` . Ish-ministrat e Jashtëm, letër krerëve të BE-së: Kjo është një shenjë paralajmëruese për trazira - TV-SHENJA

Ish-ministrat e Jashtëm, letër krerëve të BE-së: Kjo është një shenjë paralajmëruese për trazira

10 ish ministra te jashtëm të vendeve europiane i kanë dërguar një letër të hapur Brukselit, ku i kërkojnë të paraqesë instrumenta të reja në samitin e Zagrebit, të cilat të konsolidojnë rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE.

Letra është botuar në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Euractiv” dhe në disa media të rajonit. “Vatrat e trazirave dhe tensionet që rrethojnë Bashkimin Europian, vazhdojnë”, thuhet aty, ndërsa në jug të tij, po formohet një hark paqëndrueshmërie politike të cilin nuk duhet ta lejojmë të zgjerohet.

“Stabiliteti, demokracia dhe prosperiteti në Europën Juglindore lidhen drejtpërdrejt me forcimin e projektit europian dhe përfundimin e ribashkimit të kontinentit tonë me pranimin e vendeve të rajonit, një proces ky që nisi 30 vjet më parë. Kundërshtimi këmbëngulës ndaj çeljes së bisedimeve të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me gjithë rekomandimin e Komisionit Europian dhe vullnetin e pjesës më të madhe të vendeve anëtare të BE-së e të Parlamentit Europian, e ka dobësuar ndikimin e mbetur të bllokut në pragun e vet, duke vënë në rrezik aftësinë e tij për të farkëtuar zhvillime strategjike e stabilitet në Europën Juglindore”, shkruhet në letër.

“Procesi i pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë një politikë e përgjegjshme dhe jo të konsiderohet si barrë”, theksohet më tej. Ish ministrat i bëjnë thirrje BE-së të kapërcejë ndasitë e brendshme duke i kujtuar se procesi i anëtarësimit do të zgjasë për shumë vjet, kohë që duhet të jetë e mjaftueshme sipas tyre, për ta pajtuar nevojën e integrimit të mëtejshëm te bllokut me atë të mbajtjes gjallë të perspektivës europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Letra e firmosur mes të tjerash nga ish ministri I jashtëm shqiptar Dirmit Bushati, ai gjerman Sigmar Gabriel e ish shefi i diplomacise greke, Nikos Kotzias, mbyllet me thirrjen që çelja e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të konsiderohet e domosdoshme dhe për të, liderët të bien dakort në samitin e ardhëm të BE-së. /TCH/