` . Ish kryediplomati gjerman: Perëndimi dështoi të adresojë shqetësimet e Turqisë për Sirinë - TV-SHENJA

Ish kryediplomati gjerman: Perëndimi dështoi të adresojë shqetësimet e Turqisë për Sirinë

Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ka kritikuar ashpër SHBA-të në lidhje me ndihmën e ofruar për grupet në veri të Sirisë që ndërlidhen me organizatën terroriste PKK, përkundër paralajmërimeve të vazhdueshme nga aleati i saj i NATO-s, Turqia, ku si pasojë është krijuar një përçarje e thellë mes Washingtonit dhe Ankarasë, transmeton AA.

“Gabimet veçse filluan gjatë administratës Obama”, tha Gabriel në një intervistë ekskluzive për të përditshmen Bild.

“Atëherë presidenti amerikan (Barack Obama) dëshironte të tërheqë trupat amerikane dhe vendosi të bashkëpunojë me YPG-në në mënyrë që të plotësojë boshllëkun. Kuptohet se ai e dinte që, krahas mohimeve, dega siriane e PKK-së do të merrte kontrollin mbi territoret në Sirinë verilindore”, shtoi ai.

Gabriel, një politikan i shquar socialdemokrat që ka shërbyer si ministër i Jashtëm nga viti 2017 deri më 2018, rikujtoi se Turqia që moti e ka parë YPG-në, degën siriane të PKK-së, si një kërcënim të madh të sigurisë.

“Duhet të ketë qenë e qartë për të gjithë se Turqia asnjëherë nuk do të lejonte formimin e shtetit të PKK-së në kufirin e saj me Sirinë. Turqia asnjëherë nuk do të lejojë PKK/YPG-në që të plotësojë boshllëkun aktual”, theksoi ai.

PKK, e cila është radhitur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka zhvilluar një fushatë terroriste kundët Turqisë për më shumë se 30 vite dhe është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve.

Ish-kryediplomati gjerman gjithashtu ka kritikuar shtetet evropiane se për një kohë të gjatë kanë mbyllur sytë për luftën e përgjakshme civile në Siri dhe kanë refuzuar popozimet e Turqisë për të krijuar një zonë të ndaluar për fluturime për të mbrojtur popullatën civile.

“Ajo dështoi për shkak të vetos nga shumë shtete evropiane, përfshirë Gjermaninë. Duke shikuar prapa, ajo me shumë mundësi ishte një gabim”, tha ai, duke shtuar se “tani është shumë vonë për të bërë diçka”.