish Jugosllavisë.

Botimi i këtyre dokumenteve në gjashtë vëllime, bëhet edhe më domethënës për historiografinë tonë, nëse kihet parasysh fakti se u paraprinë me veprën “Tokat e liruara 1941-1944”, në katër vëllime, në vitin 2016 nga e njëjta shtëpi botuese.

Mbetët për t’u shpresuar se historiani Qerim Lita dhe të tjerët, do të vazhdojnë punën e nisur, në mënyrë që problematika e Maqedonisë të trajtohet si çështje shqiptare, siç është në vërtetë nga pikëpamja historike, etnike dhe ajo politike.