` . Ja pse i dënonte regjimi komunist patriotët shqiptarë – TV SHENJA

Ja pse i dënonte regjimi komunist patriotët shqiptarë

Nisur nga fakti se opinioni i gjerë shqiptar ka njohuri të pakta për proceset e shumta gjyqësore të zhvilluara gjatë viteve 1947-1948 në RP të Maqedonisë kundër veprimtarëve të NDSH-së (në përjashtim të grupit të parë), e pamë të arsyeshme që në këtë numër të revistës mbarëkombëtare SHENJA ta shpalosim një pjesë të aktakuzës kundër grupit të dytë të NDSH-së, i cili më 11 mars të vitit 1947 nga Prokuroria Ushtarake – Divizioni Tenkist në Tetovë  iu dorëzua  Gjyqit Ushtarak – Divizionit të Shkupit.

Shkruan: Qerim LITA, Tiranë

Dy muaj pasi përfundoi procesi gjyqësor kundër 19 anëtarëve të KQ të NDSH-së në Shkup, ku siç është e njohur katër prej tyre u dënuam me vdekje pushkatim, po në qytetin e Shkupit filloi procesi gjyqësor kundër grupit të dytë të NDSH-së i përbërë prej 7 intelektualëve e atdhetarëve  shqiptarë: Suad Sulejman Mehmedi, Hetem Tahir Aliu, Nexhmedin Besim Sezairi, Jetish Sali Vishi, Ymer Qemal Sadiku, Abdylfari Beqir Ademi dhe Xhevair Vesel Shaqiri. Në fakt, të gjithë ata ishin udhëheqësit e komiteteve të NDSH-së për rajonin e Dervenit e të Tetovës.

Për dallim nga procesi i parë, i cili u zhvillua nga Gjyqi i Qarkut të këtij qytetit, procesi gjyqësor kundër grupit të dytë të NDSH-së u zhvillua nga ana e Gjyqit Ushtarak – Divizioni i Shkupit, i cili më 24 mars1947 solli vendim me të cilin shtatë të akuzuarit u dënuan me burg të rëndë në kohëzgjatje nga 3 deri më 18 vjet.

Nisur nga fakti se opinioni i gjerë shqiptar ka njohuri të pakta për proceset e shumta gjyqësore të zhvilluara gjatë viteve 1947-1948 në RP të Maqedonisë kundër veprimtarëve të NDSH-së (në përjashtim të grupit të parë), e pamë të arsyeshme që në këtë numër të revistës mbarëkombëtare SHENJA ta shpalosim një pjesë të aktakuzës kundër grupit të dytë të NDSH-së, i cili më 11 mars të vitit 1947 nga Prokuroria Ushtarake – Divizioni Tenkist në Tetovë  iu dorëzua  Gjyqit Ushtarak – Divizionit të Shkupit. Në të fillimisht thuhej:  “Në lëndën penale kundër Suad Sulejman Mehmedit, Hetam Tair Aliut, Nexhmedin Besim Sezairit, Jetish Sali Vishit, Ymer Qemal Sadikut, Abdylfari Beqir Ademit, Xhevahir Vesel Hoxhës, të gjithë civilë, shtetas të RFPJ-së, të cilët mbrohen nga burgu hetimor, për shkak veprës penale kundër popullit e shtetit, të paraparë e i dënueshëm sipas nenit 3 pika 1, 8 e 10, pastaj neni 9 pika 1 e neni 8 të Ligjit për Veprimtari Penale kundër popullit e shtetit”.

Pasi në pika të shkurta përshkruhet biografia e të akuzuarve, aktakuza ndalet në fajësinë e përgjithshme të grupit, me përmbajtjen si më poshtë:

“a) se i akuzuari Hetem Tahir Aliu dhe Nexhmedin Besim Sezairi nga vjeshta e vitit 1945, ndërsa të akuzuarit tjerë Suad Sulejman Mehmedi, Jetish Sali Vishi, Ymer Qemal Sadiku, Abdylfari Beqir Ademi dhe Xhevahir Vesel Hoxha nga pranvera e vitit 1946 janë lidhur me organizatën ilegale anti-popullore e quajtur NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE, qendra e së cilës ka qenë në Shkup, e cila organizatë veprimtarinë e saj e ka shtrirë në territorin e Kosovës, Metohisë e Maqedonisë. E njëjta organizatë ka mbajtur lidhje me tradhtarët e popullit tonë, të cilët kanë ikur në Bari, Kajro e Greqi;

  1. b) për shkak se të akuzuarit nga 1 deri në 7, si anëtarë të organizatës ilegale, kanë punuar në trevat e rrethit të Tetovës e të Gjorçe Petrovit, me detyrë e direktivë të qendrës së organizatës ilegale NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE, e cila ka qenë në Shkup, që nën nacionalizmin e rrejshëm e të propagandës e agjitacionit shovinist të përfshijnë numër sa më të madh të shqiptarëve nga ato rrethe, t’i tërheqin në organizatë, të krijojnë grupe të armatosura, të organizojnë komitete të rretheve e të fshatrave të organizatës NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE, që me ndihmën e përkrahjen e qarqeve reaksionare nga bota e jashtme të krijojnë kushte për intervenim nga jashtë, e në këtë mënyrë ta rrezikojnë integritetin e RFPJ-së;
  2. c) për shkak të realizimit të detyrave e direktivave të lartpërmendura të personaliteteve udhëheqëse të (organizatës –Q.L.) NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE edhe atë mu nga Qemal Ali Iskënderi, Azem Idriz Marana, Mehmet Bushi, Spiro Harrilla Theodosi, të akuzuarit kanë hyrë në organizatën NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE, kanë filluar të punojnë në mënyrë aktive për realizimin e direktivave të marra nga qendra dhe i kanë themeluar komitetet e rretheve të asaj organizate ilegale për rrethin e Tetovës e të Gjorçe Petrovit, duke bërë përpjekje që në organizatë të përfshijnë numër sa më të madh të njerëzve; dhe
  3. d) të akuzuarit nga nr. 1 deri në 7, si ndër pjesëmarrësit, organizatorët e udhëheqësit kryesorë të organizatës ilegale të përmendur për rrethet e Tetovës e të Gjorçe Petrovit”.

Në vazhdim të aktakuzës përshkruhet veprimtaria, përkatësisht aktiviteti ilegal i çdo të akuzuari veç e veç, ku shprehimisht thuhej:

“I – I akuzuari SUAD SULEJMAN MEHMEDI, për shkak se në muajin prill të vitit 1946 me rekomandim të Spiro Theodosit është përfshirë në organizatën ilegale NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE, qëllimi i së cilës ka qenë siç u tha më lart. M’u në atë kohë në fshatin Çajlanë në konferencën ilegale ka dhënë betimin e besueshmërisë e të lojalitetit të organizatës NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE dhe nga ajo ditë e deri në ditën e arrestimit, përkatësisht më 24 korrik 1946, ka marrë pjesë aktive si anëtar i organizatës, duke zbatuar veprimtari armiqësore, duke zgjeruar shovinizëm nacional, duke mbajtur referate nëpër konferenca ilegale si “Kombi shqiptar dhe prejardhja e Shqipërisë”, pastaj referatin “Shqipëria Etnografike”, duke i shtrembëruar faktet historike e duke e paraqitur në mënyrë të rrejshme gjendjen faktike. Si i tillë, ka marrë pjesë aktive dhe ka ndihmuar të themelohet komiteti NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTAR për rrethin e Gjorçe Petrovit, në të cilin ai në prill të vitit 1946emërohet kryetar, e së bashku me Spiro Theodosin, Abdylfar iBeqir Ademin e Ymer Qemal Sadikun. Në mënyrë aktive ka punuar për atë organizatë ilegale, për të njëjtën e ka përvetësuar Rasim Dautin, ish kryetarin e Këshillit Popullor Vendor nga fshati Raçe, gjatë së cilës e ka shfrytëzuar propagandën armiqësore të rrejshme, duke folur se do të krijohet Shqipëria Etnike me udhëheqjen e ndihmën e Anglisë e të Amerikës, me çka ka themeluar Komitetin Nacional Demokratik Shqiptar për fshatin Raçe dhe para tij kanë dhënë betimin njerëzit të cilët janë anëtarësuar në atë komitet, si kryetari Rasim Dauti, sekretari Shefkiu dhe arkëtari Garip. Të gjithë ata para të akuzuarit të parë kanë dhënë betimin për lojalitet nda asaj organizate ilegale antipopullore Nacional Demokratike Shqiptare, me qëllim të rrënimit me forcë të rregullimit shoqëror ekzistues, me të cilën veprimtari ka kryer vepër penale nga neni 3 pika 1 e 8, pastaj neni 9, pika 1 të Ligjit për Veprimtari Penale kundër popullit e shtetit.

II – I akuzuari Hetem Tahir Aliu, për shkak se në vjeshtën e vitit 1945 me rekomandim të Mehmet Bushit ka hyrë në organizatën ilegale Nacional Demokratike Shqiptare edhe atë mu në mbledhjen e fshatit Reçicë, ku edhe e ka dhënë betimin për besueshmëri e lojalitet ndaj asaj organizate dhe nga vjeshta e vitit 1945 e deri kah mesi i muajit maj të vitit 1946, kur ka udhëtuar për Çekosllovaki, ka punuar në mënyrë aktive në atë organizatë, ku ka qenë anëtar i komitetit për qytetin e Tetovës, me detyrë që së bashku me Nexhmedin Besimin, Jonuz Ballën nga Tetova, pastaj mësuesin Myfit nga Xhepçishti, Vesel Velën, mësuesin nga Gajra, fillimisht e organizon këshillin e komitetin për qytetin e Tetovës, i cili ka qenë përgjegjës për Tetovë e rrethinë, pastaj formon këshilla vendore e të fshatrave për administratë, për mirëmbajtje, si dhe për pagesën e shpenzimeve të udhëtimit për në Shkup, por edhe për nevojën e lidhjes me Kosovën, si dhe detyrën për formimin e njësive ushtarake, me të cilën veprimtari ka kryer vepër penale të paraparë e të dënuar sipas nenit 3 pika 1, 7 e 8, si dhe nenit 9 pika 1 nga Ligji për Vepër Penale kundër popullit e shtetit.

III – I akuzuari Nexhmedin Besim Sezairi, për shkak se në vjeshtën e vitit 1945 ka hyrë në organizatën ilegale Nacional Demokratike Shqiptare, e që lidhet me bisedën e zhvilluar me Mehmet Bushin, Jonuz Ballën e Hetam Tahirin, mu atëherë ka dhënë betimin për besueshmëri e lojalitet ndaj asaj organizate në f. Reçicë. Falë punës së tij aktive për atë organizatë, ka hyrë në këshillin e asaj organizate për qytetin e Tetovës së bashku me Hetem Tahirin, Jonuz Ballën, Myfytin, mësuesin nga Xhepçishti, pastaj Vesel Velën, mësuesin nga Gajra, Ismail Saidin, nxënës dhe vetë i akuzuari, i cili komitet pati për detyrë të themelojë treshe e, përmes atyre tresheve, ta organizoj komitetin për grumbullimin e mjeteve materiale, për shërbime të ndryshme të organizatës, si për administratën, shpenzime të udhëtimit për korrierët, si dhe për mirëmbajtjen e çetave ilegale, të cilat është dashur të depërtoheshin e të organizoheshin nëpër male. Më pas të themelohen komitete në komunat rurale e të organizohet shërbimi zbulues nën emrin “Sigurimi Botnuer”, i cili ka për detyrë të grumbullojë të dhëna për ata, të cilët nuk janë adhurues të lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, me të cilën veprimtari ka kryer vepër penale të paraparë e të dënueshme me nenin 3 pika 1, 7 e 8, pastaj neni 9 pika 1 nga Ligji për Vepra Penale kundër popullit e shtetit.

IV – I akuzuari Jetish Sali Vishi, për shkak se në pranverë të vitit 1946, në datë të papërcaktuar, ka ditur për organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, veprimtarinë e qëllimin e saj, të njëjtën duke e ndihmuar përmes pjesëmarrjes aktive në veprimtarinë e saj. Përveç kësaj, në ditë të papërcaktuar, kah përfundimi i muajit maj të vitit 1946, e ka përcjellë porosinë e Azem Maranës nga Shkupi për Jonuz Ballën në Tetovë edhe atë gojore, prandaj edhe e ka ditur se për çfarë bëhet fjalë. Gjithashtu në ditë të papërcaktuar në verën e vitit 1946 e ka përcjellë letrën e Suad Sulejman Mehmedit, ia ka dorëzuar Zefit, shërbyesit në konsullatën angleze në Shkup, duke i thënë Zefit që personalisht ai t’ia dorëzoj konsullit anglez, me të cilën veprimtari ka kryer vepër penale nga neni 4 pika 2 e neni 8 të Ligjit për Vepër Penale kundër popullit e shtetit.

V – I akuzuari Ymer Qemal Sadiku, për shkak se me rekomandimin e Spiro Theodosit në muajin prill të vitit 1946 është futur në organizatën ilegale Nacional Demokratike Shqiptare, ku edhe ka dhënë betimin në fshatin Çajlanë për besueshmëri e lojalitet ndaj asaj organizate, e në aktivitetin e tij e ka ndihmuar në përforcimin e zgjerimin e asaj organizate edhe atë duke marr pjesë në mbledhjet në fshatrat Çajlanë, fshatin Raçe, fshatin Matkë e në Shkup. Ka marrë pjesë aktive e ka ndihmuar të themelohen komitetet Nacional Demokratike Shqiptare për rrethin e Gjorçe Petrovit, ku ai në prill të vitit 1946zgjidhet arkëtar, ndërsa në punën e përbashkët me Spiro Theodosin, Suad Sulejman Mehmedin e Abdylfari Beqir Ademin, me të cilën veprimtari ka kryer vepër penale nga neni 3 pika 1 e 8, si dhe neni 9 pika 1 nga Ligji për Vepër Penale kundër popullit e shtetit.

VI – I akuzuari Abdylfari Beqir Ademi, për shkak se në prill të vitit 1946 ka hyrë në organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, kur e ka dhënë betimin e besueshmërisë e të lojalitetit të asaj organizate edhe atë mu në fshatin Çajlanë. Ka marrë pjesë aktive në punën e asaj organizate ilegale në mbledhjet në fshatin Çajlanë, fshatin Semenishtë e në fshatin Matkë, me çka ka kontribuuar në themelimin e komitetit për rrethin e Gjorçe Petrovit, në bashkëpunim me Spiro Theodosin, Suad Sulejman Mehmedin e Ymer Qemal Sadikun, e në të cilin komitet i akuzuari Abdylfari ka qenë sekretar, duke zgjeruar urrejtje nacionale në terren; në mbledhjen ilegale në fshatin Semenishtë ka mbajtur referatin “Robëria 30-vjeçare e kombit shqiptar”, duke i shtrembëruar faktet historike e duke e paraqitur rrejshëm gjendjen faktike. Më tej në një rast në punën e tij për organizatën i ka përvetësuar për në organizatë edhe Ibrahim Sherifin nga fshati Bukoviq, Faik Zeqirin nga fshati Arnaqi e Myftar Çilafin nga fshati Semenishtë, me të cilën veprimtari ka kryer vepër penale nga neni 3 pika 1 e 8 dhe neni 9 pika 1 nga Ligji për Vepër Penale kundër popullit e shtetit.

VII – I akuzuari Xhevair Vesel Hoxha, për shkak se në muajin prill të vitit 1946 ka ditur për punën e organizatës ilegale Nacional Demokratike Shqiptare në Tetovë, të cilën e ka zbatuar Jonuz Balla, ka ditur për përmbajtjen dhe linjën e luftës së asaj organizate, qëllimet e saja, e duke mos ndërmarrë asgjë, e as ta njoftoj pushtetin për atë organizatë, të njëjtën e ka ndihmuar. Gjithashtu, me rekomandim të Jonuz Ballës, ka hyrë në organizatë, ka filluar për të të punoj në Tetovë e rrethinë, ku ka marrë detyrë me përgjegjësi për grumbullimin e ndihmave materiale e mjeteve financiare për organizatën e për shpenzimet e udhëtimit për korrierët, me të cilën veprimtari ka kryer vepër penale nga neni 3 pika 1 e 8 dhe neni 9 pika 1 nga Ligji për Vepër Penale kundër popullit e shtetit”.

 

Duke u mbështetur në, siç thuhet, në “dëshmitë e mësipërme” të aktakuzës, Prokuroria Ushtarake, përkatësisht prokurori ushtarak – kapiteni Dragutin Popoviq, Gjykatës Ushtarake – Divizioni Shkup i propozonte:

  1. “Të mbahet procesi publik kryesor, në të cilin duhet të sillen të akuzuarit, të cilët gjendet në Entin Dënues-Përmirësues në Shkup dhe të ftohet prokurori i poshtnënshkruar;
  2. Që në atë procedurë dëshmuese të lexohet Proklamata e Kongresit V të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, e cila u është bashkangjitur dosjeve nën numrin rendor 10-të;
  3. Që pas mbarimit gojor të procesit publik kryesor, të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtorë e, sipas ligjit, të dënohen me dënime të rënda”.

Për rrjedhojë, më 24 mars 1947, Gjyqi Ushtarak – Divizioni Shkup solli vendim, me të cilin 7 veprimtarët e NDSH-së u dënuan me burg të rëndë, si:

– Suad Sulejman Mehmedi u dënua me 12 vjet burg dhe humbje të të drejtave politike dhe qytetare;

– Nexhmedin Besim Sezairi u dënua me 20 vjet burg të rëndë dhe 5 vjet humbje të të drejtave politike dhe qytetare;

– Jetish Sali Vishi u dënua me 7 vjet burg të rëndë dhe 3 vjet humbje të të drejtave politike dhe qytetare;

– Hetem Tahir Aliu u dënua me 17 vjet burg të rëndë dhe 3 vjet humbje të të drejtave politike dhe qytetare;

– Abdylfari Beqir Ademi u dënua me 5 vjet burg të rëndë dhe 2 vjet humbjen e të drejtave politike e qytetare;

– Xhevahir Vejsel Hoxha u dënua me 3 vjet burg të rëndë dhe 2 vjet humbje të të drejtave politike dhe qytetare; dhe

– Ymer Qemal Sadiku u dënua me 4 vjet burg të rëndë dhe 2 vjet humbje të të drejtave politike dhe qytetare.

Në përfundim të këtij shkrimi të shkurtër është me rëndësi të thuhet se gjatë viteve 1947-1948 janë zhvilluar edhe disa procese të tjera kundër veprimtarëve të NDSH-së, si: procesi gjyqësor kundër anëtarëve të komitetit të NDSH-së për qytetin e Shkupit; procesi gjyqësor kundër anëtarëve të komitetit të Kumanovës; procesi gjyqësor kundër anëtarëve të komitetit të Gostivarit dhe procesi gjyqësor kundër anëtarëve të komitetit të Zhelinës, për të cilat më gjerësisht do të bëhet fjalë në numrat e ardhshme të revistës.

Postime të Ngjajshme