` . Ja si duken sot bunkerët e epokës komuniste të Shqipërisë (FOTO) – TV-SHENJA

Ja si duken sot bunkerët e epokës komuniste të Shqipërisë (FOTO)

Bunkerët ose qendrat e zjarrit siç njiheshin ndryshe në terminologjinë ushtarake zyrtare të regjimit komunist, sot ndeshen pothuajse në çdo qytet dhe në shumë fshatra të Shqipërisë, duke qenë një dëshmi e së kaluarës komuniste të vendit. Teksa dikur ishin planifikuar si objekte për mbrojte në rast lufte, sot bunkerët janë edhe atraksion turistik, por edhe përdoren për qëllime të ndryshme.

Po çfarë janë bunkerët? Këto objekte ishin strehim i posaçëm në formë rrethore, zakonisht i futur përgjysmë në tokë, me mure të trasha betoni që ishin planifikuar të shërbenin si pika zjarri në rast të sulmeve nga ndonjë vend tjetër ndaj Shqipërisë, sidomos nga vendet fqinje, që u ndërtuan gjatë regjimit komunist.

– Të ndërtuar për qëllime mbrojtëse

Në Shqipëri janë ndërtuar rreth 170.000 qendra zjarri (bunkerë) të madhësive të ndryshme, dhe kjo shifër përfshin edhe ndërtime të tjera fortifikuese, ndërsa pas rënies së komunizmit filloi edhe shkatërrimi dhe përdorimi i tyre për qëllime të ndryshme. Bunkerët u ndërtuan në një periudhë 20 vjeçare pothuajse në gjithë territorin e vendit sipas një plani të hartuar dhe miratuar nga institucionet e regjimit komunist.

Për fortifikimin e vendit me bunkerë u studiuan për zbatim në Shqipëri modelet e fortifikimit nga vende të ndryshme të botës, si modeli gjerman, rus, grek, etj, për të arritur më pas tek një model i aplikueshëm në Shqipëri.

Muharrem Alba, nënkolonel në rezervë dhe specialist pranë Muzeut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke folur për Anadolu Agency (AA), tregon se bunkerët janë ndërtuar pothuajse në të gjithë territorin e vendit.

“Procesi i bunkerizimit ka filluar në vitin 1965 dhe ka përfunduar rreth vitit 1985. Bunkerët janë ndërtuar vetëm për qëllime mbrojtëse gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Qëllimi i ndërtimit të tyre ishte mbrojtja e vendit, për të hyrë ushtarët brenda për të realizuar mbrojtjen. Një mbrojtje të veçantë kishte kryeqyteti(Tiranë), nga pikëpamja strategjike. Nga Shkodra përgjatë kufirit deri në liqenin e Ohrit bunkerët ishin për mbrojtje nga ish-Jugosllavia. Në kufirin me Greqinë që fillon që nga liqeni i Prespës deri në Konispol bunkerët u ndërtuan për t’u mbrojtur nga fqinji jugor, Greqia, si dhe përgjatë vijës bregdetare nga Liqeni i Shkodrës e deri në Sarandë kundër (për t’u mbrojtur) Italisë. Zakonisht janë ndërtuar rreth kodrave, nëpër lugina, por edhe në vijën bregdetare”, tregon Alba.

Sipas tij, ndërtimi bëhej në vende të studiuara mirë, jo kudo, ndërsa materialet zyrtare për fortifikimin me bunkerë të territorit të vendit dhe harta e shpërndarjes së tyre ruhen ne Arkivin Qendror të Ushtrisë së Shqipërisë dhe në Muzeun e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

– Bunkerët e shndërruar në atraksione turistike

Një pjesë e bunkerëve u ndërtuan edhe në kryeqytetin e vendit, Tiranë, sidomos në zonat periferike, por edhe në territoret e qyteteve të tjera të mëdha, si Durrës, Vlorë, Shkodër, Elbasan, etj.

Bunkerët nuk janë zhdukur plotësisht nga territoret ku u ndërtuan, por vazhdojnë të jenë prezent në qytete, fshatra, zona bregdetare dhe malore të vendit, si një trashëgimi e regjimit diktatorial. Ata gjatë viteve të fundit janë përdor dhe përdoren aktualisht edhe nga biznese apo familjarë si në plazhe, për banesë nga familjet në nevojë, si bare dhe restorante, depo, magazina, vepra arti dhe muze të përshtatura nga institucionet shtetërore.

Bunkerët kanë ngjallur edhe interesin e turistëve të huaj, të cilët në vitet pas përmbysjes së regjimit komunist kanë vizituar zonat ku janë ndërtuar këto objekte.

Në Tiranë gjatë viteve të fundit disa nga bunkerët dhe bunkerët-tunel të njohur të regjimit komunist u shndërruan edhe në muze, duke dokumentuar sende dhe materiale të ndryshme që i përkasin të shkuarës komuniste.

Bunk’Art dhe Bunk’Art 2 sot janë shndërruar edhe si atraksione për turistët vendas dhe të huaj, të cilët dokumentojnë fakte nga veprimtaria e regjimit komunist, ndërkohë me mijëra të tjerë janë shkatërruar apo dëmtuar gjatë 25 viteve të fundit. Ish-bunkeri antibërthamor në Tufinë, periferi të Tiranës, është riemërtuar si Bunk’Art, dhe funksionon si një objekt muzeal. Ky objekt përfundoi së ndërtuari nga sistemi komunist në vitin 1978, ndërsa në të gjendet dhoma që ishte e planifikuar të përdorej nga sh-diktatori Enver Hoxha dhe dhoma për ish-kryeministrin e regjimit komunist, Mehmet Shehu.

Bunk’Art sot është i ndarë në disa hapësira muzeale dhe gjatë regjimit komunist ky bunker është emërtuar si “Objekti 0774”. Brenda bunkerit janë ekspozuar armatime, uniforma, dokumente, harta të ndryshme dhe sende të tjera që shërbenin në atë kohë, ndërsa vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj.

Një nga bunkerët-tunel të njohur në Tiranë, është edhe ai që në vitet e fundit ka marrë emrin Bunk’Art 2, i cili është i vendosur pranë godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë. Në këtë objekt që është kthyer në një muze, janë ekspozuar materiale të ndryshme, si fotografi, aparate përgjimi, sende të tjera që tregojnë aktivitetin e institucioneve policore të regjimit komunist, si dhe dëshmi të ndryshme që lidhen me viktimat e shkaktuara nga regjimi i ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha.