` . Ja si mund të fitoni shtetësinë e Shqipërisë, flet zv/ministrja shqiptare - TV-SHENJA

Ja si mund të fitoni shtetësinë e Shqipërisë, flet zv/ministrja shqiptare

Zv. ministrja e Brendshme e Shqipërisë, Rovena Voda, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, theksoi sot se projektligji “Për Shtetësinë”, do t’i jap mundësi shtetasve të huaj, që faktojnë se në tre breza kanë lidhje me një familjar me shtetësi shqiptare dhe të marrin me pasaportë shqiptare.

Zv/Ministrja Voda sqaroi dhe tre risi që ofron ligji, si lidhjen me territorin, lidhjen e gjakut dhe heqja e nënshtetësisë për shkaqe që lidhen me pjesëmarrjen në organizata terroriste.

Në intervistën për ATSH, zëvendësministrja sqaroi se pasaportë shqiptare do të ketë edhe për investitorët që kanë interes kombëtar, në rastet kur Republika e Shqipërisë ka një interes ekonomik, shkencor, kulturor dhe sportiv, si dhe kombëtar.

“Ligji “Për Shtetësinë” nisi si ide për të ndryshuar ligjin ekzistues, por duke parë problematikat që lidhen me këtë çështje, ne menduam që të krijonim një ligj të ri, që i përket legjislacionit të brendshëm të vendit. Ka disi risi në fakt, ku përshembull ne kemi futur konceptin e origjinës, si një nga mënyrat e përfitimit të shtetësisë”, tha Voda.

“Te koncepti origjinë, kemi futur lidhjen e gjakut deri në tre breza. Pra, të gjithë ata të huaj që jetojnë jashtë, por që arrijnë të provojnë se kanë një lidhje deri në shkallë të tretë me një person me shtetësi shqiptare, do të mund ta përfitojnë nënshtetësinë shqiptare. Pra, lidhjen deri në shkallë të tretë e kemi bërë duke patur parasysh origjinën dhe jo etninë”.

“Ky është koncepti i ri i lidhjes së gjakut, ndërsa kemi futur dhe një koncept tjetër, që i takon lidhjes me territorin. Sipas këtij koncepti, fëmijët e gjetur në territorin e Shqipërisë, por me prindër që nuk njihen apo që nuk kanë shtetësi shqiptare, do përfitojnë shtetësinë shqiptare. Ky është modeli amerikanë për të luftuar pa shtetësinë edhe pse ky model është marrë pjesërisht duke ju adaptuar situatës në vendin tonë”, tha Voda.

“Kemi raste që prindër shqiptarë kanë lindur fëmijë jashtë vendit dhe kanë hasur vështirësi në regjistrimin e fëmijëve të tyre. Ne dimë raste të shumta sakrifice, të prindërve që jetojnë në Greqi apo vende të tjera dhe që hasin vështirësi në regjistrimin e fëmijëve të tyre. Prandaj, ne kemi mundësuar që çdo fëmijë i lindur nga prindër shqiptar do mund të marrë shtetësinë shqiptare. Kjo e drejtë nuk i hiqet edhe pas moshës 18 vjeç”, bëri të ditur ajo.

“Ka një procedurë lehtësuese në ligj. Kemi lehtësira edhe në rastet kur shtetas shqiptarë duan të rifitojnë shtetësinë shqiptare dhe po ashtu garantohet shtetësia shqiptare edhe kur ke shtetësi të tjera, pra ligji garanton dhe dy shtetësinë”, sqaroi zv.ministrja.

“Një e veçantë tjetër në interes të sigurisë kombëtare është dhe ajo e lidhjes me organizatat terroriste. Ne kemi futur edhe rastin kur shtetasi heq dorë vullnetarisht, por edhe kur i hiqet edhe pa kërkesë. Këto raste janë kur vërtetohet kur personi është pjesë e grupeve kriminale ose terroriste. Në këtë rast kjo bëhet me kërkesë të Ministrit të Brendshëm”, tha Voda.

Po ashtu, theksoi zv/ministrja të huaj të martuar me shtetas shqiptarë, që provon se ky shtetas ka ndenjur më shumë se një vit në territorin shqiptarë edhe ky shtetas merr pasaportën shqiptare.

Voda bëri të ditur se “në kuadër të procesit të hartimit të këtij projekt-ligji, është analizuar kuadri ligjor ndërkombëtar i ratifikuar nga Republika e Shqipërisë dhe kuadri ligjor në fuqi, si dhe ai i miratuar që nga data e hyrjes në fuqi e ligjit nr. 8389/1998. Gjithashtu, u analizuan problematikat e ndeshura në praktikë, gjatë zbatimit të këtij projektligji dhe pas vlerësimit të ndryshimeve që duhet të bëheshin në ligjin nr.8389/1998, u arrit në konkluzionin që duhet të hartohet një projektligj i ri “Për shtetësinë””.

“Në hartimin e këtij projektligji, Grupi Ndërinstitucional i Punës ka studiuar legjislacionin ndërkombëtar, legjislacionin e disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe legjislacionin kombëtar të miratuar, që nga hyrja në fuqi e ligjit nr.8389/1998, objekt shfuqizimi”, tha Voda.

“Projektligji i propozuar ka zgjeruar mënyrat e fitimit të shtetësisë, duke parashikuar edhe fitimin e shtetësisë me origjinë, duke i dhënë mundësinë dhe asaj pjese të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, si pjesës që ka emigruar në mënyrë të hershme, por dhe pjesës që ka emigruar pas ndryshimeve që ndodhën në vendin tonë, pas viteve ‘90, dhe që dëshirojnë të kenë një lidhje të qëndrueshme juridike me shtetin shqiptar, por që njëkohësisht kanë mbajtur dhe ruajtur lidhje gjuhësore, kulturore dhe të traditës me Shqipërinë”, vijon Voda.

“Projektligji ka përcaktuar kritere më të qarta, për fitimin e shtetësisë shqiptare, të cilat ndryshojnë në varësi të mënyrës së fitimit dhe të kategorisë së të huajve, duke përcaktuar kritere të ndryshme, përshembull për refugjatët apo personat në mbrojtje plotësuese. Në rastin e rifitimit të shtetësisë shqiptare janë përcaktuar kritere më të lehtësuara, duke qenë se personi ka qenë shtetas shqiptar, dhe ndaj tij nuk mund të aplikohen kritere të njëjta me shtetasit e huaj, por gjithsesi duke respektuar parimin e mos diskriminimit”, shton ajo.

“Projektligji parashikon dhe rregullon fitimin e shtetësisë me natyralizim, si rast të veçantë, në rastet kur Republika e Shqipërisë ka një interes ekonomik, shkencor, kulturor dhe sportiv, si dhe kombëtar, duke autorizuar rregullimin me akt nënligjor, pasi një gjë e tillë ka munguar, duke bërë që të mos ndiqet një procedurë e përcaktuar dhe e unifikuar për të gjitha rastet, në institucionet përgjegjëse”, vijon Voda.

“Janë parashikuar kushtet për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare dhe në veçanti për fëmijën, ku përmendim se është rregulluar rasti i heqjes dorë për fëmijën me prindër të divorcuar. Në këtë rast, kërkesa për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare, bëhet nga prindi, të cilit i është lënë përgjegjësia prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, duke zgjidhur problematikën e lidhur më pëlqimin e prindit tjetër, kur ai nuk gjendet, apo “refuzon” dhënien e pëlqimit”, tha Voda.

“Projektligji parashikon procedurat për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare, duke përcaktuar qartë institucionet përgjegjëse, ku paraqitet dhe shqyrtohet kërkesa. Janë rishikuar dhe ndryshuar afatet procedurale për shqyrtimin e kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues, pas analizës së bërë për shmangien e problematikave të shkaktuara në drejtim të vonesave, apo kapërcimit të afateve për shkaqe objektive, të lidhura në veçanti me verifikimet që bëhen për përmbushjen e kushteve ligjore pranë institucioneve përkatëse”, theksoi Voda.

“Është parashikuar heqja e shtetësisë shqiptare në rastet kur shtetasi shqiptar që e ka fituar shtetësinë me natyralizim përkrah, kryen veprimtari apo është anëtar i organizatave, aktiviteti i të cilave synon cenimin e sigurisë kombëtare dhe të rendit kushtetues së Republikës së Shqipërisë. Humbja e shtetësisë shqiptare në këtë rast, zbatohet vetëm për shtetasit që e kanë fituar shtetësinë shqiptare me natyralizim dhe nëse personi nuk rrezikon të mbetet pa shtetësi, duke respektuar njëkohësisht detyrimet që ka vendi ynë në kuadër të aderimit në konventat e shtetësisë dhe të reduktimit të pashtetësisë”, tha ajo.

“Shtetësia shqiptare hiqet me dekret të Presidentit të Republikës, vetëm pas kryerjes së procedurave të verifikimit nga institucionet përgjegjëse ligj zbatuese. Vetë shtetësia është marrëdhënie të drejtash dhe detyrimesh. Pra, nëse një person që ka fituar shtetësinë in fidem, nuk përmbush detyrimet mund të humbasë shtetësinë, por gjithmonë duke respektuar parimet kushtetuese dhe detyrimet ndërkombëtare”.

“Për të zgjidhur çështjen e pashtetësisë, në projektligj por dhe për të lehtësuar kriteret për rifitimin e saj, është vlerësuar e nevojshme përcaktimi i një afati, për shtetasit shqiptar që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare për shkak të premtimit për fitimin e një shtetësie tjetër. Nëse ata nuk e fitojnë shtetësinë e premtuar, duhet të paraqesin kërkesë për rifitimin e shtetësisë shqiptare brenda një afati të arsyeshëm, por jo më shumë se dy vjet nga heqja dorë, me përjashtim të rasteve, kur shtetasi nuk ka mundur të respektojë këtë afat, për shkaqe objektive. Në këtë rast, kushtet që duhet të plotësojë personi janë më të favorshme, krahasuar më shtetasit e huaj”, tha Voda më tej.

“Gjithashtu, për të zgjidhur çështjen e pashtetësisë, është parashikuar si dispozitë kalimtare dhe e drejta për të rifituar shtetësinë shqiptare, mbi bazën e kërkesës së personave që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare para hyrjes në fuqi të këtij projektligji dhe nuk kanë fituar shtetësinë e premtuar. Me qëllim që për këtë kategori të mos zbatohet afati dy vjeçar i përcaktuar në projektligj, është vlerësuar që ky rregullim të bëhet në dispozitat kalimtare”, vijoi ajo.

“Projektligji përbëhet nga katër krerë dhe 25 nene. Ky projektligj është hartuar nga Grupi Ndërinstitucional i Punës, i ngritur me urdhër të Ministrit të Brendshëm, në të cilin ka patur përfaqësues të strukturave përgjegjëse të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrisë së Kulturës”, sqaroi Voda.

“Gjithashtu, në mbledhjet e Grupit Ndërinstitucional të Punës, ka marrë pjesë si i ftuar me qëllim diskutimin e problematikave të ndeshura në zbatim të ligjit nr. 8389/1998, përfaqësues nga Institucioni i Presidentit të Republikës”, theksoi Voda, teksa sqaroi se është marrë mendimi dhe i ministrive që preken direkt apo indirekt me këtë ligj/ATSH