` . Ivanov lavdëron Kinën: Po bëhet ekonomia më e madhe në botë - TV-SHENJA

Ivanov lavdëron Kinën: Po bëhet ekonomia më e madhe në botë

Sot dhe nesër në Ohër mbahet Konferenca e tretë ndërkombëtare për Kinën dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 15 shteteve nga katër kontinente, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e konferencës mbajti një fjalim presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili theksoi se përmes nismës “Një rrugë – një brez”, Republika Popullore e Kinës mundëson që bashkërisht të arrihet destinacioni i dëshiruar, të zhvillohen dhe lidhen shtetet dhe shoqëritë, të realizohet progresi në sferën e ekonomisë, shkencës dhe kulturës.

Presidenti Ivanov në fjalimin e tij porositi se kjo konferencë është pjesë e takimit mes Lindjes dhe Perëndimir, mes Kinës dhe Evropës, dhe përcolli urata deri te organizatorët e Kinës, Maqedonisë dhe Sllovenisë dhe mbështetësit e ngjarjes.

Ai theksoi se për shkak të përvojës pozitive nga e kaluara, Republika e Maqedonisë dëshiron që të jetë pjesë e rrugës së re të mëndafshit, për shkak se, siç tha, Maqedonia si shtet e mbështet nismën kineze “Një rrugë, një brez” dhe konsideron se nisma kontribuon drejt paqes, prosperitetit, inovacionit dhe lidhjes mes civilizimeve.

“Republika e Maqedonisë dëshiron të jetë pjesë e BE-së në të cilën ekziston qarkullim i lirë i njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, por që të kyçemi në mënyrë të barabartë në hapësirën ekonomike evropiane është e domosdoshme që të jemi pjesë e zhvilluar dhe e barabartë e korridoreve rrugore, hekurudhore dhe energjetike evropiane. Në këtë fushë, përballemi me paradoksin, meqë, Bashkimi Evropian, ende nuk i mbështet projektet e mëdha infrastrukturore, vendosëm që me kreditë e përshtatshme kineze të nismës 16+1 të ndërtojmë pjesë të rëndësishme të Korridorit 8”, theksoi Ivanov.

Në këtë kontekst, Ivanov përmendi edhe projektin për linjën e shpejtë hekurudhore nga Budapesti deri në Beograd që përmes Republikës së Maqedonisë duhet të vazhdojë deri në Pire. Theksoi se Maqedonia përpiqet për ripërtëritjen e projektit për lidhjen e lumenjve Vardar, Moravë dhe Danub me Detin Egje. “Projektet infrastrukturore në kuadër të nismës Një rrugë – një brez, do t’ju mundësojnë shteteve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore të jenë ndërmjet tyre të lidhura, me çka do të rritet konkurrenca e vendeve të rajonit për investimet e huaja”, tha presidenti i Maqedonisë, duke shtuar se kjo në mënyrë të pakthyeshme do të ndryshojë gjeografinë e rajonit, do t’i fshijë paragjykimet dhe ndarjet, do ta avancojë bashkëpunimin dhe do ta ndërtojë ardhmërinë e të gjitha shteteve në rajon.

Ivanov përshëndeti vendimin e Republikës së Maqedonisë që të jetë selia e qendrës për bashkëpunimin kulturor të nismës 16+1. Duke u përqendruar në botën e ditës së sotme, presidenti Ivanov theksoi se nevojitet që shtetet të investojnë në hulumtime dhe zhvillime të teknologjive të sofistikuara, si dhe nevojitet arsim që do të krijojë njerëz për “mileniumin e tretë”.

Ai theksoi se Kina ka bërë shumë hapa të mëdha pozitiv në shumë segmente që e kanë sjellë deri te prosperiteti i përgjithshëm ekonomik.

“Kina sërish i afrohet pozitës që ka pasur para dy shekujve, e ajo është të jetë ekonomia më e madhe në botë. Kina ka bërë hapa të mëdhenj në shumë sfera. Do të përmend vetëm një shembull. Në shekullin tonë urban Kina është kryesuese e fushës së krijimit të qyteteve nga të vjetra në qytete të mençura. Me ndihmë të teknologjisë digjitale, Kina iu përmirëson jetën qytetarëve në qytetet e mençura, në të cilat infrastruktura është e harmonizuar me nevojat bashkëkohore të njerëzve”, theksoi Ivanov.

Profesorë nga universitetet e SHBA-ve, Kinës, Maqedonisë, Australisë, Polonisë, Rumanisë, Indisë, Sllovenisë, Katarit, Hungarisë, Serbisë, etj, do të debatojnë në konferencë, ndërsa do të prezantohen hulumtimet për sferat: ekonomia, Evropa Qendrore dhe Lindore dhe Kina, gjuha dhe kultura. Në nismën “Një rrugë, një brez”, e iniciuar nga presidenti kinez Xi Jinping në vitin 2013, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, janë përfshirë me mekanizmin e veçantë 16 plus 1.

Postime të Ngjajshme