` . Izraeli mbyll vendkalimin e vetëm tregtar të Gazës – TV-SHENJA

Izraeli mbyll vendkalimin e vetëm tregtar të Gazës

Izraeli që nga dita e sotme deri në një vendim të dytë do të mbyllë vendkalimin e vetëm tregtar të Gazës, Kerm Ebu Salim (Kerem Shalom), transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjeneral majori Yoav Mordechai, kreu i Autoritetit ushtarak izraelit në territoret e okupuara palestineze, në një deklaratë në rrjetet sociale tha se vendkalimi i vetëm kufitar i Rripit të Gazës, Kerm Ebu Salim që nga dita e sotme (e diel) do të mbyllet. Ai ka bërë të ditur se ky vendim do të mbetet në fuqi deri në një vendim të dytë.

Në deklaratë thuhet se ky vendim është marrë pas vlerësimeve të bëra për çështje të “sigurisë” nga autoritetet izraelite ndërsa me këtë vendim janë njoftuar edhe autoritetet përkatëse palestineze.

Kryetari i Komitetit Koordinues për hyrjen e produkteve tregtare në Gaza, Raid Futuh tha se qeveria e Izraelit i ka njoftuar për mbylljen e portës tregtare për shkaqe të “sigurisë”.

Gjashtë nga shtatë portat kufitare të Rripit të Gazës ku jetojnë rreth 2 milionë palestinezë janë nën kontroll të Izraelit kurse njëra nën kontroll të Egjiptit.

Katër nga këto gjashtë vendkalimeve të cilat përdoreshin për qëllime tregtare, pas fitores në zgjedhje dhe marrjes së detyrës nga Hamasi në qershor të vitit 2007 janë mbyllur nga Izraeli.

Ndërkaq, nga dy vendkalimet e tjera, Bejt Hanun përdoret për kalimin e atyre që kanë pasaporta të huaja, të sëmurëve dhe biznesmenëve në Bregun Perëndimor. Kurse vendkalimi Kerm Ebu Salim përdoret për kalimin e disa produkteve tregtare. Kerm Ebu Salim dhe Bejt Hanun shpesh po mbyllen për arsye të ndryshme.