` . Jeta dhe veprimtaria e Qemal Skënderit në dokumentet e hetuesisë - TV-SHENJA

Jeta dhe veprimtaria e Qemal Skënderit në dokumentet e hetuesisë

“Në mbledhje dëgjuam Radio Londrën dhe Radio Ankaranë në gjuhën turke dhe, pas lajmeve, Azemi foli për situatën politike. Qëllimi i mbledhjes ishte vetëm njoftimi me Hamdiun, i cili kishte ardhur me Mehmetin dhe neve Mehmeti na foli për situatën në Shqipëri dhe se, ngjashëm sikurse këtu, edhe atje organizohen çeta balliste.”, thuhet mes tjerash në dokument.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Ndër figurat më të shquara të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH-ë), krahas Azem Maranës, Halim Oranës, Hasan Bilallit, Gjon Sereçit, Hysni Rudit, Mehmet Bushit, Mahmut Dumanit, padyshim se është edhe Qemal Skënderi. Për veprimtarinë e kësaj figure të madhe shqiptare deri më tash janë marrë shumë historianë shqiptarë, madje disa prej tyre madje Qemal Skënderin e paraqesin si “themelues” dhe njëherit edhe “kryetar” të NDSh-së. Pa dyshim se Qemal Skënderi është njëri ndër anëtarët e parë të kësaj organizate antikomuniste e puro-shqiptare, mirëpo – siç kam vënë në dukje në disa punime të mia – inkuadrimi i tij në NDSH erdhi përmes Hasan Bilallit, para të cilit ai dhe Mexhit Zyberi (bashkëpunëtori dhe miku më i ngushtë i Skënderit) dhanë betimin e besueshmërisë.

Lidhur me atë se çfarë posti mbante ai në NDSH, të gjitha dokumentet e dala nga hetuesia dhe procesi gjyqësor kundër 19 anëtarëve të KQ të NDSH-së, një proces që u zhvillua nga Gjykata e Qarkut të Shkupit, më 26 janar – 7 shkurt 1947 në Shkup, provojnë bindshëm se ai ishte zëvendëskryetar i organizatës. Në fakt, këtë post udhëheqës Qemal Skënderi e mori në Kongresin II (IV) të NDSH-së, i cili u mbajt më 1 qershor 1946 në Shkup, në të cilin – s iç dihet – kryetar u zgjodh Halim Orana, ndërsa Azem Marana e mori postin e sekretarit të përgjithshëm. Deri atëherë nuk pati poste të veçanta, pos që dihej se përgjegjës kryesor të NDSH-së së Shkupit ishin: Azem Marana, Hasan Bilalli, Qemal Skënderi dhe Mexhit Zyberi. Këtë çështje më së miri e sqaron vet Qemal Skënderi, i cili në dëshminë e tij dhënë më 23 korrik 1946 para organeve të hetuesisë, veç tjerash, shprehet:

“Prej para një kohe të caktuar Azem Marana vendosi lidhje me Kosovën, edhe atë me Hamdi Berishën dhe Gjon Sereçin, ku Gjoni i kishte dhënë detyrë që ai ta organizoj komitetin dhe të jetë kryetar. Anëtari i grupit tonë, Hasan Bilalli, hyri në lidhje me Azem Maranën, me të cilin njihej prej më herët dhe neve na tha se Azemi është i aftë ta udhëheqë komitetin dhe se ai ka vendosur lidhje me organizatën e Kosovës dhe se duhet ta vazhdojmë punën sërish. Pas disa ditëve në shtëpinë time u takuam së bashku me Hasanin, Azemin, Hamdi Berishën dhe Nexhat Kabashin nga f. Breznicë. Në mbledhje dëgjuam Radio Londrën dhe Radio Ankaranë në gjuhën turke dhe, pas lajmeve, Azemi foli për situatën politike. Qëllimi i mbledhjes ishte vetëm njoftimi me Hamdiun, i cili kishte ardhur me Mehmetin dhe neve Mehmeti na foli për situatën në Shqipëri dhe se, ngjashëm sikurse këtu, edhe atje organizohen çeta balliste. Mehmeti në Shqipëri qe dërguar nga ana e pushtetit për të sjellë libra shkollorë në gjuhën shqipe. Këtë mbledhje e kemi mbajtur në muajin mars të këtij viti. Pas dy javëve jemi takuar unë, Azemi dhe Hasani. Mbajtëm mbledhje dhe vendosëm se si të formonim komitet dhe në çfarë përbërje, përkatësisht kush do të jetë kryetar, sepse Hamdi Berisha ende qëndronte në Shkup dhe priste rezultate. Për këtë Azemi e mori si detyrë t’i përgjigjet Hamdi Berishës se nuk ka nevojë që ai ta dijë se cili prej nesh është kryetar dhe se atij thjesht t’i thuhet se nuk kemi kryetar… Në fakt, Azemi udhëhiqte me të gjitha obligimet e komitetit tonë, sepse qe emëruar nga lart (nga Gjon Sereçi – Q. L.) dhe ishte më i shkolluari dhe më i afti se të gjithë ne…”.

Duke mos dashur të zgjerohem rreth kësaj çështje, për mendimin tim fare pa rëndësi, dëshiroj të theksoj një fakt, i cili mbështetet në dokumente të publikuara e të papublikuara deri më tash, se aktiviteti i Qemal Skënderit në harkun kohor qershor 1945 – korrik 1946 k aqenë i bujshëm dhe i gjithanshëm. Dyqani, përkatësisht punëtoria e tij (berberhanja te xhamia Jahja Pasha), qe shndërruar në seli qendrore të organizatës, ku mblidheshin krerët e asaj organizate jo vetëm nga Shkupi, por edhe nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare nën pushtimin jugosllav, siç ishin: Halim Orana, kapiten Hysni Rudi, Gjon Sereçi, Hamdi Berisha, Jonuz Balla, Mehmet Bushi, Mahmut Dumani, Dr. Qeram Zllatku, Osman Cami, Haki ef. Taibi, Sami Shabedini, Hajdar Efendiu e shumë e shumë të tjerë. Për ta parë më për së afërmi se si e përshkruante OZN-a, përkatësisht organet e hetuesisë, jetën dhe veprimtarinë e Qemal Skënderit, në vazhdim po e shpalosim në tërësi dokumentin e pabotuar deri më tash, i cili mban titullin “Karakteristikë e personave të Komitetit Qendror të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare”, i cili në fakt në tërësi i kushtohet jetës dhe veprimtarisë së Qemal Skënderit. Përveç kësaj, e pamë të arsyeshme që në këtë punim ta shpalosim edhe një dokument tjetër, të dalë nga procesi i hetuesisë kundër kësaj figure të madhe të NDSH-së, përkatësisht “dëgjimin plotësues të të akuzuarit Qemal Halim Skënderit”, që organet e hetuesisë e zhvilluan më 24 korrik të vitit 1944.

Dy dokumentet botohen për herë të parë dhe në mënyrë origjinale, pa asnjë ndërhyrje. Madje nuk kam ndërhy as në pjesët e dokumentit të parë, ku siç do të shihet në vazhdim, Qemal Skënderi nga organet e hetuesisë, përkatësisht prokurorisë komuniste-maqedonase, në krye të së cilës qëndronte shovinisti i mirënjohur maqedonas Nikolla Vrazhallski, etiketohet si “bastard”, “fashist”, “kriminel” e lloj-lloj etiketa e shpifje tjera. Më duhet të them se gjatë leximit, përkatësisht përkthimit të dokumentit, seç m’u kujtuan fjalët e famshme të themeluesit të Universitetit të Tetovës, të ndjerit Prof. Dr,. Fadil Sulejmanit, i cili – gjatë fushatës për mbrojtjen e këtij tempulli të arsimit shqip – masës shqiptare i drejtohej: “Nëse nuk e dini se ku qëndron e vërteta, atëherë mbroni atë që nuk ua lejon pushteti maqedonas”. Mendoj se kjo fjali nuk duron asnjë koment.

 

*          *          *

DOKUMENTI I PARË

Karakteristikë e personave nga Komiteti Qendror i organizatës Nacional Demokratike Shqiptare

1.- Qemal Halim Skënderi, berber, i lindur më 12.IV.1922 në Shkup, kombësia – shqiptar, shtetësia – jugosllav, besimi – islam.

 

Jeta dhe veprimtaria gjatë kohës së ish Jugosllavisë

 

Nëse shikohet orientimi dhe jeta politike e këtij bastardi tipik e të rrallë nga pakica nacionale që nga periudha e ish Jugosllavisë, atëherë mund të shihet qartë botëkuptimi i një politikani të shëndoshë, i cili nuk mund të jetë ndryshe, përveçse një fashist i pastër, përkatësisht për të shoqëri ideale ka qenë shoqëria nacional-socialiste dhe vetëm partia nacional-socialiste, sipas botëkuptimeve të tij, mund ti zgjidhte problemet botërore. Në suazat e atij sistemi totalitar, i cili kudo mbillte intriga nacionale dhe i cili kudo e realizonte parimin “Divido Et Impera”, ai në atë shihte të ashtuquajturin shpëtim për pakicën shqiptare në Jugosllavi e të kombit shqiptar, në përgjithësi. Agresionin e imperialistëve gjermano-italianë e përshëndet në mesin e miqve të tij, duke e idealizuar se vetëm Gjermania mund ta realizonte ëndrrën e tij kriminogjene e antipopullore. Fytyra e tij, gjatë sistemit të Jugosllavisë së periudhës së para vitit 1941, sheh vetëm një – se për kombin shqiptar nuk mund të ketë kurrfarë lirie në kuadër të Jugosllavisë, pa marrë parasysh se kush është në krye të aparatit shtetëror.

 Jeta dhe veprimtaria gjatë kohës së pushtimit

 Ardhjen e pushtuesit bullgar në Maqedoni Qemal Skenderi – berberi e sheh si një akt të përkohshëm, që e ka bërë ideali i tij – nacional-socializmi gjerman. Beson gjithnjë e më shumë se do të vijë dita kur ai do të dalë në teatrin shoqëror-politik, përkatësisht se një ditë Gjermania do të jetë e detyruar që pjesën e Maqedonisë, e cila ishte nën Bullgari, tia japë Shqipërisë. Për këtë arsye ai punon pandërprerë, mbështet lidhje përmes linjës së demarkacionit të vendosur nga pushtuesi midis Bullgarisë dhe Shqipërisë. Kapitullimi i fashistëve bullgarë përbën momentin kur fillon veprimtaria e tij delikuente. Atëherë Qemali e lëshon Shkupin, shkon në fshat, grumbullon fshatarë nga rrethi i fshatit Çajlanë – Shkup dhe vjen në Shkup pranë kriminelit të njohur popullor dhe shërbëtorit të Gestapos, Stefan Stefanov, nga i cili kërkon 30 pushkë për të krijuar të ashtuquajtur polici fshati ose, thënë më saktësisht, një çetë të tij, e cila do të shërbente për luftë kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Karakteristike është se në atë moment ai me vetëdije e sheh fundin e imperializmit gjerman në Ballkan. Por, idealet e tij marrin formë krejtësisht të kundërt, duke besuar se nëse grupimet fashiste shqiptare arrijnë ta pastrojnë terrenin nga partizanët e LNÇ-së, atëherë Anglia me siguri se me ta do të krijonte pakt, do ua jepte Kosovën dhe Metohinë dhe pjesën perëndimore të Maqedonisë.

Prandaj, për Qemal Skënderin ka ardhur pikërisht ai moment kur ai duhet të ballafaqohet me LNÇ-në, e cila përbën pengesën e vetme që të mund ta realizojë idealin e tij. Nga atëherë fillon veprimtaria e tij delikuente në formën më të rëndë. Në Gjorçe Petrov takohet me kriminelin e njohur popullor, kapitenin fashist nga zona Tetovë-Gostivar, Arif Arifi. Ata vendosin që hegjemoninë e tyre të egër dhe kriminale ta përcjellin edhe në Shkup. Për këtë arsye ai në Bojali Han dhe në vende të tjera në Shkup mban një sërë mbledhjesh, ku parashikojnë të krijojnë një komitet shqiptar, i cili do ta merrte pushtetin. Hartojnë plan për të kryer sulme ndaj LNÇ-së dhe debatojnë për pengesat, të cilat do t’u paraqiteshin nga ana e masave të vetëdijshme shqiptare. Me sugjerimin e një krimineli popullor, sjellin vendim se për të gjitha ato pengesa të cilat do u paraqiteshin, ekzistonte vetëm njëzgjidhje – revolveri dhe vdekja. Ai kriminel popullor është nga Çamëria./Shiko dëgjimin, deklaratën e tij personale/. Qemal Skënderi pa kurrfarë hamendjeje e pranon atë ide. Përveç kësaj, grupi i Arif Arifit dhe i Qemal Berberit vendosi lidhje të drejtpërdrejta me gjermanët dhe mori një sasi të madhe të armatimit, kështu që të gjitha fshatrat e banuara me shqiptarë nga Mali i Zi i Shkupit e deri në Kaçanik u armatosën edhe atë vetëm për një qëllim – për luftë kundër LNÇ-së. Pas përmbysjes së fashizmit, ata bëjnë rikthesë, që të fshihen qëllimet e tyre nga sytë popullore. Brenda natës grupi i Arif Arifit dhe i Qemal berberit këshillohet që njëri nga komandantët e Arif Arifit të kalojë në radhët e LNÇ-së, që – sipas situatës politike – ata për çdo rast ta kenë në disponim të ashtuquajturën brigadë të Qazim Lushës.

 Jeta dhe veprimtaria antipopullore pas çlirimit

 Qemal berberi dhe grupi i tij, Azem Marana, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli dhe bastardë të tërë të tjerë të popullit shqiptar, mbeturinat e mjerë të hordhive të copëtuara fashiste, përpiqen të ringjallen dhe të mos e shohin grushtin e fuqishëm të LNÇ-së në Jugosllavi. Linja e tyre politike është e tillë, saqë pushteti në Jugosllavi është i karakterit të përkohshëm. Me këtë pushtet nuk dakordohen aleatët, Anglia dhe Amerika, duke shpikur një sërë çështjesh tjera, të cilat mund ti shpikë vetëm e djathta ekstreme dhe mbeturinat fashiste. Duke mos pasur se ku të mbështeten, ata – me politikën e tyre – ndërhyjnë në Brigadën IV Shqiptare. Në fillim të vitit 1945 formojnë komitet dhe me urdhër të atij komiteti paraqitet dezertimi grupor në Brigadën IV Shqiptare. Përveç kësaj, kur edhe këtu pësuan disfatë, përkatësisht kur nuk patën mundësi ta nxjerrin tërë brigadën kundër LNÇ-së, filluan të mbështeten te kriminelët më gjakpirës, të cilët patën ngelë në vende shumë rëndë të depërtueshme. Kështu, ata lidhen me gjakpirësin e njohur dhe bashkëpunëtorin e kryeshefit të njohur pushtues, Asen Bogdanov, Sylë Hotlën, pastaj me Din Hoxhën, Abdulla Durrën, Muharrem Bajraktarin në Shqipëri, Shemsi Hatipin etj. Në këtë mënyrë Qemal Berberi, nga dita në ditë, gjithnjë e më shumë lidhej me persona, qoftë në mënyrë individuale ose grupore që, nga ata, më pas të krijojë brigadë të ngjashmë, që të mund ti shkaktojë në atë mënyrë sulme LNÇ-së. Rrjedhimisht, ai vjen deri te konstatimi se nga këto grupe të shpërndara, nëse asgjë tjetër, së paku të krijohet një formë e përbashkët për luftë. Për këtë arsye e mban të ashtuquajturin kongres III në fshatin Tanishec. Në mesin e personave të pranishëm në atë kongres ishte krimineli i njohur Hysen Tërpeza, bastardi intelektual dhe bashkëpunëtori i pushtuesit Luan Gashi, Din Hoxha e shumë të tjerë. Në atë kongres të tij ai e shqyrton situatën politike dhe vendos që lufta e lëvizjes pa asnjë hamendje të vazhdojë. Gjithashtu vendosin të krijojnë unitet midis prapaskenës dhe të arratisurve. E vendosin formën organizative, komitete nga katër anëtarë: kryetar, sekretar, arkëtar, SIP-i (sigurimi popullor) dhe një anëtar. Ajo është forma bazë organizative, e cila qe vendosur në mënyrë hierarkike, duke filluar nga Komiteti Qendror e deri te komiteti më i thjeshtë fshatar. Periudha e kongresit të tretë është plotësuar me vendosjen organizative, vendosjen e lidhjeve, grumbullimin e ndihmave materiale e të ngjashme. Si rrjedhojë e tërë asaj, çështjen e çojnë deri atje, saqë vendosin lidhje të përhershme midis Kosovës e Metohisë dhe pjesës perëndimore të Maqedonisë.

Mbështetës i veprimtarisë së tyre antipopullore është komiteti në Bari, i përbërë nga emigrantë të strukturave fashiste shqiptare, i cili sipas bindjeve të tyre ndihmohet nga aleatët anglo-amerikanë. Kjo çështje gjithashtu qe shtruar në kongresin e tretë e më vonë.

Gjatë vitit 1945 ata pësojnë dëshpërim dhe grusht të ri. Grupet e arratisura nuk janë në gjendje të qëndrojnë, organizata bën përpjekje, mirëpo pa sukses. Për këtë arsye Hysen Tërpeza, Luan Gashi etj., detyrohen të emigrojnë në Greqi. Në këtë mënyrë, periudha e vitit 1946 para tyre shtron detyra të reja, përkatësisht një riorganizim të tërë veprimtarisë së tyre. Në mbledhje të shumta Qemal Skënderi përfiton anëtar të rinj dhe organizata në Shkup zgjerohet me dhjetëra anëtarë të rinj. Me ta mban mbledhje, u përcakton detyra, i shfrytëzon për korrierë, nga ata kërkon banesa konspirative dhe përmes tyre grumbullon ndihma materiale etj.

Në pranverë të atij viti, së bashku me Azem Maranën, Hasan Bilallin e Halim Oranën, bëjnë përgatitjen për organizimin e një kongresi të ri. Njoftimi me Halim Oranën ndikoi shumë në veprimtarinë e tyre ilegale, pasi Halim Orana gjatë kohës së pushtimit ka qenë konsull shqiptar në Zagreb dhe ai njihej me grupimet reaksionare në Kroaci. Veprimtaria e tyre përforcohet gjatë qëndrimit të tij në Shkup. Kongresi thirret për 25 maj, mirëpo për disa çështje ata e shtyjnë për 1 qershor. Në kongres në mënyrë të rreptë ishte paraparë se cilët delegatë do të merrnin pjesë. Delegatët përfaqësonin organizatat e qarkut. Kështu në atë kongres ishin të pranishëm personalitete nga Komiteti Qendror: Halim Orana – kryetar i organizatës së Tetovës, Jonuz Balla – përfaqësues i organizatës së Dibrës, Osman Cami – delegat i Gjilanit (Haki Taibi), Hysni Rudi etj. Në atë kongres sillet rezolutë e karakterit organizativ dhe politik. Ajo rezolutë është shtypur në një faqe e diç më tepër. Rezolutën duhej ta shpërndanin delegatët e komiteteve qarkore nëpër vendet e veta. Secili komitet i përforcoi lidhjet me Komitetin Qendror, ndërsa korrierët shkonin e vinin. Posta përcillej në mënyrë më konspirative në formë të hajmalisë etj. Lidhjet mbaheshin përmes parullave, të cilat përcaktoheshin midis faktorit nga komiteti i qarkut dhe personit nga Komiteti Qendror. Para çdo komiteti shtrohej çështja e formimit të çetës së armatosur, të ndihmoheshin të arratisurit, të zgjerohej organizata dhe të grumbulloheshin ndihma vullnetare. Gjithashtu përmes rrugës së shërbimit të tyre kundërzbulues përpiqeshin ta zbulojnë se ku ka armatim të fshehur, cilët nga shqiptarët kanë qenë në radhët e formacioneve të armatosura balliste dhe cilët shqiptarë bashkëpunonin me pushtetin. Taktika e tyre ndaj njerëzve mbështetës të FP-së ka qenë që të njëjtit ti demoralizojnë dhe, eventualisht, t’i angazhojnë në organizatën e tyre. Nuk janë të rralla rastet që ata ndonjë aktivisti të papjekur të Frontit ti japin detyra të një karakteri të tillë, që ai të veprojë brenda asaj organizate frontale, rrjedhimisht të njëjtat ti shndërrojnë në mjet për kamuflim të veprimtarisë së tyre ilegale. Krejt kjo është dëshirë dhe direktivë e Qemal Skënderit e të tjerëve. Si shembull i tillë tipike mund të merret veprimtaria e organizatës së Klubit të Futbollit “Luboten”. Sipas direktivave të formuluara bashkërisht nga anëtarët e Komitetit Qendror, organizata ilegale shqiptare i merr vendet udhëheqëse. Në klub mbajnë mbledhje ilegale dhe përvetësojnë të rinj të pavetëdijshëm për organizatën e tyre. Në atë organizatë ata e ashpërsojnë urrejtjen midis popullit shqiptar dhe atij maqedonas. Rasti tipik është kur Xhaviti, anëtar i organizatës, shkon në Gostivar së bashku me futbollistët për ndeshje dhe pasi atje takohet me Nexhati Purden, gjithashtu element antishtetëror, Xhaviti krenohet me atë se si në klubin e tyre ata nuk kanë lejuar të hyjë asnjë maqedonas, ndërsa Nexhati Purde për këtë ia ka lakminë.

Shembulli tjetër tipik ku shfrytëzohen organizatat legale është rasti me rrethin e Gjorçe Petrovit. Një grup i mësuesve në atë rreth, të anëtarësuar në organizatë nën formën e konferencës sindikale, mbajnë mbledhje ilegale në të cilat zgjidhin çështje të shumëllojshme organizative.

Nuk janë raste të rralla që ata të përpiqen të veprojnë me vetëdije edhe përmes ndonjë nëpunësi, si rasti me Avdi Shaqirin, Sherefedin Shabanin, Dr. Qerim Zllatkun etj., të cilëve u jepen detyra speciale.

Natyra e veprimtarisë së tyre nuk është e thjeshtë. Ata veprojnë sipas rrethanave të tanishme dhe në mënyrë elastike e të shkathtë shohin që në çfarëdolloj mënyre të gjejnë ndonjë të cilin do ta anëtarësonin në organizatë. Nëse te ndonjëri prej tyre vërejnë dobësi dhe pavetëdije, ata i shmangen përmes mashtrimeve të shkathëta, kërcënimeve e ngjashëm. Mënyra e betimit dëshmon qartazi se organizata e tyre ka karakter terrorist ndaj atyre anëtarëve të organizatës të cilët nuk pajtohen me direktivat e Komitetit Qendror si dhe ndaj përkrahësve të FP-së.

Qemal Skënderi jo vetëm se mban lidhje me vende më të ndryshme, përmes njerëzve tjerë, por edhe vet ai shkon nëpër mbledhje ku duhet të bëjnë zgjidhjen e planeve të tyre antipopullore. Takohet me banditë të ndryshëm edhe në ato zona ku ata zakonisht u shmangen, pa marrë parasysh se ato zona gjenden në afërsi të Shkupit ose në Kosovë e Metohi. Mik personal është me kriminelin popullor Ajet Gërgurin dhe profesor Gjon Sereçin. Me ta mban lidhje edhe përmes korrierëve.

Është tepër karakteristike dhe i qartë qëndrimi i Qemal Skënderit në periudhën e fundit të veprimtarisë së tij antipopullore. Përderisa në periudhën e parë gjatë vitit 1945 punonte me tërë potencialin e tij fizik e psikik, që formën organizative bazike ta krijojë përmes bashkëveprimtarëve të tij, në periudhën e dytë gjatë vitit 1946 përpjekja e tij shtrihet në vendosjen e sa më shumë lidhjeve në sa më shumë vende, si brenda Jugosllavisë po ashtu edhe jashtë saj. Shembull tipik është njoftimi me Halim Oranën, me të cilin merret vesh që – përmes Triestes – të lidhen me komitetin ilegal shqiptar në Bari.

Përmes organizatës nga Gjorçe Petrovi ,edhe pse me një pasqyrë jo mjaftë të qartë, punon në gjetjen e ndonjë radio-stacioni, që ka ngelë nga koha e pushtimit. Gjithashtu është informuar se grupi ilegal rreth Gjon Sereçit kishte një radio-stacion të prishur nga një aeroplan i rrënuar dhe ai përpiqet të gjejë mekanikë që ato radio-stacione të përmirësohen e t’i shfrytëzojnë për lidhje direktive me Barin. Por, të gjithaato çështje ngelën vetëm si përpjekje.

Ai bën përpjekje të lidhet me lëvizjet antipopullore në Greqi përmes mbeturinave fashiste të emigruar nga këto vise në Greqi.

Ai nuk është aspak indiferent dhe vëmendje të posaçme i kushton bashkëpunimit politik me Shqipërinë. Ai lidhet me elementet e atjeshme antipopullore, mirëpo me iniciativën e tij personale, përpiqet të lidhet edhe me disa personalitete të shquara nga prapaskena. Rasti tipik është kur ai, Dr. Qerim Zllatkut, përfaqësues i komitetit të qarkut në Dibër i jep detyrë, të shkoj në Tiranë – Shqipëri dhe tua sqaroj çështjen e tyre organizative dhe nga ata të kërkojë veprimtari organizative të koordinua. Për këtë arsye ata parashohin që çetat të përqendrohen dhe të çlirojnë një territor të caktuar, ku do të mund të pranonin ndihmë materiale nga grupimet politike aleate reaksionare. Mirëpo, përpjekja e Dr. Zllatkut për ta kaluar kufirin ishte penguar nga pushteti popullor.

Qëndrimi i Qemal Skënderit dhe i mbarë Komitetit Qendror ndaj konsullatave aleate në Shkup është i tillë, që ata prej tyre kërkojnë mbështetje. Një periudhë të gjatë kohore Qemal berberi përpiqet të gjejë njerëz, përmes të cilëve do ta kryente atë çështje. Më në fund, përmes Xhavid rrobaqepësit nga Shkupi, anëtar i organizatës, arrin të takohet me shërbëtorin e konsullit anglez me emrin Zef. Zefi u premton se do u ndihmojë, përkatësisht ka pranuar të vendosë lidhje midis konsullatës dhe organizatës ilegale “Nacional Demokratike Shqiptare”. Pasi nuk kishin mënyrë tjetër, përveç se me shkrim, ata vendosin që konsullit anglez ti shkruajnë një letër. Letra është shkruar nga Jonuz Balla, delegat nga Tetova, në prezencë të Xhevahir Vesel Hoxhës (Shaqirit) dhe anëtarit të Komitetit Qendror, Azem Maranës. Jonuz Balla e ka shkruar letrën në gjuhën frënge. Në letër kërkohet prej konsullatës ndihmë morale e materiale. Pasi është shkruar, letra i është dorëzuar personalisht Qemal Skënderit, ndërsa ai të njëjtën ia jep Suad Mehmedit, zëvendësit të Spiro Theodosit, kryetarit të komitetit të rrethit të Gjorçe Petrovit. Suad Memedi ia dorëzon letrën Jetish Vishit, që ky i fundit tia dorëzojë Zefit. Letra i jepet Zefit dhe më pas merret përgjigjja e letrës. 

Kur iu kërcënua rreziku për këtë veprimtari të rrallë antipopullore se mund të jetë i zbuluar, ai e fillon edhe veprimtarinë e tij ilegale, nga ku tash fillon të jep direktiva për veprimtari dhe ti mbajë rregullisht lidhjet si me fshatrat e Karadakut, ashtu edhe me Kosovën e Metohinë. Anëtarët e organizatës janë rregullisht në kontakt me të, mirëpo përpjekja e tij që ta vazhdojë veprimtarinë ilegalisht është ndërprerë me arrestimin e tij.

Qëndrimi i tij para faktorit hetues është në një formë tejet të shkathtë. Ai e merr mbi vete rolin që kryesisht të mos pranojë asgjë dhe organizatën ta paraqesë si një përpjekje të vobektë dhe të pasuksesshme. Mirëpo, kur u paraqitën fakte të caktuara, ai e ndryshoi taktikën e tij, pranon për veprimtarinë e tij me qëllim dhe me paramendim, që në atë mënyrë ta zvogëlojë përgjegjësinë e vet personale, duke menduar se me një qasje të tillë pushteti do të implementonte masa si ndaj një njerië, i cili është vetëkritik”.

 DOKUMENTI I DYTË

– Dëgjimi plotësues i Qemal Halim Skënderit –

 Pas formimit të komitetit këtu prej para një viti e më shumë, me direktivën e Hysen Tërpezës dhe të Luan Gashit, unë dhe Hasani biseduam për formimin e një organizate rinore, në të cilën do ta tubonim tërë rininë, e në të cilën do të propagandonim për idenë tonë dhe në atë mënyrë do ta masovizonim organizatën tonë. Për atë qëllim ne vendosëm të futemi në Lidhjen e Rinisë Popullore të Maqedonisë dhe nga brenda të punojmë për ne. Në LRPM u futëm për këto arsye:

  1. Për shkak se ajo ishte organizatë legale dhe mund të punonim lirshëm.
  2. Se LRPM do të na shërbente neve vetëm si emër, ndërsa nga brenda gradualisht do ti përvetësonim ata për anëtarë të organizatës sonë.
  3. Ne i dhamë për detyrë vetvetes që nga fillimi që të punonim më tërë fuqinë që LRPM-ja të përforcohet dhe masovizohet dhe ne t’i prijmë aktivitetit, që të mund t’i marrim vendet më kryesore, si kryetarin, sekretarin etj., e pasi ajo të masovizohej e të përforcohej, të fillonim t’i përvetësonim anëtarët për organizatën tonë dhe, në atë mënyrë, në fakt LRPM-në ta shndërronim në organizatë tonën dhe vetëm emrin ta mbante LRPM.
  4. Detyrat kryesore që i parashtruam ishin kryesisht: që LRPM-ja të udhëhiqet nga organizata jonë. Prandaj shikonim që në sipërfaqe t’i nxjerrim njerëzit tanë, për çka qe direktiva, që njerëzit tanë të ishin aktivë, të dalloheshim, që ashtu ti merrnin vendet udhëheqëse. Në këtë mënyrë unë isha nënsekretar, Xhavit Abdulla Selimi ishte nënkryetar, Azem Marana përgjegjës i agjit-propit, Hasan Bilalli, Bajram Bajrami dhe Xhaviti ishin përgjegjës për fizkulturën, pra thuajse i tërë sekretariati qe në duart tona. Tash më mund të fillonim ta përvetësonim masën e anëtarëve të LRPM-së për organizatën tonë. Gjithashtu ne shikonim që njerëzit tanë t’i favorizonim që të zgjidheshin për delegatë nëpër konferenca, kongrese etj. Kur duhej të shkohej në kongresin në Zagreb, ne e zgjodhëm Xhavitin, mirëpo ky propozim shkoi deri te udhëheqja rajonale e LRPM-së, e cila për delegat zgjodhi Qemal Musliun, i cili më pas shkoi për Zagreb, e i cili është kryetar i LRPM-së sonë dhe nga i cili ne kishim shumë droje.
  5. Pas kësaj, unë dhe Hasani vendosëm ta themelojmë klubin e futbollit, të cilit duhej t’i jepnim fuqi, që ai klub të ngrihet që të mund të shkonte të luante edhe nëpër qytete të tjera. Në atë mënyrë një anëtar i organizatës sonë gjithmonë do të udhëtonte me klubin, me detyrë që atje të formonte komitet ose të përcillte direktiva ose nga atje të merrte raporte e kështu me radhë. Përmes klubit, do të mund të punonim shumë më lehtë dhe pa ndonjë rrezik, sikurse kjo mund të ishte përmes korrierëve. Për këtë arsye ne e formuam Klubin e Futbollit “Luboten”. Në udhëheqësi nga organizata jonë ishin: kryetar – Abdulla Presheva, sekretar – Azem Marana, arkëtar – Xhaviti, ndërsa në udhëheqësi ishte edhe Bajrami (Bajram Bajrami –Q.L.) etj. Krejt këtë e bëmë me qëllim që LRPM-ja dhe klubi të na shërbenin si maskë para pushtetit, ku do të mund të punonim lirshëm për organizatën tonë.”

(Nënshkrimi)

Fund