` . Janeva: Ja pse i shkarkova dy prokurorët - TV-SHENJA

Janeva: Ja pse i shkarkova dy prokurorët

Katica Janeva ka shkarkuar dy prokurore nga ekipi i sajë me arsyetimin se janë tepricë. Këtë e kumtoi Këshilli i Prokurorëve Publik pas mbledhjes së thirrur për analizimin e pranim-dorëzimit të  “bombave”.

“Me gjasë ju të gjithë tani do të Habiteni…Prokurorja publike Katica Janeva ka larguar dy prokuror nga ekipi pa procedurë, vetëm ju ka thënë se më nuk jeni pjesë e ekipit”, deklaroi Petar Anevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publik

Të larguar nga specialja janë Lejla Kadriu dhe Marija Gjorgjevska.  Kreu i Këshillit Anevski ironizoi me vendimin e Janeves që sipas tij, në fillim insistonte në votimin e të gjithë prokurorëve që i ka propozuar, ndërsa tani vlerëson se ka prokurorë tepricë.

 “Ata erdhën pastaj tek unë në zyrë të shqetësuara për tu ankuar për përjashtimin. Dje na erdhi përgjigje me shkrim nga prokuroria speciale se ata vetë kanë dashur të largohen, dhe për shkak të rënies së volumit të punës, Janeva ka vendosur që ti largojë ato. Kjo gjë nuk mban ujë, dhe nuk është në rregull”, shtoi Petar Anevski

Ndërkohë e pyetur nga televizioni Shenja për këto vendime të Këshillit, prokurorja speciale Katica Janeva, tha se zyrtarisht ende nuk është thirrur nga Këshilli për të dhënë llogari.  Por konfirmoi shkarkimin e dy prokuroreve me arsyetim se për momentin nuk ka nevojë për më tepër prokurorë.

 “Kemi konstatuar se për tu ballafaquar me volumin momental të punës na mjaftojnë dhjetë prokuror. Duke marrë parasysh se prokuroritë publike prej ku vijnë prokuroret në fjalë kanë mungesë kuadrosh,është propozuar që ato të rikthehen në prokuroritë  prej ku janë zgjedhur. Ndërkohë, ende nuk kemi njoftim zyrtar për vendimet e Këshillit të Prokurorëve Publik”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Televizionin Shenja.

Këshilli i Prokurorëve njoftoi se tashmë ka formuar një komision për shqyrtimin e shkarkimit të prokurorëve. Në pyetjen e gazetarëve për mungesën e Janevës në mbledhje, kreu i Këshillit të Prokurorëve PetarAnevski tha se ajo do duhej të jetë prezente në mbledhjen e ardhshme kur do të japër llogari edhe pranim-dorëzimin e “bombave”, nëse ka respektuar procedurat ligjore për të mbajtur procesverbal për gjithçka që ka pranuar nga partia opozitare në formë të materialit që buron nga bisedat e përgjuara. Anevski nuk ishte i disponueshëm për tu përgjigjur në më shumë se tre pyetje të gazetarëve që ishin në një numër të lartë, edhe pse kishte interes për të ditur nëse ky këshill ka dyshime edhe për shkelje të tjera procedurale, ligjore, gjatë punës së Speciales.

Ferikan Iljazi /SHENJA/


Këshilli i Prokurorëve kërkon llogari nga Janeva by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme