` . Ja kush janë akademikët e sotëm – TV SHENJA

Ja kush janë akademikët e sotëm

Shkruan: Latif Mustafa, Preshevë

Akademikë një kohë quheshin ndjekësit dhe anëtarët e shkollës së Platoni të quajtur “Akademia- Ἀκαδημία”. Shkurt, anëtarët e kësaj akademie, besonin se dija është e mundshme dhe se e vërteta është e kapshme. Ata ishin të bindur në këtë gjë, sado që rruga e tyre ishte kërkimore dhe stërvitëse. Akademikët, disiplinoheshin përmes formave të stërvitjes dhe përkushtimit shpirtëror. Akademia ishte intitucion publik dhe i përkiste res publica-s, anëtarësimi në të ishte falas, kurse çmimi i saj ishte militantizmi ndaj idesë të së vërtetës dhe çlirimit. Po sot, kush janë akademikët?

Hiq një pakicë, akademikët sot përfaqësojnë shtresën më të “korruptuar” shpirtërisht të atyre që hiqen sikur i shërbejnë të mirës publike. Shqetësimi i tyre nuk është ndërtimi, stërvitja dhe disiplinimi i subjektit njerëzor për ta rrok të vërtetën, por shqetësimi i vetëm i tyre është rroga që ata marrin. Shume nga ta i sheh të marrin pjesë në konferenca, qindra artikuj të shkruar madje edhe libra. Po kush përfiton nga veprimtaria e tyre? Askush! Keni dëgjuar t’i ketë cituar dikush nga rrethet që frekuentoni? Po, vetëm në rast se kanë postuar ndonjë budallallëk në FB. Përpos “angazhimit” të tyre në institucione reale dhe fiktive, asgjë më tepër. E mos të flasim për ndonjë angazhim shtesë, në kuadër të formave të edukimit alternativ, po thuajse janë të kalbur.

Mbase kërkimi i çdo gjëje ideale në këtë nënqiell në këto kohëra mund të quhet edhe budallallëk. Por ama shtirja dhe performimi në atë që nuk je dhe shtirja në atë që je, është fatura me e lartë që e paguajnë gjeneratat pasardhëse. Duhet pranuar gjithashtu se “dija e vërtetë” nuk gjendet në universitete, aty ku studenti është klient, është anëtarë partie e “profesori” arsyetues dhe jargavec ndaj liderit të partisë. Shqiptarët, kurrë me tepër se sot nuk kanë pas universitete dhe profesorë, por ama edhe kurrë më tepër se sot gjendjen më të rëndë nuk e kanë pasur. Akademia dhe mirëqenia qëndrojnë në proporcion të zhdrejtë, fatëkeqësisht.

Ju, të cilëve u ka mbet sado pak nga moral publik, dilni nga cellofani që jeni vetëmbshtjellë dhe zyrët e tuaja të mykta, hiqni dorë nga ato artikuj t’pakuptimtë dhe pa asnjë vlere dobishmërie shoqërore; hiqni dorë nga ato ligjerata bajate me sllajde pa pikë kreativiteti; hiqni dorë nga nga dukja si akademik, në të mirë të qenjësisë si i tillë. Dilni rrugëve, shesheve dhe sallave të diskutimit, aty ku frekuentojnë njerëzia dhe ku ndodhin debatet e vërteta mbi jetën se vetëm kështu i ndihmoni vetes, familjes dhe shoqërisë. Kuptojeni më se “të qenit akademik” nuk është çështje privilegji, karriere dhe tregu, por mision shoqëror për të përmbysur piramidën klasore në shoqëri.

Postime të Ngjajshme