` . Ish të pushtetshmit e VMRO-së dhe BDI-së kërkojnë të mos paraburgosen! (VIDEO) - TV SHENJA

Ish të pushtetshmit e VMRO-së dhe BDI-së kërkojnë të mos paraburgosen! (VIDEO)

Pesë raste për të cilat PSP ka ankimuar vendimet për paraburgim u shqyrtuan në Gjykatën e Apelit. Zyrtari i lartë i BDI-së, Ejup Alimi ishte i pari i cili u deklarua kundër paraburgimit të propozuar pasi tha se ai nuk është person i cili ndikon ose frikëson dëshmitarët, dhe kjo dëshmohet me imazhin që gëzon në opinion. Për më tepër, dëshmitarët që ishin ankuar nga ai tha se i njeh por nuk ka patur as kontakt as nuk ju është afruar për të ndikuar tek ata. Alimi i cili është i akuzuar për manipulim zgjedhor në rastin “Titanik” , tha se ai është vetë jurist dhe dëshiron që drejtësisa të vihet në vend prandaj  gjithmonë do të bashkëpunojë për të dëshmuar pafajësinë e tij lidhur me akuzat për krim zgjedhor në Çair për çka akuzohet edhe Ismet Gurri, ish-kryetar i Këshillit Komunal Zgjedhor të Çairit.

EJUP ALIMI

“Unë jam i pafajshëm dhe pafajësia ime do të dëshmohet në procedura tjera. Sot jam prezent për ti shërbyer drejtësisë për procedurat e tjera lidhur me çështjen do të bisedoni me përfaqësuesin ligjor i cili është i autorizuar prej meje”

GAZETARI

Por, Fatime Fetai direkt për juve tha se ka ankesa prej dëshmitarëve se frikësohen prej juve?

EJUP ALIMI

“Le ti tregon dëshmitë. Ajo mund të…Edhe un mund të them se ju sot jeni dëshmitarë për ndonjë çështje të caktuar por nuk është e vërteta. Apo mund të them se ndonjëri prej juve gazetarëve ka bërë ndonjë vepër penale, por ajo duhet të dëshmohet. Ju sot të gjithë po i shërbeni opinionit, që ta njoftoni opinionin…Nuk domethënë vetëm se vetëm me një fjalë të caktuar, duhet ti besohet asaj fjale”

Siç theksoi prokurorja Fetai, Alimi, me pozitën e tij të politikanit dhe pozita në parti i frikëson tej mase dëshmitarët që duhet të thirren në gjykatë për të dëshmuar. Fetai i lexoi dy deklarata të dëshmitarëve që janë frikësuar, e që sipas saj janë dëshmi se Alimi duhet të dërgohet në paraburgim.

FATIME FETAI, PROKURORE

“Ekziston frikë tek dëshmitarët për sigurinë etyre dhe të familjes. Prandaj si prokurore e këtij rasti e kisha patjetër të citoj edhe disa deklarata të dëshmitarëve në mënyrë që të bindim gjykatën më të lartë se ekzistojnë rrethana për ndikim tek dëshmitarët”

Fatime Fetai dhe Ejup Alimi në seancë komunikonin me përkthim prej shqip në maqedonisht, pasi Alimi kërkoi përkthyes.

Edhe Sasho Mijallkovi e siguroi gjykatën se nuk do të ikë nga shteti dhe nuk do të ndikojë në dëshmitarët, pasi siç tha, po të kishte dashur do ta kishte bërë deri  tani një gjë të tillë. Me një ton të zbutur Mijallkov shpjegoi se ai ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i kapshëm për gjykatën dhe prokurorinë.

Por, PSP ia kujtoi se ai ka dhënë adresë të rrejshme dhe nuk i ka pranuar ftesat për marrje në pyetje, gjë që avokati i tij e përgënjeshtroi duke thënë se ai është njeri i cili jeton me rrezik të lartë dhe nuk mund ta tregojë vendodhjen.

LENÇE RISTOVSKA, PROKURORE

“Ne gjithmonë kërkojmë paraburim kur ka rrethana për një gjë të tillë, pavarësisht veprës ose dënimit që i kërcënohet të akuzuarit. Në këtë rast se punojmë vetëm në bazë të provave, dhe kjo kërkesë është krejtësisht e bazuar në prova.Nuk pajtohem se bëhet fjalë për përndjekje politike, i kundërshtojmë pohimet e tilla të mbrojtjes”

Edhe ish-shefi i Drejtorisë së Pestë të DSK-së, Goran Grujovski dërgoi avokatët për të kundërshtuar paraburgimin, pasi vetë nuk kishte ardhur me arsyetimin se është i sëmurë. Ekipi mbrojtës tha se ai nuk do të ikë pasi shumë gjëra e lidhin për Maqedoninë, por prokurorja Lençe Ristovska tha se Grujovski ka shumë mundësi që të ikë pasi është personi me më së shumti akuza dhe kjo është motiv shtesë. Dhe po shihet se nuk paraqitet as në Prokurori, a as në gjykatë me arsye se është e sëmurë.

Ristovska ua rikujtoi gjykatësve se ai kur gjoja ishte në pushim mjekësor është parë në ndeshje sporti duke e manipuluar për gjendjen shëndetësore.

Ristovska tha se Grujovski ka shumë gjasa të ndikojë edhe në dëshmitarët. Prokurorja rikujtoi se gjatë bastisjes tek Grujovski është gjetur një fletorë ku janë shkruar të gjitha aktivitetet e PSP-së dhe dëshmitarët. Kanë qenë të shkruara datat dhe emrat e atyre që janë deklaruar për PSP-në.

Ish shefi i kabinetit të Sasho Mijallkovit, Toni Jakimovski gjithashtu refuzon mundësinë për të ikur nga shteti pasi thotë se atë e lidhë puna dhe fama për Maqedoninë dhe se nuk ka asnjë arsye për të ikur nga shteti. Madje ai thotë se kurdoherë që e ka kërkuar Prokuroria është paraqitur vetëm që të mos interpretohet se ikur nga drejtësia.

Por, Prokuroria Speciale ngul këmbë se ai udhëton shpesh dhe mund të ikë lirshëm nga shteti dhe druan nga ndikimi i dëshmitarëve, të punësuar në DSK. Jakimovski akuzohet në rastin “Fortesa”, për përgjimin e paligjshëm dhe shkatërrimin e përgjimeve.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

Ish të pushtetshmit e VMRO-së dhe BDI-së… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme