` . Ja se si fliste për shqiptarët Kërste Cërvenkovski - TV-SHENJA

Ja se si fliste për shqiptarët Kërste Cërvenkovski

Shkruan: Qerim LITA,Shkup

Kundërthëniet dhe problemet e shumta që u krijuan gjatë vitit 1967, lidhur me politikën e proklamuar të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (LKJ) e të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë (LKM), për “barazinë” e plotë të shqiptarëve në të gjitha fushat, ishin shkas që kreu më i lartë i Komitetit të Qendror (KQ) të LKM-së, të hartojë një “Platformë politike”, e cila do të ofronte “zgjidhje” konkrete të problemeve evidente në terren, por edhe qasje të mëtutjeshme ideopolitike të organeve partiake e të organizatave të tjera shoqërore-politike, për barazinë e  shqiptarëve me maqedonasit në RS të Maqedonisë.

Idenë për hartimin e kësaj “platforme” e zbardhi anëtari i Kryesisë së KQ të LKM-së, Vanço Apostollski, i cili në fjalimin që e pati në Plenumin XII, veç tjerash vuri në dukje se problemet e akumuluara kohëve të fundit lidhur me barazinë e kombësive në vend, që do të “debatohen në Plenumin e ardhshëm”.  Duke u mbështetur në burimet arkivore, por edhe nga fjalimet dhe deklaratat publike të kryetarit të KQ të LKM-së, Kërste Cërvenkovski, shihet qartë se udhëheqja partiake e shtetërore e RS të Maqedonisë problemin e zgjidhjes së kombësive në përgjithësi, veçmas atë shqiptar, e shihte si “problem shumë serioz”, që kërkonte “zgjidhje të menjëhershme”. Në mbledhjen e aktivit politik të Maqedonisë, të mbajtur më 29 tetor 1967 në Ohër, me rastin e vizitës së Titos, Kërste Cërvenkovski – si asnjëherë më parë – foli gjerësisht për këto probleme, duke paralajmëruar se për ato do të debatohen gjerësisht në mbledhjen e ardhshme plenare të KQ të LKM-së. Ai, pasi e përshkroi gjendjen e përgjithshme politike e ekonomike në republikë, u ndal në marrëdhëniet ndërnacionale, ku ndër të tjera u shpreh: “Janë ngritur disa çështje për të drejta ende më të mëdha të kombësive dhe këtu detyrimisht duhet të jemi konsekuent dhe t’i zgjidhim. Këtu ka teprime edhe nga njëra edhe nga pala tjetër dhe devijime të caktuara socialiste. Me vetë faktin se avancohen shqiptarët për disa vende të caktuara, nga ana e maqedonasve me orientim nacionalistë lindin dyshimet dhe me këtë i komplikojnë ato dhe marrëdhëniet e këtilla…”.

Një deklaratë ende më të qartë rreth kësaj problematike Cërvenkovski ia dha gazetës “Svet”, ku në pyetjen e gazetarit rreth marrëdhënieve të kombësisë shqiptare me maqedonasit, tha: “Në çfarë përmasash respektohen dhe realizohen të drejtat e kombësive në bashkësinë ekzistuese, në ato përmasa gjithnjë e më shumë po ndihen dhe po sillen edhe kombësitë si pjesë integrale. Gjithsesi se shkëputja e atyre të drejtave krijon mosdisponim dhe lindin tendenca autonomiste dhe irredentiste. Kombësia shqiptare e përjetoi rilindjen e saj dhe përfshihet në jetën e zhvilluar publike së bashku me rilindjen e kombit maqedonas”.

Për rrjedhojë, në mbledhjen VIII të përbashkët të Kryesisë dhe Komitetit Ekzekutiv të KQ LKM -së, punimet e së cilës u zhvilluan më 17 nëntor dhe 4 dhjetor 1967, u mor vendimi që në mbledhjen XIV të KQ të LKM-së në rend dite të jetë vetëm një pikë edhe atë: “Çështjet aktuale në realizimin e politikës së barazisë së kombësive në RS të Maqedonisë dhe aktiviteti ideopolitik i LKM-së”.

Paraprakisht, pjesëmarrësve u ishte ofruar një material bukur i gjerë, në të cilin përshkruhej procesi i zhvillimit të kombësive shqiptare e turke nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e këndej. Krahas “të arriturave” sa i përket barazisë nacionale të kombësive në RS të Maqedonisë, që siç thuhej: “vinte si rrjedhojë e përpjekjeve parimore të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë”, në dokument viheshin në pah edhe dobësitë, të cilat më së shumti shpreheshin: në mospërfshirjen proporcionale të shqiptarëve dhe turqve në administratën shtetërore, në ndërmarrjet ekonomike, pastaj ngecja kur ishte në pyetje zhvillimi i kulturës dhe arsimit, mosrespektimi i dygjuhësisë nëpër komunat ku shqiptarët paraqiteshin si shumicë ose në numër të konsiderueshëm etj. Të gjitha ato, siç thuhet në dokument, kanë ndikuar që: “Një ndër çështjet, që në kohë të fundit të jetë gjithnjë e më tepër e pranishme, është bashkëpunimi i shqiptarëve në RS të Maqedonisë me shqiptarët e viseve të tjera të Jugosllavisë.”, e që ky bashkëpunim nga njëra anë (maqedonasit) kundërshtohet, sepse sipas tyre “rrezikohen kufijtë republikanë, respektivisht paraqet  hapin e  parë drejt përforcimit të separatizmit të shqiptarëve në Jugosllavi”, ndërsa në anën tjetër (shqiptarët) “këtë bashkëpunim e shikojnë si përpjekje për bashkimin mbarëshqiptar dhe në kushte të tilla shpalljen e një qendre që do të ishte meritore për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të shqiptarëve në Jugosllavi”.

Fjalën hyrëse e mbajti Vanço Apostollski, i cili vuri në dukje se “çështja e barazisë nacionale të kombësive në RSM-së” tash më nuk shtrohet si një problem parcial, por si një problem me diapazon më të gjerë,  sepse “manifestimet dhe dukuritë e tilla nuk duhet të nënçmohen”, për arsye se stuhia mund të sjellë që këto çështje të marrin përmasa të paparashikuara, e që më vonë për zgjidhjen e tyre do të duhet të bëhen përpjekje shumë më të mëdha. Ai më pas u ndal në materialin i cili ishte paraparë të shqyrtohej në Plenumin XIV të KQ të LKM-së, i cili duhej “të shërbente si një aksion i drejtpërdrejtë i LK-së në ndërtimin e një platforme të tillë që do t’i bashkonte të gjitha forcat progresive” në RP të Maqedonisë, në zgjidhjen e problemeve ekzistuese. Materiali, siç vuri në dukje, nuk ka për qëllim të përgjigjet për të gjitha çështjet, por “të ndërtojë platformë, ta ndërtojë politikën e LK-së, të ndihmojë për një orientim të drejtë” si për anëtarët, ashtu edhe organizatat e LK-së.

Gjatë debatit dyditor rëndësi më të madhe iu kushtua çështjes shqiptare, përkatësisht kërkesës së inteligjencës së saj për bashkimin politiko-kulturor të shqiptarëve në Jugosllavi dhe, në këto suaza, edhe “angazhimit të tyre për ndryshimin e fizionomisë së gazetave”, përkatësisht  që gazeta e atëhershme në gjuhën shqipe “Rilindja” të jetë gazetë ditore për mbarë shqiptarët në Jugosllavi”, ndërsa “Flaka e Vëllazërimit” të jetë e përjavshme. Gjithashtu fjalime me tone të ashpra pati edhe kundër shkrimeve, siç u quajtën “tendencioze” të “Flakës së Vëllazërimit” etj., që rreth këtyre çështjeve, u paraqiten mendime dhe vlerësime të ndryshme. Kështu, sipas mendimit të Gjoko Mitrevit, materiali i cili duhej të shqyrtohet në plenum, është dashur t’i përfshijë disa pika, në radhë të parë që përmes tij “të mbrohemi nga ata të cilët shprehin dyshimin se i kemi sjell në pikëpyetje pozitat themelore të LK-së për çështjet nacionale”, përkatësisht të dëshmohet se “gjithmonë ka qenë prezent aktiviteti ynë në të gjitha fushat e jetës së kombësive”, se disa punë të parealizuara ose rezultatet dhe realizimet, ndër të tjerash, “janë varur edhe nga mosrealizimi i barazisë së republikave dhe të kombeve të Federatës jugosllave etj”. Më pas ai foli edhe rreth “tendencave për krijimin e një qendre shqiptare”, duke u shprehur se e njëjta “apriori nuk duhet të vlerësohet si separatiste”, sepse sipas tij  edhe pse ato ishin të pranishme, por me vetë faktin e “klimës që po e krijojmë”, ato tendenca nuk janë të karakterit të tillë që të mund t’i dramatizojmë dhe për shkak atyre rezervave të “pamundësojmë edhe disa vendime të tilla, të cilat për momentin janë më se të nevojshme për përmbushjen e nevojave të kombësive.”. Duke mos u pajtuar me pjesën e materialit, ku thuhej se “me ndryshimin e fizionomisë së Flakës së Vëllazërimit” kombësisë shqiptare “i është marrë e drejta ta ketë gazetën e vet” ai shprehi dilemën e tij se “sa mund të jetë e qëndrueshme kjo” para një logjike se “nuk mundet një e përjavshme të jetë gazetë informative e përditshme”, përkundër përpjekjeve që “ajo gazetë të jetë e tillë”, përkatësisht të jetë një “medium plotësues edhe në informimin, edhe në ngritjen e përgjithshme arsimore e politike të një pjesë së popullsisë sonë”, prandaj sipas tij “ndryshimi i fizionomisë së gazetës” nuk përbën “dukuri negative”, por përkundrazi “një hap para”.

Fjalimin e Mitrevit, Kërste Cërvenkovski e cilësoi si përpjekje për ta arsyetuar “marrëveshjen” që me përkrahjen e tij ishte realizuar “midis udhëheqjes së Kosovës dhe disa mediume të shqiptarëve në Maqedoni”. Në vazhdim Cërvenkovski tha se këto probleme ishin shqyrtuar së bashku me shokët nga Kosova dhe se në një atmosferë tejet të qetë “kanë konstatuar se ato parashtresa që u përkasin shtypit, madje edhe në planin e arsimit, që i kanë bërë disa organe tona arsimore”. Gjithashtu, ai nuk u pajtua me konstatimin e Mitrevit “..se tendencat e shqiptarëve nga Kosova, si qendër e gjithë shqiptarëve në Jugosllavi”, duke u shprehur “nëse ne tani lëshojmë ndonjë parullë ‘shqiptarë bashkohuni’, atëherë duhet ta kemi të qartë se ekzistojnë forca të tjera më të fuqishme, të cilët me parulla të ngjashme të kërcënohen, madje edhe në shpërbërjen e kësaj bashkësie jugosllave”. Lidhur me reagimet e opinionit të gjerë jo vetëm shqiptar, se në Maqedoni pas Plenumit IV nuk është bërë asnjë avancim sa i përket shqiptarëve, Cërvenkovski do të shprehet: “Më lejoni të jem i lirë dhe të them se, megjithatë, ekziston një diferencë bukur të madhe ndërmjet situatës që gjendeshin shqiptarët në Kosovë dhe situatës së shqiptarëve te ne…. Mendoj se ky fakt nuk flet për një nacionalizëm ose pa modestinë tonë, por flet për çështje objektive Në fund të fundit, le ta marrim vetëm atë moment të grumbullimit të vrazhdë, të përditshëm, policor e të xhandarmërisë të armëve dhe dhunimin e njerëzve në Kosmet në vitet e pesëdhjeta. Kjo në Maqedoni nuk u zbatua….”. Një konstatim i tillë i udhëheqësit komunist maqedonase fare nuk i përkiste realitetit, për faktin se procesi i kërkimit të armëve, që filloi në vitin 1956 në Kosovë, pati për qëllim nxitjen e shpërnguljes së popullsisë shqiptare myslimane në Kosovë për në Republikën e Turqisë, një proces i cili në Maqedoni kishte filluar që nga viti 1951, kur autoritetet e atëhershme komuniste maqedonase hartuan një sërë elaboratesh kundër popullsisë shqiptare në përgjithësi, sidomos kundër inteligjencës së saj (mësuesve, ulemave etj.). Bartës i këtij procesi ishte pikërisht Kërste Cërvenkovski, i cili në vitin 1952 e hartoi “Analizën” tashmë të njohur antishqiptare, përmes së cilës shumica e popullsisë shqiptare, sidomos pjesa e cila jetonte nëpër qytete, u trajtua si turke. Ky moment ishte vendimtar që autoritet komuniste maqedonase në krye me Llazar Kolishefskin e Kërste Cërvenkovskin të ndërmarrin një sërë masash represive kundër popullsisë shqiptare dhe, si rrjedhojë, në regjistrimin e vitit 1953, mbi 50% të popullsisë shqiptare u detyrua të deklarohet si turke. Ky ishte hapi i parë i udhëheqjes komuniste maqedonase, ndërsa hapi i dytë filloi menjëherë pas regjistrimit të vitit 1953 e zgjati deri në mars të vitit 1959, ku siç dihet brenda këtij harku kohor nga kjo republikë për në Republikën e Turqisë u shpërngulën gjithsej 143.800 banorë myslimanë, shumica e tyre shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër turq e pomakë, përkatësisht torbeshë, që shprehur në përqindje i bie të jetë mbi 11% e mbarë popullsisë së atëhershme në RP të Maqedonisë.

Për fat të keq, i këtij mendimi ishte edhe anëtari i KQ të LKJ-së, Azem Zulfiqari, i cili duke u pajtuar me konstatimin e Cërvenkovskin në fillim të fjalimit të tij tha: “Unë pikërisht dje pata një bisedë me gazetarët e Kosmetit dhe gjatë kësaj u parashtrua një pyetje se qarkullojnë disa mendime të çarshisë lidhur me atë se në Maqedoni nuk janë ndërmarrë masa përkatëse pas Plenumit IV, siç janë ndërmarr në Kosmet. Pajtohem me atë që tha shoku Kërste se përsëri nevojitet çdonjëri ta dijë, dhe unë këtë ua sqarova, se gjendja në Maqedoni ka qenë ndryshe, krahasuar me tërë atë çka ka qenë në Kosmet dhe me të cilën bëri pastrimin Plenumi IV i KQ LKJ-së” dhe se, sipas tij, ishte e qartë “se ato masa në RS të Maqedonisë të ishin më ndryshe… “.. Më pas, Zulfiqari ndalet në shkrimet e Ali Aliut kushtuar Tetovës, të cilat për të ishin të papranueshme, sepse siç theksoi: “Nëse nisemi nga ajo se nëpërmjet një gazete të tillë siç është ‘Flaka’… dëshirojmë më mirë ta informojmë publikun dhe lidhur me atë më shumë të ndihmojmë për mobilizimin më të lartë, mendoj se këto komente dhanë efektin e kundërt për shkak se ato janë të njëanshme, tendencioze, me qëllim që t’i komplikojnë ato marrëdhënie në Tetovë, e jo të kontribuojnë për zgjidhjen e problemeve të caktuara etj…”.

Nga stenogrami i mbledhjes qartë shihet se Gjoko Mitrevi nuk ishte i vetmi i cili nuk do të pajtohet me vlerësimet që ishin shtruar në material. Përkundrazi, pati edhe të tjerë, në mesin e tyre duhet veçuar fjalimin e anëtarit të KQ të LKM-së, Ivan Katarxhiev, i cili duke folur për politikën e marrëdhënieve ndërnacionale që udhëheqja e LKM-së e ka zhvilluar nga themelimi i saj e këndej shprehet: “Ne përballë serbëve dhe kombeve të tjera në këtë periudhë të deritanishme sillemi me një inferioritet të caktuar, ndërsa përballë popullit shqiptar me një superioritet të dukshëm. Kjo, në fakt, paraqet burim të përplasjeve nacionale të cilat në periudha të caktuara të zhvillimit tonë socialist më pak ose më shumë qenë manifestuar, mirëpo sot ato janë të dukshme dhe kanë dalë në sipërfaqe.”.

Për dallim nga Mitrevi dhe Katarxhievi, të cilët morën guximin që problemet t’i shtrojnë më ndryshe nga “politika zyrtare shtetërore”, në anën tjetër përfaqësuesit shqiptarë, me përjashtime të vogla, e mbështetën fuqishëm Projekt-platformën e shtruar nga KQ LKM-së, lidhur me problemin e shqiptarëve. Këtë e shohim edhe nga diskutimi i anëtarit të kryesisë së KQ LKM-së, Hixhet Ramadani, i cili që në fillim kërkoi nga organet përkatëse të ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj atyre shqiptarëve, të cilët: “Propagandojnë se gjuha shqipe nënçmohet, se UDB i ka përndjekë vetëm përfaqësuesit e kombësive…etj.”. Lidhur me politikën redaktuese të “Flakës së Vëllazërimit”, Ramadani veç tjerash theksoi: “Flaka krye në vete sjell disa vendime, që sipas saj nuk janë të rëndësishme për ne si shoqëri… Kështu, për shembull, vendoset gjuha amë në ‘Flakë’, ndërsa unë parashtroj pyetjen: a thua ‘Flaka’ ju shërben individëve apo është në shërbim të popullit? Ndërsa populli nuk është i përgatitur për këtë gjuhë… E lexoj dhe e përcjell atë gazetë dhe mund të them se në brendi të saj shumë pak trajtohen problemet nga jeta e njerëzve në Republikën tonë, ndërsa shumë më tepër trajtohen problemet nga Prishtina, nga Kosova… Unë jam i mendimit që ‘Flaka’ të ngelë gazetë e Republikës sonë, e jo të integrohet..”.

Në fund të mbledhjes, u vendos që të formohet një komision nga radhët e Kryesisë dhe Këshillit Ekzekutiv të KQ LKM, për përgatitjen e disa projekt konkluzioneve, nëpërmjet të të cilave do të parashihej avancimi politiko-kulturor i kombësive (shqiptarëve dhe turqve) në RS të Maqedonisë.

Duke u mbështetur në këtë vendim, komisioni i kryesuar nga Boshko Stankovski, në mbledhjen e dhjetë të përbashkët (të Kryesisë dhe KE të KQ LKM-së), mbajtur më 1 shkurt 1968 i paraqet për shqyrtim projekt-konkluzionet e sipërpërmendura. Të njëjtat, me disa ndryshime të vogla, u miratuan në plenumin e XIV të KQ LKM-së, punimet e të cilit u zhvilluan më 1 mars të vitit1968.

Për sa u tha më sipër, mund të arrijmë në një përfundim se Konkluzionet që KQ i LKM-së i solli në mbledhjen XIV plenare, edhe pse në vete parashihnin një avancim të statusit të shqiptarëve, përsëri nuk mund të thuhet se i përmbushnin kërkesat reale të shqiptarëve në RS të Maqedonisë, sepse në to nuk parashihej e drejta e përdorimit të flamurit, hapja e shkollave të larta dhe fakulteteve në gjuhën shqipe, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përfshirja proporcionale e shqiptarëve në administratën shtetërore e publike, si dhe në sipërmarrjet ekonomike etj. Për këtë, ndihmë të madhe kreu i LKM-së pati nga përfaqësuesit shqiptarë në organet më të larta dhe vendimmarrëse, të cilët vetveten nuk e llogaritnin si përfaqësues shqiptarë, por – siç thekson në një mbledhje të KE të KQ LKM-së Hysen Ramadani – “si komunistë të cilët angazhohen në radhë të parë për të mirën e të gjithëve, të  shoqërisë socialiste, për të gjithë banorët e saj, për atë që e reflekton gatishmërinë të luftojë për socializmin dhe marrëdhëniet socialiste”.

 

Postime të Ngjajshme