` . Islamizimi dhe Ekskomunikimi i Edi Ramës - TV-SHENJA

Islamizimi dhe Ekskomunikimi i Edi Ramës

Shkruan: Besnik Sinani

Auto-Islamizmi i ligjërimit publik të Ramës.

Në një nga dhjetë urdhëresat e Biblës, e gjetur në librin e Eksodit (20:7), besimtarët urdhërohen: “Mos e përmend emrin e Zotit kot”. Sipas disa komentarëve, ky varg biblik ndalon përmendjen e emrit të Zotit pa treguar nderim të mirëfilltë për Të, e të tjerë shtojnë që kjo adreson edhe mungesën e sinqeritetit, dhe prononcimet publike të rreme të bëra duke përmendur emrin e Zotit. Kjo urdhëresë hyjnore adreson veçanërisht emrin e Zotit, si pika kulminante e veneracionit në të folurin e njeriut, por i njëjti lloj kujdesi i detyrohet gjuhës fetare në tërësi. Në fakt Krishtërimi, ashtu si dhe Budizmi e Hinduizmi zhvilluan dhe gjuhë liturgjike, gjuhë e dedikuar për shërbime fetare e dalluar nga gjuha e përditshme. Siç dihet, Islami nuk e çoi asnjeherë në këtë shkallë ndalimin, por ndan me fetë e tjera të njëjtin shqetësim për përdorimin abuziv të emrit të Zotit, të fjalëve të Profetit, e të ligjërimit fetar në tërësi. Një shembull i mirëfilltë demonstrohet në ndalimin e përmendjes së emrit të Zotit në vendet ritualisht të papastra, si nevojtoret.

Me këtë lloj botëkuptimi mbi gjuhën dhe të shenjtën është e natyrshme që besimtarët të mrrolen kur shohin emrin e Zotit, fjalët e Profetit, terma liturgjike apo juridike fetare të përdoren në nevojtoren e ligjërimit politik e mediatik shqiptar. Mund të ketë patur besimtarë myslimanë që mund të jenë entuziazmuar nga normalizimi i referencave fetare në mejdanin e mainstream-it publik shqiptar pas vitesh në tranzicion të demonizimit të çdo gjëje që kishte të bënte me Islamin. Por të tillë besimtarë, e mes tyre edhe hoxhallarë, duket të kenë neglizhuar faktin që kjo përfshirje sjell çshenjtërim të ligjërimit fetar. E kësisoj, edhe kur kryeministri i vendit citon pa vend emrin e madhëruar të Zotit – Allah – dhe citon fjalët e Profetit Muhamed – paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të – kjo zhvesh në diskursin publik një pjesë të shenjtërisë.

 

Duket më e udhës të jemi skeptikë ndaj citimeve të tilla nga kryeministri dhe të dyshojmë në sinqeritetin e përdorimit të së shenjtës nga një njeri që ndërkaq ka bashkëpunuar me elementë kriminalë, të cilët edhe i instaloi në pushtet, grabit pronën private e publike, si dhe toleron trafikimin e narkotikëve. Duhet mirëkuptuar dëshira për të dalë nga margjinalizimi ku janë vendosur për dekada kulturalisht myslimanët, por mësimi profetik dikton se nëse normaliteti dhe qendra janë të korruptuara, besimtarët refuzojnë këtë lloj normativiteti dhe preferojnë më mirë margjinalitetin. Ky nuk është aspak pozicion i kollajtë, por harmonizimi i vlerave të fesë përherë krijon një tension të vështirë me realitetin social të korruptuar. Besimtarët nuk e synojnë të vështirën, por as nuk deformojnë parimet për hir të pranimit nga paritë e korruptuara të Tiranës.

Sigurisht që ky fenomen i referimit ligjërimor të Islamit nga Edi Rama është shoqëruar nga tropet e zakonshme orientaliste dhe islamofobe. Në ditët e fundit Rama është adresuar si ‘turk’ (duke përdor një shenjues etnik si ofendim!!!), ‘sheik’, e ‘padishah’. Ish-drejtori i Bibliotekës Kombëtare – post i administratës publike ky – që dikur deklaroi se shqiptarët kanë tradhëtuar Jezu Krishtin, sqaroi së fundit se ‘teatrin e prishi turku.’ Entet mediatike dhe mbikqyrësit e etikës në media sigurisht nuk shohin asnjë problem me përdorimin e zokonshëm të gjuhës që nxit paragjykime e urrejtje etnike e fetare. Një gazetar si Alfred Lela, që hyn në kategorinë e opinionistëve që kërkon të “myslimanizojnë” me çdo kusht kundërshtarin, do e detajonte kësisoj ‘turkun’ tek profili politik i Edi Ramës:

“Në vend të shpresës euro-amerikane mbolli xhami turko-saudite dhe erdoganizmën… Rexhep Taipit i thotë ‘vëlla’ e Papës nxiton t’i dalë përpara si katolik. Ndërkohë katolikët e vendit të vet, persekutuar nga Enveri si kahmos e askush, bijve a nipave të votuesve të Fishtës e Gurakuqit, i poshtëron duke u dhënë si alternativë variante gege të Bonnie & Clyde.”

Është e tepërt të gjesh llogjikë në këtë mishmash interpretativ ku demonizohet xhamia dhe lavdërohet Papa, dikotomi konfliktuale e diskretituar që përpiqet periodikisht të pozicionojë të “mirën” dhe të “keqen” në temat e politikës së ditës.

Sigurisht që këto konstrukte nuk janë të reja, por tregojnë njëkohësisht faktin që kur një kryeministër, i cili në të kundërt ka një profil të paqartë fetar, përdor referenca fetare si formë mobilizimi të mbështetjes politike, kjo fton njëkohësisht sulme edhe ndaj ligjërimit fetar me të cilin ai supozitivisht identifikohet.

Ekskomunikimi i Edi Ramës – deklarimi ‘qafir’.

Si një lloj reflektimi kokëposhtë i ligjërimit fetar të Ramës vijnë edhe disa nga prononcimet e kohëve të fundit nga opozita. Me rastin e njoftimit se muslimanët në Tiranë nuk do mund të falen si ngahera bashkarisht në qendrën e qytetit, nën-kryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka deklaruar Edi Ramën ‘qafir’ – fe-mohues. Një deklaratë e ngajshme është bërë edhe nga ish-kreu i PD-së, Sali Berisha.

Sado që termi i mësipërm ka dhe një përdorim të njohur profan midis shpotisë dhe fyerjes, sërish në kontekst fetar termi rrezikon të kthehet në origjinë, sado pak. Ai i shtohet maskaradës konsensuale të abuzimin me terminologjinë e fesë, terminologji që besimtarët e dinë që nuk mund të përdoret vend e pa vend, dhe që mund të përdoret vetëm nga autoritete fetare. Përdorimi i kësaj gjuhe në polemikat politike përsëri zhvleftëson terma e koncepte që kanë rëndësi komunitare. Për më tepër, ngarkimi i debatit politik në një vend si Shqipëria me doza religjioze, kinse për t’i apeluar sensitiviteteve të muslimanëve, dëmton balancat e vendosura.

Myslimanët duhet të prononcohen kundër ngarkimit fetar të polarizimit politik në vend. Për myslimanët si qytetarë, Rama ka kusure plot, dhe shembja e teatrit është tregues i dhunimit të vlerave tona kolektive dhe jo i qëndrimeve të tij teologjike. Politikat e Ramës janë të dënueshme jo sepse ai ka tradhtuar fenë (si qafir), por sepse ka tradhtuar mirëbesimin publik. Është në interesin kolektiv, pra edhe të myslimanëve si qytetarë, që të kundërshtojnë publikisht manipulimin me termat, gjuhën, simbolet fetare nga politika e ditës.

Në një kohë kur Edi Rama humbet vazhdimisht bazën e mbështetjes dhe legjitimitetit, kur gjithnjë e më tepër mbështetet nga klientë e jo nga njerëz që besojnë tek ai, është normale që t’i apelojë formave të ndryshme në përpjekje për të projektuar e përftuar legjitimitet. Figurat publike myslimane duhet të refuzojnë këtë rol, sepse edhe nëse shoqërohet me mbështetjen politike për të bërë vepra të mira, ato ndyhen nga pjesëmarrja në legjitimimin e pushtetit.

Auto-Islamizimi i diskursit publik të Ramës na kujton se dijetarët muslimanë kanë këmbëngulur në analizën e ligjërimit në bazë të atij që e prodhon atë ligjërim: kalimat ul-hak jurad bi-ha el-batil.  Më e pakta që mund të bëjnë myslimanët përballë këtij abuzimi me ligjërimin fetar është indiferenca. Më e preferuar, është rrefuzimi publik i manipulimit të diskursit fetar, e më e virtytshme, të pasojnë keshillën shekullore të Imam Gazaliut, e të mos përzihen me sundimtarë (adam ikhtilat ma’a salatin) sidomos para faktit që në Shqipëri qeveritarët janë larg të qenit shërbëtorë publikë (public servants), por sundimtarë. (E-ZANI I NALTË)