` . Izeti: Çdo dëm ndaj Turqisë është dëm ndaj identitetit dhe ekzistencës sonë - TV SHENJA

Izeti: Çdo dëm ndaj Turqisë është dëm ndaj identitetit dhe ekzistencës sonë

Ligjëruesi në Universitetin Shtetëror të Tetovës Prof. Dr. Metin Izeti, në lidhje me tentativën për grusht shteti nga organizata terroriste FETO, tha se “Ata që ndërmorën këtë tentativë dhe mbështetësit e tyre nuk kanë të drejtë të flasin për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe modernizmin”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ligjëruesi universitar në Departamentin e Filozofisë së Arteve në Fakultetin e Arteve të Bukura pranë Universiteti Shtetëror të Tetovës (USHT), Prof. Dr. Metin Izeti, në një deklaratë për gazetarin e AA-së ka folur në lidhje me tentativën për grusht shteti nga organizata terroriste FETO e cila ndodhi më 15 korrik.

Izeti deklaratën e filloi duke i uruar shtetit dhe qeverisë turke dhe Forcave të Armatosura Turke (TSK) që një ngjarja e tillë të mos përsëritet më dhe duke e lutur Zotin për mëshirë ndaj dëshmorëve dhe shërim sa më të shpejtë për të plagosurit. Ai gjithashtu shprehu ngushëllime të afërmve të dëshmorëve, duke vazhduar se zhvillimet e fundit nuk i kanë dëmtuar vetëm trupat dhe mendjet, por edhe shpirtrat dhe zemrat.

Duke theksuar se Turqia është “vëlla i madh, baba” për një pjesë të madhe të botës e veçanërisht për shqiptarët, Izeti tha se “Çdo dëm ndaj Turqisë është dëm ndaj identitetit dhe ekzistencës sonë”.

Ai theksoi se dëmi i synuar përmes tentativës së fundit për puç është bërë tani më për një kohë të gjatë dhe se mendjet që veprojnë me qëllime ilegale dhe të fshehura e kanë dëmtuar si Turqinë, ashtu edhe jetën institucionale dhe organizative të muslimanëve nëpër botë.

“Më e rrezikshmja prej këtyre është tentimi i FETO-s në aspektin fetar për t’i shuar strukturat tona fetare institucionale në mënyrë ilegale. Meqë FETO është një lëvizje e cila e ka dëmtuar TSK-në, atëherë tentativë e saj është një nga më të rrezikshmet”, tha profesori universitar në USHT. Ai ka shtuar më tej se përgjatë historisë FETO është lëvizje e cila ndërmerr tentativa në faza të ndryshme prej 20-30 vitesh, por kohëve të fundit është shndërruar në një mendësi e cila është e gatshme ta vrasë popullin e vet përmes një lufte fizike.

Izeti foli veçanërisht për aspektin fetar të kësaj çështjeje. “Si mund ta bëjë këtë një njeri me mendje të shëndoshë?”, tha Izeti, duke nënvizuar se “Natyrisht që çdokush duhet ta dënojë këtë ngjarje”.

Ai tha se kohëve të fundit në opinionin shqiptar janë dëgjuar zëra të ndryshëm në lidhje me ngjarjet e fundit dhe se ka pasur propagandë nga palë të ndryshme. Izeti theksoi nevojën që secili duhet të jetë i mendimit se “Në Turqi ka institucione dhe qeveri që është zgjedhur nga populli dhe se ndaj këtyre është tentuar puç në një mënyrë militantiste”.

“Mund të mos e duam presidentin Recep Tayyip Erdoğan, por ai është demokrat dhe president që e ka zgjedhur shumica dhe në këtë mënyrë, çdo njeri me mendime bashkëkohore duhet ta respektojë atë”, u shpreh Izeti.

Ai gjithashtu vuri në pah se fundi i drejtimit të Presidencës nga Erdoğan mund të vijë vetëm përmes zgjedhjeve.

Sipas tij, “Ata që ndërmorën këtë tentativë dhe mbështetësit e tyre nuk kanë të drejtë të flasin për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe modernizmin”. Ai më tej shtoi se Erdoğan nuk konsiderohet vetëm si president i Turqisë, por edhe si “zëri” i muslimanëve dhe i të shtypurve në tërë botën.

Izeti ishte i mendimit se kjo tentativë, krahas që ishte tentativë për grusht shteti ndaj qeverisë, ajo ishte një nga lëvizjet më të rrezikshme për arsye se u ndërmor nga një çetë e cila pa e menduar popullin e vet i drejtoi në drejtim të tij armët të cilat i siguroi nga paratë e tyre, duke u shprehur se është e nevojshme që nga këto zhvillime duhet nxjerrë leksione.

Ai u shpreh se asnjë veprim ilegal në botë asnjëherë nuk është kurorëzuar me sukses. “Nëse dëshirojmë ta shpërndajmë fenë, të bëhemi gjykatës, të bëjmë politikë, apo të zhvillojmë çfarëdo aktiviteti tjetër, këto asnjëherë nuk duhet të jenë në mënyrë ilegale”, tha Izeti.

Ai e përgëzoi popullin turk për përgjigjen që i dha tentativës për puç me fjalët “Zoti qoftë i kënaqur nga ta”. “Ata treguan se si botëkuptimi i lirisë i del përballë armëve dhe shkruan një histori botërore”.

Izeti tha se gjatë mbrëmjes së grusht shtetit shumë njerëz me pikëpamje të ndryshme politike, duke i lënë anësh dallimet ideologjike dolën për ta mbrojtur vullnetin kombëtar. “Kjo ngjarje është një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë botërore dhe çështje e cila duhet analizuar thellë nga pikëpamja e filozofisë politike”, theksoi ai.

“Ekziston një problem që quhet FETO dhe kjo është antitezë. Në gjendje të këtilla duhet ta shfaqim tezën tonë. Duhet t’i gjejmë përgjigjet se si u shfaq kjo organizatë, si u forcua kaq shumë, cilat janë mangësitë tona, si duhet të veprojmë dhe cilat janë gabimet tona”, theksoi Izeti, duke shtuar se petku i fesë që u përdor gjatë këtij puçi nuk është diç që mund të bëhet nga një xhemat fetar dhe se xhemati përgjegjës për puçin nuk mund të jetë xhemat.

Sipas Izetit, nga këto lloj tentativash të papranueshme që ditëve të sotme përdorin uniformën e xhematit fetar më shumë dëmtohet botëkuptimi islam. “Duhet t’ua bëjmë me dije të tjerëve se jemi në anën e demokracisë. Jemi kundër këtij lloji të ngjarjeve kudo që ndodhin, kurrë nuk i përkrahim dhe çdoherë do të reagojmë në mënyrën e njëjtë”, u shpreh Izeti.

Duke vënë në pah se në 15 vitet e fundit Turqia është aktive veçanërisht në Ballkan dhe se për këtë arsye populli i Ballkanit ka filluar të merret më shumë me Turqinë, Izeti tha se “Si persona që mendojmë, që e vlerësojmë botën dhe që bashkëndjehemi me fqinjët, absolutisht duhet të jemi në anën e demokracisë dhe në këtë mënyrë të jemi në solidaritet”.

Profesori Izeti deklaratën e tij e përmbylli me fjalët: “Është shumë i rëndësishëm mendimi i Kreut të Çështjeve Fetare për shuarjen e zërave të tankeve përmes zërit të ezanit. Duke qenë kështu, asnjëherë nuk duhet të harrojmë se feja është qetësues i shpirtit të njeriut dhe qëndron kundër tiranisë”.

Postime të Ngjajshme