` . Janicalët – TV-SHENJA

Janicalët

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Letra dërguar të nipit, Jani Calit, e shkruar më 7 prill 1846 në Bukuresht, është e dhëna e fundit që kemi për Naum Veqilharxhin. Nga përmbajtja dhe toni duket sikur është shkruar jo vetëm për djalin e motrës, të cilit i adresohet, por edhe për pasardhësit e ideve të autorit. Ndoshta prandaj është ruajtur pikërisht kjo letër e nuk ka humbur, sikurse mendohet se ka ndodhur me shumicën e shkrimeve të Veqilharxhit. Është ruajtur si të ishte letër publike, si testament i kohës i një njeriu që nuk ka gjë më të vyer për të lënë pas vetes sesa idetë për të cilat punoi e u përpoq gjatë jetës së tij. Letrën mund ta konsiderojmë si testamentin e një njeriu që e pranoi vetminë dhe moskuptimin e të gjallëve, sepse kishte besimin se e ardhmja do t’i takonte pasardhësve ideorë. Veqilharxhi e priste mirënjohjen prej brezave pasardhëse të shqiptarëve dhe ata ia dhanë dhe po ia japin, shumica dërrmuese pa e ditur se po e bëjnë këtë gjë. Sa herë që shkruajmë shqip, secili nga ne u drejtohet shqiptarëve të tjerë, të tanishëm dhe atyre që do të vijnë, duke e mbajtur në jetë testamentin e atyre shqiptarëve që u përpoqën për gjuhën e kombin. Edhe nëse shkruhet shqip për të shprehur mosbesim a pezmatim ndaj kombit ose për të pohuar ide si ato të Jani Calit, pa e kuptuar, i jepet të drejtë argumentit që Veqilharxhi në letrën e vet e shkroi në gjuhën greke!

Nuk dimë ndonjë gjë për jetën e Jani Calit “të matur”, i cili i kërkonte të ungjit të dëgjonte zërin e arsyes e të mos merrej me punë të kota. Gjurma e vetme që ka lënë ai në histori ndodhet në letrën e Veqilharxhit, “ekscentrikut” që qortohej pse ishte i dhënë pas idesë së ekzistencës së kombit shqiptar. Jani Cali nuk mund ta konceptonte se si mund të lidheshin në një ndërgjegje ata që ishin të ndarë prej shekujsh në tri fe: “myslimanë fanatikë”, “ortodoksë supersticiozë” e “papistë”? Si mund të pretendonte ungji i tij t’i jepte formë diçkaje që s’ka formë? “Mallkoj atë orë, xhaxhai [daja] im i nderuar, kur u dhatë pas një ideje të tillë himerike”, citohet të ketë shkuar nipi. Idealistët përballen gjithnjë me moskuptimin e rrethit familjar, që u kërkon të heqin dorë nga e parealizueshmja. Mirëpo, nuk është vetëm ky problemi, sepse, me sa duket, nipi mendon se ungji i ka hyrë një rruge që i sjell dëme, armiq dhe rreziqe. Jani Cali këshillon: “Megliotardichemai. Ç’u bë u bë, mori fund, po dhe në t’ardhmen hiqni dorë nga planet që nuk mund të realizohen, duke përbuzur lajkat e të huajve, besoni në fjalët e nipit tuaj, i cili ka informata…”. Nuk merret vesh se çfarë informatash kishte Jani Cali, a ishte fjala për dituri më të gjera e më të sakta se sa ato të të ungjit në lëmi të caktuara apo për informacion nga njerëz të tjerë, që i kanë folur keq për të ungjin dhe që e kanë shtyrë t’i shkruajë për ta paralajmëruar. Të dyja domethëniet janë të mundura po të ndjekim përgjigjen e Veqilharxhit.

Naumit nuk i bëjnë përshtypje rreziqet ose dëmet që mund të pësojë prej rrugës që ka zgjedhur. Mund ta humbasë jetën, por a nuk janë të gjithë njerëzit, herët a vonë, pre e vdekjes, qoftë prej pleqërisë a sëmundjes ose nga kama a helmi i armiqve? Mund të humbasë pasurinë, por cili e ka të sigurt pasurinë e fatin e tij? Prej dëmtimit moral nuk ka përse të druhet, për sa kohë që me shpikjen e shkronjave për shkrimin e gjuhës amtare u ka sjellë veç dobi shqiptarëve. Veqilharxhi e kupton saktë se këto shqetësime të nipit nuk janë thelbi i çështjes. Shqetësimi i vërtetë i Jani Calit dhe i të tjerëve është ekzistenca e kombit shqiptar. Kësaj çështjeje me të drejtëa Veqiharxhi i kushton pjesën më të madhe të letrës. Le ta ndjekim linjën e argumentimit të tij. Veqilharxhi shkruan se njerëzit janë të krijuar me gjuhë dhe arsye. Gjuha është infrastruktura mbi të cilën ndërtohen shoqëritë dhe qytetërimi. Primitiviteti është gjendja e shkaktuar nga rrethi i kufizuar i komunikimit gojor dhe nga padituria endemike e mosdepozitimit të përvojës së çdo brezi njerëzor. Shkrimi i gjuhës dhe arsimi bëjnë të mundur përparimin e kombeve. Mos-shkrimi sistematik i shqipes, mungesa e teksteve shqip nuk është provë e mos-ekzistencës së kombit shqiptar, por e gjendjes së tij të pazhvilluar. Në gjendje edhe më të vështirë kanë qenë edhe popuj të tjerë përpara se të kultivoheshin me anë shkrimit. Prandaj, Veqilharxhi arriti në përfundimin se nevojitej shpikja e një alfabeti të posaçëm për shqipen. Puna e tij ishte vetëm fillimi, sepse duhej vijuar me reformimin moral dhe zhvillimin material të shqiptarëve. Udhëheqës të tjerë kanë formuar apo riformuar kombe, “kurse unë” – i thotë Veqilharxhi Jani Calit, – “përpiqem vetëm të bëjë të shkruhet gjuha e Kombit, jo siç e përshkruan ti, keq”. Gjendja e mjeruar e shqiptarëve të kohës nuk e dëshpëronte atë. Mjaftonte që ata po nisnin rrugëtimin e emancipimit dhe të zhvillimit: “Kurrë kombet nuk kanë filluar menjëherë… Cili komb mbiu menjëherë i madh, i fortë, i ditur, i lavdishëm?… Pra ‘Megliotardichemai’ kështu zbatohet dhe shpjegohet”.

Meqenëse Jani Cali mburr para të ungjit dijen e shkollimin e vet, duke bërë të paditurin për ekzistencën e kombit shqiptar,Veqilharxhi i tregon se sa të pamjaftueshme i ka ai “informatat” për këtë çështje, duke i rreshtuar emrat e disa studiuesve evropianë (midis tyre edhe arbëreshë) që flasin për gjuhën dhe kombin shqiptar. Padituria e nipit për kombin shqiptar, shkruan Veqilharxhi, e ka burimin, jo thjesht te mosvullneti për të mësuar mbi këtë çështje, por edhe te arsimimi në shkollat greke: “Ti të gjitha studimet e tua i bëre në shkollat greke, të cilat janë organizuar për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar”. Patjetër që nevojiten shkollat shqipe për të mësuar mbi Shqipërinë e shqiptarët, por edhe kjo është e mangët nëse dijet e përftuara nuk përshkohen nga përfytyrimi kombëtar e atdhedashuria. Nëse përfytyrimi kombëtar dhe atdhedashuria janë të zhvilluara te njeriu, ky edhe kur nxë në shkolla të huaja e në një mjedis të huaj, arrin që ta orientojë dijen në drejtimin e problematikës së kombit e të shoqërisë së vet. Veqilharxhi vëren se arsimimi në greqisht nuk e ka ndihmuar aspak Jani Calin të ngrejë analogji për kombin shqiptar, sepse nuk i është ngacmuar fantazia në këtë drejtim: “…si nuk e kape idenë nga krahasimi i të gjitha kombeve të tjera… të gjitha këto patjetër duhet të ta kishin prekur fantazinë tënde, të kishin vënë në lëvizje kërshërinë tënde, kjo do të kishte qenë e mjaftë që të arrije në zbulimin e një thesari të madh kombëtar”. Letërkëmbimi ndodhë midis dy familjarëve të larguar nga toka e të parëve. Letra e Naumit dërgohet nga Bukureshti, ndërsa Jani Cali e merr atë në Vjenë. Të dy identifikohen me vende të ndryshme nga ai i cili jetojnë. Te Naum Veqilharxhi kujtimet nga atdheu dhe gjuha amtare janë burimi i parë i identitetit. Te Jani Cali, ndoshta i lindur në vend të huaj, shkollimi në greqisht dhe kisha greke kanë krijuar një nyje (komb) më të fuqishme.

Jani Cali ishte grekoman, prandaj skandalizohej nga përpjekja e të ungjit për shkrimin e shqipes dhe për propagandimin e kombit shqiptar. I ungji e vinte në dyshim konvertimin e tij, me qëllimin për t’u tjetërsuar e për t’u dukur më grekë se sa vetë grekët. Ndoshta idetë e Naum Veqilharxhin e dëmtonin pozitën shoqërore të Jani Calit në mesin e grekëve të kulturuar të kohës, sepse është e qartë që ai ndjehej i turpëruar e i rrezikuar nga vepra e të ungjit. Naum Veqilharxhi e dinte brengën e të nipit, atë e kishte lënduar shumë letra e tij dhe kjo e kishte shtyrë që në fund t’i japë një përgjigje të drejtpërdrejtë: “Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet, d.m.th. prindërit e tij, farefisin e tij, miqtë e tij, bashkëkombësit e tij, vetë vatrën e tij atërore, varret e stërgjyshërve të tij, gjërat e shenjta të vetë familjes së tij dhe të shkojë për t’i kërkuar këto të gjitha gjetkë, ku kurrë nuk do të ketë mundësi për t’i gjetur, duke vuajtur gjatë jetës: Pra atë që këshillon gjëra të tilla, nuk e di në ç’kategori ta vendos”. Duke u ndarë nga i nipi dhe nga familjarë të tjerë të greqizuar, Veqilharxhi i qëndronte besnik asaj që ai mendonte se ishte rendi i natyrshëm i gjërave dhe i shoqërisë njerëzore. Mohimi i kombit ishte për të baraz me mohimin e vetes.

Sot nuk para gjenden persona që, si Jani Cali, e vënë në dyshim ekzistencën e kombit shqiptar. Që nga koha e Veqilharxhit regjistrohen pothuaj dy shekuj përpjekjesh të pareshtura kombëtare, të cilat, me gjithë humbjet e pësuara, e kanë provuar qëndresën e shqiptarëve të motivuar nga ideja e pavarësisë dhe e bashkimit. Janicalët e sotëm ndjekin një strategji më të hollë: duke mos i rënë ndesh idesë së kombit shqiptar, përpiqen ta zhvlerësojnë atë. Ata nuk thonë se shqiptarët nuk kanë histori, por se historia i ka dënuar pareshtur shqiptarët që të mbesin një popull i vogël dhe i pafuqishëm. Janicalët nuk thonë më që shqiptarët nuk ekzistojnë, por thonë që shqiptarët nuk kanë detyrë tjetër, veçse të mbijetojnë, duke iu përshtatur sa më mirë kohës. Dhe, shtojnë se “ka ikur koha e kombit”, sepse “është koha e globalizimit”, prandaj “shqiptarët kërkojnë integrimin evropian dhe jo bashkimin kombëtar”. Sot “kufijtë nuk kanë rëndësi”, prandaj “të mos merremi me çështje të mëdha, por me çështjet e vogla e të përditshme të njerëzve” etj. Këto parulla kanë qarkulluar që me rënien e komunizmit dhe me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë e janë shpeshtuar sidomos pas pavarësisë së Kosovës. Lufta e UÇK-së, qëndresa ndaj UNMIK-ut, formimi i Republikës së Kosovës dhe qëndresa ndaj bisedimeve të paparimta dhe të rrezikshme politike midis Beogradit dhe Prishtinës, natyrshëm janë konsideruar si procese të ndërlidhura, si një vijueshmëri e nacionalizmit shqiptar në Kosovë e në trojet e tjera shqiptare, aspirata e të cilit është po ajo që është shpallur në Lidhjen e Prizrenit: vetëvendosja e kombit shqiptar. Prandaj, ruajtësit e statuskuosë kanë bërë përpjekje të mëdha pikërisht për ta thyer këtë vijueshmëri, për ta parcelizuar çështjen shqiptare sipas kufijve të shteteve. Duke mos arritur ta shmangin dot Republikën e Kosovës, shqiptarëve të atyshëm ua kanë imponuar veçimin e republikës prej historisë së formimit të saj. Shqiptarëve të ish-Jugosllavisë u thuhet që ato grada lirie të fituara nuk mund t’i jetojnë si “shqiptarë”, por si “kosovarë”, “maqedonas”, “malazezë”, “boshnjakë” ose si “qytetarë multikulturorë”.

Janicalët e sotëm gjenden në mesin e politikanëve, por sidomos te gazetarët dhe opinionistët e mediave shqiptare. Ata përhapin mosbesim në aftësitë e kombit shqiptar për të ndryshuar gjendjen e tij. Janicalët kanë të zhvilluar këndvështrimin nga jashtë të çështjeve shqiptare. Si na shikon “bota” dhe çfarë thotë “bota” për ne ka rëndësi për ta, jo se si ta vështrojmë“botën” prej pozitës sonë në të. Janicalët na thonë se fatin tonë e kanë në dorë të tjerë, prandaj problemet e “botës” kanë përparësi dhe se ne duhet të inkuadrohemi në to, sipas përmasave që na i caktojnë “të mëdhenjtë”. Dikur problemi i shqiptarëve ishte ndërtimi i socializmit dhe avancimi i revolucionit botëror, ndërsa sot çështjet themelore janë “integrimi evropian” e “stabiliteti rajonal”. Ata flasin për integrime evropiane duke mos përmendur që shqiptarët janë kombi më i ndarë në Evropë. “Do të takohemi në Bruksel” është premtimi i tyre. Thua se shqiptarët jetojnë në anë të kundërta të kontinentit. Përfytyrimi i tyre i kolektivit evropian është ai i sallave të konferencave, ku të pranishmit flasin anglisht, duke mos dalluar se bashkimi i Evropës është ndërtuar mbi supet e shteteve kombëtare dhe në rast se pesha e tij do t’i rëndojë më shumë seç mund të mbajnë, shtetet do ta lehtësojnë ose do ta hedhin tutje. Ata flasin për Evropën pa kufij dhe e anashkalojnë faktin se Bashkimi Evropian funksionon sipas kufijve të shteteve. Janicalët edhe Ballkanin e shohin së jashtmi: ata shqetësohen për ruajtjen e stabilitetit rajonal, paçka se ai paguhet me pastabilizimin e përhershëm të kombit shqiptar.

Janicalët janë përhapës së psikozës se është në interesin e shqiptarëve që të mbeten të ndarë në disa shtete. Po ta pranojmë këtë del se ideja e kombit nuk na hyn më në punë dhe se është në interesin e shqiptarëve që të mos jenë shqiptarë. Në këtë mënyrë shqipfolësit integrohen më lehtë te kombet e tjerë, si individë, si refugjatë, ashtu siç u bë Jani Cali grekoman. Ashtu siç ka ndodhur në shekuj me shqiptarët, që janë ofruar si lëndë njerëzore për të ringjallur kombet e tjerë të Evropës. Janicalët e sotëm kërkojnë viza për vizita low-cost në Perëndim, pa bagazhe, veç si trupa pa histori e me identitet të çalë. Ata nuk duan territor, sepse territori i mban të lidhur me tokën e stërgjyshërve, të larë me djersë dhe gjak. I mban të lidhur me konceptet e përgjegjësisë dhe të detyrës. Do të ishte shumë e bukur për ta mospasja e asnjë detyre dhe jetesa e lehtë, nën emrin e dikujt tjetër.

Janicalët janë qëllimisht gënjeshtarë. Ata flasin për kotësinë e përpjekjes kombëtare duke qenë agjentë të kombeve. Në garën me njëri-tjetrin për para e pushtet ata nuk ngurrojnë të shpallin hapur se janë të lidhur me “amerikanin”, “gjermanin”, “francezin”, “turkun”, “italianin”, “grekun”, “serbin” etj. Pushteti i tyre është ai i sejmenit dhe, madje, demokracinë në vendin e tyre e kuptojnë si teknikë për të vendosur se interesat e cilit shtet të huaj do të marrin përparësi, se kujt do t’i shiten pasuritë e vendit, në mënyrë që atyre vetë t’u jepen thërrimet për shërbimin. Janicalët po na e shërbejnë skandalin si normalitet, përditë në ekrane e faqe shtypi e podiume. Imperativi i tyre: harrojeni kombin!