` . Jolevski: Zgjidhja për emrin të mbrojë identitetin maqedonas (Video) – TV-SHENJA

Jolevski: Zgjidhja për emrin të mbrojë identitetin maqedonas (Video)

Negociuesi për kontestin për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe ish ambasadori i Maqedonisë në ShBA, Zoran Jolevski, vlerëson se është e nevojshme që të investohen të gjitha përpjekjet në procesin e negociatave mes dy vendeve që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët, e cila do të mbrojë identitetin dhe dinjitetin e qytetarëve të Maqedonisë. Në një prononcim për MIA-në, ai është shprehur se është e rëndësishme t’i jepet mundësi këtij procesi. Sipas tij, periudha kohore vijuese është e volitshme dhe duhet të shfrytëzohet, duke pasur parasysh aktivitetet në BE, si strategjia për zgjerim e Zhan Klod Junker në shkurt, raporti i KE-së në prill, mbledhja në maj në Sofje, por edhe samiti i NATO në korrik.

ZORAN JOLEVSKI, ISH MINISTËR I MBROJTJES

“Detyra kryesore e gjithë atij procesi është që të shfrytëzohen të gjitha momentet e mundura që të gjendet zgjidhje, përfshirë edhe mbledhjet e rregullta, përçka ky paralajmërim është sinjal pozitiv. Është e rëndësishme që të perceptohet nëse edhe te pala greke ka gatishmëri që të gjendet zgjidhje. Periudhën e fundit ka pasur deklarata pozitive nga pala greke, por është herët që të flitet për tërë procesin”.

Jolevski ka shtuar se, përveç deklaratave të politikanëve të të dy vendeve, është e nevojshme që edhe në opinionin grek të krijohet atmosferë që nevojitet zgjidhje e pranueshme e të dyja palëve. Ai po ashtu thotë se në procesin e tërë duhet të merret parasysh situata globale gjeopolitike.

ZORAN JOLEVSKI, ISH MINISTËR I MBROJTJES

“Situata gjeopolitike edhe në Evropë edhe në botë ka ndryshuar, posaçërisht pesë-gjashtë vitet e ardhshme, aspak nuk duhet të habis ajo që edhe për Evropën edhe për ShBA-në Ballkani sërish kthehet në mesin e prioriteteve më të larta, integrimi i vendeve nga Evropa Juglindore është i interesit të madh për to. Duhet të bëhen përpjekje, por askush nuk mund të garantojë që do të ketë zgjidhje. Që të gjendet zgjidhje nevojitet që të dyja palët të tregojnë se me të vërtetë e duan atë”.

Sipas tij, edhe Greqia ka interes që të përmirësojë imazhin, sepse moszgjidhja e kësaj çështjeje mbetet kontraproduktive për të gjitha palët. Teuta Buçi /SHENJA/