` . Joshua, pas Ruizit kërkon Furyn në ring - TV-SHENJA

Joshua, pas Ruizit kërkon Furyn në ring

Kampioni i peshës së rëndë në boks, Anthony Joshua, thotë se meçi me Tyson Furyn do të jetë fokusi i tij, pasi të mposhtë Andy Ruizin të shtunën.

Kampioni i botës në versionet WBA, WBO dhe IBF, Joshua 29-vjeçar kishte shpresuar që pas Ruizit të ndeshej me kampionin e WBC-së, Deontay Wilder, për të unifikuar të katër titujt e rëndësishëm, por amerikani është pajtuar për të boksuar me Luis Ortizin. Joshua thotë se pas triumfit ndaj Ruizin, gjë që nuk e vë në diskutim, është koha që të negocioj një “luftë solide”.

“Mendoj se Ruizin do ta mposhti pa problem dhe pas tij e dua Furyn në ring”, ka thënë Joshua. “Kam dashur të përballem me Wilderin, por ai ka caktuar meç me dikë tjetër. Kështu që, boksieri i ardhshëm që dua ta mposhti është Fury”.

Megjithatë, Joshua është i fokusuar në meçin që e ka me Ruizin, i cili do të mbahet të shtunën në “Madison Square Garden” të New Yorkut. Për Joshuan kjo është hera e parë që do të boksojë në SHBA si profesionist, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Në meç do të futet si favorit absolut përballë Ruizit. Boksieri britanik nuk di për humbje në profesionalizëm. Ka 22 fitore prej të cilave 21 me nokaut.

“Kam besimin dhe motivimin e duhur, kështu që vetëm duhet t’i ekzekutoj në ring. Një goditje mund ta ndryshojë komplet meçin dhe për këtë jam i përgatitur e maksimalisht i kujdesshëm. Unë vetëm dua ta konfirmoj veten edhe në këtë luftë dhe pres t’ia dalë”, është shprehur Joshua. “Jam i fokusuar për këtë meç, ndonëse në mendje kam Furyn. Pres të jetë një luftë e fortë, pasi edhe Ruiz ka një bilanc të mirë. Por, jam i vendosur për t’ia prishur atë”.

Ndërkohë Ruiz ka thënë se fitorja ndaj Joshuas do të kishte peshë të madhe për të. Me këtë, Ruiz do të konfirmonte ngritjen e tij si boksier, pasi ka thënë se ka pasur një rrugë të vështirë deri më tash. 29-vjeçari është i lindur në SHBA nga prindërit meksikanë. Ai ka bilanc prej 32 fitoreve (21 KO) dhe një humbjeje në 33 meçe të zhvilluara si profesionist.

“Unë kam pasur një jetë të vështirë, pasi prej moshës shtatëvjeçare kam luftuar kundër fëmijëve të tjerë, të cilët me ngacmonin për peshën. Kështu që, si i ri kam qenë një gangster dhe gjithmonë kam qëndruar me një shoqëri të gabuar”, është shprehur Ruiz. “Boksi ma ka shpëtuar jetën, pasi doja të largohesha nga gjërat e këqija që i kam bërë. Gjatë tërë jetës kam qenë një autsajder, por tash ka ardhur koha për diçka më të madhe. Jam plotësisht i gatshëm për t’u bërë kampioni i parë nga Meksika në peshën e rëndë”.