` . Ischinger: Evropa i la të izoluar dy milionë kosovarë të shkretë - TV-SHENJA

Ischinger: Evropa i la të izoluar dy milionë kosovarë të shkretë

Drejtuesi i Konferencës së Sigurisë në Munih, Wolfgang Ischinger, në një intervistë për DW flet për gjyqin për krime lufte në Kosovë e për mbështetjen evropiane për Kosovën. Ai thotë se Ballkani vazhdon të ketë probleme etnike, papunësi, mbetje nga luftërat, fal udhëheqësve të këqij.

Ai është i lumtur që presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur pro vazhdimit të bisedimeve me Serbinë – për kursin evropian të Kosovës. Ndërsa, Edita Tahirit, që thotë se e ka shoqe që 20 vite, i dëshiron suksese.

“Është shumë e rëndësishme, përsa i përket politikës evropiane, që të mos e lëmë mënjanë Kosovën”, thotë ai.

Ischinger është kritik ndaj ndërkombëtarëve, që “vinin vërdallë në Prishtinë dhe mbaronin punë të cilat mund t’i kishte mbaruar pa problem edhe një kosovar i papunë”.

“Unë jam edhe i mendimit se ishte një gabim i jashtëzakonshëm, që në ndërtimin e marrëdhënies sonë me rajonin, arritëm për të gjithë heqjen e vizave, vetëm për kosovarët jo, me rezultatin që këta dy milionë të shkretë, ose një milion e gjysmë njerëz janë të izoluar nga të gjithë”, thotë ai. “Kosova ka nevojë, pavarësisht nga ajo si do të ecet me proceset, simpati dhe mbështetje nga Bashkimi Evropian. Jo me fjalë e premtime, por të paktën përmes trajtimit të barabartë me shtetet e tjera të rajonit – gjë që duhet të vlejë për qytetarin e Kosovës… Qytetari kosovar pyet, çfarë kemi bërë ne gabim, që ndryshe nga serbët, kundër të cilëve NATO-ja ka zhvilluar madje luftë, nuk mund të hyjmë pa viza në BE. Unë këtë e konsideroj një gabim të madh kapital, që këto trajtime të ndryshme nuk u eliminuan me kohë”.

Postime të Ngjajshme