` . Jemeni – mishmashi i një lufte qytetare - TV-SHENJA

Jemeni – mishmashi i një lufte qytetare

Në Jemen, ashtu sikurse në rastin e Libisë e të Sirisë, kemi regjionalizim, madje internacionalizim të luftës civile dhe një situatë të një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve! Luftimet e vazhdueshme, ngjashëm me atë të Libisë dhe Sirisë, janë tregues se një paqe e qëndrueshme në këtë pjesë të turbullt të planetit fatkeqësisht duket se është ende larg!

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

I shtrirë në jug të Gadishullit arabik, Jemeni përbën shtetin i cili gjatë historisë dhe popullsisë arabe zuri vend të rëndësishëm. Në fakt, ai paraqet vendin nga ku burojnë arabët origjinalë, gjegjësisht ata të cilët historia i quan Arab al-‘Aribe! Në antikitet ky vend u njoh me emrin Arabia Felix!

Luftërat dhe fërkimet e herëpashershme të Perandorisë Osmane në Arabinë e jugut janë të ndërlidhura kryesisht me Jemenin, ndërsa këto ngjarje të dhimbshme ishin të përcjella edhe nëpër këngët folklorike shqipe!

Falë pozicionit të jashtëzakonshëm strategjik, futja e një pjese të Jemenit nën protektoratin britanik – Protektorati i Adenit – i shërbeu Britanisë si skelë për aventurat e saja në Indi. Gjatë pjesës më të madhe të shek. XX, Jemeni ishte i ndarë në dy pjesë. Në vitin 1918, pra pas rënies së Perandorisë Osmane, në pjesën veriore u formua Mbretëria Mutevekilite, e cila vazhdoi deri në vitin 1962, për t’ia lëshuar vendin Republikës Arabe të Jemenit. Ndërkaq pas largimit të trupave të fundit britanike nga Jemeni jugor, të cilët kishin qëndruar që nga viti 1839 e gjer në vitin 1967, u formua Republika Popullore e Jemenit, një vend klient i Bashkimit Sovjetik. Të dyja entitetet u unifikuan përfundimisht në vitin 1990, me ç’rast u themelua e tanishmja Republika e Jemenit.

Vitet vijuese u pasuan me luftë qytetare, pasi që elementet tribaliste dolën në pah, gjë që çoi deri te tendencat separatiste të udhëheqësve të ish Jemenit jugor, të cilët në vitin 1994 e shpallën Republikën Demokratike të Jemenit, kjo pikërisht në rajonet lindore e jugore të vendit, por pa njohje ndërkombëtare! Presidenti Ali Abdullah Salih e shpartalloi këtë “shtet” dhe forcat e tij u dislokuan në Aden, pra në bërthamën e separatistëve jugorë dhe praktikisht kjo e shënoi fundin e luftës qytetare të viteve të ‘90-ta në Jemen!

Jemeni në luftë të re

Ndonëse paqëndrueshmëria politike në Jemen ka vazhduar edhe pas viteve të ‘90-ta, trazirat e tanishme datojnë që nga viti 2011, përkatësisht me fillimin e rebelimit shoqëror, që e kaploi rajonin e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut pikërisht me Pranverën Arabe. Në shkrimin paraprak (gusht 2018) e trajtuam ndërkombëtarizimin e luftës civile, me theks të veçantë Libinë, mirëpo mund të thuhet që, për të njëjtat arsye, mosnjohja e autoritetit qendror solli luftën e përgjakshme civile edhe në Jemen!

Lufta në Jemen është aq tragjike, saqë kjo krizë konsiderohet më e keqja në botë gjatë 100 viteve të fundit (BBC): rreth 80% të popullsisë kanë nevojë për ndihmë, kurse rreth 1/3 e popullatës ia janë nënshtruar varfërisë ekstreme!

Si rrjedhojë e protestave popullore të të rinjve jemenas, që kërkonin largimin e presidentit Abdullah Salih, i cili në skenën politike jemenase është prezent që nga vitet e ‘70-ta, grupe dhe qendra të ndryshme rivale e shfrytëzuan momentin dhe kështu e gërryen autoritetin qendror të Sanasë! Përveç kësaj, vakumi i krijuar tanimë shërbeu edhe për milicitë dhe formacionet ushtarake që ishin të lidhura me organizatën terroriste të Al-Kaedës, për të zaptuar rajone të ndryshme të Jemenit! Të shqetësuar nga forcimi i elementit terrorist në Jemen, Arabia Saudite, SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare u përpoqën të ndërmjetësojnë një kompromis ndërmjet qeverisë dhe grupeve opozitare, gjë që rezultoi me largimin e presidenti Abdullah Salih në vitin 2012 dhe ardhjen në fron të zëvendësit të tij, Abdurabuh Mensur Hadi!

Iniciativa e bashkësisë ndërkombëtare dhe vendeve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) synonte që Jemenin ta përfshijë në një proces të rregullt tranzicioni, me qëllim që të shmanget lufta civile! Kështu pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012, në të cilat i vetëm garoi Mensur Hadi, u formua qeveria e unitetit kombëtar. Me mbështetjen e SHBA-së, Arabisë Saudite dhe Kombeve të Bashkuara, presidenti Hadi u përpoq ta reformojë sistemin politik të Jemenit, kurse përgjatë vitit 2013 u thirr Konferenca Kombëtare e Dialogut (ang. National Dialogue Conference – NDC), që kishte për qëllim arritjen e një konsensusi të gjerë kombëtar për një rend të ri politik. (Congressional Research Service).

Konferenca Kombëtare e Dialogut mblodhi mbi 500 delegatë, të cilët vinin nga forca dhe grupe të ndryshme politike me idenë që të hartojnë një kushtetutë të re, e cila do të duhej t’i përfshijë reformat në administratën publike dhe sistemin gjyqësor, masat kundër korrupsionit, të drejtat e minoriteteve, si dhe formimin e strukturës federative me gjashtë regjione. Me fjalë tjera, NDC-ja e ofroi inxhinieringun e ri politik të Jemenit!

Megjithatë, dy formacione të ndryshme politiko-ushtarake, të cilët tanimë janë aktorë të pashmangshëm në terrenin jemenas, ndonëse jo aleatë ndërmjet vete, përkatësisht lëvizja Huthi në veri dhe lëvizja e separatistëve jugorë Al-Hirak Al-Xhunubi, refuzuan ta pranojnë iniciativën dhe guidën politike që garantonte stabilitetin e Jemenit! Kështu Huthijtë, një lëvizje ushtarake e cila nga bota arabe akuzohet për mbështetje dhe financim nga Irani, filloi ta zgjerojë fushën e saj të kontrollit në pjesën veriperëndimore të vendit. Në anën tjetër, NDC-ja nuk u tregua e gatshme t’i përmbushë kërkesat e lëvizjes Al-Hirak, tanimë e njohur si Këshilli Jugor Kalimtar (ang. Southern Transitional Council). Ky grup politik (Hirak), i cili ishte formuar në vitin 2007, gjatë periudhës së qeverisjes së ish presidenti Salih, u ballafaqua me probleme dhe përsëri iu nënshtrua margjinalizimit dhe tëhuajësimit. Me këtë rast, fraksionet kryesore të Hirakut i tërhoqën delegatët e tyre nga procesi i dialogut dhe kështu u ashpërsuan tendencat e tyre separatiste jugore ngjashëm sikurse në vitet e ‘90-ta, ndërsa polarizimet u thelluan edhe më tej në spektrin politik të Jemenit. (Research world TRT center).

Në anën tjetër, ish presidenti Ali Abdullah Salih, po ashtu refuzoi ta njohë procesin kalimtar dhe humbjen e tij të pushtetit, andaj i përdori lidhjet e tij të brendshme brenda strukturave shtetërore për ta sabotuar procesin kalimtar të presidentin Hadi dhe kështu mbështetësit e tij i ngritën armët kundër udhëheqësisë së re të Jemenit. Çuditërisht, lëvizja ushtarake Huthi, e cila dikur ishte luftuar nga ish presidenti Salih, krijoi aleancë me forcat besnike të tij, për ta luftuar armikun e përbashkët, pra presidentin Mensur Hadi! Megjithatë, dyshohet se vrasja e tij erdhi pikërisht nga lëvizja Huthi, pasi që Abdullah Salih e ndërpreu bashkëpunimin me ta (Al Jazeera, 2017).

Fakti që lëvizja Huthi në vazhdimësi avanconte drejt territoreve perëndimore të Jemenit, në shtator të vitit 2014 okupoi kryeqytetin Sa’na dhe e detyroi presidentin Mensur Hadi të japë dorëheqje, kjo me kërkesë të këtij të fundit, Arabia Saudite u vë në lëvizje dhe kështu në vitin 2015 filloi ndërhyrjen ushtarake në Jemen – e cila vazhdon edhe kësaj dite – kundër forcave të agresorit Huthi, me qëllim që t’i zmbrapsë ata dhe ta mbrojë legjitimitetin e presidentit Hadi!

Emiratet e Bashkuara Arabe janë po ashtu një tjetër aktor, roli i të cilit gjithnjë ka qenë i rëndësishëm ne luftën civile të Jemenit. Emiratet Arabe, edhe pse janë një partner i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, që e mbështet presidentin Hadi, ato kanë interesa inkompatibile me sauditët në jug të vendit! Forcat separatiste të Këshillit Jugor Kalimtar, të cilët mbështeten nga Emiratet Arabe dhe që janë të përqendruara në qytetin jugor strategjik të Adenit (në Aden është e vendosur edhe qeveria legjitime e Mensur Hadit) bëjnë përpjekje për t’u pavarësuar dhe kësisoj për ta minuar qeverinë. Kjo, pra, përbën divergjencë të dukshme ndërmjet Emirateve Arabe dhe Arabisë Saudite kur janë në pyetje zhvillimet luftarake në terren. Nuk duhet harruar që fushata ushtarake e Arabisë Saudite më tepër është e fokusuar në veriun e Jemenit, shkaku i shqetësimeve të drejtpërdrejta të sigurisë së saj nacionale (lexo: kërcënimet nga lëvizja Huthi).

Forcat e separatistëve jugorë e kundërshtojnë, madje e luftojnë edhe prezencën e partisë Al-Islah – parti islamiste e Jemenit – në kuadër të qeverisë Hadi, të cilën paradoksalisht e akuzojnë si mbështetëse të huthijve!?

Në Jemen, ashtu sikurse në rastin e Libisë e të Sirisë, kemi regjionalizim, madje internacionalizim të luftës civile dhe një situatë të një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve! Luftimet e vazhdueshme, ngjashëm me atë të Libisë dhe Sirisë, janë tregues se një paqe e qëndrueshme në këtë pjesë të turbullt të planetit fatkeqësisht duket se është ende larg! Zhvillimet politike e ushtarake në Lindjen e Mesme tanimë janë shndërruar në një terren të lëvrueshëm të disiplinës dhe diskursit akademik të marrëdhënieve ndërkombëtare, studimeve gjeopolitike e teorive të paqes e të konfliktit.