` . Islamofobia si formë e re e pengimit të “tjetrit” në Perëndim - TV-SHENJA

Islamofobia si formë e re e pengimit të “tjetrit” në Perëndim

Euro-perëndimi, tashmë një kohë të gjatë, sillet me botën si skllavopronari me skllavin: ti nuk disponon me lirinë personale, ti nuk disponon me pasurinë personale, ti si qeveri nuk mund të hartosh plane jashtë pajtimit të tyre, ti nuk mund ta prezantosh identitetin tënd jashtë identitetit euro-perëndimor… sikur je ndonjë nënkategori njerëzore, objekt i supersubjektit, mjet, vegël, që merr frymë. Në të kundërtën, pasojat janë të mëdha

Shkruan: Nexhat IBRAHIMI, Prizren

Edhe pse tashmë në disa raste kemi shkruar për islamofobinë, tema si e tillë nuk është shterë. Meqë kjo temë po imponohet nga aspekte të ndryshme, në raste të ndryshme, edhe përgjigjja jonë do të jetë e tillë. Për më tepër që dinamika e rrjedhave euro-perëndimore në rrafshin botëror po merr drejtim edhe më intensiv dhe më të larmishëm karshi vendeve muslimane dhe muslimanëve, qofshin ata shumicë ose pakicë. Euro-perëndimi, sidomos me fuqizimin e tij pas Luftës së Dytë Botërore me Amerikën, e ka planetarizuar në skajshmëri hegjemoninë e tij, duke dominuar me pasurinë botërore, me shtetet e ndryshme, por edhe me vetë jetën tonë. Asgjë nuk i ik atij nga syri, asgjë nuk ia lë rastit. Ai vëzhgon, mbikëqyr, planifikon, urdhëron, kontrollon. Ai i aranzhon ngjarjet dhe e përcakton marshrutën e tyre, qoftë politike, ushtarake, ekonomike, sociale, komunikuese, a demografike, qoftë kulturore, shkencore, mediale, religjioze, sportive etj. Synimi është i qartë: asgjë të mos e prishë ose çrregullojë rendin, fuqinë, pozitën dhe namin e euro-perëndimit. (Shih: Noam Chomsky, Hegemonija ili opstanak – američke tenje za globalnom dominacijom, Zagreb, 2004, fq 22.)

Euro-perëndimi, tashmë një kohë të gjatë, sillet me botën si skllavopronari me skllavin: ti nuk disponon me lirinë personale, ti nuk disponon me pasurinë personale, ti si qeveri nuk mund të hartosh plane jashtë pajtimit të tyre, ti nuk mund ta prezantosh identitetin tënd jashtë identitetit euro-perëndimor… sikur je ndonjë nënkategori njerëzore, objekt i supersubjektit, mjet, vegël, që merr frymë. Në të kundërtën, pasojat janë të mëdha. Çdokush që përpiqet të arrijë subjektivitet botëror-historik, ai u nënshtrohet masave psikologjike, politike, ekonomike, represive, duke nxitur konflikte në vendin përkatës (Turqia, Venezuela, …) deri në luftë (Siria, Iraku, Egjipti…). Ata e organizojnë dhe intensifikojnë represionin sipas nevojës së tyre nëpërmjet “sëmundjeve” që i kanë krijuar për të tjerët, si racizmi, fashizmi, komunizmi, antisemitizmi, islamofobizmi etj. Ato gjëra nuk ndodhin vetvetiu, spontanisht, dhe jashtë syrit të tyre vëzhgues. (Uzroci i prevencija islamofobije – Zbornik radova, Halil Mehtić & Izet Pehlić (ed.), Zenicë – Sarajevë, 2013, fq. 43-56.)

Ndër të gjitha këto sëmundje, në pjesën e parë të shekullit XXI është islamofobia, e cila si lugat mitik mbinë nga thellësia e errët e qenies euro-perëndimore. Nga ajo që duket qartë, islamofobia është justifikim i ri për të këqijat e ndodhura ose që do të ndodhin, këtë herë ndaj muslimanëve, siç ndodhi më herët me muslimanët dhe të tjerët.

Përmasat dhe përkufizimi i islamofobisë

Slogani i shoqërisë plurale dhe të hapur ndaj tjetrit dhe të ndryshmit në aspektin kulturor, shpirtëror, racor e religjioz, kohëve të fundit, është zhvlerësuar dhe shformuar. Ai vetëm deklarativisht është vlerë euro-perëndimore, sepse viteve të fundit paraqet edhe kërcënim për euro-perëndimorët, të djathtë ose të majtë qofshin. Ata çdo ditë e më tepër i cekin dallimet me të tjerët dhe i heshtin ngjashmëritë. Kjo po ndodh si te fuqitë e mëdha koloniale, siç është Anglia, Franca e tjera, ashtu edhe te vendet e tjera më pak kolonialiste, por me një të kaluar të zymtë, siç është Gjermania dhe fashizmi i saj. (D. Aničić (ed.), Fragmenta Philosophica I, Loznica, Karpos, 2007, fq.174.) Islamofobia po bëhet formë e re e racizmit dhe antisemitizmit euro-perëndimor, i cili themelin e vet po e gjen para së gjithash në etnizimet e dallimeve kulturore dhe fetare ndërmjet euro-perëndimorëve dhe muslimanëve.

Edhe pse islamofobia është e pranishme në forma të ndryshme tashmë një kohë të gjatë, vërejmë se ajo nuk është studiuar në mënyrë të duhur dhe gjithanshme. Ajo është çështje e ndërlikuar, shumështresore, dinamike, në të cilën janë reflektuar njëkohësisht mitikja dhe realja, e kaluara dhe e tanishmja, e përbotshmja dhe metafizikja, racionalja dhe irracionalja. Nëse në studimin e saj nuk kihen parasysh aspektet historike, psikologjike, politike, shoqërore, kulturore dhe religjioze të euro-perëndimorëve karshi Islamit dhe muslimanëve, rezultatet do të jenë të mangëta, të pjesshme. (Sipas: Hua Hsu, Stuart Hall and the Rise of Cultural Studies, në: https://www.newyorker.com/books/page-turner/stuart-hall-and-the-rise-of-cultural-studies (Qasja: 2.5.2019) dhe: R.Čičak-Chand, Religija kao izraz etničkog i kulturnog identiteta, në: Kultura, Etničnost, Identitet (ed. Jadranka Čačić-Kumpes), Zagreb, 1999, fq. 206.)

Për ta identifikuar çështjen më saktë duhet pak a shumë edhe ta përkufizojmë. Si dukuri, islamofobia është e hershme, por si term e gjejmë në vitet e ‘80-ta të shekullit XX në Angli. Qysh në fillim termi kishte kuptimin e frikës së sëmurë e të pabazuar nga Islami dhe muslimanët, të lidhur me urrejtje dhe frikë nga tjetri, ndërsa “tjetri” në këtë rast ishin muslimanët, sepse as në aspektin nacional as në atë fetar nuk ishin të njëjtë. Mediat angleze, por edhe tjerat, e ndihmuan këtë fobi në masë të madhe. (Uzroci i prevencija islamofobije, po aty., fq. 43 e tutje.)

Pas vitit 2001 dhe ngjarjes së njohur në Nju-Jork, termi mori një interpretim të gjerë, vështirë të kontrollueshëm dhe skajshmërisht të vrazhdë. (Mohamed Nimer, (ed.) Islam i antiamerikanizam: Uzroci I rješenja, Sarajevë, 2009, fq. 15, ose: https://www.scribd.com/document/101021394/Ilamofobija-i-antiamerikanizam-uzroci-i-rje%C5%A1enja-Grupa-autora. (Qasja: 3.5.2019)) Por, tek disa autorë objektivë, islamofobia interpretohej edhe si padrejtësi dhe diskriminim ndaj muslimanëve, madje e numëronin bashkë me ksenofobinë dhe antisemitizmin, si formë të jotolerenacës. (Farah Elahi and Omar Khan (Ed.), The Runnymrde Trust, Islamophobia: A Challenge for Us All, 1997, fq. 6-8, në: https://www.runnymedetrust.org/uploads/Islamophobia%20Report%202018%20FINAL.pdf. (Qasja: 2.5.2019))

Stephen S. Schwartz, musliman i konvertuar, i njohur edhe në trojet shqiptare me dy vepra të tij të përkthyera shqip, thotë se me termin islamofobi, sipas euro-perëndimorëve, përfshihet Islami në tërësi, kultura, politika dhe historia e tij shënjestrohet si e rrezikshme, kërcënuese dhe e skajshme, duke mohuar se ekziston edhe shumica muslimane e matur, jo e skajshme, jo e dhunshme. Madje, Schwartz-i pohon se euro-perëndimorët këmbëngulin që muslimanët duhet ta ndryshojnë në thelb fenë e tyre dhe këtë ta zëvendësojnë me vlerat e Perëndimit modern. (Uzroci i prevencija islamofobije, po aty, fq. 43 e tutje.)

„Është paraqitur një industri e tërësishme, e cila pretendonte t’i kuptojë dhe shpjegojë shkaqet e “retrogresisë’ ose ngecjes së Islamit dhe paaftësisë së tij që të modernizohet dhe prirjet e supozuara për dhunë dhe tolerancë.” (A. A. Allawi, Kriza islamike civilizacije, Sarajevë, Dobra knjiga, 2012, fq. 135.)

Globalizimi, të bërit diskurs qendror dhe synimet e islamofobisë

Daljes së skenë të islamofobisë po i ndihmojnë edhe rrethana të ndryshme politike, ekonomike, sociale, religjioze, por edhe demografike. Kjo e fundit, në kombinim me të parat, sipas euro-perëndimorëve, mund të sjellë deri te një rrezik për Perëndimin. Sërish sipas tyre, muslimanët më nuk janë problem dhe kërcënim nga jashtë, por edhe nga brenda kufijve. (New Hampshire Sunday News, August 20, 1989; The Spectator, October 19, 1990, sipas: Uzroci i prevencija islamofobije, poaty.) Historiani dhe gazetari anglez Niall Ferguson problemin demografik e ngre në shkallë europiane dhe paralajmëron se evropianët, duke rënë demografikisht, ndërsa muslimanët duke e kolonizuar Europën, ata paraqesin kërcënim serioz. Ai, madje, në mënyrë ironike, praninë gjithnjë e më të madhe të muslimanëve në Europë e quan “islamizim zvarritës në Shtëpisë dekadente kristiane.” (Niall Ferguson, The Way We Live Now: 4-4-04; Eurabia?, The New York Times Magazine, 04. 04. 2004, në: https://www.nytimes.com/2004/04/04/magazine/the-way-we-live-now-4-4-04-eurabia.html. (Qasja: 3.5.2019) dhe Niall Ferguson, The march of Islam, në: http://www.niallferguson.com/journalism/politics/the-march-of-islam.)

Ky qëndrim i tij është koherent edhe me termin gjithnjë e më frekuentues të eurabisë, sipas të cilit numri gjithnjë e më i madh i muslimanëve në Europë do ta arrijë numrin e popullsisë autoktone, në të cilën ligjet dhe zakonet muslimane do të dominojnë. (Çështjen e eurabisë e shpjegon mjaft mirë akademik Ferid Muhiq në Identiteti islam i Evropës, Logos-A, Shkup, 2013, fq. +454. Krhs.: A. A. Allawi, poaty, fq. 208.) Diç të ngjashme pati profetizuar edhe historiani botëror E. Gibbon, që nëse Perëndimi shkon hapave të rënies, mbase Kur’ani do të bëhet literaturë themelore në universitetet euro-perëndimore. (Shih ndonjë botim të Edward Gibbon, Decline and Fall of the Roman Empire (Rënia dhe shkatërrimi i Perandorisë Romake) (pjesa IX: http://files.libertyfund.org/files/1436/0214-09_Bk.pdf), ose: Edward Gibbon, Life of Mahomet, në: https://ia802305.us.archive.org/13/items/lifeofmahomet00gibb/lifeofmahomet00gibb.pdf)

Nëse islamofobia për një kohë ishte temë përjashtimisht e djathtistëve të skajshëm, neokonservatorëve, viteve të fundit kjo temë u bë diskurs i përgjithshëm dhe i qëndrueshëm. Në këtë ndërmarrje kemi angazhimin e gjithë spektrit politik, intelektual, gazetaresk, sikurse janë: Bernard Lewis, Samuel Huntington, Oriana Fallaçi, Melani Phillips, Polly Toynbee, Niall Ferguson, pastaj Marin Le Pen, Stephen Gasha, Thil Sarrazin e shumë të tjerë, pa i përmendur informatorët e tyre nëpër vendet e ndryshme, përfshirë edhe trojet shqiptare.

Këta angazhohen në fuqizimin e paragjykimeve antiislame. Për shembull, O. Fallaçi, disa ditë pas 11 shtatorit 2001, shkroi: “Nëse Perëndimi nuk i kundërvihet Islamit, ai do ta shkatërrojë botën të cilën ne, qoftë ai i keq apo i mirë, kemi arritur ta ndërtojmë. Ata do ta zhdukin kulturën tonë, artin tonë, shkencën tonë, moralin tonë, vlerat tona dhe kënaqësitë tona.” (Sipas: A. A. Allawi, poaty, fq. 208)

Thilo Sarrazin, bankari dhe racist fanatik gjerman, pohon se gjenetika e muslimanëve është diabolike (shejtanike) dhe është në kundërshtim me gjenetikën e qytetarit perëndimor-kristian. Muslimanët janë të dhunshëm, të marrë, përtacë, joefikasë, të rrezikshëm, bastardë, terroristë potencial. (Sipas: https://www.gatestoneinstitute.org/4921/germany-france-suicide.)

Filozofi postmodern francez Jean Baudrillard, në frymën e mesjetës, muslimanët i quan antimodernë, radikal, të paadaptueshëm e destruktiv. (I. Almond, The New Orientalists: Postmodern Representations of Islam from Foucault to Baudrillard, në:https://www.academia.edu/408745/The_New_Orientalists_Postmodern_Representations_of_Islam_from_Foucault_to_Baudrillard. Shih: I. Almond, Predstavljanjeislama u zapadnjačkojmisli, Sarajevo, CNS, 2011, fq. 202.)

Nga shkrimet e niveleve të ndryshme, nga lajmet e shkruara dhe vizive, bëhet e qartë se islamofobia është pjesë e projektit global antiislam. Intensiteti i tyre, kohëve të fundit, është i rrezikshëm, madje alarmues. Asnjë parim demokratik, i drejtësisë e i humanitetit, nuk mund ta mbështesë një opsion të tillë. Kjo është gjendje e histerisë dhe hiç më pak. Edhe po të ketë ndonjë rast terrorist të veçuar, ndonjë veprim të pamatur individual ose të një shteti, kjo nuk e justifikon veprimin euro-perëndimor, si: sulmet mbi Islamin dhe muslimanët, përvetësimi i pasurisë, arrestimet dhe burgosjet pa afat, abuzimi fizik me të burgosurit, vrasja e muslimanëve të pafajshëm, duke i cilësuar si dëme kolaterale, përkrahja e sistemeve jodemokratike të shteteve arabe, përkrahja e regjimeve antipopullore nga vendet perëndimore. (Uzroci i prevencija islamofobije, po aty.)

Përfundimi i mundshëm

Demokracia, liria dhe të drejtat njerëzore nuk mund të sendërtohen duke urryer, përbuzur e atakuar të tjerët. Sikur të ndodhte brenda Europës, edhe mund të gjendet ndonjë justifikim, por kur kjo ndodhë me mijëra kilometra larg, mbi vendet dhe popujt që me asgjë nuk mund ta rrezikojnë Perëndimin, atëherë është e qartë se euro-perëndimi është në një qorrsokak mendor dhe kulturor, human e qytetërimor. Edhe pse në Europë ekzistojnë ligjet kundër racizmit, sulmi kundër muslimanëve nuk dënohet. Në Europë digjet Kur’ani, përbuzet Muhamedi a.s. në mënyrë të vrazhdë e të fëlliqur, por kjo quhet liri e shprehjes. Megjithatë kjo nuk vlen nëse dikush tenton ta mohojë Holokaustin ose të shquhet me antisemitizëm. (A. A. Allawi, po aty, fq. 224.)

Andaj shtrohet pyetja: a jemi, vallë, para një fashizmi të ri, sido që ta ketë emrin?; a janë, vallë, muslimanët kësaj herë cak në vend të hebraikëve, produkt i djallit, me rrënjë antikrishti? (Uzroci i prevencija islamofobije, po aty.,fq. 43.)

Në murin e Kampit të Përqendrimit të Mauthausen në vitin 2009 shkruante: “Atë që hebraikët ishin për baballarët tanë, këtë janë llumi (pisllëku) musliman për ne. Bëhuni të kujdesshëm.” (Sipas: Yasemin Shooman, Islamofobija i antisemitizam: Diskurzivne analogije i razlike, në: http://www.islambosna.ba/saff-333-islamofobija-i-antisemitizam-diskursivne-analogije-i-razlike/. (Qasja: 3.5.2019))